A lejohet të paraprihet imami në lëvizjet e namazit?

October 23, 2023

Përcillet nga Ebu Hurejra se Profeti, paqja qoftë mbi të, ka thënë: “Imami është caktuar që të ndiqet. Andaj, kur imami të bëjë tekbir bëni dhe ju. Mos bëni tekbir derisa të bëjë ai. Kur të shkojë në ruku shkoni dhe ju. Mos shkoni në ruku derisa të shkojë ai. Kur të thotë: SemiaAllahu limen hamideh, thoni: Allahume Rabbena lekel hamd! Kur të shkojë në sexhde shkoni dhe ju. Mos shkoni në sexhde derisa të shkojë ai. Kur të falet në këmbë faluni dhe ju në këmbë. Dhe kur të falet ulur faluni dhe ju të gjithë ulur.” Transmeton Ebu Daudi.

Nga ky hadith mësojmë se ndjekja e imamit në namaz është obligim dhe se ai imitohet në të gjitha lëvizjet, veprimet dhe fjalët e namazit. Kësisoj, nuk lejohet të veprohet ndryshe nga imami. Më e mira është që veprimet e xhematit të mos jenë njëherësh me veprimet e imamit por të jenë pas veprimeve të tij, duke iu bashkangjitur në çdo shtyllë të namazit sipas radhës dhe renditjes.

Nga hadithi mësojmë gjithashtu se paraprirja e imamit në namaz është veprim i ndaluar, dhe nëse dikush e bën këtë me vetëdije namazi i tij prishet. Mbetja e xhematit pas imamit duke u ikur një nga shtyllat e namazit është gjithashtu veprim i ndaluar njësoj si paraprirja.

Fjalët e Profetit, paqja qoftë mbi të: “Imami është caktuar që të ndiqet”, pikërisht fraza “që të ndiqet” dëshmon se veprimet e xhematit nuk duhet të bëhen para veprimeve të imamit dhe as njëherësh me veprimet e imamit, por duhen bërë pas veprimeve të imamit.

Allahu është më i Dijshmi!

Burimi: “Teudih el ahkam min bulug el meram” i Abdullah el Besam fq. 144.

Përktheu: Rexhep Milaqi

Dosje: ,

Loading...