Dita e Ashures – Ditë Falënderimi, jo Zie
Transmeton Ibn Abbasi (radijAllahu anhuma) se kur Profeti Muhamed ﷺ erdhi në Medinë, i gjeti hebrenjtë duke agjëruar ditën e Ashures. Ai i pyeti për shkakun dhe ata thanë:
“Kjo është dita në të cilën Allahu e shpëtoi Musain (alejhis-selam) dhe popullin e tij dhe fundosi Faraonin.”
Profeti ﷺ tha: “Ne kemi më shumë të drejtë për Musain sesa ata.”
Pastaj ai vetë agjëroi dhe urdhëroi të agjërohej kjo ditë. (Buhariu dhe Muslimi)
Agjërimi i ditës së Ashures është prej veprave me shpërblim të madh.
Pejgamberi ﷺ ka thënë:
“Agjërimi i ditës së Ashures shpresoj të shlyejë mëkatet e vitit të kaluar.” (Muslimi)
Kjo ditë është ditë falënderimi ndaj Allahut për shpëtimin e Musait (alejhis-selam) dhe ndëshkimin e padrejtësisë. Për besimtarët, është ditë adhurimi dhe përkujtimi i mëshirës së Allahut. Mirëpo, në mesin e shi’itëve, kjo ditë është shndërruar në ditë zie, e cila shoqërohet me shfaqje të dhunshme emocionale dhe veprime të paligjshme fetare.
Shpesh shi’itët e shprehin “dhimbjen” e tyre për vrasjen e Husejnit (radijAllahu anhu) në betejën e Kerbelasë, duke goditur trupin me zinxhirë ose mjete të mprehta, duke organizuar vajtime të zhurmshme publike, inskenime teatrale, madje edhe mallkime ndaj sahabëve të ndershëm si Ebu Bekri, Omeri, dhe Aisha (radijAllahu anhum).
Këto janë veprime të dënueshme nga feja islame dhe nuk kanë asnjë bazë në Kuran dhe në Sunetin e Profetit ﷺ. Ai ka thënë:
“Nuk është prej nesh ai që godet fytyrën, shqyen rrobat dhe ngre zëra të injorancës.” (Buhariu dhe Muslimi)
Këtu lind me të drejtë pyetja:
Pse ky zell i tepruar shfaqet vetëm për Husejnin?
Pse nuk shprehin të njëjtin “zi” për vdekjen e Profetit ﷺ, për vrasjen e Aliut apo vdekjen nga helmimi të Hasanit (radijAllahu anhum)?
Përgjigja është e thjeshtë: Husejni (radijAllahu anhu) ishte i martuar me një grua perse. Kjo tregon një ndikim të thellë etnik që qëndron pas ideologjisë shi’ite, e cila në thelb u ndërtua si reagim ndaj përhapjes së Islamit në tokat persiane në kohën e Omerit (radijAllahu anhu), i cili çliroi këto toka nga idhujtaria.
Nëse do të ishte e ligjshme që vdekja e dikujt të përkujtohej me rituale zie dhe dhune, atëherë më e merituara do të ishte për Profetin ﷺ. Por sahabët nuk e bënë këtë, dhe as gjeneratat pas tyre.
Kjo dëshmon qartë se ajo që ndodh sot në mesin e shi’itëve është larg nga udhëzimi profetik dhe buron nga motive etnike.
Fatmir Strumi
Dosje: Dita e Ashurasë