Nxitja për pastrimin e xhamisë

March 3, 2016

Nxitja për pastrimin e xhamisë, mbajtjen pastër, largimin e pisllëqeve, erërave të këqija dhe çfarë ka ardhur në lidhje me parfumosjen e tyre (xhamive)

Transmetohet nga Ebu Hurejra -radiallahu anhu- “se një grua e zezë fshinte xhaminë dhe  profeti -alejhi selam- nuk e po e shihte më atë. Pas disa ditësh pyeti për të dhe i thanë se ajo ka vdekur. Ai tha: Pse nuk më njoftuat? Atëherë ai shkoi tek varri i saj dhe i fali namazin”[1].

Në një transmetim tjetër: “Një grua mblidhtembeturinat dhe copëzat e drurit që binin në xhami”[2].

Transmetohet nga Semura bin Xhundub -radiallahu anhu- se ka thënë: “Na urdhëroi profeti -alejhi selam- ti bëjmë vendfalje në shtëpitë tona dhe na porositi ti pastronim”[3].

Transmetohet nga Aishja -radiallahu anha- se ka thënë: “Na urdhëroi profeti -alejhi selam- të bënim vendfalje në shtëpitë tona dhe ti pastrojmë e ti parfumosim ato”[4].

Transmetohet nga Enes bin Maliku se ka thënë: “Ndërkohë që ishim në xhami me profetin -alejhi selam- erdhi një bedeuin dhe urinoi në xhami. Shokët e profetit alejhi selam thanë: Ndal ore! Profeti -alejhi selam- tha: Mos ia ndërprisni, lëreni. Pastaj ata e lanë derisa kreu nevojën, pastaj profeti -alejhi selam- e thirri dhe i tha: Këto xhami, nuk janë për kryerjen e nevojës, as për pisllëqe e as për ndyrësi, por janë për kujtimin e Allahut, namaz, leximin e Kuranit, apo gjëra të ngjashme. Ai urdhëroi një burrë nga të pranishmit që ti sjellë një kovë me ujë dhe e derdhi mbi të (vendin e urinës)”[5].

Transmetohet nga Ebu Hurejra -radiallahu anhu- se profeti -alejhi selam- ka thënë: “Nëse ngrihet ndonjëri prej jush për tu falur, të mos pështyjë para vetes sepse ai i flet Allahut përderisa është në vendfalje, as nga e djathtase nga e djathta e tij ka një engjëll, të pështyjë nga e majta apo tek këmbët e tij pastaj ta mbulojë atë”[6].

Transmetohet nga Xhabir bin Abdullah se profeti -alejhi selam- ka thënë: “Kush ka ngrënë hudhra dhe qepë të falet vetëm ose të mos vijë në xhaminë tonë, por të qëndrojë në shtëpi. Profetit -alejhi selam- i kanë sjellë një tenxhere me perime të gatuara, ai ndjeu prej saj një erë dhe pyeti. Ata i treguan se janë qepujka. Ai tha: Jepjani atyre (disa prej shkëve të tij). Ai kur i pa, nuk pëlqeu ti hante dhe tha: Hani se unë flas me atë që ju nuk flitni”[7].

Në një transmetim thuhet: “Kush ha qepë, hudhër dhe presh të mos i afrohet xhamisë tonë sepse melaiket i bezdis ajo që i bezdis dhe njeriun”[8].

Umeri -radiallahu anhu- në një prej ligjëratave të xhumasë ka thënë: “ … pastaj o ju njerëz, hani prej dy bimëve të cilat nuk mendoj se janë vetëm se të këqija, qepë dhe hudhra”. E kam parë profetin -alejhi selam- kur e ndjente këtë erë prej ndokujt në xhami, urdhëronte të nxirrej për në Al-Bekij[9]. Kush ha prej tyre le ti hajë të gatuara”[10].

Ndërsa nëse është prej gjërave që njeriu nuk i ka bërë vetë dhe nuk arrin ti largojë si p.sh nëse era vjen nëpërmjet avullit (nga aroma e gatimit), atëherë ky nuk është prej erërave të këqija sepse sheriati ka ndaluar vetëm ngrënësin e hudhrës, qepës etj. nga prezantimi në xhami për të arritur mirësinë e xhematit, si dënim për moskokëçarjen e tij duke i munduar besimtarët dhe melaiket dhe nuk lejohet të ndalohet nga kjo mirësi ai që ka marrë nga avulli i tyre për shkak të këtij dallimi që përmendëm. Marrë shkurtimisht nga libri “Tamam El-Minne”.

Urrehet kërkimi i gjësë së humbur dhe shitblerjes në xhami

Transmetohet nga Ebu Hurejra -radiallahu anhu- se ka thënë: Ka thënë profeti -alejhi selam- : “Kush dëgjon një burrë që kërkon gjënë e humbur në xhami le ti thuhet: të mos e ktheftë Allahu, se xhamitë nuk janë ndërtuar për këtë gjë”[11].

