Bilal el-Habeshi – Allahu qoftë i kënaqur me të
Prejardhja e tij:
Ai është Bilal ibn Rebahi, i lindur në Mekë, me origjinë nga Habesheja (Etiopia). Nëna e tij quhej Hamameh, një nga gratë e para që besuan, e cila u mundua dhe u torturua për hir të Allahut, ashtu si i biri i saj.
📖 (El-Isabe, Ibn Haxher)
Islami i tij:
Kur i Dërguari i Allahut ﷺ filloi t’i ftonte njerëzit në Islam, të parët që iu përgjigjën atij ishin të dobëtit e shoqërisë – siç ishte ligji i Allahut me të gjithë profetët që e paraprinë.
Abdullah ibn Mes‘udi – Allahu qoftë i kënaqur me të thotë –:
“Të parët që e shpallën hapur Islamin ishin shtatë: I Dërguari i Allahut ﷺ, Ebu Bekri, Ammari, nëna e tij Sumajja, Suhejbi, Bilali dhe Mikdadi.”
Sa për të Dërguarin ﷺ, Allahu e mbrojti përmes xhaxhait të tij, Ebu Talibit. Ebu Bekrin e mbrojti fisi i tij.
Ndërsa të tjerët i kapën idhujtarët, i veshën me parzmore hekuri dhe i lanë në diellin përvëlues.
Por asnjëri prej tyre nuk shpëtoi nga dënimet përveçse pasi pranoi me gojë atë që ata kërkonin – me përjashtim të Bilalit, i cili nuk i dha aspak rëndësi vetes së tij në sakrificën për hir të Allahut, dhe u bë i parëndësishëm edhe për popullin e tij. Ata e dorëzuan në duart e djelmoshave të cilët e tërhiqnin nëpër rrugët e Mekës, ndërsa ai përsëriste me vendosmëri fjalët: “Ehadun! Ahadun!” (Një! Një!)
Në mesin e atyre që iu përgjigjën të Dërguarit ﷺ nuk pati ndonjë nga vetë fisi i Kurejshit, përveç Ebu Bekrit. Të tjerët ishin prej skllevërve dhe të liruarit nga skllavëria.
Bilali ishte i pari ndër këta, pas Ebu Bekrit es-Siddik – Allahu qoftë i kënaqur me të dy.
📖 (Burim: el-Isabe fi Temjiz es-Sahabe, Ibn Haxher el-Askalani)
Qëndrueshmëria dhe durimi i Bilalit
Paria e Kurejshve u kthyen kundër të dobëtve që kishin pranuar Islamin, duke i torturuar dhe duke u ushtruar presion për t’i larguar nga feja. Ndër ata që më së shumti e mundoi Bilalin ishte Umjejje ibn Halef el-Xhumahij, i cili e nxirrte në mes të ditës, kur dielli ishte në kulmin e nxehtësisë, e shtrinte përmbys në rërat e përvëluara të Mekës dhe urdhëronte që t’i vihej një gur i madh mbi kraharor. Pastaj i thoshte: “Nuk do të lirohesh derisa të vdesësh, ose të mohosh Muhamedin dhe të adhurosh Latin dhe Uzzan!”
Por Bilali qëndronte i palëkundur në atë dënim të rëndë dhe përsëriste fjalët e tij të pavdekshme: “Ehadun! Ehad!” (Një! Një!)
Ai refuzonte me vendosmëri të shqiptonte ndonjë fjalë mohimi, edhe pse e dinte se Allahu nuk e ngarkon me gjynah atë që detyrohet të thotë fjalë kufri me gjuhë, ndërkohë që zemra e tij është e qetë me besim.
Megjithatë, Bilali nuk pranoi të kërkonte lehtësim si disa prej shokëve të tij, që për të shpëtuar nga dënimi kishin thënë disa fjalë nën dhunë. Ai refuzoi të bëhej tolerant ndaj vetes apo të binte në ndonjë pajtim, qoftë edhe me një fjalë të vetme, me idhujtarët e Kurejshit.
📖 (Sunen Ibn Maxhe, me zinxhir të besueshëm)
Përparësia e qëndrueshmërisë dhe shembulli i saj:
Gjendja e durimit dhe qëndrueshmërisë në të cilën ndodhej Bilali – apo refuzimi i tij ndaj çdo lloj lehtësimi – është më e lartë dhe më e vlefshme sesa marrja e lehtësimit, ndonëse edhe ky i fundit është i lejuar dhe i arsyeshëm.
Sepse në qëndrueshmërinë e Bilalit u realizua kuptimi i pastër i teuhidit (njëshmërisë së Allahut), u poshtëruan idhujtarët, u forcua thirrja islame, u forcuan zemrat e besimtarëve dhe u dha shembulli për çdo njeri që do të sprovohej më pas në rrugën e së vërtetës.
