Mbajtja e amanetit është baza e çdo mirësie

October 27, 2023

Mbajtja e amanetit është baza e çdo mirësie, është burimi i qetësisë dhe i rehatisë. Ajo është një nga shenjat më të dukshme të besimit dhe nga tiparet treguese të devotshmërisë. Vetë besimi është amanet në qafën e njeriut. Ai që nuk mban amanetin nuk ka besim dhe nuk ka fe ai që nuk ruan marrëveshjen.

Amaneti është një nga cilësitë më të mira të një muslimani, me të cilën ai tregon fenë e vet dhe sa i fortë është besimi i tij. Ajo tregon mençurinë dhe forcën e vullnetit të tij. Kjo është çështja më e madhe dhe përgjegjësia më e rëndësishme me të cilën sigurohen të drejtat dhe detyrimet nga nëpërkëmbja.

Amaneti është një detyrim që muslimanët kurrë nuk duhet ta harrojnë, madje edhe kur përcjellin njëri-tjetrin luten që Allahu veç besimit t’u ruajë dhe amanetin, duke thënë: “Allahu e ruajt fenë, amanetin dhe punët e tua.” E përcjell Tirmidhiu dhe është hadith sahih.

O musliman! Amaneti është peshë e rëndë dhe përgjegjësi e madhe, e atij që Allahu do ia bën të lehtë. Zoti i ka urdhëruar besimtarët të ruajnë amanetin dhe t’i japin secilit hakun që i takon, t’i gjykojnë njerëzit dhe veprimet e tyre me paanësi dhe me drejtësi.

Amaneti nuk mund të ruhet nëse nuk kihet parasysh kjo gjë. Allahu thotë: “Allahu ju urdhëron që amanetet t’ua ktheni atyre që u përkasin, dhe kur të gjykoni midis njerëzve të gjykoni drejt. Vërtet, Allahu ju këshillon mrekullueshëm dhe me të vërtetë Allahu dëgjon çdo gjë dhe vështron të gjitha punët!” | Nisa: 58.

Profeti salAllahu alejhi ue selem thotë: “Ruaja amanetin atij që të ka besuar diçka dhe mos e tradhëto atë që të tradhëton.” E përcjell Ahmedi e Ehlu Sunen dhe hadithi është sahih.

Enes ibën Malik tregon: Sa herë që Profeti i Allahut salAllahu alejhi ue selem mbante hutbe, na thoshte: “Nuk ka besim ai që nuk mban amanetin dhe nuk ka fe ai që nuk respekton marrëveshjen.” E përcjell Bejhakiu dhe hadithi është i mirë.

Ai po ashtu lutej duke thënë: “O Zot, unë kërkoj mbrojtje prej Teje të më ruash nga uria sepse ajo është një shtrat i keq, dhe të kërkoj mbrojtje të më ruash nga tradhëtia sepse ajo është një mall i keq!” E përcjell Ebu Daudi, Nesaiu dhe Ibën Maxhe dhe hadithi është sahih.

Një nga të parët e këtij umeti, Mejmun ibën Mehrani thoshte: “Tre gjëra respektohen si për një njeri të mirë ashtu edhe për të keqin: Amaneti, marrëveshja dhe lidhja farefisnore.”

Një fjalë e urtë thotë: “Njeriu me katër gjëra bëhet prijës: Edukata, ndershmëria, mbajtja e amanetit dhe ruajtja e personalitetit.”

O njerëz! Islami i ka detyruar muslimanët të pajisen me këtë moral të lartë dhe ua ka bërë haram atyre të përdorin metodat e mashtrimit dhe të tradhëtisë. Ai njeri që është musliman dhe besnik ai është njeri që i bindet Zotit të tij, ndërsa ai njeri që është musliman dhe nuk ka besë ai është një njeri i pabindur ndaj Zotit të Tij. I Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue selem thotë: “Pasha Allahun, nuk beson! Pasha Allahun, nuk beson! Pasha Allahun, nuk beson! I thanë: Kush o i dërguar i Allahut? Tha: Ai njeri që fqinji i tij nuk është i sigurt nga dëmi i tij.” E përcjell Buhariu dhe Muslimi.

Tek dëmet futen të gjitha të këqijat, shqetësimet dhe mashtrimet, apo hilet që mund të bëjë njeriu. Profeti salAllahu alejhi ue selem gjithashtu thotë: “Musliman është ai që nuk i cënon muslimanët as me gjuhën dhe as me dorën e tij, dhe besimtar është ai që njerëzit i besojnë gjakun dhe pasurinë e tyre.” Tirmidhiu.

