Shkeljet që bëhen gjatë Haxhit, Umres dhe vizitës së Xhamisë së Profetit

June 2, 2025

SHKELJET DHE GABIMET QË BËHEN NË HAXH,UMRE DHE VIZITËN E XHAMISË SË PEJGAMBERIT A.S.

GABIMET DHE SHKELJET QË LIDHEN ME UMREN

Së pari: Shkeljet dhe gabimet e njerëzve lidhur me ihramin

Lënia e “ihlalit; shpallja me zë të lartë e nijetit për adhurimin e Umres, që do të thotë të mos e ngrejë zërin për të bërë nijetin për ritualin e Umres që synon të bëjë, në momentin e hyrjes në ihram.

Sipas sunetit duhet të ngrihet zëri kur bëjmë nijetin e Umres.

Disa njerëz mendojnë se ihrami është vetëm veshja (veshja e izarit dhe ridasë).

Në realitet, ihrami është nijeti për të hyrë në adhurim(Umre ose Haxh), dhe shenja e tij është shpallja me anë të “Telbijes”. Kush bën Telbijen duke pasur për qëllim Haxhin ose Umren, ai ka hyrë në ihram.

Disa njerëz mendojnë se gusli (larja) është i detyrueshëm për ihramin.

Por në të vërtetë është sunet, dhe nuk ka ndonjë detyrim për atë që e lë.

Disa mendojnë se dy rekatet para ihramit janë obligim ose sunet specifik që duhet bërë patjetër, prandaj i falin në çdo rrethanë.

Mendimi i saktë është se është e ligjshme të falesh përpara ihramit, por nuk ka një namaz të veçantë për të. Nëse fal ndonjë namaz farz ose vullnetar, mund të hyjë në ihram pas tij.

Disa njerëz mendojnë se është e detyrueshme të ndalosh në mikat dhe të hysh në xhami.

Në realitet një gjë e tillë nuk është e detyrueshme. Andaj kush është i veshur me ihram dhe kalon nga mikati dhe bën Telbijen pranë tij apo paralel me të ndërsa është në makinë, i mjafton kjo. Edhe ai që është në avion, e bën Telbijen kur është paralel me mikatin ose pak përpara që të mos e kalojë pa hyrë në ihram.

Parfumosja e rrobave të ihramit.

Veprimi i saktë është të mjaftohet me parfumosjen e trupit.

Disa mendojnë se rruajtja e qimeve pubike (zonës intime), prerja e thonjve dhe pastrimi i sqetullave janë obligim kur futen në ihram, ose mendojnë se këto veprime janë sunet për hyrjen në ihram.

Në fakt, këto veprime janë sunete të përgjithshme kur janë të nevojshme.

Hyrja në ihram para mbërritjes në mikat.

Ky veprim bie ndesh me sunetin. Mirëpo ai që është në avion mund ta përshpejtojë pak që të mos i kalojë mikati për shkak të shpejtësisë së avionit. E njëjta vlen edhe nëse ka frikë se do ta zërë gjumi dhe do ta kalojë mikatin duke qenë në gjumë; në këto raste mund ta bëjë ihramin më herët sipas nevojës.

Kalimi i mikatit nga ana e atij që ka për qëllim bërjen e Haxhit ose Umres pa hyrë në ihram, qoftë nga padija, pakujdesia apo ngaqë është në avion.

Në rastin kur ai e kalon mikatin pa hyrë në ihram ndërkohë që synon kryerjen e Umres ose Haxhit është e detyrueshme që ai të kthehet në mikat dhe të hyjë në ihram prej andej. Edhe ai që zbret në aeroportin e Xhiddes pa hyrë në ihram në avion për çfarëdo arsye, duhet të dalë në ndonjë nga mikatet e afërt për të hyrë në ihram. Përjashtim bën ai që nuk kalon pranë asnjë mikati dhe itinerari i tij nuk përkon me asnjë mikat, si p.sh. ata nga Sudani që vijnë me avion ose anije, përveç nëse e dinë se kalojnë paralel me mikatin e Jelemlemit apo Xhuhfës sipas itinerarit të tyre të udhëtimit për në Xhidde.