Sikur të gjithë ata që u munduan për hir të fesë të kishin kërkuar lehtësim, fjala e teuhidit do të ishte dobësuar, ndërsa fjala e shirkut (idhujtarisë) do të ishte përhapur e forcuar; padrejtësia e mohuesve do të ishte shtuar, thirrja do të ishte tronditur, zemrat e besimtarëve të dobët do të ishin lëkundur, dhe shumë prej atyre që ende nuk kishin besuar do të ishin larguar plotësisht.
S’ka dyshim se gjendja e durimit dhe e moslejimit të lehtësimit është gjendja e pejgamberëve – paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi ta – dhe e fisnikëve ndër pasuesit e tyre, prej të cilëve shumë u vranë dhe u torturuan, siç i ka përmendur Allahu në tregimet e Tij në Librin e Madhërishëm.
Liria, përkushtimi dhe shpërblimi hyjnor
Si e fitoi lirinë Bilali?
Ebu Bekr es-Siddiku – Allahu qoftë i kënaqur me të – ishte thirrës i Islamit që nga dita që besoi, dhe Bilali ishte ndër të parët që iu përgjigj ftesës së tij.
Kur Ebu Bekri pa se çfarë torturash po i bënin Kurejshët Bilalit, e bleu dhe e liroi atë, duke u bërë shkak që ta shpëtonte njëherësh nga tri lloj robërishë: Nga robëria njerëzore, nga robëria e dënimit dhe nga robëria e mohimit (kufrit).
Ai e bleu dhe liroi gjithashtu nënën e tij, Hamameh, si edhe disa skllevër të tjerë që ishin torturuar në rrugë të Allahut.
Sa e lartë është grada e këtij njeriu që liroi një nga njerëzit më të mirë – Allahu qoftë i kënaqur me të!
Xhihadi i tij:
Bilali mori pjesë në të gjitha betejat përkrah të Dërguarit të Allahut ﷺ.
Pas vdekjes së Ebu Bekrit – Allahu qoftë i kënaqur me të – ai doli drejt Shamit si luftëtar, ku qëndroi si rojtar i kufijve (murabit), derisa vdiq atje.
Në betejën e Bedrit, ai u përball me armikun e tij të vjetër, Umjeje ibn Halefin, i cili dikur e kishte torturuar rëndë. Umjejen e kishte zënë rob Abdurrrahman ibn Aufi, por para se të bashkoheshin robërit, Bilali e njohu dhe e vrau me dorën e vet – kështu Allahu ia mundësoi të hakmerrej ndaj atij që e kishte munduar për shkak të fesë.
Angazhimet e tij:
Bilali ishte muezini i parë në Islam. Ai vazhdoi ta thërriste ezanin gjatë jetës së të Dërguarit ﷺ dhe – sipas një transmetimi – edhe gjatë jetës së Ebu Bekrit.
Më vonë, kur shkoi në Sham dhe erdhi atje halifi Omer ibn el-Hattabi, Bilali e thirri ezanin një herë të vetme. Ajo thirrje bëri që ai vetë të qante dhe të qanin të gjithë të pranishmit, sepse ezani i tij u kujtoi ditët e lumtura me Profetin ﷺ.
Shpërblimi i të Urtit (Allahut):
Bilali, ndërsa përjetonte torturat e rënda në Mekë, e përmendte pa pushim emrin e Allahut – “Ehad! (Një!)” – dhe nga ëmbëlsia e besimit në Njëshmërinë e Tij, dhimbja e trupit i lehtësohej.
Dhe si shpërblim nga Zoti i Urtë, Allahu e nderoi që të bëhej muezini i të Dërguarit të Tij ﷺ, i pari që e ngriti zërin mbi tokë me fjalën e teuhidit (Njëshmërinë) në ezan.
📖 Burim: Sira dhe biografitë e sahabëve klasikë
Bilali – Allahu qoftë i kënaqur me të – e njohu Allahun në kohën e vështirësisë, prandaj Allahu e nderoi dhe e bëri që ta njihte në kohën e begatisë.
Ai nuk e braktisi kurrë emrin “A
Ehad” (Një i Vetëm) në momentet më të vështira të jetës së tij; prandaj Allahu, me urtësinë dhe dijen e Tij të përsosur, e shpërbleu duke e bërë të adhurohej dhe të përmendej përmes tij – duke e detyruar publikisht të thërriste këtë fjalë të teuhidit për pjesën më të madhe të jetës së tij.
Kështu, shpërblimi ishte nga i njëjti lloj me veprën, nga Më i Urti e Më i Dijshmi.
Lavdërimi i Omerit për Bilalin
Omer ibn el-Hattabi – Allahu qoftë i kënaqur me të – thoshte:
“Ebu Bekri është zotëria ynë, dhe ai liroi zotërinë tonë.” — duke nënkuptuar Bilalin (radiAllahu anhu).
Kështu, Omeri e përfshiu Bilalin në fjalën “zotëri”, duke i dhënë atij këtë gradë të lartë për shkak të parësisë së tij në Islam, qëndrueshmërisë ndaj sprovave, përkushtimit në fe dhe pozitës që kishte tek i Dërguari i Allahut ﷺ.
