Falja e namazit në mjetet e transportit

October 14, 2023

FALJA E NAMAZIT NË MJETET E TRANSPORTIT

Nuk lejohet falja e namazit farz(obligativ) në makinë,avion,tren dhe mjete të ngjashme nëse namazliu nuk mundet të drejtohet nga kibla dhe të falet në këmbë, përveç dy rasteve:

1-Kur i druhet kalimit të kohës para se të mbërrijë në destinacion. Ndërsa kur ai e di që do të mbërrijë në destinacion para se të kalojë koha, atëherë duhet të presë derisa të zbresë dhe pastaj të falet.

2-Kur nuk e ka mundësinë për të zbritur që të falet në tokë. E nëse e ka mundësinë atëherë duhet që të zbresë dhe të falet në tokë.

Nëse këto dy kushte janë të pranishme, atëherë lejohet që namazi të falet në mjetet e lartpërmendura. Argument për këtë është përgjithshmëria e fjalëve të Allahut: “Allahu nuk ngarkon askënd përtej mundësisë” (Bekare 286)

“Kinie frikë Allahun aq sa mundeni”(Tegabun 16) “Ai nuk ka vendosur për ju vështirësi në fe” (Haxh 78)

Nëse dikush pyet se, përderisa më lejohet të falem në këto mjete të transportit, a duhet të drejtohem nga kibla dhe a bën të falem ulur kur e kam mundësinë që të falem në këmbë?

Përgjigja: Nëse mundesh që të drejtohesh nga kibla gjatë gjithë namazit, atëherë duhet të drejtohesh drejt saj, sepse ajo është kusht për vlefshmërinë e namazit në udhëtim dhe jashtë udhëtimit.

E nëse nuk drejtohesh dot gjatë gjithë namazit, atëherë qëndro drejt kibles për aq kohë sa ke mundësi.

Kjo që thamë lidhet me farzin, ndërsa sa i takon nafiles(namazi fakultativ) çështja e saj është më elastike. Kështu që muslimani e ka të lejuar ta fali nafilen(namazin vullnetar) në mjetet e lartpëmendura edhe nëse nuk është në drejtim të kibles dhe edhe nëse mundet që të zbresë. Sepse Profeti (paqja qoftë mbi të!) falej mbi kafshën e udhëtimit ngado që të drejtohej. Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka transmetuar se Profeti (paqja qoftë mbi të!) falte nafile mbi kafshën e udhëtimit edhe kur nuk ishte në drejtim të kibles” (Buhariu 1094) Mirëpo më e mira është që fillimi i namazit nafile të jetë drejt kibles.

Ndërsa namazi farz, ulur në mjetin e transportit, kur njeriu mundet që të falet në këmbë, nuk lejohet sepse Allahu i Madhëruar ka thënë: “Qëndroni në këmbë para Allahut të përulur”(Bekare 238)

Dhe sepse Profeti (paqja qoftë mbi të!) ka thënë:”Falu në këmbë e nëse nuk mundesh falu ulur e nëse nuk mundesh falu shtrirë!”(Buhariu 1117)

Burimi: Fetava Lexheh ed Daimeh 8/126

Përktheu Rexhep Milaqi

 

 

 

Dosje: ,

Loading...