Muaji i Ramazanit sezon i ahiretit andaj le ta shrytëzojnë muslimanët

March 18, 2025

Falënderimet janë vetëm për Allahun, Zotin e botëve! Paqja dhe begatia e Allahut qoftë mbi zotërinë e pejgamberëve dhe të dërguarëve, profetin tonë Muhamed, mbi familjen e tij, shokët e tij, dhe mbi të gjithë ata që e ndjekin udhëzimin e tij deri ditën e fundit!

Është e ditur se Allahu ka veçuar disa kohë mbi disa kohë të tjera, ka veçuar Ramazanin mbi të gjithë muajt e tjerë, natën e kadrit mbi netët e tjera, ditën e arafatit mbi ditët e tjera, dhe ditën e xhuma mbi ditët e tjera të javës:

وَرَبُّكَ يَخۡلُقُ مَا يَشَآءُ وَيَخۡتَارُۗ

“Zoti yt krijon ç’të dojë dhe zgjedh.”

[Surja El Kasas: 83]

Përpara muslimanëve është një stinë prej stinëve të ahiretit, dhe ai është muaji i bekuar i Ramazanit në të cilin Allahu ka obliguar agjërimin e ditëve të tij. I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e bëri traditë namazin në netët e tij, Allahu i Lartësuar ka thënë:

يَٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ كُتِبَ عَلَيۡكُمُ ٱلصِّيَامُ كَمَا كُتِبَ عَلَى ٱلَّذِينَ مِن قَبۡلِكُمۡ لَعَلَّكُمۡ تَتَّقُونَ ١٨٣ أَيَّامٗا مَّعۡدُودَٰتٖۚ فَمَن كَانَ مِنكُم مَّرِيضًا أَوۡ عَلَىٰ سَفَرٖ فَعِدَّةٞ مِّنۡ أَيَّامٍ أُخَرَۚ وَعَلَى ٱلَّذِينَ يُطِيقُونَهُۥ فِدۡيَةٞ طَعَامُ مِسۡكِينٖۖ فَمَن تَطَوَّعَ خَيۡرٗا فَهُوَ خَيۡرٞ لَّهُۥۚ وَأَن تَصُومُواْ خَيۡرٞ لَّكُمۡ إِن كُنتُمۡ تَعۡلَمُونَ ١٨٤ شَهۡرُ رَمَضَانَ ٱلَّذِيٓ أُنزِلَ فِيهِ ٱلۡقُرۡءَانُ هُدٗى لِّلنَّاسِ وَبَيِّنَٰتٖ مِّنَ ٱلۡهُدَىٰ وَٱلۡفُرۡقَانِۚ فَمَن شَهِدَ مِنكُمُ ٱلشَّهۡرَ فَلۡيَصُمۡهُۖ وَمَن كَانَ مَرِيضًا أَوۡ عَلَىٰ سَفَرٖ فَعِدَّةٞ مِّنۡ أَيَّامٍ أُخَرَۗ يُرِيدُ ٱللَّهُ بِكُمُ ٱلۡيُسۡرَ وَلَا يُرِيدُ بِكُمُ ٱلۡعُسۡرَ وَلِتُكۡمِلُواْ ٱلۡعِدَّةَ وَلِتُكَبِّرُواْ ٱللَّهَ عَلَىٰ مَا هَدَىٰكُمۡ وَلَعَلَّكُمۡ تَشۡكُرُونَ ١٨٥

“O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm. Ato janë ditë të caktuara. E kush është i sëmurë prej jush ose është në udhëtim (e nuk agjëroi), atëherë (le të agjërojë) më vonë po aq ditë. E ata që i rëndon ai (nuk mund të agjërojnë) janë të obliguar për kompensim, ushqim (ditor) i një të varfëri E ai që nga vullneti jep më tepër, ajo është më mirë për të. Mirëpo agjërimi është më i mirë për ju në qoftë se e dini. Muaji i Ramazanit që në të (filloi të) shpallet Kurani, që është udhërrëfyes për njerëz, sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra). E kush e përjeton prej jush këtë muaj le të agjërojë, ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim le të agjërojë aq ditë nga ditët e mëvonshme. Allahu me këtë dëshiron lehtësim për ju e nuk dëshiron vështirësim për ju. (Të agjëroni ditët e lëshuara më vonë) Që të plotësoni numrin, ta madhëroni Allahun për atë, që iu udhëzoi dhe që falënderoni.”

