Vlera e lutjes dhe arsyet që pengojnë pranimin e saj

October 27, 2023

O njerëz, kijeni frikë Allahun e Lartësuar dhe dijeni se duaja është një nga adhurimet më të mëdha që i kushtohet Allahut. Numan ibën Beshiri, Allahu qoftë i kënaqur me të, tregon se një herë Profeti salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Duaja është vet adhurimi”, dhe pastaj ka lexuar: “Zoti juaj ka thënë: Lutmuni Mua se do t’ju përgjigjem! Me të vërtetë, ata që tregohen mendjemëdhenj e nuk duan të më adhurojnë, do të hyjnë në xhehenem të poshtëruar!” |El-Gafir: 60. E përcjellin autorët e librave Es Sunen dhe Shejh Albani e konsideroi hadith sahîh.

Allahu ka urdhëruar që njerëzit t’i luten Atij në shumë ajete të Kuranit dhe ka premtuar se do të përgjigjet. Ai i ka lavdëruar profetët dhe familjet e tyre që i luteshin Atij: “Ne iu përgjigjëm atij dhe i dhuruam Jahjan duke ia bërë gruan të aftë (për lindje). Me të vërtetë, ata nxitonin për vepra të mira dhe na luteshin me shpresë e frikë, dhe ishin të përulur ndaj Nesh.” |El-Enbija: 90.

I Lartmadhëruari na tregon se Ai është pranë dhe i përgjigjet lutjes së atyre që i luten: “Kur robërit e Mi (besimtarë) të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit kur ai më lutet Mua. Prandaj, le t’i përgjigjen thirrjes Sime dhe le të më besojnë Mua, për të qenë në rrugë të drejtë.” |El-Bekare: 186. Ai na urdhëron t’i lutemi me përulje veçanërisht në raste vështirësish e fatkeqësish, dhe tregon se askush tjetër përveç Atij nuk i përgjigjet nevojtarit dhe nuk e largon të keqen: “(A ka më të mirë se) Ai që i vjen në ndihmë nevojtarit të këputur kur i lutet Atij e që ua largon të keqen…” |En-Neml: 62.

Zoti i Madh i qorton ata që nuk preferojnë t’i luten Atij në raste vështirësish, fatkeqësish, varfërie e sëmundjeje, dhe thotë: “Sa herë që çonim të dërguar në ndonjë vendbanim Ne i dënonim banorët e tij me skamje dhe sëmundje, në mënyrë që të përuleshin.” |El-A‘raf: 94.

Kjo është prej mëshirës dhe bujarisë së Allahut të përsosur, sepse Ai megjithëse nuk ia ka nevojën krijesave të Veta, i urdhëron ata t’i luten Atij ngaqë ata kanë nevojë për Të, siç thotë: “O njerëz! Ju jeni të varfër e nevojtarë për Allahun kurse Allahu s’ka nevojë për asgjë dhe është i Denjë për çdo lavd.” |El-Fatir: 15. Dhe: “Allahu është i Pasur (s’ka nevojë për asgjë) ndërsa ju jeni të varfër.” |Muhamed: 38.

Në një hadith kudsij Allahu thotë: “O robërit e Mi, të gjithë jeni të humbur përveç atyre që i kam udhëzuar Unë, prandaj më kërkoni udhëzim që t’ju udhëzoj! O robërit e Mi, të gjithë jeni të uritur përveç atyre që i ushqej Unë, prandaj më kërkoni ushqim që t’ju ushqej! O robërit e mi, të gjithë jeni lakuriq përveç atyre që i vesh Unë, prandaj më kërkoni veshje që t’ju vesh! O robërit e mi, në të vërtetë ju bëni gabime ditë e natë kurse Unë i fal të gjitha gjynahet, prandaj më kërkoni falje që t’ju fal.” E përcjell Muslimi.

Prandaj lutjuni Allahut o robër të Zotit, dhe dijeni se përgjigjja e lutjes kërkon disa kushte të cilat duhen përmbushur patjetër.

