Llojet e durimit

Llojet e durimit

Llojet e durimit janë tre, ashtu siç i kanë klasifikuar dijetarët muslimanë:

  1. Durimi në lidhje me kryerjen e obligimeve fetare.
  2. Durimi për t’u distancuar nga ndalesat e Zotit.
  3. Durimi gjatë fatkeqësive dhe sprovave.

Ky klasifikim merr kuptim prej faktit se njeriu gjatë jetës së tij në këtë botë patjetër do të gjendet para njerës nga këto tri situata:

  1. Ose do të gjendet para ndonjë obligimi fetar, dhe në këtë rast kërkohet prej tij që ta kryej atë.
  2. Ose do të gjendet para ndonjë veprimi të ndaluar fetarisht, e në këtë rast kërkohet prej tij të distancohet nga ai veprim.
  3. Ose do të gjendet para ndonjë sprove dhe vështirësie, e në këtë rast kërkohet prej tij të jetë i qëndrueshëm dhe i durueshëm.

Njeriu për aq kohë sa është ‘mukel-lef[1] nuk shpëton nga gjendjet e mësipërme, dhe në të trija rastet i nevojitet durim.

Me të trija këto lloje të durimit e ka porositur Lukmani i urtë e i mençur djalin e tij, ashtu siç na e përcjell porosinë e tij Kurani famëlartë:

يَا بُنَيَّ أَقِمِ الصَّلَاةَ وَأْمُرْ بِالْمَعْرُوفِ وَانْهَ عَنِ الْمُنكَرِ وَاصْبِرْ عَلَىٰ مَا أَصَابَكَ ۖ إِنَّ ذَٰلِكَ مِنْ عَزْمِ الْأُمُورِ

“O djali im, kryeje namazin, urdhëroje të mirën, pengoje të keqen dhe bëhu i durueshëm për çfarëdo që të godet! Me të vërtetë, ky është thelbi i të gjitha çështjeve!” Lukman: 17.

Duke u nisur nga një këndvështrim tjetër, nga fakti se fjala arabe ‘sabër – durim’ vjen me kuptimin gjuhësor ‘habs – ndalim, frenim’, atëherë mund të themi se ky kuptim i tri llojeve të durimit është:

  • Ta ndalësh dhe ta frenosh vetveten duke e detyruar të kryej obligimet fetare.
  • Ta ndalësh dhe ta frenosh vetveten nga kryerja e harameve dhe ndalesave.
  • Ta ndalësh dhe ta frenosh vetveten nga ankesa, nga shqyerja e rrobave dhe të folurit me fjalë jo të hijshme, gjatë nervozizmit, sprovave dhe fatkeqësive të kobshme.

Le të ndalemi shkurtimisht dhe të shtjellojmë çdonjërën nga këto tri lloje të durimit.

Durimi që ka të bëjë me kryerjen e obligimeve fetare.

Sa i takon durimit gjatë kryerjes së obligimeve fetare ai është tepër i rëndësishëm për muslimanin, pasi pothuajse të gjitha obligimet fetare shoqërohen më njëfarë mundimi dhe vështirësie, ndërsa është prej natyrës njerëzore që njeriu të jetë i prirur drejt rehatisë dhe dembelizmit.

Shumica e adhurimeve kërkojnë angazhim për t’i kryer. Le të marrim si shembull namazin. Falja e namazit kërkon plotësimin e disa kushteve, kryerjen e disa veprimeve të caktuara, kërkon ta falësh në kohën e caktuar e kështu me rradhë. E gjithë kjo kërkon angazhim të posaçëm dhe durim. E njëjta gjë kërkohet edhe tek adhurimet e tjera. Dikush mund të jetë koprrac dhe mund të mos e pëlqejë dhënien e zekatit, për shkak se pasuria është e dashur për nefsin. Dikujt tjetër mund t’i duket i vështirë agjërimi pasi ai e privon nga ushqimi dhe kënaqësitë. Dikush tjetër mund të mos e ketë me shumë dëshirë shkuarjen në haxh, pasi siç dihet kryerja e haxhit kërkon largim nga vatani dhe familja, shpenzim të pasurisë dhe shumë mund e lodhje. Kështu pra, durimi në kryerjen e obligimeve fetare është tepër i rëndësishëm.