[Surja El Bekare: 183-185]

Po ashtu, ka ardhur në sunetin e të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem sqarim i përgjithshëm dhe ivecantë i mirësisë së Ramazanit.

Transmetoht nga Ebu Hurejra radijAllahu anhu se Pejgameberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Çdo vepër e birit të Ademit shtohet, një e mirë shtohet nga dhjetë fish deri shtatëqind fish. Allahu i Lartësuar ka thënë: Përveç agjërimit, ai është për Mua dhe Unë shpërblej për të, e braktis epshin dhe ushqimin  e tij për Mua. Për agjëruesin ka dy gëzime: Gëzimi i parë kur çel agjërimin dhe gëzimi i dytë kur takon Zotin e tij. Era e gojës së agjëruesit është më e dashur tek Allahu se era e miskut.” (Buhariu me nr. 1894, dhe Muslimi me nr. 2707.)

E ka veçuar Allahu agjërimin në fjalën e tij, ku thotë: “Përveç agjërimit, ai është për Mua dhe Unë shpërblej për të”, edhe pse të gjitha adhurimet janë për Allahun ashtu siç i Lartësuari ka thënë:

قُلۡ إِنَّ صَلَاتِي وَنُسُكِي وَمَحۡيَايَ وَمَمَاتِي لِلَّهِ رَبِّ ٱلۡعَٰلَمِينَ ١٦٢ لَا شَرِيكَ لَهُۥۖ وَبِذَٰلِكَ أُمِرۡتُ وَأَنَا۠ أَوَّلُ ٱلۡمُسۡلِمِينَ ١٦٣

“Thuaj: Namazi im, kurbani im, jeta dhe vdekja ime janë thjesht për Allahun, Zotin e botëve. Ai nuk ka shok (nuk adhuroj tjetër). Me këtë jam i urdhëruar dhe jam i pari i muslimanëve (i pari që pranoj dhe bindem)!”

[Surja El Enam: 162-163]

Kjo për shkak se agjërimi është i fshehtë ndërmjet njeriut dhe Zotit të tij, dhe nuk ia atribuon dikujt tjetër vetëm se Atij. Ndoshta mund të hajë agjëruesi në shtëpinë e tij dhe nuk e di gjendjen e tij vetëm se Allahu i Lartësuar.

Ndërsa fjala e Tij: “… dhe unë shpërblej për të”, d.m.th. shpërblej pa kufij.

Transmetohet nga Ebu Hurejra radijAllahu anhu se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush jep dy gjëra nga i njëjti lloj (dy kafshë, dy dinar, dy dirhem etj.) në rrugë të Allahut, do të thirret nga dera e Xhenetit: O rob i Allahut! Kjo është mirësi. Kush ka qenë nga ata që falnin shumë namaz thërritet nga dera e namazit, kush ka qenë që luftonte në rrugë të Allahut thërritet nga dera e xhihadit, kush ka qenë që agjëronte shumë thërritet nga dera Rejan, e kush ka qenë që jepte shumë sadaka thërritet nga dera e sadakasë.” (Buhariu me nr. 1897, dhe Muslimi me nr. 2371.)

Është transmetuar në hadith emërtimi i tre dyerve të Xhenetit me emrin e veprave të mira, ato janë: namazi, xhihadi, dhe sadakaja. Nuk është emërtuar një derë e veçantë me emrin dera e agjërimit, mirëpo është emërtuar me emrin dera Rejan sepse me hyrjen në të arrihet shuarja e etjes tek agjëruesit. Kjo për shkak se i kaploi etja duke agjëruar për Allahun. Allahu i shpërblen ata pikërisht me hyrjen nga dera nga e cila shuhet etja e tyre.