Transmetohet nga Sulejman bin Burejda, nga i ati i tij se një burrë thirri në xhami: Kush ka gjetur një deve të kuqe. Profeti -alejhi selam- tha: “Mos e gjetsh! Xhamitë janë ndërtuar për tjetër qëllim”[12].

Transmetohet nga Ebu Hurejra -radiallahu anhu- se profeti -alejhi selam- ka thënë: “Nëse shihi një që shet ose ble në xhami thojini: Mos paç fitim në tregtinë tënde”[13].

Në një transmetim tjetër “Nëse shihni që ndokush kërkon gjënë e humbur thojini: Mos ta ktheftë Allahu”[14].

Mosngritja e zërit në xhami

Transmetohet nga Aishja nga profeti -alejhi selam- se ai nxorri kokën nga shtëpia e tij dhe pa njerëzit duke u falur me zë të lartë dhe u tha: “Njeriu kur falet është duke i folur Allahut, le të përqendrohet çdokush atij që i flet (Allahut) dhe të mos e ngrini zërin ndaj njëri tjetrit gjatë leximit të Kuranit”[15].

Transmetohet nga Ebu Seid El-Khudrij -radiallahu anhu- se ka thënë: “Profeti -alejhi selam- bëri një herë itikaf të xhami dhe i dëgjoi njerëzit  duke ngritur zërin gjatë leximit ndërkohë që ishte poshtë një çadre. Ai zbuloi perden dhe tha: “Çdo kush prej jush i flet Zotit të tij prandaj mos e mundoni njëri tjetrin dhe as mos e ngrini zërin mbi njëri tjetrin gjatë leximit ose në namaz”[16].

Lejohet të flitet për gjëra të lejuara në xhami edhe nëse dikush buzëqesh ose qesh për shkak të hadithit të Simak bin Harb i cili thotë: “E pyeta Xhabir bin Semura: A ke pas qenë ulur me profetin -alejhi selam- ? Ai më tha: Po, shpeshherë. Ai nuk ngrihej nga vendi ku falte sabahun derisa dilte dielli dhe kur lindte dielli ngrihej, bisedonin, përmendnin kohën e injorancës dhe qeshnin, kurse ai buzëqeshte”[17].

Lejohet leximi i poezive që përmbajnë kuptime të mira, urdhërim për mirë dhe ndalim nga e keqja etj. Transmetohet nga Abdullah bin Amër se profeti -alejhi selam- ka thënë: “Poezia është si fjala, vargjet e mira janë si fjalët e mira dhe vargjet e këqija janë si fjalët e këqija”[18].

Transmetohet nga Aishja -radiallahu anhu- se ka thënë: “Poezia është e mirë por ka dhe të këqija, ti merre të mirën dhe lëre të keqen, më janë përcjellë disa poezi nga ato të Keab bin Malik, disa prej tyre me dyzet vargje e të tjera me më pak”[19].

Transmetohet nga Ebu Hurejra -radiallahu anhu-  se: “Umeri kaloi pranë Hasan (bin Thabit) ndërkohë që po lexonte poezinë në xhami. Ai e vërejti atë, pastaj i tha: I lexoja këto gjëra në një mexhlis ku ishte ai që është më i mirë se sa ti. Pastaj u kthye nga Ebu Hurejra dhe i tha: Pash Allahun, a e ke dëgjuar profetin -alejhi selam- duke thënë: Përgjigju për mua! O Allah, ndihmoje atë me shpirtin e shenjtë. Ai tha: Pasha Allahun, po”[20].

Enciklopedia e thjeshtuar e Fikhut

Autor: Husejn el Auajsheh (Allahu e ruajtë)

Përktheu Teuta Xeka

 

 

[1]E transmeton Buhariu, Muslimi dhe Ibën Maxhe.

[2] E transmeton Ibën Khuzejma në Sahihun e tij dhe e saktëson shejh Albani.

[3]E transmeton Ahmedi e të tjerë dhe e saktëson shejh Albani.

[4] E transmeton Ahmedi e të tjerë dhe e saktëson shejh Albani.

[5] E transmeton Buhariu, Muslimi dhe ky është teksti sipas Muslimit.

[6] E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

[7] E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

[8] E transmeton Muslimi.

[9] Vend jashtë xhamisë së profetit -alejhi selam- .

[10]E transmeton Ahmedi, Muslimi e të tjerë.

 

[11]E transmeton Muslimi.

[12]E transmeton Muslimi.

[13] E transmeton Tirmidhiu, Darimiu, Ibën Khuzejma në Sahihun e tij e të tjerë dhe e saktëson shejh Albani.

[14]E transmeton Tirmidhiu, Darimiu, Ibën Khuzejma në Sahihun e tij e të tjerë dhe e saktëson shejh Albani.

[15] E transmeton Tabarani dhe e saktëson shejh Albani.

[16] E transmeton Ebu Daudi dhe e saktëson shejh Albani.

[17]E transmeton Muslimi.

[18] E transmetohet Buhariu jashtë librit të saktë dhe e saktëson shejh Albani.

[19]E transmetohet Buhariu jashtë librit të saktë dhe e saktëson shejh Albani.

[20] E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Loading...