Keqkuptimi lidhur me fjalën “rrobë e qepur”, duke menduar se çdo gjë e qepur është e ndaluar, andaj e shmangin rripin, çantën e brezit ose sandalet e qepura.

Në fakt kjo nuk është e saktë sepse sipas rregullit, e ndaluar është ajo “veshje e qepur” që është prerë dhe është qepur sipas përmasave të trupit të njeriut siç janë rrobat apo pantallonat e zakonshme

Veshja e gruas doreza, burka, nikab apo shami që mbulon të gjithë fytyrën.

Ndërkohë që ajo ka për detyrë, nëse është përpara meshkujve të huaj, të mbulojë fytyrën dhe duart me diçka tjetër veç nikabit dhe dorezave, sepse Profeti (paqja qoftë mbi të) e ka ndaluar përdorimin e tyre për gruan kur është në ihram.

Disa mendojnë se gruaja duhet të ketë veshje të veçantë për ihram; të zezë, jeshile apo të bardhë.

Kjo nuk është e saktë. Gruaja mund të veshë çfarë të dojë nga llojet e rrobave, për sa kohë që nuk zbukurohet apo shfaq stolitë e saj.

Disa mendojnë se nuk lejohet të ndryshosh ose të heqësh rrobat e ihramit.

Ndërsa mendimi i saktë është se ai që është në ihram mund t’i ndërrojë ose t’i lajë dhe t’i veshë përsëri rrobat e ihramit.

Bërja e ritualit të idtibasë (zbulimi i njërit sup) që nga fillimi i ihramit e deri në fund.

Ndërsa varianti i saktë është që “idtibaja” bëhet vetëm gjatë tavafit të Umres ose tavafit të mbërritjes.

Braktisja e ihramit dhe dalja prej tij pa një arsye të vlefshme fetare.

Ndërkohë që është e detyrueshme për atë që është në ihram të qëndrojë në të deri sa ta përfundojë adhurimin (Umren ose Haxhin). Përjashtim bën nëse ka pengesë legjitime siç është Ihsari (kur i del një pengesë që ia ndalon vijimësinë). Në këtë rast, lejohet të dalë nga ihrami. Nëse ka vendosur një kusht në fillim, del pa pasur detyrim. Nëse nuk ka vendosur kusht, duhet të therë kurban dhe të rruajë kokën ose të shkurtojë flokët, pastaj del nga ihrami.

Së dyti: Gabimet dhe shkeljet e njerëzve gjatë tavafit

Përkushtimi ndaj disa lutjeve që nuk janë transmetuar (nga Profeti a.s) gjatë hyrjes në Xhaminë e Shenjtë ose kur shihet Qabja.

Suneti në këtë rast është të thuhen vetëm ato lutje që janë transmetuar nga Profeti (paqja qoftë mbi të).

Shqiptimi i nijetit me gojë para fillimit të tavafit.

Nijeti e ka vendin në zemër andaj shqiptimi i tij me gojë nuk është i ligjësuar.

Fillimi i tavafit para gurit të zi qëllimisht për të qenë i sigurtë.

Ky veprim është i ekzagjeruar dhe i tepërt.

Fillimi i tavafit pas kalimit të gurit të zi dhe llogaritja e atij rrotullimi si një xhiro e plotë.

Kjo është gabim dhe nëse dikush e bën këtë, ai rrotullim nuk i llogaritet.

Ngritja e të dy duarve para gurit të zi si në namaz, ose ngritja e duarve tri herë.

Suneti në këtë rast është të ngresh dorën e djathtë drejt gurit të zi vetëm një herë.

Ndalimi për një kohë të gjatë përballë gurit të zi.

Ndërkohë sunet është të mos qëndrosh gjatë.

Shtyrja me forcë për të arritur te guri i zi për ta puthur.

Sipas sunetit nuk duhet të shtysh. Nëse arrin lehtësisht, shkon dhe e puth. Përndryshe, vetëm ngren dorën drejt tij.

Kthimi pas nëse ka kaluar gurin e zi pa thënë “Allahu Ekber”, për të thënë tekbirin dhe për të ngritur dorën drejt tij.

E gjitha kjo është gabim sepse tekbri dhe ngritja e dorës janë sunet dhe koha e tyre ka kaluar tashmë dhe nuk është prej sunetit të kthehesh për t’i bërë përsëri. Si dhe nuk ka ndonjë detyrim ai që harron të bëjë tekbirin apo e lë pa bërë me vetëdije.