Transmetohet nga Sehl bin Sad radijAllahu anhu se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Me të vërtetë në Xhenet është një derë që i thuhet Rejan, në të cilën do të futen agjëruesit dhe nuk do futet askush tjetër veç tyre, dhe thirret: “Ku janë agjëruesit?” Futen tek ajo derë dhe nuk futet askush tjetër veç tyre. Pasiqë të futen mbyllet dhe nuk hapet më për askënd.” (Buhariu me nr. 1896, dhe Muslimi me nr. 2710.)

Po ashtu, Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush e agjëron Ramazanin me besim dhe me shpresë në shpërblim, i falen atij gjynahet e kaluara.” (Transmeton Buhariu me nr. 38, dhe Muslimi me nr. 1781 nga Ebu Hurejra.)

Agjërimi në kuptimin gjuhësor do të thotë përmbajtje nga diçka.

Ndërsa në kuptimin fetar do të thotë: Ta përmbash veten për hir të Allahut nga ngrënia, pirja dhe nga ato gjëra që e prishin atë, nga lindja e agimit deri në perëndim të diellit. Kuptimi fetar është një pjesë e kuptimit gjuhësor sepse ajo është përmbajtje e veçantë.

Agjërimi i njeriut nga ushqimi dhe pirja dhe nga të gjitha ato që e prishin atë është për kohën e Ramazanit, ndërsa agjërimi nga haramet është për gjithë jetën e njeriut. Muslimani agjëron në ditët e Ramazanit nga hallalli dhe harami, ndërsa agjëron gjithë jetën nga harami. I përdor gjymtyrët me të cilat e ka begatuar Allahu, si; sytë, gjuha, veshi, dora, këmba, madje edhe organi gjenital në ato gjëra që ka lejuar Allahu për të, dhe largohet nga përdorimi i tyre në ato gjëra që Allahu ja ka ndaluar. Distancimi i përdorimit të gjymtyrëve në ato gjëra që ka ndaluar Allahu është agjërim në aspektin gjuhësor.

Ka premtuar Allahu për atë që është mirënjohës për këto mirësi dhe i përdor në ato gjëra që Allahu ka urdhëruar që t’i përdorë me një shpërblim të madh. Po ashtu, ka kërcënuar atë i cili nuk i ruan ato dhe as që kujdeset për to. Madje ai i çon në ato gjëra që e zemërojnë Allahun dhe nuk e kënaqin Atë. Aq më tepër që e kënaqin shejtanin i cili është armik i Allahut dhe armik i robërve të Tij, i cili është kërcënuar me dënim nga Ai. Na ka lajmëruar se këto gjymtyrë do të merren në llogari në ditën e gjykimit nga Ai, dhe njeriu do të merret në llogari për to. Allahu i Lartësuar ka thënë:

وَلَا تَقۡفُ مَا لَيۡسَ لَكَ بِهِۦ عِلۡمٌۚ إِنَّ ٱلسَّمۡعَ وَٱلۡبَصَرَ وَٱلۡفُؤَادَ كُلُّ أُوْلَٰٓئِكَ كَانَ عَنۡهُ مَسۡـُٔولٗا ٣٦

“Mos iu qas asaj për të cilën nuk ke njohuri. Vërtet, dëgjimi, shikimi dhe zemra, të gjithë këta do të merren në përgjegjësi.”

[Surja El Isra: 36]

Po ashtu, i Lartësuari ka thënë:

ٱلۡيَوۡمَ نَخۡتِمُ عَلَىٰٓ أَفۡوَٰهِهِمۡ وَتُكَلِّمُنَآ أَيۡدِيهِمۡ وَتَشۡهَدُ أَرۡجُلُهُم بِمَا كَانُواْ يَكۡسِبُونَ ٦٥

“Sot Ne do t’ua vulosim atyre gojët e do të na flasin duart e tyre, dhe do të dëshmojnë këmbët e tyre për atë që kanë bërë.”

