Çdo cilësi e lavdërueshme është e rrethuar nga dy cilësi të qortueshme

November 2, 2024

Çdo cilësi e lavdërueshme është e rrethuar nga dy cilësi të qortueshme. E lavdëruara mbetet midis tyre, ndërsa dy skajet e saj janë patjetër dy cilësi të qortueshme, siç është p.sh. bujaria që rrethohet nga koprracia dhe shpenzimi i tepruar.

Modestia rrethohet nga cilësia e poshtërimit dhe e nënçmimit, si dhe nga mendjemadhësia dhe arroganca.

Kur nefsi largohet nga qëndrimi i mesëm ai devijon patjetër drejt njërës prej dy cilësive të qortueshme.

Nëse largohet nga cilësia e modestisë devijon drejt krenarisë dhe arrogancës, ose drejt poshtërimit dhe nënçmimit.

Nëse largohet nga cilësia e turpit devijon drejt pafytyrësisë dhe guximit të tepruar, ose drejt paaftësisë, dobësisë dhe nënçmimit, saqë e bën atë të jetë i dobët përballë armikut dhe të humbasë shumë nga interesat e tij, duke pretenduar se kjo është për shkak të turpit. Por në të vërtetë është nënçmim, paaftësi dhe vdekje e shpirtit.

Po ashtu, nëse largohet nga cilësia e durimit të lavdërueshëm devijon drejt ankthit, shqetësimit, lakmisë dhe pakënaqësisë, ose drejt ashpërsisë së zemrës dhe ngurtësisë së natyrës, siç është thënë:

Të tjerët qajnë për ne, por ne nuk qajmë për askënd.
A ne jemi më të ashpër në zemër apo devetë?

Nëse largohet nga cilësia e vetëpërmbajtjes devijon drejt nxitimit, pamaturisë, nervozizmit dhe lehtësisë, ose drejt nënçmimit, degradimit dhe poshtërsisë. Ekziston dallim i madh midis atij që ka vetëpërmbajtje nënçmimi dhe degradimi, dhe atij që vetëpërmbajtja e tij vjen nga fuqia, dinjiteti dhe nderi, siç është thënë:
Çdo vetëpërmbajtje që nuk vjen nga fuqia është strehë që e përdorin vetëm të ulëtit.

Nëse largohet nga cilësia e maturisë dhe butësisë devijon drejt nxitimit, pamaturisë dhe dhunës, ose drejt neglizhencës dhe humbjes, ndërsa butësia dhe maturia qëndron mes tyre.

Nëse largohet nga cilësia e dinjitetit që Zoti u ka dhënë besimtarëve devijon drejt arrogancës ose drejt poshtërimit, ndërsa dinjiteti i lavdërueshëm qëndron në mes.

Nëse largohet nga cilësia e guximit devijon drejt dalldisjes dhe guximit të pamatur dhe jo të lavdëruar, ose drejt frikës dhe tërheqjes së qortueshme.

Nëse largohet nga morali i konkurencës për pozita të larta dhe lakmisë së lejuar, devijon drejt smirës, nënçmimit, paaftësisë, poshtërimit dhe kënaqësisë me gjënë më të ulët.

Nëse largohet nga cilësia e kënaqësisë me atë që posedon devijon drejt lakmisë dhe pangopësisë, ose drejt uljes së vetvetes, poshtërimit dhe humbjes.

Nëse largohet nga cilësia e mëshirës devijon drejt ashpërsisë, drejt dobësisë së zemrës dhe frikës së shpirtit, njësoj si ai që nuk guxon të therë një dele, të vendos një ndëshkim ose të edukojë një fëmijë, dhe pretendon se mëshira e shtyn atë të veprojë kështu. Ndërkohë që më i mëshirshmi nga krijesat e Zotit ka therur vetë me dorën e tij në një rast të vetëm gjashtëdhjetë e tre deve, ka prerë duar (hajdutësh) nga burrat dhe gratë, ka ndëshkuar (shkelësit e kurorës) me gurë deri në vdekje, dhe ka vendosur ndëshkime të ndryshme. E megjithatë, ai ishte më i mëshirshmi dhe më i dashuri ndër të gjithë.

Po ashtu, fytyra e qeshur dhe mirëpritja e lavdërueshme qëndrojnë mes fytyrës së ngrysur, inatit dhe përçmimit, si dhe lëshimit të plotë të buzëqeshjes me të gjithë, gjë që e largon autoritetin dhe dinjitetin dhe nxit të tjerët që të përfitojnë nga kjo, njësoj sikurse animi i parë që sjell distancim dhe urrejtje në zemrat e njerëzve.
Ai që ka një karakter të mesëm është i respektuar dhe i dashur, me një personalitet të fortë dhe me një prani të këndshme.
Në përshkrimin e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem është thënë: “Kushdo që e shihte për herë të parë e respektonte, dhe kushdo që e njihte mirë e donte.”

Autor: Ibn Kajim el Xheuzije

Marrë nga libri: “Medarixh es-salikin”

Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje:

Loading...