Shpjegim i shkurtër rreth Sures El-Fatiha

September 13, 2025

Shpjegim i shkurtër rreth Sures El-Fatiha

Emërtimi i sures

Kjo sure (e cila përmban shtatë ajete) është quajtur El-Fatiha (Hapësja), ngase me të hapet Kur’ani madhështor. Quhet gjithashtu El-Methani (E përsëritshmja), sepse lexohet në çdo rek’at të namazit. Por ajo ka edhe emra të tjerë.

1. Bismil-lah بسم الله

“E filloj me emrin e Allahut”, duke kërkuar ndihmë prej Tij për përmbushjen e veprës, për suksesin dhe pranimin e saj.

“Allah” الله është emri më i veçantë i Zotit të Madhëruar, i Cili është i vetmi që adhurohet me të drejtë; dhe askush tjetër nuk duhet të quhet me këtë emër.

“Er-Rrahman” الرحمن është Ai, mëshira e të Cilit ka përfshirë të gjitha krijesat, kurse Er-Rrahim الرحيم është Ai që ka mëshirë të posaçme ndaj besimtarëve. Të dy këta, janë prej emrave të bukur të Allahut.

2. El-hamdu lil-lahi Rabbil-‘alemin الحمد لله رب العالمين

“Falënderimi i takon vetëm Allahut, Zotit të botëve.” Ky është një lavdërim që Allahu ia bëri vetes dhe njëkohësisht një urdhër që robërit e Tij ta lavdërojnë. Sepse vetëm Ai është i denjë për këtë falënderim, Ai është Krijuesi i gjithësisë, kujdestari dhe furnizuesi i tyre. Ai është Mbikqyrësi që kujdeset për të gjitha krijesat me mirësitë e Tij, dhe përkujdeset veçanërisht për të dashurit e Tij duke u mundësuar imanin dhe veprat e mira.

3. Er-Rrahmani الرحمن

I Gjithëmëshirshmi ndaj gjithë krijesave dhe الرحيم i Mëshirshmi ndaj besimtarëve. Dy emra të bukur nga Emrat e Allahut të Madhëruar.

4. Maliki jeumid-din مالك يوم الدين

“Sunduesi i Ditës së Gjykimit.” Vetëm Ai është Sunduesi i asaj Dite të Madhe, që është dita e shpërblimit dhe e ndëshkimit. Ai e veçoi përmendjen e sundimit në atë ditë, sepse askush nuk guxon të pretendojë diçka apo të flasë, veçse me lejen e Allahut.

Leximi i këtij ajeti në çdo rek’at namazi është kujtesë për muslimanin rreth botës tjetër dhe nxitje për t’u përgatitur me vepra të mira dhe për t’u larguar nga mëkatet.

5. Ijjake na‘budu ue ijjake neste‘in إياك نعبد و إياك نستعين

“Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë.”

Ne të veçojmë vetëm Ty në përkushtimin dhe adhurimim tonë. Po ashtu, mbështetemi vetëm tek Ti në të gjjtha çështjet tona. Sepse e gjithë çështja është në dorën Tënde dhe askush pos Teje nuk posedon qoftë dhe grimcën më të vogël.

Në këtë ajet ka argument se robit nuk i lejohet t’ia drejtojë as edhe një lloj të vetëm adhurimi dikujt tjetër përveç Allahut. Po ashtu, ai përmban shërim për zemrat nga sëmundja e varësisë ndaj dikujt tjetër përveç Allahut, si dhe nga sëmundjet e syefaqësisë, vetëpëlqimit dhe mendjemadhësisë.

6. Ihdinas-siratal-mustekim إهدنا الصراط المستقيم

“Udhëzona në rrugën e drejtë.”

D.m.th., na oriento, na drejto dhe na jep sukses në këtë rrugë të drejtë që të qëndrojmë në të deri sa të të takojmë Ty. Rruga e drejtë është Islami, rruga e qartë që të çon drejt kënaqësisë së Allahut dhe Xhenetit. Ajo është rruga në të cilën udhëzoi Pejgamberi i fundit, Muhamedi ﷺ. Prandaj, nuk ka lumturi për njeriun veçse nëse ecën i palëkundur në këtë rrugë.

7. Siratal-ledhine en‘amte ‘alejhim صراط الذين أنعمت عليهم

“Rrugën e atyre që Ti i ke begatuar me të mira”

Pejgamberët, të sinqertët, dëshmorët dhe njerëzit e mirë.

Sepse këta janë njerëzit e qëndrueshmërisë dhe të udhëzimit.

“Gajril Magdubi alejhim” غير المغضوب عليهم

“E mos na bëj prej atyre që kanë merituar zemërimin Tënd”: ata që e njohohën të vërtetën por nuk vepruan sipas saj – e ata janë hebrejtë dhe kushdo që u ngjan atyre.

“Ue led-Dalin” و لا الضالين

“Po as prej të humburve” të cilët nuk e gjetën udhëzimin dhe kështu e humbën rrugën. Ata janë të krishterët dhe kushdo që ndjek gjurmët e tyre.

Në këtë lutje ka shërim për zemrën e muslimanit nga sëmundjet e mohimit, injorancës dhe devijimit. Ajo tregon gjithashtu se dhurata më e madhe dhe më e lartë në tërësi është dhurata e Islamit. Prandaj, kush është më i ditur rreth të vërtetës dhe më i përkushtuar në ndjekjen e saj, ai është më i denjë për rrugën e drejtë. Pa dyshim, pas të dërguarve të Zotit, shokët e të Dërguarit të Allahut ﷺ janë më primarët në këtë dhe më meritorët për të, dhe ky ajet është dëshmi e qartë për virtytin e tyre dhe për pozitën e lartë që ata gëzojnë. Allahu qoftë i kënaqur me ta!

Gjithashtu, është e pëlqyeshme për lexuesin që pas përfundimit të sures El-Fatiha të thotë “Amin”, që do të thotë: “O Allah, pranoje (lutjen tonë)!” – Kjo fjalë (Amin) nuk është pjesë e sures El-Fatiha, me pajtimin e të gjithë dijetarëve. Për këtë arsye, ata janë të njëzëshëm se nuk duhet shkruar në mus’haf.

“Et Tefsir el Mujeser” Grup Dijetarësh

Përshtati: Fatjon Isufi

 

 

 

Dosje:

Loading...