[Surja Ja Sin: 65]

Dhe ka thënë:

وَيَوۡمَ يُحۡشَرُ أَعۡدَآءُ ٱللَّهِ إِلَى ٱلنَّارِ فَهُمۡ يُوزَعُونَ ١٩ حَتَّىٰٓ إِذَا مَا جَآءُوهَا شَهِدَ عَلَيۡهِمۡ سَمۡعُهُمۡ وَأَبۡصَٰرُهُمۡ وَجُلُودُهُم بِمَا كَانُواْ يَعۡمَلُونَ ٢٠ وَقَالُواْ لِجُلُودِهِمۡ لِمَ شَهِدتُّمۡ عَلَيۡنَاۖ قَالُوٓاْ أَنطَقَنَا ٱللَّهُ ٱلَّذِيٓ أَنطَقَ كُلَّ شَيۡءٖۚ وَهُوَ خَلَقَكُمۡ أَوَّلَ مَرَّةٖ وَإِلَيۡهِ تُرۡجَعُونَ ٢١

“E ditën kur armiqtë e Allahut tubohen për në zjarr dhe ata janë të rrethuar. E derisa i afrohen atij, kundër tyre dëshmojnë: të dëgjuarit e tyre, të parit e tyre dhe lëkurat e tyre për çdo gjë që ata kanë punuar. Dhe lëkurave të tyre iu thonë: ‘Përse dëshmuat kundër nesh? Ato thonë: ‘Allahu që çdo sendi ia ka dhënë të folurit na dha edhe neve, e Ai është që ju krijoi juve herën e parë dhe vetëm tek Ai ktheheni.”

[Surja Fussilet: 19-21]

“Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e urdhëroi Muadh ibn Xhebelin radijallahu anhu që ta ruajë gjuhën, Muadhi i tha: O i Dërguari i Allahut! A do të merremi në llogari për atë që flasim? Ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i tha: Mos të pastë nëna o Muadh, a nuk i çon njerëzit në zjarr me fytyrat e tyre, – apo ka thënë: me hundët e tyre vetëm se ajo që kanë korrur me gjuhët e tyre?”  Transmeton Tirmidhiu 2616.

Po ashtu, Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush më siguron atë që ka mes dy nofullave të tij dhe atë që ka mes dy këmbëve, unë i siguroj atij xhenetin.” Transmeton Buhariu 6474 nga hadithi i Sehl bin Sad radijAllahu anhu, dhe Tirmidhiu 2616 të cilin e ka saktësuar nga hadithi i Ebu Hurejras radjiAllahu anhu me tekstin: “Kë  ka ruajtur Allahu nga e keqja që ka mes dy nofullave të tij dhe nga e keqja që ka mes dy këmbëve të tij, do të futet në xhenet.” Ato që janë mes dy nofullave dhe mes këmbëve janë gjuha dhe organi gjenital.

Po ashtu, ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush beson në Allahun dhe ditën e fundit, le të flasë fjalë të mira ose le të heshtë.” Transmeton Buhariu 6475 dhe Muslimi 173 nga Ebu Hurejra.

Transmeton Buhariu 11 dhe Muslimi 163 nga hadithi i Ebu Musës radijAllahu anhu, se ka thënë: “Thashë: O i Dërguar i Allahut! Kush është muslimani më i mirë? Tha: Ai që muslimanët janë të sigurtë nga gjuha dhe dora e tij.”

Hafidh Ibn Haxheri rahimehullah ka thënë në “Fethul Bari” 1/54: “Hadithi është i përgjithshëm në lidhje me gjuhën dhe jo me dorën, sepse gjuha mund të flasë për ata që kanë kaluar apo edhe për ata prezentë, madje edhe për ata që do vijnë, ndryshe nga dora. Mund të marrë pjesë edhe dora në të shkruar dhe me të vërtetë që efektet e saj janë të mëdha.”