Allahu ka premtuar se do t’i përgjigjet atij që i lutet dhe Allahu nuk e thyen premtimin e Vet. Mirëpo përgjigjja e lutjes mund të vonohet për shkak të disa pengesave që gjenden tek njeriu. Pra, vetë robi mund të bëhet pengesë për mospranimin e duasë.

Një ndër pengesat e përgjigjes së lutjes është që robi të mos kujdeset për zbatimin e detyrimeve që i ka caktuar Allahu dhe të kryejë vazhdimisht gjynahe. Në këtë mënyrë robi largohet nga Allahu dhe i ndërpret lidhjet me Të, prandaj ai e meriton që nëse bie në vështirësi dhe lutet, lutja të mos gjejë përgjigje. Në një hadith Profeti salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Njihu me Allahun kur je mirë që Ai të të njohë kur të jesh në vështirësi.”

Kësisoj kush vepron kundrejt Allahut me frikë dhe përulje në kohë rehatie, do të trajtohet nga Allahu me ndihmë në kohë vështirësie, siç ka thënë Zoti i Lartësuar për Profetin e Tij Junusin kur atë e kishte gëlltitur balena: “…dhe po të mos ishte nga ata që i luten Allahut me siguri do të mbetej në barkun e saj deri në ditën e ringjalljes.” |Es-Saffat: 143-144.

Kuptimi është se sikur Junusi të mos kishte dituri të dobishme në kohë rehatie ose sikur të mos kishte qenë nga ata që faleshin më parë, do të mbetej në barkun e balenës deri në ditën e ringjalljes, pra barku do të bëhej varri i tij deri në ditën e kiametit. Disa nga muslimanët e parë kanë thënë: “Përmendeni Allahun në rehati që Ai t’ju përmendë në vështirësi. Në të vërtetë, Junusi e përmendte Allahun gjithmonë dhe kur u gjend në barkun e balenës Allahu i Lartësuar tha: “…dhe po të mos ishte nga ata që i luten Allahut, me siguri do të mbetej në barkun e saj deri në ditën e ringjalljes.” Nga ana tjetër, Faraoni ishte shtypës dhe e kishte harruar përmendjen e Allahut: “…derisa kur po mbytej tha: Besoj se s’ka zot tjetër përveç Atij që i besojnë bijtë e Izraelit, dhe unë jam ndër muslimanët.” |Junus: 90. Atëherë Allahu i Lartësuar tha: “Vallë, tani (po beson) ndërkohë që më parë ishe i padëgjueshëm dhe ngatërrestar?!” | Junus: 91.

Një nga pengesat më të mëdha për plotësimin e lutjes është ngrënia, pirja dhe veshja e haramit. Profeti salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Një burrë me flokë të shprishur e të pluhurosur në një udhëtim të gjatë, i zgjat duart drejt qiellit dhe lutet: ‘O Zot, o Zot!’ ndërkohë që ushqimin e ka haram, pijen e ka haram, veshjen e ka haram dhe është ushqyer me haram. Atëherë, si mund të gjejë përgjigje ky (njeri)?!” Muslimi.

Abdullahu, i biri i imam Ahmedit, e ka përmendur këtë histori në librin Ez Zuhd: “Izraelitëve u ra një fatkeqësi dhe dolën në një fushë të hapur (për t’iu lutur Zotit). Atëherë Allahu i Plotfuqishëm e i Madhërishëm e frymëzoi profetin e tyre që t’u shpallte këto fjalë: Ju po dilni në fushë me trupa të ndotur dhe po ngrini drejt Meje duart me të cilat keni derdhur gjakun tuaj, dhe keni mbushur me haram shtëpitë tuaja. Tani që zemërimi Im kundër jush është rritur ju vetëm sa do të largoheni më shumë nga Unë.”