Caktimi i një lutjeje të veçantë për çdo rrotullim të tavafit.

Nuk ka argument për këtë. Suneti në këtë rast është që ai që po bën tavafin të bëjë çfarë lutje të dëshirojë lidhur me mirësitë e kësaj jete dhe të jetës tjetër dhe të bëjë çfarë dhikri të dëshirojë nga dhikri i ligjësuar si “Subhanallah”, “Elhamdulillah”, “La ilahe il-lallah”, “Allahu Ekber”, ose të lexojë pjesë nga Kurani.Shiko faqen ()

Vrapimi (ecja me nxitim) në të gjitha rrotullimet e tavafit.

Sunet të nxitohet vetëm në tre rrotullimet e para.

Mosrespektimi i rregullit të bërjes së tavafit duke e pasur Qaben në të majtë gjatë tavafit, pa arsye.

Sipas sunetit Qabja duhet të jetë në të majtën e tij, dhe ai nuk duhet ta shpërfillë këtë rregull, përveç nëse ka arsye si dyndje e madhe…etj, në këtë rast ai nuk ka ndonjë përgjegjësi.

Puthja e këndit jugor (Rukn el-Jemani), ose bërja me dorë kur nuk mund ta puthë.

Sunet është vetëm ta prekësh me dorë. Nëse nuk mundet, nuk ia bën me dorë.

Prekja ose puthja e të gjithë cepave ose mureve të Qabes dhe fërkimi pas tyre.

Kjo bie ndesh me sunetin. Vetëm puthja e gurit të zi dhe prekja e këndit jugor (rukn el-jemani) janë të ligjësuara.

Mendimi se prekja e gurit të zi ose këndit jugor është për bereqet, jo për adhurim.

Kjo është injorancë dhe devijim. Dëmi dhe dobia janë vetëm në dorë të Allahut. Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të) erdhi te guri i zi dhe tha:“E di që ti je një gur që nuk dëmton dhe nuk sjell dobi. Po të mos e kisha parë të Dërguarin e Allahut (paqja qoftë mbi të) duke të puthur, nuk do të të kisha puthur.”Transmeton Buhariu, nr. 1597

Ngritja e zërit kur lutemi duke shqetësuar dhe shpërqendruar të tjerët gjatë tavafit.

Suneti është që njeriu ta përmendë Zotin e tij dhe t’i lutet Atij mes vetes dhe Zotit, që të mos shqetësojë të tjerët.

Angazhimi me bërjen e fotografive ose bisedave të padobishme gjatë tavafit.

Sipas etikës fetare ai që po bën tavafin duhet të angazhohet në permendjen e Zotit të tij i përulur, i përgjëruar dhe i përqendruar.

Përfundimi i tavafit pa qenë i sigurt që ka arritur te guri i zi.

Është e detyrueshme ta plotësojë rrotullimin e shtatë deri sa të sigurohet apo të bindet se e ka arritur gurin e zi.

Mendimi se dy rekatet pas tavafit duhet të falen domosdoshmërisht pas Mekamit të Ibrahimit ose pranë tij duke shkaktuar dyndje dhe duke lënduar njerëzit që janë duke bërë tavaf në ditët e Haxhit dhe duke e paralizuar qarkullimin e tavafit.

Ky mendim është i gabuar. Këto dy rekate mund të falen kudo në xhami. Mundet që t’i fali nga një distancë e largët duke e patur mekamin mes tij dhe Qabes dhe në këtë mënyrë shpëton nga lëndimi i të tjerëve dhe e fal namazin me përqendrim e qetësi.

Zgjatja e dy rekatave pas tavafit dhe lutja pas tyre.

Suneti është që të jenë të shkurtra dhe pa lutje pas tyre, sepse nuk është transmetuar diçka e tillë nga Profeti (paqja qoftë mbi të).

Falja e dy rekatave të tavafit me supin e zbuluar (duke bërë idtiba).

Sipas sunetit pas përfundimit të tavafit, rrobja e ihramit vendosen mbi të dy supet menjëherë.

Së treti: Gabimet dhe shkeljet e njerëzve gjatë sa’jit.

