Kurani do të jetë argument pro ose kundër teje.
Këtë e kemi mësuar nga një hadith autentik që i ndan recituesit e Kuranit në dy kategori:
1 – Ai që e lexon Kuranin dhe i bëhet argument pro në ditën e gjykimit. Pra është ai që vepron sipas urdhrave të Kuranit dhe qëndron larg asaj që Kurani ndalon. Ai që bën të lejueshme atë që Kurani e bën të lejuar dhe e bën të ndaluar atë që e ndalon Kurani. Ai që gjykon sipas tij dhe e merr atë si gjykues. Është i kënaqur me gjykimin e Kuranit dhe mediton në kuptimet e tij. Në këtë mënyrë ai zbaton praktikisht thënien e Allahut të Lartësuar, që thotë: “Ky (Kuran) është një libër i bekuar që Ne ta kemi zbritur ty (Muhamed) për të përsiatur mbi vargjet e tij, si dhe për t’u këshilluar me të ata që mendojnë.” |Sad: 29|
Ai që e lexon shpesh atë, e shton mësimin përmendësh dhe e dëgjon prej të tjerëve sidomos duke dëgjuar transmetimin e radios së Kuranit në Arabinë Saudite e gjetkë, ose nga kasetat e recituesve të njohur, si për shembull; el Menshavi, el Husari e të tjerë.
Kështu, së bashku me familjen e tij përfitojnë nga leximi dhe shpjegimi i tij.
Kur të lexojë ose dëgjojë fjalën e Allahut: “Dhe përmbushni marrëveshjet tuaja. Vërtet, njeriu është përgjegjës për marrëveshjet e veta.” |El Isra: 34| ai nxiton të përmbushë besëlidhjen dhe premtimin e tij ndaj Allahut dhe vëllezërve të tij.
2- Ai që e lexon Kuranin por që i bëhet argument kundër në ditën e gjykimit. Kjo i referohet atij që nuk vepron sipas urdhrave të Kuranit dhe nuk përmbahet nga ajo që ai ndalon. Atij që nuk e konsideron të lejuar atë që Kurani e konsideron të tillë dhe nuk e ndalon atë që Kurani ndalon. Atij që nuk gjykon me të dhe nuk e merr për gjykatës. Atij që nuk është i kënaqur me ligjet e Kuranit dhe as nuk shqetësohet për të kuptuar ajetet dhe për ta zbatuar atë.
Kur ai lexon ose dëgjon fjalën e Allahut të Lartësuar: “Pastaj të lutemi që mallkimi i Allahut t’i godasë gënjeshtarët!” |Al Imran: 61| e sheh këtë lloj lexuesi sesi i gënjen njerëzit në fjalët e tij, në premtimet, në marrëdhëniet dhe në kontratat me të tjerët.
Është e trishtueshme të shohësh disa jomuslimanë të jenë të sinqertë në marrëdhëniet e tyre, kontratat dhe premtimet e tyre, ndërsa disa muslimanë jo.
Djali im më tregoi se kishte parë në një kopsht zoologjik në Paris një kafshë që kishte dy duar. Kështu që kur njerëzit i hidhnin diçka ajo e kapte me duar. Njëri nga vizitorët nuk kishte asgjë për të hedhur, por i bëri shenjë me duar kafshës – duke pretenduar se i hodhi ushqim – por u pa nga një kujdestar i kopshtit zoologjik i cili i doli përpara këtij muslimani dhe e qortoi për mashtrimin ndaj kafshës.
Kjo ngjarje na kujton një incident që i pati ndodhur edhe Imam Buhariut, Allahu e mëshiroftë, kur udhëtoi në një vend të largët për të marrë një hadith nga një person. Kur arriti tek ai pas udhëtimit të gjatë dhe të mundimshëm, e gjeti atë duke i bërë me shenjë një kafshe sikur të kishte diçka në dorë dhe rrobë por që në të vërtetë nuk kishte asgjë.
Kështu që Imam Buhariu u kthye dhe nuk e mori hadithin nga ky person, nga frika se ai që gënjen dhe mashtron një kafshë mund të gënjejë edhe ndaj Profetit të Allahut.
Ne shohim shumë njerëz që gënjejnë dhe më pas thonë se ishte shaka. Ose që i gënjejnë fëmijët dhe nuk e dinë se e gjithë kjo është e regjistruar në veprimet e tij. Në një hadith, Profeti salAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Unë jam kujdestar i një shtëpie në Xhenet për atë që e braktis gënjeshtrën edhe nëse është duke bërë shaka.” [1]
Prandaj vëllai im musliman, duhet të veprosh sipas asaj që lexon dhe dëgjon, në mënyrë që Kurani të jetë argument për ty dhe jo kundër teje. Në veçanti këto fjalë u drejtohen atyre që e kanë memorizuar Kuranin e që janë të preokupuar me mësimin e njohurive dhe shpjegimin e tij. Shumë nga ata që e kanë mësuar përmendësh ose që kanë mësuar shpjegimin e tij, nuk e kufizojnë veten me mënyrën dhe mësimet e Kuranit.
