Prej kësaj po ikin Kurejshët?!

September 28, 2025

Mos ik nga ajo prej së cilës ikën Kurejshët!

Këto fjalë madhështore i tha Umer ibn el Hatabi ditën kur pranoi Islamin, pasi kishte shijuar ëmbëlsinë e Kuranit, kishte provuar shijen e imanit dhe kishte kuptuar se ai dhe populli i tij në Mekë në të vërtetë po armiqësonin qetësinë, paqen dhe pastërtinë, pa i dhënë vetes mundësinë t’i njihnin ato.

Atëherë ai me një gjuhë të habitur dhe plot pendim, tha:

“A prej kësaj po ikin Kurejshët?!

Vallë, prej një madhështie, bukurie, qetësie dhe drite të tillë të iket?!”

Këto fjalë më kujtohen gjithmonë sa herë që shoh njerëz të kohës sonë duke ikur nga udhëzimi dhe e mira, ashtu siç iknin njerëzit prej të gërbulurit: Kur i shoh duke ikur nga hallalli tek kamata, nga pastërtia tek shthurja, nga xhamitë tek kafenetë, nga lidhja e mëshirshme tek përçarja, nga Kurani tek muzika e shëmtuar, nga qetësia e shtëpive tek grindjet e pambarimta…

Atëherë, menjëherë më ringjallet në mendje fjala e Umerit:

“A prej kësaj ikin Kurejshët!”

Është një lloj marramendjeje dhe ngutjeje që ka pushtuar zemrat, aq sa shumë njerëz nuk i japin vetes kohë të mendojnë mbi bukurinë e asaj nga e cila po largohen.

Ja një shembull: Harron Sellers, këngëtar i njohur, kaloi pranë një dyqani në një vend europian prej nga po dëgjohej zëri i Kuranit. Ai u mahnit nga zëri dhe hyri brenda të pyeste ç’ishte ajo bukuri dhe kush e recitonte. Kur mësoi se ishte Kurani, mori një kopje dhe ua çoi shokëve të grupit të tij muzikor. Një prej tyre që ishte musliman, i tha: Ky është Libri i shenjtë i muslimanëve.

Atëherë Harron tha i habitur: Ju e keni këtë bukuri dhe na e keni fshehur?! Pas kësaj ai pranoi Islamin dhe e përqafoi me sinqeritet, në një histori që është më e gjatë për t’u treguar.

Po, ne kemi thesare morali e kulture që nuk i ka askush tjetër, dhe sa herë që perëndimi arrin një grimcë prej tyre përballet me të vërtetën hyjnore: “Nuk kemi lënë gjë pa sqaruar në këtë Libër.”

“Sot e përsosa për ju fenë tuaj.”

“Me përmendjen e Allahut qetësohen zemrat.”

E megjithatë, shumë bij të këtij umeti vazhdojnë të ikin ashtu siç ikën Kurejshët!

Ah, sikur ta ndalonin vrullin e tyre dhe të uleshin me logjikën e tyre…

Ah, sikur të kërkonin lumturinë jo në mëkat, por në bindje ndaj Zotit të Lartësuar…

Ah, sikur të gjenin qetësi ashtu siç e gjeti Umeri pas gjithë asaj ashpërsie dhe armiqësie që mbushte zemrën e tij më parë…

Për Zotin, do të gjenin prehje!

Por ikja e tyre është drejt asgjësë… drejt të panjohurës… drejt lodhjes dhe shpirtit të rraskapitur.

Thuhet se Malik ibn Dinari kapi një hajdut në shtëpinë e tij. Hajduti u drodh nga frika, por Maliku i tha:

Erdhe për dynjanë dhe nuk gjete asgjë, a nuk do të fitosh ahiretin?!

Pastaj i dha ujë, e bëri të marrë abdes dhe e udhëzoi në mihrab për tu falur. Ishte fundi i natës. Maliku e dëgjoi duke qarë fort në namaz, dhe më pas e mori me vete në namaz të sabahut duke thënë:

Erdhi të na vidhte, por ne ia vodhëm zemrën!

Sa të ngjashëm janë shumë njerëz sot me atë hajdut! Ai gati sa nuk humbi shpirtin për një copë pasuri të përkohshme, ndërkohë që qilimi i lumturisë dhe mihrabi i qetësisë ishin pranë tij. Por ja, është ikja – ajo ikja e vjetër e Kurejshëve!

Ah, sikur ata që ikin nga feja e tyre, nga ëmbëlsia, madhështia, bukuria dhe paqja e saj, të ndalonin një çast për të menduar! Atë kohë do ta kuptonin se sa shumë humbin çdo ditë duke ikur nga drita, të cilën bota mbarë do jepte gjithçka për të parë vetëm një grimcë prej saj, ndërkohë që ajo u është dhënë para duarve të tyre.

 

Autor: Prof. Dr. Ali Muhamed Auda

Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje: ,

Loading...