Ndalimi i debatit në fe

July 4, 2023

Ehlu suneti dhe xhemati ndalon nga debati dhe grindjet në fe sepse Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, na ka ndaluar nga kjo gjë.

Transmetohet në Sahihun e Buhariut dhe të Muslimit nga Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, se ka thënë:

“Lexojeni Kuranin derisa të bashkohen zemrat tuaja. E kur të bini në kundërshtim ngrihuni (e ka fjalën për kundërshtimin që nuk lejohet, për ndonjë të keqe ose për ndonjë dyshim etj. Shiko për më tepër shpjegimin e imam Neueuiut që i ka bërë Sahihut të Muslimit. sh.p.).”

Transmetohet në “Musnedin” e imam Ahmedit dhe “Sunenin” e Ibën Maxhes (origjina e hadithit gjendet në Sahihun e Muslimit nga Abdullah ibën Amri), se: Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem doli dhe disa persona po debatonin rreth kaderit (caktimit te Allahut). Fytyrat i kishin sikur të ishin shtrydhur kokrrat e shegës në to nga inati, dhe ai (i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) i tha:

“A mos vallë me këtë jeni urdhëruar apo për këtë jeni krijuar? Po hidhni poshtë disa pjesë të Kuranit me disa të tjera. Popujt që ishin para jush u shkatërruan si shkak i kësaj gjëje.”

Ne jemi lajmëruar se debati është dënim prej dënimeve të Allahut në këtë umet. Transmetohet në Sunenin e Tirmidhiut dhe të Ibën Maxhes nga hadithi i Ebu Umames, radijAll-llahu anhu, se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Popujve që devijuan para jush iu dha debati”, – pastaj lexoi:

“Ata ta sollën ty këtë shembull veçse për kundërthënie.” | Surja Zuhruf: 58 |

Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:

“Bazat e sunetit tek ne janë; kapja pas asaj që kanë qenë në të sahabët e të Dërguarit të Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, dhe marrja e tyre si shembull, lënia e shpikjeve në fe sepse çdo shpikje është humbje, lënia e debateve dhe uljes (qëndrimit) me pasuesit e epsheve dhe dëshirave, lënia e debatit dhe grindjeve në fe.”

Ajo çka u përmend më sipër ka të bëjë me debatin me të kotën, debatin me të vërtetën pasi është bërë e qartë, debatin pa argument, debatin në gjërat që nuk mund të kuptohen në Kuran, debatin pa qëllim të mirë, e kështu me rradhë si shembulli i atyre që u përmendën.

Kurse nëse debati bëhet për daljen në pah të së vërtetës nga një dijetar me qëllim të mirë duke iu përmbajtur edukatës, kjo është diçka që lavdërohet. Allahu i Madhëruar ka thënë:

“Ftoji (njerëzit o Muhamed) në udhën e Zotit tënd me urtësi dhe me thirrje të ndershme e të bukur, dhe bisedo me ta në mënyrën më të mirë.” | Surja Nahl: 125 |

Gjithashtu ka thënë:

“Dhe mos diskuto me popujt e librave të parë (me jehuditë dhe të krishterët) përveç se në mënyrën që është më e mirë (me fjalë e punë të mira dhe me mirësjellje, duke i ftuar ata në Islam me vargjet e Tij).” | Surja Ankebut: 46 |

Gjithashtu ka thënë:

“Ata i thanë: O Nuh! Ti je kundërshtuar me ne dhe aq shumë e ke zgjatur kundërshtimin. Na sill pra mbi ne atë me të cilën na kërcënove nëse je prej të drejtëve.” | Surja Hud: 32 |

Allahu i Madhëruar na ka njoftuar për debatin e Ibrahimit me popullin e tij dhe debatin e Musait me Faraonin. Në sunet përmendet debati i Ademit me Musain. Gjithashtu, janë transmetuar debate të shumta nga paraardhësit tanë të mirë (selefët). Të gjitha këto debate janë nga lloji i debatit të lavdëruar i cili ka në të; dije, qëllim (të mirë  sh.p.), pasim (të sunetit) dhe etikë.

—————————————————————

Shkëputur nga libri: “Besimi i saktë”.

Shkroi: AbduSelam ibën Berxhes AbdulKerijm

Përktheu: Ardit Ulqinaku

Dosje:

Loading...