Mbajtja e supit të djathtë zbuluar gjatë sa’jit.

Siç është sqaruar më parë, supi i djathtë zbulohet vetëm gjatë tavafit, jo gjatë sa’jit.

Shqiptimi i nijetit para se të fillojë sa’ji.

Është sqaruar më parë se vendi i nijetit është zemra, dhe shqiptimi i tij nuk është i ligjshëm.

Fillimi i sa’jit nga Mervaja.

Kjo është gabim, dhe kush vepron kështu, atij nuk i llogaritet ajo xhiro.

Disa njerëz mendojnë se një xhiro përbëhet nga vajtje dhe kthim, dhe kështu bëjnë katërmbëdhjetë xhiro.

Kjo është gabim. Vajtja nga Safaja në Merva është një xhiro, dhe kthimi nga Mervaja në Safa është një tjetër. Nisja bëhet nga Safaja dhe përfundimi bëhet në Merva.

Leximi i ajetit: “Vërtet, Safaja dhe Mervaja janë nga simbolet e Allahut” pas ngjitjes në Safa, ose përsëritja e leximit të këtij ajeti sa herë ngjiten në Safa dhe Merva.

Mënyra e ligjshme është që ky ajet të lexohet vetëm një herë gjatë shkuarjes tek Safaja, dhe nuk përsëritet në çdo xhiro.

Ngjitja në majën më të lartë të kodrës së Safasë, duke menduar se kjo është e domosdoshme.

Nuk ka asnjë argument që e bën kusht këtë gjë.

Ngritja e duarve dhe bërja shenjë me to, siç bëhet në tekbiret e namazit.

Mënyra e saktë është që vetëm të kthehet me fytyrë drejt kibles dhe të lutet me lutjet e transmetuara nga Profeti (paqja qoftë mbi të).

Vrapimi i gruas mes dy shenjave të gjelbra sikurse burrat.

Sipas konsensusit të dijetarëve, asaj i kërkohet vetëm ecja normale, ndërsa vrapimi nuk i kërkohet që të mos i zbulohet trupi.

Caktimi i një lutjeje të veçantë për çdo xhiro gjatë sa’jit.

Nuk ka ndonjë argument për këtë, kështu që bën çfarë të dëshirojë prej lutjeve, pa specifikim.

Ngritja e zërit në korridorin e sa’jit, aq saqë shqetësohen të tjerët.

Suneti është që ta përmendë Zotin dhe të lutet në heshtje mes vetes dhe Zotit, në mënyrë që të mos shqetësojë të tjerët.

Nxitimi gjatë të gjithë sa’jit ndërmjet Safasë dhe Mervasë.

Suneti është që nxitimi i fortë të jetë vetëm mes dy shenjave të gjelbra.

Falja e dy rekateve pas përfundimit të sa’jit.

Për këtë nuk ka ndonjë argument, kështu që nuk është e ligjshme të veprohet.

Bërja e sa’jit vullnetarisht, jashtë ritualit të Haxhit ose Umres.

Sa’ji nuk është i ligjshëm të bëhet vullnetarisht (pa qenë pjesë e Haxhit ose e Umres).

Së katërti: Gabimet dhe shkeljet e njerëzve në lidhje me rruarjen apo shkurtimin e flokëve.

Neglizhenca në përfshirjen e gjithë kokës në rruajtje ose shkurtim të flokëve.

Ndërsa suneti është që të përfshihet e gjithë koka në rruajtje ose shkurtim.

Rruajtja ose shkurtimi i flokëve brenda xhamisë së shenjtë, dhe hedhja e flokëve në të.

Ndërkohë është obligim që të nderohet xhamia e shenjtë dhe të kihet kujdes për pastërtinë e tij.

Vonesa e rruajtjes ose shkurtimit aq shumë sa që çon në harresë ose në angazhim me gjëra tjera.

Ndërsa veprimi i duhur është që kjo të bëhet menjëherë pas përfundimit të tavafit dhe sa’jit.

Kryerja e ndalesave të ihramit para rruajtjes ose shkurtimit të flokëve.

Është e detyrueshme që të mos bëhet asnjë nga ndalesat (e ihramit) përpara se të bëhet rruajtja ose shkurtimi i flokëve.

