Prej lutjeve më madhështore që muslimani ia drejton Allahut çdo ditë është kërkimi i udhëzimit në rrugën e drejtë, lutje kjo që ai e përsërit në çdo rekat të namazit që fal.
ٱهْدِنَا ٱلصِّرَٰطَ ٱلْمُسْتَقِيمَ
صِرَٰطَ ٱلَّذِينَ أَنْعَمْتَ عَلَيْهِمْ غَيْرِ ٱلْمَغْضُوبِ عَلَيْهِمْ وَلَا ٱلضَّآلِّينَ
“Udhëzona në rrugën e drejtë!
Në rrugën e atyre që u ke dhuruar mirësi e jo në të atyre që kanë shkaktuar zemërimin Tënd, as në të atyre që janë të humbur!”
| El Fatiha.
Me këtë lutje ai kërkon udhëzimin në rrugën e drejtë: rrugën e atyre që Allahu i ka begatuar, e jo rrugën e atyre që kanë devijuar prej saj për shkak të të kuptuarit të pasaktë, as rrugën e atyre që kanë devijuar për shkak të qëllimeve të tyre jo të pastra.
Të kuptuarit e saktë dhe qëllimi i pastër janë dy mirësi jashtëzakonisht të mëdha të cilat jo të gjithë i posedojnë. Nëse njeriu çalon në njërën prej tyre, ai largohet nga udhëzimi po aq sa ka çaluar në to.
Shumë njerëz vuajnë sepse zemrat e tyre janë të nxira; mendjemadhësia, zilia dhe vetëpëlqimi i shtyjnë ta refuzojnë të vërtetën edhe pasi ajo u bëhet e qartë.
Të tjerë vuajnë sepse nuk kuptojnë drejt. Ata bien viktimë e çdo manipulimi dhe keqinterpretimi që dëgjojnë, sidomos kur moskuptimit i bashkohet pasimi i verbër i dikujt, dhe akoma më keq nëse mendojnë se dinë megjithëse nuk dinë asgjë!
Të dyja palët janë të humbur; si ai që e refuzon të vërtetën me vetëdije, ashtu edhe ai që nuk e njeh të vërtetën dhe as nuk tregon interes për ta njohur atë.
Ajetet kuranore tregojnë qartë rëndësinë e këtyre dy mirësive dhe se neglizhenca ndaj tyre e largon njeriun nga udhëzimi i Allahut.
Imam Ibn Kajim el Xheuzije (v. 751 h) thotë:
“Të kuptuarit saktë dhe qëllimi i pastër janë ndër mirësitë më të mëdha me të cilat Allahu e ka begatuar njeriun. Madje pas udhëzimit në Islam, askujt nuk i është dhënë dhunti më madhështore se këto të dyja.
Ato janë shtyllat mbi të cilat qëndron Islami, dhe qëndrueshmëria e tij tek njeriu varet prej tyre.
Me to njeriu dallohet nga rruga e atyre mbi të cilët ka rënë zemërimi i Allahut të cilëve u mungon qëllimi i pastër, si dhe nga rruga e të humburve të cilëve u mungon të kuptuarit e saktë.
Ai bëhet prej të begatuarve të cilët posedojnë të kuptuar të saktë dhe qëllim të pastër. Ata janë njerëzit e rrugës së drejtë, rrugën e të cilëve jemi urdhëruar t’ia kërkojmë Allahut në çdo namaz që të na udhëzojë drejt saj.
Të kuptuarit e saktë është dritë që Allahu e hedh në zemrën e njeriut, me të cilën ai dallon mes të saktës dhe të gabuarës, të vërtetës dhe të pavërtetës, udhëzimit dhe humbjes, devijimit dhe të drejtës.
Të kuptuarit saktë forcohet nga qëllimi i pastër, kërkimi i të vërtetës dhe devotshmëria ndaj Allahut në fshehtësi dhe haptazi.
Të kuptuarit saktë dobësohet dhe shkatërrohet nga ndjekja e pasioneve, parapëlqimi i kësaj bote, kërkimi i lavdërimit nga njerëzit dhe braktisja e devotshmërisë.”
Marrë nga libri: “A’lamul muekki’in” 1/188.
Dr. Fatmir Strumi
Dosje: Duaja