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Me të vërtetë që i falimentuari nga umeti im është ai i cili vjen në ditën e gjykimit me shumë namaz, agjërim dhe zekat, mirëpo ka fyer këtë, ka shpifur për këtë, ka ngrënë pasurinë e këtij, ka derdhur gjakun e këtij, ka goditur këtë tjetrin, dhe ky u jep këtij e atij tjetrit nga të mirat e tij. Nëse i mbarojnë të mirat para se të mbarojë gjykimi atëherë merren nga të këqijat e tyre dhe i hidhen atij, dhe më pas hidhet në zjarr”. Transmeton Muslimi 6579.

Po ashtu Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Është rrëthuar xheneti me pakënaqësi dhe është rrethuar zjarri me epshe dhe dëshira.” Transmeton Muslimi 7130 nga hadithi i Enesit radijAllahu anhu, ndërsa transmeton Buhariu 6487 nga Ebu Hurejra radijAllahu anhu me tekst të tij: “Është mbuluar zjarri me epshe dhe dëshira, ndërsa është mbuluar xheneti me të papëlqyeshme.”

Përfundimi është se Allahu e ka obliguar njeriun që ta ruajë; gjuhën, organin gjenital, dëgjimin, shikimin dhe këmbët e tij nga harami, e ky është agjërim në aspektin gjuhësor. Ky lloj agjërimi nuk është i kufizuar me kohë të caktuar, mirëpo është obligim vazhdimësia në to dhe në bindje ndaj Allahut të Lartësuar deri në vdekje, në mënyrë që të fitojë kënaqësinë e Allahut dhe të shpëtojë nga hidhërimi dhe dënimi i Tij.

Namazi i natës në Ramazan me xhemat në xhami është prej suneteve që e ka bërë Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, saqë u ka prirë shokëve të tij duke u falur në disa netë prej Ramazanit, dhe nuk e ka vazhduar në netët e tjera nga frika se mos i bëhej obligim umetit të tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Vdiq i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe ai namaz nuk ishte bërë obligim. Mbeti vetëm pëlqyeshmëria e faljes së tij, e asaj që është saktësuar se u fali namaz shokëve të tij për vetëm disa ditë. Gjatë hilafetit të Umerit radjiAllahu anhu u mblodhën njerëzit pas një imami në namazin e teravive. Ka transmetuar Buhariu 1129 dhe Muslimi 1783 nga Aishja radijAllahu anha se ka thënë: “I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem është falur atë natë në xhami, dhe u priu njerëzve në namaz, e fali atë edhe natën tjetër ndërkohë që njerëzit u shtuan. Më pas u mblodhën natën e tretë apo të katërt, mirëpo i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem nuk doli, dhe kur agoi tha: “E pashë atë që vepruat. Asgjë nuk më ndaloi të dilja tek ju përveç se u frikësova se do tu bëhej obligim”. Kjo ndodhi në Ramazan.

Transmeton Buhariu 2009 dhe Muslimi 1780 me tekst të tij nga Ebu Hurejra radijAllahu anhu, se ka thënë: Kishte dëshirë i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem që të falej në Ramazan duke mos i urdhëruar për vendosmëri të tjerët, dhe thoshte: “Kush agjëron Ramazanin me besim dhe duke llogaritur shpërblimin për të, i falen atij gjynahet e kaluara”. Ndërroi jetë i Dërguari i Allahut dhe gjendja ishte e tillë. E njëjta gjendje ishte edhe në hilafetin e Ebu Bekrit, po ashtu dhe në fillim të hilafetit të Umerit”.

Nata më e mirë është nata e kadrit dhe ajo është në dhjetë netët e fundit të Ramazanit. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem u përkushtonte në këto dhjetë netë. Allahu i Lartësuar ka thënë:

إِنَّآ أَنزَلۡنَٰهُ فِي لَيۡلَةِ ٱلۡقَدۡرِ ١ وَمَآ أَدۡرَىٰكَ مَا لَيۡلَةُ ٱلۡقَدۡرِ ٢ لَيۡلَةُ ٱلۡقَدۡرِ خَيۡرٞ مِّنۡ أَلۡفِ شَهۡرٖ ٣ تَنَزَّلُ ٱلۡمَلَٰٓئِكَةُ وَٱلرُّوحُ فِيهَا بِإِذۡنِ رَبِّهِم مِّن كُلِّ أَمۡرٖ ٤ سَلَٰمٌ هِيَ حَتَّىٰ مَطۡلَعِ ٱلۡفَجۡرِ ٥