GABIMET DHE SHKELJET QË LIDHEN ME HAXHIN

Së pari: Shkeljet dhe gabimet e njerëzve në Ditën e Tervijes (8 Dhul-Hixhe).

Disa njerëz mendojnë se është e pëlqyeshme të hysh në ihram në Ditën e Tervijes nga xhamia e shenjtë, ose nga poshtë ullukut të Qabes(mizabi).

Ndërsa suneti është që të hyhet në ihram nga vendi ku ndodhet njeriu; qoftë në Mekë apo në Mina.

Shtyrja e hyrjes në ihram deri pas faljes së namazit të drekës.

Ndërkohë që suneti është që të hyhet në ihram për Haxh gjatë paradites, para faljes së namazit të drekës.

Mosqëndrimi gjatë natës në Mina, edhe pse ka mundësi për ta bërë këtë.

Suneti për haxhiun është të qëndrojë gjatë natës në Mina për aq kohë sa është në gjendje ta bëjë këtë, sipas veprimit të Profetit (paqja qoftë mbi të).

Bashkimi i namazeve në Mina.

Suneti është që në Mina të falen namazet të shkurtuara, por jo të bashkuara, duke ndjekur shembullin e Profetit (paqja qoftë mbi të).

Së dyti: Shkeljet dhe gabimet e njerëzve lidhur me Ditën e Arafatit

Qëndrimi i një pjese të ditës së tetë në Arafat për efekt sigurie!

Ky veprim është i ekzagjeruar dhe i tepruar dhe është i ndaluar.

Dalja për në Arafat që në ditën e tetë ose natën e nëntë dhe qëndrimi aty gjatë natës!

Kjo është në kundërshtim me sunetin dhe çon në neglizhimin e sunetit të qëndrimit në Mina gjatë natës.

Qëndrimi jashtë kufijve të Arafatit!

Ndërkohë është detyrë për haxhiun që të sigurohet që të qëndrojë brenda kufijve të Arafatit.

Besimi se është e domosdoshme falja me imamin në xhaminë e Nemires dhe dyndja e madhe për të qëndruar aty!

Kjo nuk është e detyrueshme, dhe nuk është e ligjshme të dyndemi për këtë qëllim.

Drejtimi nga mali “Ilal” gjatë lutjes!

Suneti është të drejtohesh nga kibla.

Besimi se është obligim ngjitja në malin Ilal, ose se ky veprim është pjesë e Haxhit, ose se ka ndonjë vlerë më shumë sesa pjesët e tjera të Arafatit!

Nuk ka asnjë argument për këtë, madje kjo bie ndesh me udhëzimin e Profetit (paqja qoftë mbi të).

Quajtja e malit Ilal si “Mali i mëshirës” ose “Mali i lutjes”!

Versioni i saktë është se emri i tij është Ilal, dhe nuk ka asnjë argument që e quan atë “Mali i mëshirës” apo “i lutjes”.

Hyrja në kupolën që ndodhet mbi malin Arafat, quajtja e saj si “Kupola e Ademit”, dhe falja në të apo rrotullimi rreth saj si tavafi rreth Qabes!

Të gjitha këto janë risi të ndaluara dhe mund të çojnë deri në shirk (idhujtari).

Kërkimi i bereqetit nga shtylla e vendosur mbi malin e mëshirës në Arafat, dhe shkrimi i emrave mbi të!

Edhe këto janë risi të ndaluara dhe mund të çojnë në shirk.

Vendosja e parave në të çarat e malit të Arafatit apo malit të Nurit, ose vendosja e flokëve, thonjve, rrobave apo sendeve të tjera, me bindjen se kjo bën që personi të kthehet sërish në ato vende!

Edhe këto janë risi të ndaluara dhe mund të çojnë në shirk.

Besimi i disa njerëzve se është obligim të qëndrosh pikërisht në vendin ku qëndroi Profeti, ose përpjekja me çdo kusht për ta bërë këtë!

Mendimi i saktë është se kjo nuk është obligim, dhe nuk është e pëlqyeshme të mundosh veten për këtë.

Humbja e kohës, lënia pas dore e lutjes dhe përmendjes së Allahut, dhe preokupimi me gjëra që nuk kanë dobi!

