“Allahu Ekber” (Allahu është më i madhi).
Allahu i Lartësuar thotë:
“(Ai është) Njohësi i të fshehtës dhe të dukshmes, i Madhi, i Larti mbi çdo gjë.”
Imam Sheukani ka thënë El Kebir (i Madhi) është Madhështori, para të Cilit çdo gjë tjetër është më e vogël e më poshtë.
Imam Ibn Seadij ka thënë: El Kebir është Madhështori në Qëien e Tij, në Emrat dhe në Cilësitë e Tij.
Ka thënë Imam Ibn Kethiri: El Kebir është Ai që është më i madh se çdo gjë.
Për ta kuptuar më mirë madhështinë e emrave të Allahut të Lartësuar, kuptimin e tyre madhor dhe përmbajtjen e tyre të gjerë, gjejmë njerëz që quhen ose përshkruhen si i ditur apo i dijshëm, por dituria e tyre është e kufizuar, e prekur nga mangësitë, pasaktësitë, harresa dhe iluzioni.
Ndërsa emrat e Allahut të Lartësuar si el Alim (i Dijshmi), el Alam (shumë i Dijshmi), Alimul-gajbi uesh-shehadah (Njohësi i të fshehtës dhe të dukshmes), dhe fjala e Tij: “dhe mbi çdo të ditur ka Një më të Dijshëm”. | Jusuf: 76. Kjo nënkupton se dituria e Tij përfshin gjithçka: çfarë ka qenë, çfarë është, çfarë do të jetë, madje edhe atë që nuk ka ndodhur, sikur të ndodhte Ai e di se si do ishte.
Asgjë nuk i fshihet Atij, asgjë nuk del jashtë dijes së Tij. Vetëm tek Ai janë çelësat e së fshehtës; askush nuk i di veçse Ai. Ai di ç’ka në tokë dhe në det, nuk bie asnjë gjethe pa e ditur Ai, nuk ka asnjë kokërr në errësirat e tokës, asgjë e njomë e as e thatë, veçse është e shkruar në një Libër të qartë.
Disa nga frytet e thënies “Allahu Ekber”.
1. Madhërimi i shenjave të Allahut të Lartësuar.
2. Nënçmimi dhe zvogëlimi i çdo gjëje që adhurohet përveç Allahut.
3. Shuarja e mendjemadhësisë dhe e vetëpëlqimit nga zemra, sepse robi kupton se i Madhi i vërtetë është vetëm Allahu dhe se madhështia i përket vetëm Atij, dhe në këtë mënyrë i shërohet zemra nga mendjemadhësia.
4. Shtimi i përulësisë dhe i devotshmërisë. Sa më shumë që robi e njeh dobësinë e tij sado i fuqishëm të jetë, dhe e kupton se çdo forcë i takon vetëm Allahut, aq më shumë i shtohet përulësia dhe nënshtrimi ndaj Allahut të Madhëruar.
Përsëritja e fjalës “Allahu Ekber”:
“Allahu Ekber” përsëritet fillimisht katër herë, sepse kjo përsëritje thekson një çështje madhore, dhe tregon madhështinë dhe peshën e saj të lartë. Allahu i Madhëruar ka thënë:
“Kur të vijë Zoti yt (për të ndarë gjykimin) me engjëjt të rreshtuar radhë pas radhe.” | El Fexhr: 22.
“Por ani! Kur toka të bëhet copë e thërrime.” |El Fexhr: 21.
Ashtu sikurse përsëritja në këto ajete thekson madhështinë e skenës, edhe përsëritja e fjalës “Allahu Ekber” në ezan është për ta ngulitur madhështinë e Allahut në zemrat e besimtarëve.
أشهد أن لا إله إلا الله
“Dëshmoj se nuk ka të adhuruar të vërtetë përveç Allahut.”
Kjo fjali është pohim dhe pranim i të adhuruarit të vërtetë, siç thotë Allahu i Madhëruar: “Pastaj ata do të kthehen tek Allahu, Zoti i tyre i vërtetë.” | El En‘am: 62.
“Kjo është sepse Allahu është i Vërteti.” | El Haxh: 6.
“Dhe do ta kuptojnë se Allahu është e Vërteta e qartë.” | En-Nur: 25.
Ky pohim përjashton çdo hyjni tjetër përveç Allahut të Lartësuar. Nga domosdoshmëritë e këtij pohimi është fakti se vetëm Ai është i denjë për adhurim, e se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Tij.
