Ligji hyjnor i zëvendësimit, shembull nga historia islame

September 13, 2025

Ligji hyjnor i zëvendësimit, shembull nga historia islame

Umeti islam në shekullin e katërt hixhri humbi hapësira të mëdha territoriale në dobi të romakëve, për shkak të tradhtisë së Ubajdidëve (Fatimidëve) dhe ndërprerjes së furnizimeve për kufijtë nga ana e Buhejidëve. Në këtë moment u shfaq ligji hyjnor i zëvendësimit.

Ky është ligji i pandryshueshëm i Allahut: “E nëse ju shmangeni, Ai do të sjellë një popull tjetër në vendin tuaj, e ata nuk do të jenë si ju”.

Kështu, historianët tregojnë për një ngjarje me domethënie të thellë që ndodhi në vitin 349 hixhri.

Ata thanë: “Në këtë vit, prej turqve u konvertuan rreth dyqind mijë ‘kharaka’.”

Fjala kharaka në turqisht do të thotë “tendë”, dhe në disa tenda banonin rreth 30 vetë: gjyshi, bijtë dhe nipërit e tij. Pra, u bënë muslimanë disa mijëra vetë. Ata ishin popull nomad dhe luftarak nga natyra, të ngjashëm me arabët në kohën e shpalljes së Pejgamberit Muhamed ﷺ. Ata përqafuan Islamin sipas akides së Ehli Sunetit dhe u entuziazmuan për ta mbrojtur fenë.

Këta turq ishin turqit guz dhe udhëheqësi i tyre ishte Selxhuku, biri i Dukakut, prej të cilit mori emrin edhe shteti i Selxhukëve. Bijtë dhe nipërit e tij arritën të formonin një shtet të madh që e ndihmoi Sunetin me një ndihmë të fuqishme.

Turulbeku, nipi i Selxhukut, arriti të vendoste nën kontroll tokat përtej lumit (Transoksianën), Afganistanin dhe Iranin. Ai e mori qytetin Rej, afër Teheranit, dhe e bëri si kryeqytet dhe dërgoi fiset turkmene për të sulmuar tokat e romakëve (bizantinëve).

Sulmet e turkmenëve i detyruan romakët të afrohen me Turulbekun. Madje në Kostandinopojë u ndërtua një xhami ku falej e xhumaja, në këmbim që Turulbeku t’i tërhiqte fiset turkmene.

Shfaqja e selxhukëve ishte në dobi të halifatit abasit, i cili në atë kohë ishte nën kontrollin e buhejidëve shi’itë dhe ishte gati të binte në duart e Ubejdidëve (Fatimidëve) batinij. Propaganduesit e tyre ishin përhapur në Bagdad, madje edhe brenda pallatit të halifit el-Kaim bi-emril-lah. Ata ia dolën ta tërhiqnin një prej komandantëve të halifit abasit, el-Basasirin, në sektin e tyre batinij-ismaili dhe caktuan “orën zero” për të eliminuar vetë halifin.

Mirëpo, Turulbeku i prishi planet e tyre, sepse erdhi në Bagdad dhe hyri në të në vitin 447 hixhri. Ai e zhduku plotësisht shtetin buhejid, por u detyrua të kthehej në Iran për t’u përballur me një kryengritje kundër tij.

Ubejdidët e shfrytëzuan këtë dhe urdhëruan Basasirin të pushtonte Bagdadin në vitin 450 hixhri. Ai burgosi halifin në qytetin Hadithe dhe bëri që hutbeja të mbahej në emër të halifit ubejdid në Bagdad për një vit të plotë.

Turulbeku e shkatërroi kryengritjen në Iran dhe u nis me shpejtësi drejt Bagdadit, ku u përball me Basasirin, e vrau, liroi halifin abasit dhe e riktheu në kryeqytetin e tij, të nderuar dhe të respektuar.

Planet e ubejdidëve batinij u shembën plotësisht. Turulbeku dërgoi një mesazh tek mbreti i romakëve, duke e njoftuar se do të shkonte në Egjipt për të rrëzuar halifin ubejdid. Ky i fundit u përgjigj se nuk do të lejonte që të dëmtohej aleati i tij.

Turulbeku vdiq në vitin 455 hixhri, dhe në vend të tij erdhi nipi i tij, Alp Arslani, i cili vendosi të ecte në gjurmët e xhaxhait dhe të zhdukte shtetin ubejdid, duke rikthyer Sunetin në Sham dhe Egjipt.

Alp Arslani marshoi drejt Shamit dhe u nis për në Egjipt. Por ndërsa rrethonte Alepon, dëgjoi lajmin për ardhjen e mbretit të romakëve në Armeni në krye të ushtrive të mëdha për të pushtuar kryeqytetin e selxhukëve, Rej-in.

Alp Arslani u kthye me shpejtësi për t’u përballur me romakët dhe i takoi në betejën vendimtare të Manzikertit, në vitin 463 hixhri / 1071 e.s. Ai e shkatërroi plotësisht ushtrinë romake dhe vetë perandori Romanos Diogjeni ra rob në duart e Alp Arslanit. Ai nuk e liroi, veçse pasi mori prej tij një shpërblim të madh dhe një zotim për t’u tërhequr nga të gjitha qytetet, territoret dhe kufijtë që romakët i kishin pushtuar nga muslimanët gjatë sundimit të Ubejdidëve dhe Buhejidëve.

Selxhukët dhe fiset turkmene depërtuan thellë në tokat e romakëve (Anatolia – Azia e Vogël), i pushtuan shumicën e tyre, dhe kështu këto troje kaluan nga feja e krishterë në fenë islame, dhe nga civilizimi romako-helen në civilizimin islam.

Nga selxhukët më pas lindi edhe shteti Zengid, i cili formoi frontin islam të bashkuar përballë kryqtarëve dhe e zhduku nga faqja e dheut shtetin ubejdid.

✍️ Shkruar nga Prof. Dr. Ali bin Muhamed Aude el-Ghamidi.

Përshtati: Fatjon Isufi

 

Dosje:

Loading...