Vonimi i nisjes së lutjes deri afër perëndimit të diellit, ose në fund të ditës.

Mundimi për të qëndruar në këmbë gjatë lutjes, me bindjen se kjo është sunet, ose se qëndrimi në Arafat nënkupton pikërisht qëndrimin në këmbë për lutje!

Mendimi i saktë është se qëndrimi në Arafat do të thotë që të jesh në atë vend (Arafat) në kohën e duhur, qoftë në këmbë, ulur, këmbësor apo mbi mjet.

Largimi nga Arafati përpara perëndimit të diellit!

Kjo është e ndaluar, sepse bie ndesh me sunetin e Profetit (paqja qoftë mbi të).

Vonesa në nisjen pas perëndimit të diellit pa arsye!

Suneti është të nisesh menjëherë pas perëndimit të diellit, përveçse nëse ka arsye.

Besimi i disa njerëzve se qëndrimi në Arafat kur dita e Arafatit bie të premte është e barasvlershme me shtatëdhjetë haxhe!

Nuk ka asnjë argument për këtë.

Së treti: Shkeljet dhe gabimet e njerëzve në lidhje me vajtjen në Muzdelife dhe kalimin e natës në të.

Nxitimi i tepruar gjatë largimit nga Arafati dhe shqetësimi i të tjerëve me makinat.

Suneti është të largohesh me qetësi dhe dinjitet, pa e shqetësuar askënd.

Disa mendojnë se është e pëlqyeshme larja e trupit për të kaluar natën në Muzdelife.

Nuk ka asnjë argument për pëlqyeshmërinë e kësaj.

Disa mendojnë se është e mirë për atë që është në mjet të zbresë nga mjeti dhe të hyjë në Muzdelife në këmbë.

Edhe për këtë nuk ka asnjë argument që është e pëlqyeshme.

Qëndrimi në një vend pa u siguruar që ndodhen brenda kufijve të Muzdelifes!

Duhet të sigurohemi që të jemi Brenda kufijve të Muzdelifes para se të qëndrojmë për të kaluar natën.

Mosnxitimi për faljen e namazit menjëherë pas arritjes në Muzdelife!

Suneti është që të nxitohet për faljen e namazit sapo të mbërrijë në Muzdelife.

Preokupimi në mbledhjen e gurëve sapo të hyjnë në Muzdelife dhe përkushtimi ndaj këtij veprimi me bindjen se është i pëlqyeshëm!

Nuk ka asnjë argument që e mbështet këtë veprim.

Shtyrja e faljes së namazit të akshamit dhe jacisë derisa të kalojë mesnata e cila është koha e tyre!

Ndërkohë që këto dy namaze duhet të falen para mesnatës, edhe para mbërritjes në Muzdelife.

Kalimi i natës së Muzdelifes zgjuar me namaz apo adhurime tjera apo edhe me zbavitje e lojë!

Ndërsa suneti është të flesh dhe të pushosh menjëherë, duke ndjekur shembullin e Profetit (paqja qoftë mbi të), që të jesh i përgatitur për veprimet e Ditës së Bajramit.

Largimi i njerëzve të dobët dhe kujdestarëve të tyre nga Muzdelifeja para mesnatës!

Ndërkohë që që është e detyrueshme të mos largohen përpara mesnatës.

Largimi i atyre që nuk janë të dobët dhe nuk kanë me vete njerëz të tillë, përpara agimit!

Ndërkohë që është e detyrueshme të qëndrohet në Muzdelife deri në agim.

Vonesa në nisje nga Muzdelife derisa të lindë dielli!

Ndërsa suneti është që të largohesh prej saj para lindjes së diellit.

Së katërti: Shkeljet dhe gabimet e njerëzve në lidhje me veprat e Ditës së Kurbanit

Besimi i disa njerëzve se është e pëlqyeshme larja e trupit përpara hedhjes së gurëve!

Nuk ka asnjë argument mbi pëlqyeshmërinë e kësaj.

Larja e guralecëve para se të hidhen!

Nuk ka asnjë argument mbi pëlqyeshmërinë apo ligjësimin e kësaj.

Besimi se rituali i hedhjes së guralecëve nuk është i vlefshëm veçse nëse guret janë marrë nga Muzdelifeja!

