Kurani është një libër i plotë dhe gjithëpërfshirës

March 8, 2023

Kurani është një libër i plotë dhe gjithëpërfshirës

Kurani famëlartë trajton tema të shumta dhe të rëndësishme, si; urdhërimin për mirë dhe ndalimin nga e keqja, premtimet për shpërblim dhe kërcënimet nga dënimi, shembujt dhe urtësitë, tregimet e popujve të kaluar, këshillat, çështje të botës së padukshme, shkencave natyrore, shfaqjet e krijimit, argumentet e ringjalljes dhe tubimit, dhe çështje të tjera të rëndësishme.

Kështu, kur meditojmë Kuranin në të gjitha këto tema dhe objektiva zbulojmë se ai ka arritur kulmin e elokuencës dhe aftësisë, përputhshmërisë dhe harmonisë.

Pjesa e parë ngjan me pjesën e fundit, ajetet i ngjajnë njëra-tjetrës në bukurinë e tyre. Ai që e lexon kurrë nuk lodhet, ndërsa i afti në leximin e tij kurrë nuk plogështohet, dhe ai që mediton në të nuk dyshon. Njerëzve të devotshëm ai u shton udhëzimin ndërsa besimtarëve u shton besimin. Kjo sepse është në harmoni dhe vazhdimësi të përsosur dhe pjesët e tij vërtetojnë njëra-tjetrën.

Stili dhe renditja e kapitujve të Kuranit me mënyrën e tij të njohur, e që është i ndryshëm me stilin e librave të tjerë, ka një përshtatje me të gjitha ajetet dhe suret. Pra me kuptimin e tyre, ndërtimin dhe temat që trajtohen si të ishin një pjesë e vetme që plotësojnë njëra-tjetrën. Kjo është një dëshmi e prekshme se ai është libër që nuk e përpilon dot njeriu. Ai që përpilon diçka ulet dhe i vendos të gjitha çështjet që kanë lidhje duke i bërë të përshtatshme në një kapitull, dhe secilin grup kapitujsh e vendos në tema që pasojnë njëra-tjetrën. Ndërsa Kurani është një koleksion udhëzimesh nga shpallja e Allahut që e kërkon urtësia dhe dobia e madhe. Aty nuk do të gjesh asnjë gabim apo kontradiktë. Përkundrazi, do të jesh në gjendje të marrësh secilën pjesë të këtij libri dhe do të duket sikur i gjithi ka të bëjë me një temë të vetme.[1]

Shejh Ez Zurkani ka thënë: Në të vërtetë, ky kombinim dhe përzierje e shkëlqyer që gjen në çdo sure të Kuranit ose grup suresh ka një efekt të jashtëzakonshëm në ëmbëlsinë që shijon recituesi, mallëngjimin që ndien dëgjuesi dhe përfitimet e mëdha që merr lexuesi i tij. Sa të ngjashme janë suret e Kuranit me kopshtet e freskëta të frutave të pjekur, nëpër të cilat njeriu ecën duke shijuar ëmbëlsinë e tyre. Ose të ngjashme me një tryezë plot me lloje ushqimesh të shijshme që ushqejnë të uriturit dhe kënaqin nevojat e tyre, duke përfituar prej të gjitha llojeve.[2]

Dr. Muhamed Abdullah Deraz thotë: Lexon një sure të gjatë harmonike të Kuranit, të cilën injoranti e mendon si diçka të ngatërruar e të lidhur në mënyrë të rastësishme dhe kapituj të mbledhur pa kujdes. Por në realitet, nëse do të mendonte do të gjente një trup të ndërtuar mbi objektiva parimore që qëndrojnë mbi baza dhe themele. Madje do të vinte re se çdo parim është ndërtuar mbi degë dhe nyje të tjera, në atë mënyrë sa njeriut i duket sikur lëviz nëpër dhomat dhe oborret e një ndërtese. Shenjat e tij janë vendosur me një lëvizje dhe kështu nuk e ndien kurrë se nuk ka pasur harmoni në vendosjen e përbërjes dhe strukturës. Madje as nga ndarja e shkaktuar gjatë daljes prej një rruge për të shkuar në një rrugë tjetër. Përkundrazi, shihet se këto kategori të ndryshme bashkohen plotësisht, dhe pas gjithë kësaj kapitujt në përgjithësi marrin një drejtim të veçantë dhe lëvizin kolektivisht drejt një qëllimi specifik; si një trup i vetëm që ndihmohet nga pjesa tjetër e gjymtyrëve për të kryer një objektiv, paçka se çdo gjymtyrë ka një funksion të ndryshëm.[3]

Shkëputur nga libri: “Si ta kuptojmë Kuranin?”

Përktheu: Fatjon Isufi

————————————————————–

[1] Shih studimin me titull “Muhim el ihtilaf ue tenakud”, të shejh Jasir Ahmed Ali esh Shemali.

[2] Shih “Menahil el Irfan” 1/80.

[3] Shih librin “En Nebe el Adhim” fq. 155.

Dosje: ,

Loading...