Allahu i Madhëruar thotë:
“Ju nuk adhuroni përveç Tij veçse emra që u keni vënë ju dhe etërit tuaj, për të cilët Allahu nuk ka zbritur ndonjë argument.” | Jusuf: 40.
أشهد أن محمدا رسول الله
“Dëshmoj se Muhamedi është i Dërguari i Allahut.”
1. Ky është pohim i qartë për dërgimin e Muhamedit ﷺ.
2. Është kundërpërgjigje ndaj atyre që mohuan ose dyshuan në mesazhin e tij ﷺ.
3. Nga domosdoshmëritë e kësaj dëshmie është që çdo musliman të ndjekë udhëzimin e Profetit ﷺ, sepse nuk ka rrugë drejt teuhidit të saktë dhe adhurimit të drejtë veçse duke e pasuar atë në urdhrat e tij dhe duke u larguar nga ndalesat e tij.
حي على الصلاة
“Eja në namaz!”
Fjala “ḥaj-ja” është një emër i përdorur si folje urdhërore, dhe prej kuptimeve të saj janë: eja, afrohu, nxito, shpejto.
Fjalia “ḥaj-ja alas-salah” përmban shumë përfitime, prej tyre:
1- Madhërimi i pozitës së namazit dhe theksimi se ai është nga adhurimet më të mëdha dhe vepra më afruese tek Allahu.
2- Nxitja për të shpejtuar e për të qenë në krye të punëve të mira në përgjithësi, dhe në kryerjen e namazit në veçanti. Allahu i Madhëruar ka nxitur për këtë në Librin e Tij duke thënë:
“Nxitoni në falje nga Zoti juaj.” | Al Imran: 133.
“Dhe shpejtoni drejt faljes nga Zoti juaj.” | El Hadid: 21.
Allahu i Madhëruar i ka përshkruar pejgamberët e Tij duke thënë: “Ata ishin që shpejtonin në punë të mira dhe Na luteshin me frikë dhe me shpresë, dhe ndaj Nesh ishin të përulur.” | El Enbija: 90.
3- Qortimi i atyre që vonohen në kryerjen e farzeve në veçanti dhe në punët e mira në përgjithësi.
Nga përfitimet e thënies së muezinit “ḥaj-ja alas-salah” (eja në namaz) pas dy dëshmive, është se feja përbëhet nga fjalët dhe veprat: fjalët janë ato që kryhen përmes gjuhës ndërsa veprat janë ato të zemrës përmes besimit, dhe veprat e gjymtyrëve siç është namazi dhe adhurimet e tjera trupore.
4- Theksimi i namazit për herë të dytë tregon se përmirësimi dhe saktësia e adhurimit të namazit sjell përmirësim dhe saktësi edhe në pjesën tjetër të veprave.
5- Përzgjedhja e namazit veçmas edhe pse ai është i përfshirë në thënien e përgjithshme “ḥaj-ja alal-felaḥ” (eja në shpëtim), është një dëshmi e madhe e madhështisë së këtij riti të rëndësishëm.
“حي على الفلاح ”
“Haj-ja alal-felaḥ” – eja në shpëtim!
Kjo tregon kujdesin e Islamit dhe nxitjen e tij për të hedhur hapa konkret, dhe për të shpejtuar në çdo vepër që çon drejt shpëtimit.
Në namaz qëndron shpëtimi i plotë: në këtë botë, në berzah dhe në botën tjetër.
Braktisja e namazit është braktisje e rrugës së shpëtimit, dhe pasojë e kësaj është humbja në këtë botë, në berzah dhe në botën tjetër.
Përsëritja e thirrjes “ḥaj-ja alal-felaḥ” çdo ditë dhjetëra herë në ezan dhe pesë herë në ikamet, është një argument që flet për vlerën e përsëritjes dhe kujtimit të vazhdueshëm të së mirës, duke i nxitur njerëzit herë pas here për të mos harruar.
“الله أكبر – الله أكبر”
“Allahu Ekber – Allahu Ekber!”
Përsëritja e kësaj fjale katër herë në fillim të ezanit dhe dy herë në fund, është një shenjë e qartë dhe një theksim i madhështisë absolute të kësaj fjale, duke ngulitur në zemrat e njerëzve se Allahu është më i Madh se gjithçka tjetër.