“Ne e zbritëm atë (Kuranin) në natën e Kadrit.  E ç’të bëri ty të dish se ç’është nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj! Me lejen e Zotit të tyre në (atë natë) të zbresin engjëjt dhe shpirti (Xhibrili) për secilën çështje. Ajo (që përcakton Zoti) është paqe deri në agim të mëngjesit.”

[Surja El Kadr: 1-5]

Transmeton Buhariu 2014 dhe Muslimi 1781 nga Ebu Hurejra, nga Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem se ka thënë: “Kush e agjëron Ramazanin me besim dhe duke llogaritur shpërblimin tek Allahu, i falen atij gjynahet e kaluara. Kush falet natën e kadrit me besim dhe duke llogaritur shpërblimin tek Allahu, i falen gjynahet e kaluara.”

Përcillet nga Aishja radijAllahu anha se ka thënë: “I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem përkushtohej në dhjetë netët e fundit të Ramazanit, dhe thoshte: “Kërkojeni natën e Kadrit në dhjëtë netët e fundit të Ramazanit.” Transmeton Buhariu 2020 dhe Muslimi 2776.

Transmeton Muslimi 2766 nga Ibn Umeri radijAllahu anhu, se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush e kërkon atë (natën e Kadrit), le ta kërkojë në dhjetë netët e fundit”.

Ndërsa Aishja radijAllahu anha përcillet se ka thënë: “I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem kur hynte dhjetë ditëshi i fundit e shtrëngonte izarin e tij, e ngjallte natën dhe i zgjonte familjarët e tij”. Transmeton Buhariu 2024 dhe Muslimi 2787.

Nuk ka përcaktuar Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në namazin e natës numër të caktuar rekatesh, mirëpo nga ajo çfarë tregohet është se kjo çështje është e gjerë, dhe kjo tregohet në fjalën e tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ku thotë: “Namazi i natës është dy nga dy, e nëse dikush prej jush frikësohet se nuk çohet dot për namaz të sabahut, atëherë le ta falë një rekat vitër.” Transmeton Buhariu 990 dhe Muslimi 1748 nga Ibn Umeri.

Është transmetuar nga vepra e tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në hadithin e Aishes radijAllahu anha, se ka thënë: “Nuk është falur i Dërguri i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në Ramazan apo jashtë tij më shumë se njëmbëdhjetë rekate”.

Po ashtu, ka ardhur në hadithin e Ibn Abasit rdajiAllahu anhuma në historinë e fjetjes tek halla e tij Mejmuneja radijAllahu anha, se: “Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem fali trembëdhjetë rekate dhe jepte selam në çdo dy rekate, ndrërsa e mbylli me vitrin tek në fund.” Transmeton Buhariu 183 dhe Muslimi 1789.

Kjo që është transmetuar nga vepra e tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem nuk tregon për ndalimin e shtimit të rekateve, mirëpo tregon se ajo që ka vepruar ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem është më parësore. Më e mira është të bashkosh me shtimin e rekateve së bashku me mënyrën e faljes, e cila është zgjatja e leximit, e rukusë dhe e sexhdes.

E nëse falet pas atij që fal më shumë rekate se ajo që ka vepruar ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, nuk duhet që ai të largohet para se të përfundojë imami. Kjo në përputhje me fjalën e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “Kush falet me imamin derisa të përfundojë, i shkruhet atij sikur është falur gjithë natën”. E kanë transmetuar imamllarët e katër suneneve, dhe hadithi gjendet tek Tirmidhiu 806 në kapitullin: “çfarë është transmetuar rreth faljes në muajin e Ramazanit”.