Profeti salAllahu alejhi ue selem e ka konsideruar tradhëtinë një nga shenjat e hipokrizisë, kur thotë: “Tre janë shenjat e munafikut: Kur flet gënjen, kur premton nuk e mban premtimin dhe kur i jepet një amanet nuk e ruan atë. Pavarësisht se ai mund të falet, të agjërojë dhe pretendon se është musliman.” Muslimi.

Amaneti ka qenë një nga veçoritë më karakteristike të moralit të profetëve të Zotit, sepse kjo ka qenë edhe një nga kushtet kryesore në përzgjedhjen e tyre si mbartës të mesazhit hyjnor. Nëse ata nuk do ishin të besës Allahu nuk kishte sesi t’u besonte atyre mesazhin e Tij për njerëzit.

Vetëm një njeriu të besës mund t’i besosh në përcjelljen e lajmeve dhe mesazheve. Allahu na ka treguar në Kuran historitë e Nuhut, Hudit, Salihut, Lutit, Shuajbit dhe profetëve të tjerë, paqja e Allahut qoftë mbi ta, dhe të gjithë u kanë thënë popujve të tyre: “Unë jam për ju një i Dërguar besnik, ndaj kini frikë Allahun dhe binduni.”

Profeti ynë Muhamedi salAllahu alejhi ue selem ka qenë njeriu më i lartë në këtë drejtim dhe në popullin e tij njihej si i ndershmi dhe besniku. Ata ia besonin sendet dhe i linin shumë amanete, ndonëse refuzonin fenë që ai solli dhe ishin armiq ndaj fesë dhe pasuesve të tij. Ata ishin të bindur në vetvete se ai ishte një njeri i ndershëm dhe besnik, dhe megjithëse e urrenin dhe e luftonin e dinin fort mirë se ai nuk ua thyente besën dhe nuk i tradhëtonte. Përkundrazi, ai gjithsecilit ua ruajti më së miri amanetet e tyre deri sa ua ktheu një për një të gjitha para se të emigronte. Për ato që i mbetën pa dorëzuar urdhëroi Aliun që të mos largohej nga Meka pa i kthyer edhe ato që kishin mbetur. Këto janë cilësitë e njerëzve të lartë që e prijnë njerëzimin.

Amaneti ka një vlerë të madhe dhe të krijon ndjesinë e përgjegjësisë para Allahut. Amaneti në Islam nënkupton të gjitha përgjegjësitë që ka njeriu në marrëdhënie me Zotin, me veten e tij dhe me të gjithë njerëzit. Ai nuk kufizohet vetëm këtu por përfshin çdo fushë të jetës, administratës, politikës, arsimit, edukimit, industrisë, tregtisë etj.

Një nga amanetet më të mëdha është dhe ruajtja e sendeve që lihen amanet nga njerëzit tek të tjerët dhe shlyerja e borxheve ndaj atyre që u takojnë. Profeti salAllahu alejhi ue selem thotë: “Ai që u merr pasurinë njerëzve dhe dëshiron t’ua kthejë atë Allahu do ta ndihmojë ta kthejë atë. Dhe ai që ua merr pasurinë dhe do ta shpërdorojë atë edhe Allahu ka për ta shkatërruar atë.” Buhariu.

Në ruajtjen e amanetit futen edhe përgjegjësitë që ka çdo njeri në punën dhe detyrën që kryen, qoftë ai funksionar apo punëtor i thjeshtë. Çdo moskokëçarje që tregon njeriu në detyrën e tij sado e vogël qoftë, ajo mund të rezultojë me pasoja negative për komunitetin dhe shoqërinë, ndaj amaneti nuk i ndahet njeriut për asnjë çast në shtëpi, në punë në rrugë dhe kudo.

Një nga hapësirat më të mëdha të ruajtjes së amanetit është amaneti i fjalës. Nëpërmjet fjalës shkatërrohen popuj dhe ngrihen shtete, rrënohen kombe dhe ruhen rajone të tëra! Sa e sa fjalë tradhëtare thuhen pa asnjë përgjegjësi, dhe ai që i thotë bie për shkak të saj në zjarr aq thellë sa ia kalon largësisë nga lindja në perëndim! Sa e sa fjalë bëhen shkak për shkatërrimin e një etnie të tërë dhe rrënimin e një strukture të plotë! Sa e sa fjalë të thëna ashtu kot kanë përçarë popuj, kanë prishur familje, kanë tronditur shoqërinë, kanë ndarë mes fëmijës dhe prindit, vëllait dhe vëllait, burrit dhe gruas, fqinjit dhe fqinjit dhe kështu është prishur dashuria dhe harmonia mes të afërmve.