Vlen të theksojmë këtu se durimi që ka të bëjë me kryerjen e obligimeve fetare kërkohet në tre momente:

  • Durimi para kryerjes së adhurimit. Kjo bëhet duke saktësuar nijetin (qëllimin), duke u përpjekur që adhurimi të jetë i sinqertë për hir të Allahut, duke marrë vendim se adhurimin do ta kryesh deri në fund dhe duke u ruajtur nga çdo motiv që ka për bazë syfaqësinë dhe mburrjen. Për shkak të rëndësisë së madhe që ka durimi para kryerjes së adhurimit Allahu i Madhëruar e ka paraprirë atë ndaj veprës, ashtu siç e gjejmë në ajetin kuranor:

إِلَّا الَّذِينَ صَبَرُوا وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ أُولَٰئِكَ لَهُم مَّغْفِرَةٌ وَأَجْرٌ كَبِيرٌ

“Vetëm ata që durojnë dhe bëjnë vepra të mira për ata do të ketë falje dhe shpërblim të madh.”  Hud: 11.

  • Durimi gjatë kryerjes së adhurimit. Kjo realizohet duke sjellë ndërmend Allahun gjatë kryerjes së adhurimit, pra të mos harrosh që atë adhurim je duke e kryer për hir të Allahut dhe për të fituar kënaqësinë e Tij. Të mos tregohesh dembel dhe neglizhent gjatë kryerjes së adhurimit. Të kujdesesh që adhurimin ta kryesh në formën më të plotë, duke plotësuar kushtet dhe obligimet përkatëse dhe duke u kujdesur që ai adhurim të jetë në përputhje me sunetin profetik. Kështu pra, vetëm me durim dhe përkushtim do të jesh në gjendje ta kryesh adhurimin në formën më të mirë të mundshme.
  • Durimi pas kryerjes së adhurimit. Momenti pas kryerjes së adhurimit është moment tepër delikat, pasi nevojitet durim në mënyrë që të frenosh dëshirën për t’u mburrur e lavdëruar para njerëzve për adhurimin dhe veprën e mirë që ke kryer. Po ashtu, duhet ta ndalosh veten nga vetpëlqimi dhe vetkënaqësia, ashtu siç duhet të tregosh kujdes nga çdo gjë që mund të ta zhvlerësoj shpërblimin e adhurimit.

Allahu i Madhëruar na porosit në Kuranin famëlartë që të tregojmë kujdes e të mos e pasojmë dhënien e lëmoshës me fjalë fyese dhe mburrje, pasi nëse do të silleshim ashtu do ta humbisnim shpërblimin e sadakasë. Allahu i Madhëruar thotë:

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا لَا تُبْطِلُوا صَدَقَاتِكُم بِالْمَنِّ وَالْأَذَىٰ

“O besimtarë! Mos i çoni dëm lëmoshat tuaja duke ua kujtuar ato (atyre që ua keni dhënë) dhe duke i fyer!” Bekare: 264.

Nga ky ajet Kuranor kuptohet qartë se kush nuk e frenon veten nga mburrja dhe ofendimi nuk fiton asgjë prej sadakasë së dhënë, pasi ai veprën e mirë e ka pasuar më vepër të keqe e cila e asgjëson shpërblimin e veprës së mirë.

Nga çfarë kemi thënë deri tani na bëhet e qartë se kryerja e obligimeve fetare ka nevojë të domosdoshme për durim dhe përkushtim të vazhdueshëm. Për këtë arsye, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Xheneti është i rrethuar me vështirësi!”[2]

Durimi që nevojitet për t’u distancuar nga ndalesat e Zotit.

Gjithkush e ka të qartë se për t’u distancuar nga çfarë ka ndaluar Allahu nevojitet durim dhe vetpërmbajtje. Muslimani obligohet që ta frenojë epshin e tij nga haramet dhe nga çfarë e dëmton. Ndër ndalesat më të vështira për t’u distancuar prej tyre janë ato që kanë zënë vend në përditshmërinë e njeriut dhe janë bërë pjesë integrale e sjelljes së tij, qoftë ajo diçka që manifestohet në publik apo që bëhet në fshehtësi. Kur zakoni shoqërohet me epshin lind vesi, dhe vesi është shumë i vështirë për t’u kuruar. Zakoni i keq dhe epshi i ndaluar janë dy “ushtarë” prej ushtarëve të Iblisit të mallkuar. Shtysa fetare (ndërgjegja fetare) nuk e ka aspak të lehtë t’i zmbrapsi ato të dyja kur bëhen bashkë. Për këtë arsye, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) në vazhdim të hadithit të lartpërmendur ka thënë: “Ndërsa Xhehenemi është i rrethuar me kënaqësi!”[3]