Nuk ka argument për këtë, kështu që është e lejuar t’i marrësh gurët nga çdo vend.

Hedhja e diçkaje tjetër përveç gurëve ose përdorimi i gurëve të mëdhenj!

Kjo është në kundërshtim me udhëzimin e Profetit (paqja qoftë mbi të).

Të zemërohesh gjatë hedhjes së gurëve dhe të besosh se po gjuan shejtanin!

Grumbullimi i disave në grupe dhe bashkimi me njëri-tjetrin kur shkojnë për të hedhur gurët duke shqetësuar të tjerët.

Shtimi i dhikrit më shumë se ç’është transmetuar gjatë hedhjes së gurëve!

Më e mira është të mjaftohesh me fjalën “Allahu Ekber”.

Hedhja e të shtatë gurëve përnjëherë (në një goditje të vetme)!

Në këtë rast, nuk quhet veçse si një gjuajtje e vetme. Është detyrim që secili gur të hidhet veçmas.

Vendosja e gurëve në rezervuar (vendi ku bien gurët) pa i hedhur, vetëm duke i lënë aty!

Kjo nuk vlen. Veprimi i kërkuar është hedhja me dorë në një mënyrë që mund të quhet hedhje.

Shënjestrimi i murit të ngritur gjatë hedhjes së gurëve dhe mendimi se ai është shënjestra kryesore!

Veprimi i rregullt është që gurët të bien brenda në rezervuar, edhe nëse nuk goditet muri.

Hedhja e gurëve nga një distancë shumë e largët, pa u siguruar që gurët të bien në rezervuar!

Qëndrimi për të bërë lutje pas hedhjes së gurëve në Xhemretul-Akabe!

Kjo nuk është e ligjshme, sepse nuk ka ndonjë argument që e mbështet.

Therja e kurbanit para Ditës së Kurbanit për ata që kryejnë temettu ose kiran!

Kjo nuk është e vlefshme dhe kush e bën këtë, duhet ta therë kurbanin sërish në kohën e caktuar sheriatikisht, që është nga dita e Bajramit deri në fund të ditëve të teshrikut.

Mosbërja e kurbanit duke dhënë vlerën monetare të kurbanit për bamirësi!

Kjo nuk është e vlefshme. Nëse dikush e bën këtë ai nuk lirohet nga detyrimi i therjes së kurbanit andaj duhet të bëjë kurban.

Rruarja ose shkurtimi vetëm i një pjese të kokës!

Suneti është të përfshihet e gjithë koka në rruajtje apo shkurtim

Mjaftimi me tavafin e mbërritjes në vend të tavafit të ifadës, ose kryerja e tij para qëndrimit në Arafat dhe Muzdelife!

Kjo nuk është e vlefshme, sepse tavafi i ifadës është një nga shtyllat e haxhit dhe haxhi nuk është i vlefshëm pa të, dhe nuk lejohet të kryhet para qëndrimit në Arafat dhe Muzdelife.

Së pesti: Shkeljet dhe gabimet e njerëzve në lidhje me veprat e ditëve të Minasë (Ditët e Teshrikut).

Pakujdesia dhe abuzimi me autorizimin e dikujt tjetër për hedhjen e gurëve!

Rregulli bazë është që haxhiu t’i hedhë gurët vetë, përveç nëse ka një arsye të ligjshme që ia lejon të caktojë dikë në vend të tij.

Udhëtimi i atij që ka caktuar dikë tjetër për të hedhur gurët në vend të tij para përfundimit të riteve dhe ditëve të haxhit!

Ky veprim është i gabuar sepse ai duhet të qëndrojë në Mina ose në vendin ku ndodhet, derisa të përfundojnë veprimet e haxhit, pastaj të kryejë tavafin e lamtumirës dhe më pas mund të largohet.

Hedhja e gurëve gjatë ditëve të teshrikut para kalimit të diellit në zenit (para drekës)!

Ndërkohë që suneti është të hidhen pas kalimit të diellit në zenit (pas mesditës).

Mosrespektimi i rendit të tre xhemerateve gjatë hedhjes së gurëve!