Ky është sezon madhështor prej sezoneve të ahiretit, dhe arrihet përgatitja e muslimanit në të  me vendosmëri në shtyllat e tij nga fillimi deri në fund të tij, me vepra të mira me të cilat ngrihet në shkallë të larta dhe i falen gjunahet, ku prej tyre përmendim:

1.E ruan agjërimin e tij nga çdo gjë që e pakëson shpërblimin dhe largohet prej saj.

2.E ruan namazin e natës me imam në xhami, dhe shkuarja e tij në xhami është më e mirë se namazi në shtëpi. Ai është një adhurim që është ligjëruar të kryhet me xhemat dhe të mos shkëputet para se të shkëputet imami, në mënyrë që të arrijë shpërblimin sikur ai që është falur gjithë natën.

3.Të kujdeset që të jetë bujar dhe bamirës duke ndjekur shembullin e të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Transmeton Buhariu 8 dhe Muslimi 2009 nga Ibn Abasi radijAllahu anhuma, se ka thënë: “Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka qenë njeriu më bujar, dhe ishte edhe më shumë bujar në Ramazan kur e takonte Xhibrili. E takonte çdo natë të Ramazanit dhe ia mësonte atij Kuranin. I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ishte më i shpejtë në bujari sesa era”.

4.Të shpeshtojë leximin e Kuranit dhe meditimin rreth kuptimeve të tij.

5.Të veprojë ato shkaqe që të çojnë drejt faljes dhe të kujdeset të mos dalë nga Ramazani  pa gjynahe të falura, siç transmetohet nga hadithi i Ebu Hurejrës radijAllahu anhu i përmendur tek Tirmidhiu 3545: “Mjerë për atë person që hyn në Ramazan dhe del prej tij dhe gjynahet nuk i janë falur”.

6.Të kujdeset që të mos angazhohet gjatë natës me endje dhe lojra, duke shikuar filma dhe seriale gjatë netëve të muajit të Ramazanit, sidomos ato të cilat personofikojnë sahabët radijallahu anhum, gjë për të cilën kam shkruar rreth saj me temë: “Ndalimi i personifikimit të pejgamberëve, të dërguarëve dhe sahabëve të ndershëm”.

7.Të përpiqet ta gjallërojë të gjithë dhjetë ditëshin e fundit të Ramazanit, sepse në këto netë është nata e kadrit dhe ajo ndryshon, ashtu siç ka ngjarë në kohën e tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ku nata e Kadrit qëlloi në natën njëzet e një. E ka transmetuar Buhariu 2018 dhe Muslimi 2769 nga hadithi e Ebu Saidit radijAllahu anhu.

8.Ashtu sikurse muslimani kujdeset për agjërimin e muajit të Ramazanit, është më primare të kujdeset që t’i falë pesë kohët e namazeve në kohët e tyre për shkak se ato janë shtyllat e Islamit. Ato janë lidhje më e fortë mes robit dhe Zotit të tij, të cilat përsëriten pesë herë gjatë ditës dhe natës.

9.Pas daljes së muajit të agjërimit, të asaj që muslimani arriti me qetësinë në adhurime dhe në kujdesin e tyre, është e kërkuar prej tij që të jetë i vazhdueshëm në to dhe të afrohet me Allahun e Lartësuar me vepra të mira. Sepse i Adhuruari në Ramazan është i Adhuruar në Sheual dhe në çdo kohë. Lus Allahun t’iu japë sukses të gjithë muslimanëve në agjërimin e muajit të Ramazanit, ta agjërojnë në atë mënyrë me të cilën kënaqet Ai dhe të afrohen me Të. Lus Allahun t’ua përmirësojë zemrat, fjalët dhe veprat e tyre! Me të vërtetë, ai është Dëgjuesi dhe u përgjigjet lutjeve!

Paqja, begatia dhe bekimet e Allahut qofshin mbi robin dhe të Dërguarin e Tij, pejgamberin tonë Muhamed, si dhe mbi familjen, shokët e tij dhe mbi të gjithë që e ndjekin atë deri në ditën e gjykimit!

 

Shkroi: Shejh Abdul Muhsin el Abad

Përktheu: Bledar Lika

Dosje: ,

Loading...