Pyetje: A duhet të mjaftohemi vetëm me gjykimet fetare të katër medh’hebeve (shkollave juridike islame) dhe ndjekjen e njërës prej tyre, pa marrë në konsideratë ndryshimin e situatave dhe kohës?
Komisioni i përhershëm i fetvave është përgjigjur:
“Falënderimi dhe lëvdatat i takojnë Allahut! Paqja, mëshira dhe bekimet e Tij qofshin mbi të dërguarin e Tij Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij!
Në vijim:
Së pari: Duhet të dimë se katër medh’hebet e mëdha janë emërtuar sipas katër kolosëve të dijes; Ebu Hanifes, Imam Malikut, Imam Shafiut dhe Imam Ahmedit. Pra medh’hebi Hanefi e ka marrë emërtimin nga dijetari i madh Ebu Hanife, e kështu me rradhë.
Së dyti: Këta dijetarë të mëdhenj dhe imamë të fesë dispozitat fetare i kanë nxjerrë nga libri i Allahut (Kurani) dhe nga tradita profetike (suneti).
Ata me diturinë e tyre të gjerë dhe me zgjuarsinë e pashembullt, shoqëruar kjo me suksesin e Allahut, janë përpjekur pa u lodhur të përftojnë gjykimet fetare në lidhje me çështjet e jurisprudencës islame. Natyrisht që ata kanë dhënë maksimumin e mundit për të gjetur gjykimin e drejtë në lidhje me çdo çështje.
Kur dijetari i ka aftësitë e analizimit dhe përpiqet me të gjitha forcat që gjykimi i tij të jetë i saktë, ai shpërblehet për mundin e tij. Nëse ia ka qëlluar të vërtetës shpërblehet dyfish; për mundin e tij dhe për faktin se gjykimi i tij ka qenë i saktë. Por edhe nëse gabon në gjykimin e tij, përsëri shpërblehet për mundin e tij dhe është i justifikuar për gabimin.
Së treti: Cilido nga dijetarët e mëvonshëm që plotëson kriteret e analizimit të teksteve të Kuranit dhe Sunetit duhet tu përmbahet gjykimeve fetare të cilat ai i konkludon si të drejta dhe në përputhje me të vërtetën, e jo të mjaftohet me gjykimet dhe analizat e nxjerra nga ndonjë dijetar tjetër ndërkohë që ka bindjen se ky i fundit nuk e ka gjetur gjykimin e saktë.
Dijetari duhet t’i përmbahet gjykimit që e shikon si më të saktë dhe më pranë të vërtetës. Ndërsa pasimi i të tjerëve i lejohet vetëm në ato raste kur ai vetë nuk është në gjendje të dalë në një përfundim bindës, dhe e ka të domosdoshëm marrjen e nje vendimi apo dhënien e një gjykimi në lidhje me një çështje të caktuar.
Së katërti: Cilido që nuk i plotëson kriteret e vendosura nga dijetarët e jurisprudencës islame dhe nuk është i aftë për analizimin e teksteve të Kuranit dhe Sunetit, i lejohet të pasojë ata dijetarë për të cilët ka bindjen se gjykimi i tyre është i saktë. Nëse ai vetë nuk është në gjendje të gjykojë se cili nga dijetarët duhet pasuar, atëherë duhet të pyes dhe të interesohet derisa kjo çështje t’i bëhet e qartë dhe zemra e tij të gjejë prehje.
Së pesti: Nga çfarë u tha më sipër kuptohet se jo të gjitha gjykimet dhe direktivat fetare të dijetarëve janë të obligueshme të zbatohen në çdo situatë dhe në çdo kohë. Kjo sepse ata edhe mund të kenë gabuar në çështje të caktuara. Gjykimet dhe direktivat e tyre janë të obligueshme për t’u marrë në konsideratë dhe për t’u zbatuar vetëm në ato raste kur janë në përputhje me argumentet e sakta.
Shkëputur nga libri: “Fetvatë e komisionit të përhershëm”, vëll. 5, fq. 28.
Përktheu: Edmond Ajdini
Dosje: Dita e Gjykimit
Të Ngjashme
- Dobitë e dhikrit të mëngjesit dhe të mbrëmjes Udha e Besimtarëve
- Një dijetar si Ibn Tejmije Udha e Besimtarëve
- Rregull i pandryshueshëm: Çdo gjë që përdoret për të kundërshtuar Allahun, ajo ka për tu prishur. Udha e Besimtarëve
- Si të veprosh kur të ftojnë në një gosti Shejh Muhamed ibn Salih el-Uthejmin
- Statusi dhe vlera e fikhut në Islam Udha e Besimtarëve