Disa fjalë për librin I’lam el Muvakki’in

July 2, 2025

أعلام الموقعين

“A’lām al-Muvakki‘in”

📚 Libri :“A’lām al-Muvakki‘in ‘an Rabb al-‘Ālamīn” i imamit dhe dijetarit të njohur Shemsuddin Ebu Abdullah Muhamed ibn Ebu Bekr ibn Ejub ez-Zer‘i ed-Dimeshki, i njohur si Ibn Kajjim el-Xhevzijje (v. 751 h), është një nga veprat më të mëdha dhe më unike në shkencën e usul-fikhut dhe fikhut të fetvasë, madje edhe në etikën islame.

Ky liber është një enciklopedi juridike dhe metodologjike (usuliste) që paraqet qasjen e selefëve të ndershëm në fetva dhe ixhtihad, dhe thekson rolin themelor të myftiut dhe gjykatësit në umet.

 Rëndësia dhe vlera e librit:

Rëndësia e madhe e librit “A’lām al-Muvakki‘in” shfaqet në disa aspekte:

• Ngritja e pozitës së fetvasë:

Libri e ngre lart pozitën e fetvasë dhe gjykimit (gjykatësisë), duke e paraqitur si një nënshkrim në emër të Allahut dhe të Dërguarit të Tij ﷺ, e jo thjesht si një mendim personal. Kjo i jep peshë fetvasë dhe e shton përgjegjësinë e atyre që e japin atë.

• Referencë për myftitë dhe gjykatësit:

Libri llogaritet një burim i domosdoshëm për çdo njeri që merret me fetva ose gjykim, sepse u tregon atyre metodologjinë e drejtë, i paralajmëron për gabimet dhe i udhëzon në sjelljet dhe kushtet që duhet të kenë.

• Metodologjia e ixhtihadit dhe fikhut:

Ibn Kajimi paraqet një metodologji të jashtëzakonshme në kuptimin e teksteve fetare dhe në nxjerrjen e dispozitave, larg ngurtësisë dhe imitimit të verbër, duke theksuar nevojën për të kuptuar qëllimet dhe shpirtin e sheriatit.

• Kritika ndaj imitimit të verbër:

Ibn Kajimi ndërmerr një sulm të fortë kundër imitimit të verbër dhe fanatizmit juridik (medh’hebist), duke ftuar në kthimin tek burimet themelore të legjislacionit: Kurani dhe Suneti.

• Shtrirje e gjerë tematike:

Libri nuk kufizohet vetëm në usulul-fikh, por trajton edhe çështje të thella juridike (fikhije), rregulla të hollësishme metodologjike (usuliste), diskutime gjuhësore dhe argumentime logjike, çka e bën një libër gjithëpërfshirës dhe të dobishëm.

• Stili i veçantë i Ibn Kajimit:

Libri dallohet për stilin elokuent dhe tërheqës të autorit, dhe për prezantimin e tij interesant, si dhe për aftësinë e tij të madhe në argumentim dhe dhënie shembujsh, gjë që e bën librin të lehtë për t’u kuptuar edhe pse ai në realitet trajton tema të thella.

 Përbërësit e librit dhe përmbajtja e tij:

Libri përbëhet nga katër ose pesë vëllime (zakonisht në botimet e njohura), dhe përfshin një hyrje shumë të vlefshme, pas së cilës ndahen kapituj dhe tema me rëndësi të madhe:

• Hyrja (el mukaddimeh المقدمة):

Ibn Kajimi e fillon me një hyrje madhështore ku shpjegon se dijetarët janë ata që nënshkruajnë në emër të Zotit të botëve, dhe se detyra e tyre është ndër më madhështoret. Ai thekson përgjegjësinë e myftiut, nevojën për kërkimin e së vërtetës dhe ndalimin e dhënies së fetvasë pa dije dhe paqartësi.

Gjithashtu flet edhe për rrezikun e të folurit për Allahun pa dituri.

• Kushtet dhe etikat e muftiut:

Trajton në mënyrë të detajuar kushtet e domosdoshme që myftiu duhet ti ketë siç është njohuria me Kuranin, Sunetin, gjuhën arabe dhe usulul-fikh, si dhe edukaten që duhet të stoliset me të, sikurse të jetë i devotshëm, modest, i durueshëm dhe i mëshirshëm ndaj njerëzve.

• Burimet e legjislacionit (teshriut التشريع), dhe argumentet e dispozitave (ahkam الأحكام):

Ibn Kajimi sqaron argumentet e pranuara (dakorduara el muttefek alejha المتفق عليها) dhe të diskutueshme (el muhtelef fiha المختلف فيها) si:

Kurani,

Suneti,

ixhmaja (konsensusi),

kijasi (analogjia),

istihsani, dhe interesat e përgjithshme të palidhura drejpërdrejt me tekstet fetare (el masalih el mursele المصالح المرسلة), zakoni etj, dhe shpjegon se si myftiu duhet të nxjerrë dispozita (ahkame أحكام) nga këto burime.

• Fikhu i qëllimeve (synimet e sheriatit) dhe politika legjitime fetare (esijase esherije السياسة الشرعية):

Libri tregon kuptimin e thellë të Ibn Kajimit për qëllimet e sheriatit islam, i cili synon sjelljen e dobive dhe largimin e të këqijave.

Ai flet edhe për politikën legjitime (fetare) që nuk bie ndesh me sheriatin, dhe se ajo bazohet në drejtësi dhe urtësi.

• Llojet e fetvave dhe ndarjet e tyre:

Trajton llojet e ndryshme të fetvasë si ajo me mendim, me analogji, me tekst, me zakon, gjithashtu trajton edhe klasifikimet e dispozitave juridike, si:

vuxhub detyrimi, istihbab rekomandimi, ibaha lejueshmëria, kerahe pakëndshmëria, dhe tahrimi ndalimi.

• Çështje të ndryshme juridike (fikhije) dhe metodologjike (usuliste):

Libri përfshin diskutime të gjëra mbi çështje të diskutueshme (hilafije خلافية) në fikh, duke përzgjedhur mendimin që e shikon më të saktë sipas argumenteve.

Ai shpjegon pikat e mospajtimeve dhe arsyet e tyre. Gjithashtu trajton tema të rëndesishme si: mashtrimet juridike (hilet الحيل الشرعية), imitimi, ixhtihadi etj.

• Përgjigje ndaj dyshimeve dhe mendimeve të gabuara:

Ibn Kajimi i kundërvihet disa mendimeve që i konsideron të gabuara ose që devijojnë nga metoda e selefëve, duke u bazuar në argumente të forta qofshin ata dhe logjike.

 

Përfundimisht shkurt dhe qartë: “A’lām al-Muvakki‘īn” nuk është thjesht një libër i fikhut apo usulit, porse një fenar shkencor që ndriçon rrugën e nxënësve të dijes, myftinjve dhe gjykatësve, duke forcuar parimet e drejtësisë dhe ndjekjes së saktë të sheriatit në kuptimin dhe zbatimin e tij.

🖋 Shkroi: Fejsal El Alij

🖋 Përktheu dhe pershtati: Behar Hyseni.

Dosje:

Loading...