Është detyrë të respektohet rendi: të hidhet fillimisht te xhemreja e parë (e vogla), pastaj te e mesmja, dhe më pas te e madhja – që është Xhemretul-Akabe. Kush e përmbys këtë rend apo vepron ndryshe, duhet ta përsërisë hedhjen sipas rendit. Fillon me të voglën dhe vazhdon më tej me radhë.

Qëndrimi për të bërë dua pas hedhjes së gurëve në Xhemretul-Akabe!

Suneti është që të bëhet dua vetëm pas hedhjes së gurëve në xhemren e parë dhe atë të mesme.

Së gjashti: Shkeljet dhe gabimet e njerëzve në lidhje me tavafin e lamtumirës.

Kryerja e tavafit të lamtumirës para hedhjes së gurëve të ditës së fundit, me qëllim që të udhëtojë menjëherë pas hedhjes së gurëve!

Kjo është gabim. Kush e bën këtë, tavafi i tij nuk llogaritet sepse është kryer në kohë të pasaktë, dhe është i detyruar ta përsërisë pas hedhjes së gurëve.

Autorizimi i dikujt tjetër për të hedhur gurët, dhe vetë bën tavafin para se të hedhë gurët përfaqësuesi!

Veprimi i saktë është që të presë derisa përfaqësuesi të hedhë gurët, pastaj të kryejë tavafin e lamtumirës.

Moskthimi i shpinës ndaj Qabes qëllimisht, duke dalë mbrapsht nga xhamia në shenjë nderimi ndaj Qabes!

Nuk ka dëshmi që kjo është e ligjshme. Udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit (paqja qoftë mbi të).

Qëndrimi për të bërë dua në dalje të xhamisë së shenjtë!

Nuk ka asnjë argument për këtë.

Qëndrimi i gjatë në Mekë pas tavafit të lamtumirës, pa ndonjë arsye të ligjshme!

Është e detyrueshme të dilet nga Meka menjëherë pas tavafit të lamtumirës. Ndonëse nuk ka problem nëse qëndron për pak kohë për të pritur shokët, ose për të blerë sende të udhëtimit…etj.

Nëse qëndron gjatë pa ndonjë arsye të ligjshme, atëherë është i detyruar të përsërisë tavafin e lamtumirës.

GABIME DHE SHKELJE QË LIDHEN ME VIZITËN NË XHAMINË E PEJGAMBERIT A.S

Fërkimi me muret dhe hekurat rreth varrit të Profetit (paqja qoftë mbi të), lidhja e fijeve të perit apo sendeve të ngjashme me to në dritaret për bekim!

Bekimi është vetëm në atë që e ka ligjëruar Allahu dhe i Dërguari i Tij, jo në bidate (risi).

Shkuarja në shpella si ajo e Uhudit, Hirasë apo Theurit në Mekë, lidhja e rrobave aty, lutje me fjalë të paligjësuara dhe mundimi i tepërt për të arritur atje!

Të gjitha këto janë bidate, pa asnjë bazë në sheriatin e pastër.

Vizita në disa vende që pretendohet të jenë nga gjurmët e Profetit (paqja qoftë mbi të) si: vendi ku u ul deveja, pusi i unazës, apo pusi i Uthmanit, dhe marrja e dheut prej atyre vendeve për bekim!

Lutja kushtuar të vdekurve në varrezat e Bekisë apo të dëshmorëve të Uhudit, si dhe hedhja e parave atje me qëllim fitimin e afrimitetit dhe bekimin prej tyre!

Këto janë prej gabimeve të rënda, madje prej shirkut të madh, siç e kanë theksuar dijetarët, dhe siç e vërteton Libri i Allahut dhe Suneti i të Dërguarit të Tij (paqja qoftë mbi të). Sepse adhurimi është vetëm për Allahun dhe nuk lejohet t’i kushtohet ndokujt tjetër asgjë prej tij, si: lutja, therja e kurbanit, zotimi, e të tjera të ngjashme. Bazuar në atë që Allahu ka thënë:“Dhe atyre nuk iu urdhërua tjetër, veçse të adhurojnë Allahun me sinqeritet në fe.”(Bejjineh,5)

Përgatiti: Komisioni Shkencor pranë Qendrës për Shërbimin e Mesazhit Islam në Gjuhë të Ndryshme

Përktheu Rexhep Milaqi

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Dosje: ,

Loading...