Omeri – Allahu qoftë i kënaqur me të – i nderonte shumë të parët që kishin hyrë në Islam dhe u jepte përparësi atyre që kishin pozita të veçanta pranë Profetit ﷺ.
Madje, kur i biri i tij, Abdullah ibn Omeri, u ndje i pakënaqur pse Usameh ibn Zejdi mori më shumë shpërblim se ai, Omeri i tha: “Ai ishte më i dashur tek i Dërguari i Allahut ﷺ sesa ti, dhe i ati i tij ishte më i dashur për të sesa babai yt.”
Kjo, ndonëse pozita e Omerit – Allahu qoftë i kënaqur me të – në virtyt është e njohur dhe e lartë, por këta ishin sahabët – Allahu i mëshiroftë – të cilët e harronin vetveten kur përmendnin virtytet e të tjerëve, sikur të mos kishin asnjë meritë për veten e tyre.
📖 (Sahih el-Bukhari)
Lajmërimi që ju dha Bilalit për Xhenetin
I Dërguari i Allahut ﷺ një natë pa në ëndërr se kishte hyrë në Xhenet dhe dëgjoi zërin e sandaleve të Bilalit që ecte përpara tij në Xhenet.
Atëherë Profeti ﷺ i tha Bilalit: “Më trego për veprën më shpresëplotë që ke bërë në Islam – për të cilën e mendon se do të të sjellë më shumë dobi.” Bilali u përgjigj: “Nuk kam bërë ndonjë vepër në Islam që e shoh më shpresëplotë për mua sesa kjo: sa herë që pastrohem me abdes në çdo orë të ditës apo të natës, fal me atë abdes aq namaze sa më ka caktuar Allahu.”
📖 (Transmeton Buhari dhe Muslimi)
Gjithashtu transmetohet se ai nuk fliste asnjëherë pas ndonjë ndodhie (pa abdes), pa u pastruar dhe pa falur dy rekate.
📖 (Musned Ahmed)
Kështu, Bilali e lidhte çdo prishje të abdesit me një abdes të ri, dhe çdo abdes e shoqëronte me namaz; pra, ishte gjithmonë në gjendje pastërtie, duke mos u shkëputur asnjëherë pastrimi i tij nga adhurimi.
Kjo pastërti e vazhdueshme e jashtme ishte dëshmi e pastërtisë së vazhdueshme të brendshme, dhe në këtë pastërti të zemrës qëndron themeli i çdo vepre të mirë.
Bilali e kishte bërë këtë vepër duke shpresuar në shpërblimin e Allahut, dhe Allahu ia plotësoi shpresën e tij.
Prandaj, ajo që pa i Dërguari i Allahut ﷺ në ëndërr – Bilalin që ecte përpara tij në Xhenet – ishte një lajm i gëzueshëm dhe një dëshmi se ai është prej banorëve të Xhenetit, dhe se do të ketë pozitë të afërt me të Dërguarin ﷺ.
📘 (Shpjegim nga transmetimet në Sahih Buhari, Sahih Muslim dhe Musned Ahmad)
Shërbëtori i Profetit në dynja dhe në ahiret
Ashtu siç kishte qenë shërbëtori i të Dërguarit të Allahut ﷺ në këtë botë, duke e shoqëruar dhe duke ecur përpara tij në rrugë, ashtu e pa Profeti ﷺ edhe në Xhenet, duke ecur përpara tij.
Kjo është një shenjë dhe një paralajmërim se çdo mirësi që ai e fitoi – ashtu si çdo ndjekës i sinqertë i Profetit ﷺ – ishte një shpërblim për shërbimin dhe përkushtimin e tij ndaj të Dërguarit të Allahut.
Në këtë qëndron një nder i madh për Bilalin, për shkak të veprës së tij fisnike dhe një lajm i vërtetë gëzimi për shpërblimin e tij të lartë tek Zoti – Allahu qoftë i kënaqur me të!
Viti i vdekjes së tij
Bilal el-Habeshi – Allahu qoftë i kënaqur me të – vdiq qetësisht në Sham (Siria e sotme), gjatë murtajës së Amvasit, në vitin 20 hixhri, afërsisht në moshën shtatëdhjetë vjeçare.
Ai u varros në varrezat e Damaskut, dhe është thënë gjithashtu se u varros në Halep (Aleppo).
Allahu e mëshiroftë, dhe na bashkoftë me të në shtëpinë e lumturisë së përjetshme. Amin!
“Historitë e Burrave të selefëve” fq 41-47.
Abdul Hamid Ibn Badis (Allahu e mëshiroftë).
Përshtati: Fatjon Isufi
Të Ngjashme
- Ofensiva e mongoleve në territoret muslimane Udha e Besimtarëve
- Vdekja e nënës dhe e gjyshit të Pjegamberit Udha e Besimtarëve
- Lindja e profetit Muhamed Udha e Besimtarëve
- Sahabiu i nderuar Ikrime ibn Amër ibn Hisham Udha e Besimtarëve
- Ligji hyjnor i zëvendësimit – shembull nga historia islame Udha e Besimtarëve