Fjalët e ezanit përfshijnë pesë shtyllat e Islamit. Sqarimi i kësaj është si më poshtë:
1. Dëshmia “Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut dhe Muhamedi është i Dërguari i Tij”, janë të përmendura qartë në tekstin e ezanit.
2. Namazi përmendet qartë në thënien: “Ḥaj-ja alas-ṣalah” (eja në namaz).
3. Dhënia e zekatit.
4. Agjërimi i Ramazanit.
5. Haxhi për atë që ka mundësi ta kryej.
Këto tri të fundit së bashku me namazin janë të përfshira në fjalën e muezinit: “Ḥaj-ja alal-felaḥ” (eja në shpëtim), sepse nuk ka shpëtim dhe as sukses pas mëshirës së Allahut të Lartësuar, veçse për atë që kryen obligimet që Allahu ia ka bërë detyrë.
Fjalët e ezanit përfshijnë edhe gjashtë shtyllat e imanit. Sqarimi është si më poshtë:
1. Besimi në Allahun i përmendur qartë në thënien: “Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut”, fjali e cila përmban pohimin e njëshmërisë së Allahut dhe mohimin e çdo hyjnie tjetër përveç Tij.
2. Besimi në engjëjt është nga domosdoshmëritë e besimit në Allahun dhe besimi në atë që Ai ka lajmëruar, dhe prej asaj që Ai ka lajmëruar janë edhe engjëjt.
3- Besimi në Librat; nga domosdoshmëritë e besimit në Allahun dhe besimi në atë që Ai ka lajmëruar, dhe prej tyre është besimi në librat e shpallur prej Tij.
4- Besimi në të dërguarit: nga domosdoshmëritë e besimit në Allahun është besimi në atë që Ai ka lajmëruar, dhe prej tyre është besimi në të dërguarit. Gjithashtu, thuhet se besimi në të dërguarit nënkupton edhe besimin në atë që ata sollën nga Librat e Allahut.
5- Besimi në Ditën e Fundit: nga domosdoshmëritë e besimit në atë që Allahu i Lartësuar ka lajmëruar është edhe besimi në Ditën e Fundit. Po ashtu, nga domosdoshmëritë e besimit në të dërguarit është besimi në atë që ata kanë lajmëruar, dhe ndër to është edhe besimi në Ditën e Fundit.
Në këtë kontekst thuhet se një nga urtësitë e Allahut në dërgimin e të dërguarve dhe në shpalljen e librave, si edhe në punët e engjëjve që kanë lidhje me krijesat është sprova e njerëzve me të mirën dhe të keqen, në mënyrë që të dallohet e të veçohet njëri prej tjetrit, në mënyrë që të jetojë me argument ai që jeton dhe të shkatërrohet me argument ai që dëshiron të shkatërrohet. Kjo do të ndodhë në Ditën e Fundit, ditën kur njerëzit do ngrihen para Zotit të botëve.
6- Besimi në caktimin hyjnor si në të mirë ashtu dhe në të keq është nga Allahu i Lartësuar.
Përmbledhje:
Siç u sqarua, fjalët e ezanit përmbajnë shtyllat e Islamit dhe të Imanit, qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë, qoftë në mënyrë të tërthortë, si dhe thuajse çdo vepër të mirë së bashku me nxitjen për to dhe paralajmërimin nga e kundërta e tyre.
Përderisa njeriu i ngarkuar (mukel-lef) në jetën e tij përballet me shtysa të së mirës dhe shtysa të së keqes, ku herë gëzohet, herë pikëllohet, herë e përfshin dhimbja, herë shpresa, atij i del si detyrë të mësojë si të sillet kundrejt ndryshimit të situatave dhe të jetë i vetëdijshëm se gjithçka ndodh me vendimin e Allahut të Lartësuar, qoftë pro ose kundra tij.
Shkroi: AbdulAziz ibn Muhamed es-Sed’han 04/04/1442 H
Përktheu: Fatjon Isufi
Të Ngjashme
- A e ke pyetur veten ndonjëherë: Kush të ka krijuar dhe përse? Udha e Besimtarëve
- La ilahe il-lAllah – garancia e shpëtimit Udha e Besimtarëve
- A do jenë fëmijët e jobesimtarëve të gjithë në xhenet? Shehul-Islam Ibn Tejmie
- Kënaqësia më e madhe e banorëve të Xhenetit Ibn Kajim el-Xheuzije
- Çfarë përfshijnë gjashtë shtyllat e imanit? Udha e Besimtarëve