Ka nga ata që e kanë mësuar Kuranin përmendësh dhe kanë kaluar shumë për të mësuar shpjegimin e tij, por që nuk përmbahen nga gënjeshtra dhe nga akuzat ndaj të tjerëve, duke i cilësuar me epitetet më të shëmtuara dhe flasin gjëra të turpshme pa asnjë arsye.
Aq sa njëri nga këta (hafizë) gjykoi ndaj një dijetari të madh të hadithit – i cili mban akiden e selefëve – se do të digjej në zjarrin e Xhehenemit. Gjithashtu, sulmoi një vëlla musliman në Mekë duke i thënë: “O injorant, o i devijuar! Ti më kundërpërgjigjesh mua?!” Edhe pse e dinte se ky musliman e kishte këshilluar sinqerisht dhe ja kishte sqaruar me butësi gabimet e tij, por kryeneçësia e tij e çoi në mëkat. Ata debatuan ashpër në shtëpinë e Allahut në Mekë, në një kohë që idhujtari – para epokës islame – e respektonte xhaminë e shenjtë të Mekës. Aq sa edhe po ta gjente vrasësin e babait të tij në xhami e linte dhe largohej prej tij, për shkak të respektit që kishin për shtëpinë e Allahut në Mekë. Atëherë, çfarë ka përfituar ky njeri nga memorizimi i Kuranit dhe mësimi i shpjegimit të tij?
Nuk ka dyshim se Kurani do të jetë argument kundër tij siç është vërtetuar nga i Dërguari i Allahut, salAllahu alejhi ve se-lem, që thotë: “Kurani është argument pro ose kundër teje.”[2]
Unë njoh disa nga ata që e kanë mësuar Kuranin përmendësh dhe e përdorin si mjet për t’ua lexuar të vdekurve dhe për të marrë para dhe ushqim nga veprime të tilla.
Profeti, salAllahu alejhi ve sel-lem, e ka paralajmëruar umetin e tij për këtë duke thënë: “Lexojeni Kuranin, veproni sipas tij dhe mos e braktisni atë; mos e teproni në të, mos kërkoni fitim prej tij dhe mos e bëni mjet për të arritur dunjanë.”[3]
Gjithashtu ka thënë: “Lexojeni Kuranin dhe luteni Allahun (pas këtij leximi), para se të vijnë disa njerëz që e lexojnë Kuranin dhe pastaj kërkojnë nga njerëzit (shpërblim).”[4]
Paralajmërimi nga braktisja (shpërfillja) e Kuranit.
Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe i Dërguari tha: O Zoti im! Populli im e shpërfilli Kuranin si (diçka) të urryer.” |El Furkan: 30|
Allahu i Lartësuar na njofton për të Dërguarin e Tij Muhamedin, alejhi selam, se ka thënë: “O Zoti im, populli im e ka braktisur Kuranin” – sepse idhujtarët nuk e dëgjonin atë dhe nuk linin të dëgjohej, siç thotë Allahu: “Ata që nuk besuan thanë: Mos e dëgjoni këtë Kuran por bëni zhurmë që ta mundni atë.” |Fusilet: 26|
Kur u lexohej Kurani ata bënin zhurmë dhe i shtonin fjalët e kota që të mos e dëgjonin atë. Kjo është njëra nga mënyrat e braktisjes së Kuranit. Gjithashtu, edhe mohimi i tij dhe dyshimi në të është prej mënyrave të braktisjes së Kuranit. Mosmeditimi në të duke mos u përpjekur për ta kuptuar, mospraktikimi i tij, mosbindja ndaj urdhrave dhe moslargimi nga ndalesat e tij është prej mënyrave të braktisjes së Kuranit. Kthimi tek diçka tjetër përveç Kuranit, qoftë; poezi, opinion, muzikë, dëfrim, apo forma të tjera të të folurit, dhe marrja e një rruge që rrjedh nga diçka tjetër përveç Kuranit, të gjitha këto janë mënyra të braktisjes së Kuranit.
E lusim Allahun e Madhëruar, Atë që ka fuqi për të bërë atë që dëshiron, të na largojë nga ajo që nuk e pëlqen dhe të na përdorë në atë me të cilën Ai është i kënaqur; prej memorizimit të Kuranit, kuptimit të tij dhe praktikimit të asaj që ai kërkon, gjatë gjithë ditës dhe natës, në një mënyrë që Ai e do dhe është i kënaqur! Vërtet, Ai është Fisniku më i Madh dhe Dhuruesi i mirësive.[5]
Shkëputur nga libri: “Si ta kuptojmë Kuranin?”
Autor: Muhamed Xhemil Zejno
Përktheu: Fatjon Isufi
———————————————–
[1] E ka konsideruar si hadith të mirë Albani.
[2] E përcjell Muslimi.
[3] Hadithi është i saktë. E përcjell Imam Ahmedi etj.
[4] E përcjell Imam Ahmedi dhe të tjerë.
[5] Shih “Tefsirin” e Ibën Kethirit.