Leximi gjatë namazit pa lëvizur gjuhën dhe buzët

October 31, 2023

Vendimi i leximit pa lëvizur gjuhën dhe buzët gjatë namazit.

Shejh Ibën Bazi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Fakti që personi synon diçka në zemrën e tij, kujton diçka në zemrën e tij dhe nuk e shpreh atë me gjuhë, në këtë rast nuk konsiderohet recitim, lutje apo dhikër (përmendje e Allahut). Kjo është përmendje në zemër dhe quhet dhikër me zemër. Ndërsa ajo që urdhërohet në namaz është të lexosh ashtu siç të ka urdhëruar i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem të lexosh. Po ashtu, ajo që urdhërohet në lutje është që njeriu t’i drejtohet Allahut me thirrje. Diçka e tillë nuk konsiderohet lutje apo recitim vetëm atëherë kur njeriu shprehet me gjuhë.

Dhikri është tre llojësh; dhikri i zemrës, dhikri i gjuhës dhe dhikri me vepra.

Pra, nëse personi në zemrën e tij kujton frikën ndaj Allahut, madhështinë, drojën, shpresën, mallin dhe dashurinë për Të, atëherë kemi të bëjmë me përkujtim me zemër.

Përmendja e Allahut me fjalët; Subhanallah (I lartë e i pastër është Allahu), Elhamdulilah (Falënderimi i takon Allahut), La Ilahe ilallah (Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut), Allahu Ekber (Allahu është më i madhi), La haule ue la kuvete ila bilah (Nuk ka ndryshim dhe forcë veçse prej Allahut), e gjithë kjo ka të bëjë me dhikrin e gjuhës.

Ndërsa personi kur fal namaz, kur agjëron dhe kur bën bamirësi duke shpresuar shpërblimin e Allahut, i bën dhikër Allahut me gjymtyrë dhe me zemër.

Marrë nga koleksioni i fetvave të dijetarit të nderuar Abdulaziz Ibën Baz.

Përktheu: Arjan Haskasa

Dosje:

Loading...