Një nga pengesat e plotësimit të duasë është mungesa e sinqeritetit për Allahun gjatë lutjes, sepse Allahu i Lartësuar thotë: “Andaj, lutjuni Allahut me adhurim të sinqertë për Të edhe nëse këtë e urrejnë jobesimtarët!” |El-Gafir: 14. Dhe: “Xhamitë i janë kushtuar vetëm Allahut, prandaj mos iu lutni askujt krahas Allahut!” |El-Xhinn: 18. Si pasojë njerëzve që i luten dikujt tjetër krahas Allahut, si p.sh. idhujve, të vdekurve që ndodhen nëpër varre dhe tyrbe, njerëzve që kanë qenë besimtarë të mirë e të devotshëm (siç bëjnë disa adhurues varresh në ditët e sotme, që kërkojnë ndihmën e të vdekurve). Pra këtyre njerëzve nuk u plotësohet duaja nëse luten, sepse ata nuk e kanë bërë atë të sinqertë vetëm për Allahun. E njëjta gjë thuhet edhe për ata njerëz që në lutjet e tyre i kërkojnë Zotit nëpërmjet të vdekurve, duke thënë p.sh.: “Të kërkojmë ty për hatër të filanit” ose “për pozitën e filanit”. Këtyre nuk u plotësohet duaja tek Allahu sepse ajo është dua e pabazë dhe e paligjshme. Allahu nuk na i ka ligjëruar që t’i lutemi Atij nëpërmjet ndonjë krijese apo pozite të saj tek Ai, por na ka urdhëruar thjesht që t’i lutemi Atij drejtpërdrejt pa ndërmjetësimin e askujt. Zoti i Madh ka thënë: “Kur robërit e Mi (besimtarë) të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit kur ai më lutet Mua. Prandaj le t’i përgjigjen thirrjes Sime dhe le të më besojnë Mua për të qenë në rrugë të drejtë.” |El-Bekare: 186. Dhe: “Zoti juaj ka thënë: Lutmuni Mua se do t’ju përgjigjem! Me të vërtetë, ata që tregohen mendjemëdhenj e nuk duan të Më adhurojnë do të hyjnë në xhehenem të poshtëruar!” |El-Gafir: 60.

Një ndër pengesat e plotësimit të duasë është që njeriu të lutet me zemër të pavëmendshme. Hakimi ka përcjellë në librin e tij “El mustedrak” prej Ebu Hurejrës, se Profeti salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Lutjuni Allahut duke qenë të sigurt për përgjigjen (e Tij), dhe dijeni se Allahu nuk i përgjigjet një zemre të shkujdesur e të pavëmendshme.” E përcjell Tirmidhiu dhe shejh Albani e konsideroi hadithin hasen.

Një ndër pengesat e plotësimit të duasë është braktisja e urdhërimit të së mirës dhe ndalimit të së keqes. Hudhejfe ibën Jemani, Allahu qoftë i kënaqur me të, tregon se Profeti salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Betohem për Atë që ka shpirtin tim në dorë se ju duhet ta urdhëroni të mirën dhe ta ndaloni të keqen, përndryshe Allahu me siguri që është gati t’ju çojë ndëshkim dhe pastaj t’i luteni e Ai të mos ju përgjigjet.” E përcjell Tirmidhiu dhe Shejh Albani e konsideroi hadith hasen.

Imam Shemsudin Muhamed ibën Ebi Bekri ka thënë: “Duaja është një nga shkaqet më të forta për largimin e të këqijave dhe realizimin e kërkesave. Po ashtu ka thënë: “Duaja është ilaçi më i mirë. Ajo është armikja e vështirësive, i largon dhe i shëron ato, e parandalon ardhjen e tyre ose i heq e i lehtëson ato kur vijnë. Duaja është arma e besimtarit.” Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, tregon se Profeti salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Duaja është e dobishme edhe për ato (vështirësi) që kanë ardhur edhe për ato që s’kanë ardhur. Prandaj, bëni vazhdimisht dua o robër të Allahut!”

Duaja është një nga adhurimet më të mëdha. Braktisja e saj tregon mendjemadhësi, ngurtësim të zemrës dhe shpërfillje të Allahut, dhe është shkak për futjen në zjarrin e xhehenemit. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Zoti juaj ka thënë: Lutmuni Mua se do t’ju përgjigjem! Me të vërtetë, ata që tregohen mendjemëdhenj e nuk duan të Më adhurojnë do të hyjnë në Xhehenem të poshtëruar!” |El-Gafir: 60.