Sa e sa fjalë të pavërteta të zhveshura nga amaneti u kanë hyrë në hak të tjerëve, janë ndarë me to prona dhe janë grabitur me to pasuri! Me mashtrime, falsifikime dhe lloj-lloj hilesh është mbushur kjo botë për shkak se ka humbur besa e burrave, ndaj nuk kemi pse të çuditemi pse nuk ka siguri dhe nuk ka lumturi dhe përparim.

Kini frikë Allahun o muslimanë dhe jepini hakun çdo amaneti, dhe mundohuni të qëndroni sa më pranë së vërtetës dhe të bëni sa më shumë të mira me shpresë që të fitoni mëshirën e Zotit tuaj. “O besimtarë! Mos e tradhëtoni Allahun dhe të Dërguarin e mos i tradhëtoni amanetet me vetëdije.” | Enfal: 27.

Allahu na begatoftë mua dhe juve nëpërmjet Kuranit dhe Sunetit dhe na dhëntë përfitim nga ajetet dhe urtësitë! Me të vërtetë, Ai është Dëgjuesi dhe Ai që i përgjigjet lutjes!

Hytbe 2

O njerëz, dijeni se amaneti është peshë e rëndë dhe përgjegjësi e madhe! Allahu atë ua ofroi qiejve, tokës dhe maleve, por ato refuzuan ta mbanin dhe u frikësuan ta pranojnë atë. Kurse njeriu e pranoi sepse është i padijshëm dhe i padrejtë.

Shenkiti, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: Në këtë ajet Allahu i Lartësuar na thotë se qiejve, tokës dhe maleve ua ka ofruar amanetin. Kjo është marrja e detyrave dhe pasojat e shpërblimit apo dënimit, por ata nuk pranuan t’a mbartin dhe kishin frikë prej saj. Me fjalë të tjera, ata ishin të frikësuar nga pasojat e marrjes së këtij amaneti që kjo të mos çonte në dënimin dhe zemërimin e Allahut. Kjo ofertë, ky refuzim dhe kjo frikë ka ndodhur në kuptimin e vërtetë. Allahu i krijoi qiejt, tokën dhe malet me sens të të kuptuarit, natyrën e të cilave e di vetëm Allahu dhe ne nuk e dimë. Ata e kuptuan kur u ofrua ky amanet, e refuzuan dhe u frikësuan prej mbartjes së tij. “Edua el bejan” 36/139.

Es-Sa’di, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: Çdo gjë që Allahu i ka urdhëruar robit të Tij është amanet dhe robi duhet t’a zbatojë atë në kuptimin e plotë. Këtu përfshihen edhe gjërat që i janë besuar dikujt nga njerëzit, si pasuria, sekretet dhe të ngjashme. Njeriu duhet t’u kushtojë vëmendje të dyja çështjeve dhe t’i përmbushë të dy llojet e amaneteve (besueshmërisë). “Vërtet, Allahu urdhëron që amanetet t’ua ktheni atyre që u takojnë ato.” | En-Nisa: 58. “Tefsir es-Sa‘di” fq. 547.

O njerëz! Amaneti është një nga themelet ku ngrihen popujt, është baza e palëkundshme e shteteve. Është dyshemeja e sigurisë dhe e drejtësisë, godina e krenarisë dhe e lavdisë. Kur një popull e humb amanetin furtunat e shkatërrimit kanë për të fryrë për të; vrasja, varfëria, nëpërkëmbja e pasurisë dhe e nderit do të vijnë si pasoja e mungesës së saj.

Ebu Hurejra tregon: Një herë kur i Dërguari i Allahut po fliste, një beduin erdhi dhe i tha: “Kur do të bëhet Kiameti? Profeti i tha: Kur të humbasë amaneti atëherë prite Kiametin. E pyeti: Si humbet amaneti? I Dërguari i Allahut tha: Kur çështjet t’iu jepen në dorë atyre që nuk u takon atëherë prite Kiametin.” Buhari.

Besimi është amanet, të adhurosh vetëm Allahun është amanet, të largohesh prej asaj që ka ndaluar Allahu është amanet, të veprosh urdhërat e tij është amanet, të falësh namazin është amanet, të agjërosh Ramazanin është amanet, të japësh zekatin është amanet, tu bindesh prindërve është amanet, të largohesh nga adhurimet e kota është amanet, të edukosh fëmijët e tu është amanet. Secili është kujdestar i këtij amaneti dhe secili do të pyetet për të.

Dosje: ,

Loading...