Disa nga dobitë e besimit në kader

December 25, 2022

Disa nga dobitë e besimit në kader:

1-Të qënurit i kënaqur dhe i bindur. Allahu i Madhëruar ka thënë: ‘’As një fatkeqësi nuk bie pa lejen e Allahut.’’ | Tegabun: 11 |

Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: ‘’Me urdhër të Allahut” d.m.th. me caktimin dhe vendimin e Allahut’.  Po aty, Allahu i Madhëruar ka thënë: ’’E ai që beson në Allahun, Ai do t’ia qetësojë zemrën.’’ | Tegabun: 11 |

Në interpretimin e këtij ajeti Ibën Kethiri ka thënë: Atë që e godet një sprovë dhe bën durim, duke shpresuar në shpërblimin e Allahut dhe duke qenë i bindur që ajo ka ndodhur  me vendimin dhe caktimin e Tij, dhe më pas duke u nënshtruar përballë vendimit të Tij, Ai do t’ia orientojë në kahun e duhur zemrën dhe do t’ia kompensojë disfatat materiale përmes  udhëzimit që i fal në shpirt dhe bindjes së palëkundur. Nganjëherë ia kompenson duke ia rikthyer atë që ka humbur, e nganjëherë duke i falur diçka akoma më të mirë.

Ibën Abasi ka thënë: ‘’E udhëzon që zemra e tij të jetë e bindur se ajo që i ka ndodhur nuk mund të shmangej, dhe se ajo që është shmangur nuk mund t’i ndodhte.’’

Alkameja ka thënë: ‘’Bëhet fjalë për atë person të cilit i ndodh një disfatë, dhe duke e ditur që ajo është prej Allahut e pranon dhe nënshtrohet.’’

2- Shlyerja e mëkateve.

Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: ‘’Allahu i shlyen besimtarit gabimet përmes sikleteve, mundimeve, sëmundjeve dhe brengave që e kaplojnë atë.’’ Mutefekun alejhi.

3- Marrja e shpërblimeve të mëdha.

Allahu i Madhëruar ka thënë: ‘’Përgëzoji durimtarët, ata të cilët kur goditen nga një sprovë thonë: ‘Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi. Mbi ta lëshohen mirësi dhe mëshirë nga Zoti i tyre dhe ata janë të udhëzuarit në rrugë të mbarë.’’ | Bekareh: 155-157 |

4- Pasuria e shpirtit.

Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: ‘’Ji i kënaqur me atë që Allahu ka caktuar për ty dhe do të jeshë njeriu më i pasur!’’ Transmeton Ahmedi dhe Tirmidhiu.

Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem gjithashtu ka thënë: ‘’Pasuria nuk vjen nga materialet e shumta por ajo vjen nga shpirti i pasur.’’ Mutefekun alejhi.

Realiteti dëshmon se një pjesë e madhe e pasanikëve të mëdhenj nuk janë të kënaqur me atë çka posedojnë, për rrjedhojë ndihen të varfër në shpirt. Ndërsa ai që posedon pak pasuri por është i kënaqur me aq sa i ka caktuar Allahu ndërkohë që i ka bërë shkaqet e duhura, ai ndjehet i pasur në shpirtin e tij.

5- Mosmburrja dhe mosdëshpërimi.

Allahu i Madhëruar ka thënë: ‘’ S’ka fatkeqësi që godet tokën dhe juve që të mos jetë e shënuar në Libër (Leuhi Mahfudh) para se ta krijojmë atë. Kjo për Allahun është vërtet e lehtë. Ashtu që të mos dëshpëroheni tepër për atë që u ka kaluar e as të mos gëzoheni tepër me atë që Ai u ka dhënë, sepse Allahu nuk e do asnjë arrogant që u lavdërohet të tjerëve!’| Hadid: 22 |

Ibën Kethiri ka thënë: ‘’Mos u mburrni para njerëzve për mirësitë që ju ka dhënë Allahu sepse nuk i keni prej përpjekjes tuaj por i keni nga caktimi dhe rrizku i Allahut për ju, andaj mos i përdorni mirësitë e Allahut për tu bërë arrogantë dhe fodullë.’’

Ikrimja ka thënë: ‘’Të gjithë gëzohen dhe pikëllohen, por gëzimi le të jetë mirënjohje dhe pikëllimi durim.’’

6- Trimëria dhe guximi.

Ai që beson në kader është trim, nuk i druhet askujt veç Allahut sepse ai e di se vdekja është e paracaktuar. Ajo që i është shmangur nuk mund t’i ndodhte dhe ajo që i ka ndodhur nuk mund të shmangej. Fitorja arrihet me durim, pas pikëllimit vjen gëzimi dhe pas vështirësisë vjen lehtësimi.

7- Mospasja frikë prej dëmeve nga ana e njerëzve.

Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: ‘’ Dije se nëse tërë njerëzimi mblidhen të gjithë së bashku për të të bërë dobi, nuk mund të të bëjnë përveç asaj që të ka caktuar Allahu. Dhe nëse mblidhen të të bëjnë dëm, nuk mund të të bëjnë përveç asaj që të ka caktuar Allahu. Lapsat janë ngritur dhe fletët janë tharë.” TransmetonTirmidhiu.

8- Mosbërja pishman për disfatat e kaluara.

Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: ‘’Besimtari i fuqishëm është më i mirë dhe më i dashur tek Allahu se besimtari i dobët, e në të dy prej tyre ka hajr. Kujdesu për atë që të bën dobi, kërko ndihmën e Allahut e mos u ndal (lodh). Nëse të godet diçka mos thuaj: Po të kisha vepruar kështu do të ishte kështu e kështu, por thuaj: Caktimi i Allahut dhe çfarë dëshiron Ai vepron, sepse fjala ‘po të’ hap dyert për të vepruar shejtani.’’ Mutefekun alejhi.

9- Mirësia gjendet në atë që Allahu ka përzgjedhur për ty.

Kur të marrësh një plagë në dorë falëndero Allahun që nuk t’u thye dora. Kur të thyhet dora falëndero Allahun që nuk t’u këput apo që nuk të ndodhi diçka më e rëndë se aq. Tregohet se një tregtar po priste avionin për të nënshkruar një kontratë tregtie, ndërkohë u thirr ezani dhe ai shkoi të falej. Kur doli, pa se avioni kishte ikur dhe ai u ul i pikëlluar. Pak çaste më vonë mësoi se avioni kishte marrë flakë në ajër. Ai ra në sexhde duke e falënderuar Allahun që e shpëtoi dhe që u vonua për shkak të namazit. Nëpër mend i erdhën fjalët e Allahut: ‘’ Por mund ta urreni një gjë ndërkohë që ajo është e mirë për ju, e mund ta doni një gjë ndërkohë që ajo është e dëmshme për ju. Allahu di kurse ju nuk dini.’’ | Bekare: 216 |

 

Përktheu dhe përshtati: Rexhep Milaqi

Dosje:

Loading...