Nga ana tjetër, duaja drejtuar Allahut është shkak për hyrjen në Xhenet. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Ata do të afrohen duke biseduar me njëri-tjetrin e duke thënë: Më parë kemi pasur frikë në familjet tona (nga gjykimi i Allahut), por Allahu na ka dhuruar mëshirë dhe na ka ruajtur nga era përcëlluese (e zjarrit). Ne qysh më parë i jemi falur Atij. Ai është vërtet Bamirës dhe Mëshirëplotë.” |Et-Tur. Lujtjuni sa më shumë Allahut o muslimanë, dhe bëjeni këtë me adhurim të sinqertë për Të.

Allahu i Lartësuar ka thënë: “Lutjuni Zotit tuaj përulshëm dhe ngadalë! Njëmend, Ai nuk i do ata që e kalojnë kufirin. Dhe mos bëni çrregullime në tokë pasi është vënë rregulli, ndërsa Atij lutjuni me frikë dhe shpresë. Vërtet mëshira e Allahut është afër punëmirëve.” |El-A‘raf: 55-56. Allahu më bekoftë mua dhe juve në lidhje me Kuranin dhe na bëftë të gjithëve të përfitojmë nga ajetet dhe këshillat e tij të urta. Vërtet, Ai është Gjithëdëgjues dhe i përgjigjet lutjeve!

Hytbe 2

O njerëz, kijeni frikë Allahun e Lartësuar dhe dijeni se pranimi i duasë ka disa faktorë, të cilat nëse njeriu i plotëson do t’i plotësohet edhe duaja.

Imam ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, duke shpjeguar këta faktorë ka thënë: “Nëse me duanë bashkohet edhe prania e plotë e zemrës dhe kjo qëllon në një nga gjashtë kohët e përgjigjes së duasë, të cilat janë: pjesa e tretë e natës, koha kur thirret ezani, intervali midis ezanit dhe ikametit, koha në fund të namazeve të detyrueshme, intervali midis hipjes së imamit në minber ditën e xhuma deri kur të mbarojë namazi i xhumasë dhe ora e fundit e pasdites së asaj dite, dhe më tej duaja bëhet me zemër të përulur, të dorëzuar para Zotit të botëve, të nënshtruar, të përgjëruar e të zbutur, bëhet duke u kthyer nga Kibla dhe me abdes, bëhet duke i ngritur duart drejt Allahut e pastaj të fillohet me lavdërimin dhe falënderimin e Allahut e të vazhdohet me lutjet për paqe e bekime për Muhamedin, robin dhe të dërguarin e Tij, dhe të gjitha këto të paraprihen nga dhënia e një sadakaje, atëherë kjo dua është pothuajse e sigurt se nuk do të refuzohet. Veçanërisht nëse ajo përmban disa lutje për të cilat Profeti salAllahu alejhi ue selem na ka treguar se ato plotësohen, ose nëse përmban emrin më të madh të Allahut.”

O robërit e Allahut, duaja është çlirim nga vështirësitë, ndihmë për nevojtarin dhe mbështetje kundër armiqve. Prandaj shtojini duatë për veten dhe vëllezërit tuaj muslimanë dhe lutuni kundër femohuesve dhe armiqve të fesë, sepse Allahu është afër dhe i përgjigjet lutjeve. Dijeni se duaja e të shtypurit plotësohet, prandaj ruajuni padrejtësisë. Profeti salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Ruaju duasë së të shtypurit, sepse midis saj dhe Allahut nuk ka pengesa.” Buhariu dhe Muslimi.

O Allah! Fali besimtarët dhe besimtaret, të gjallët prej tyre dhe të vdekurit!

O Allah! Na mëshiro, sepse Ti je i Mëshirshëm me ne, dhe mos na dëno ndonëse je i Fuqishëm të na e bësh këtë!

Dosje: ,

Loading...