Mirëpo, nëse njeriu e frenon veten dhe bën durim ndaj atyre kënaqësive momentale, duke synuar kënaqësinë e Zotit dhe shpërblimin e Tij, kjo padyshim që është më mirë për të.

Durimi që nevojitet për t’u bërë ballë sprovave dhe fatkeqësive

Njeriu patjetër që do të sprovohet gjatë jetës së tij. Allahu i Madhëruar thotë:

وَلَنَبْلُوَنَّكُم بِشَيْءٍ مِّنَ الْخَوْفِ وَالْجُوعِ وَنَقْصٍ مِّنَ الْأَمْوَالِ وَالْأَنفُسِ وَالثَّمَرَاتِ ۗ وَبَشِّرِ الصَّابِرِينَ

“Sigurisht që Ne do t’ju provojmë me frikë dhe uri, me dëmtim të pasurisë, të njerëzve dhe të të lashtave! Prandaj, përgëzoji durimtarët!” Bekare: 155.

Durimi gjatë sprovave dhe fatkeqësive bëhet duke e frenuar vetveten nga veprime të ndaluara fetarisht, duke frenuar gjuhën nga ankesa dhe fjalët e shëmtuara, duke frenuar zemrën nga mendimi i keq për Allahun e Madhëruar, si dhe duke frenuar gjymtyrët nga shqyerja e teshave në shenjë zemërimi për fatkeqësinë e ndodhur, apo nga çdo lloj dëmi që mund të kryej njeriu në ato çaste. Kur njeriu bën durim dhe tregon vetpërmbajtje në të tilla situata, kjo është shenjë e mirë për besimin e tij. Kjo tregon se ai e ka kuptuar që fati, qoftë i mirë apo i keq, është prej caktimit të Allahut, kështu që ai ka bindjen se Zoti i tij nuk ia do të keqen robit të Vet. Ky njeri shpreson se me atë fatkeqësi që i ka ndodhur Allahu do t’ia falë gjynahet, do t’ia lartësojë gradët dhe do ta shpërblejë me mirësitë e Tij të pashtershme.

Nga Umu Selemeh transmetohet se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Nëse ndonjërin nga ju e godet ndonjë fatkeqësi, le të thotë: Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi! O Zoti im! Tek Ti e llogaris shpërblimin për fatkeqësinë që më ka ndodhur, prandaj më jep të mira o Zot dhe ma zëvendëso humbjen time me diçka edhe më të mirë se ajo!”[4]

Kur bashkëshortit të saj Ebu Selemes iu afrua çasti i vdekjes, ai tha: “O Zoti im! Zëvendësoja mungesën time familjes time me më të mirë se unë!” Pasi ndërroi jetë Ebu Seleme, bashkëshortja e tij Umu Seleme e luti Allahun me fjalët që kishte mësuar nga i Dërguari i Allahut: “Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi! O Zoti im! Tek Ti e llogaris shpërblimin për fatkeqësinë që më ka ndodhur, prandaj më jep të mira o Zot dhe ma zëvendëso humbjen time me diçka edhe më të mirë!”

Lutja e saj u pranua, dhe pasi e mbaroi periudhën e pritjes Umu Selemen e kërkoi për martesë njeriu më i mirë që ka shkelur mbi sipërfaqen e tokës, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të).

Shiko pra se sa të ëmbla janë frytet e durimit. Allahun e Madhëruar e lusim të na bëjë prej durimtarëve! Amin.

 

“Përgëzoji durimtarët!”   – pjesa e tretë –

Përgatiti: Seksioni i Shkencave Islame pranë ‘Darul Uatan’ – Rijad.

Përshtati në gjuhën shqipe: E. Ajdini

——————————————-

[1] Person që i përmbush kushtet e përgjegjësisë për veprat e veta.

[2] E transmeton Muslimi.

[3] I njëjti burim.

[4] E transmeton Ebu Daudi.