Vlera e kushteve të lutjes së pranueshme
Teksti: “Lutjet (duatë) dhe kërkimet e mbrojtjes (te’avidhat) janë në pozitën e armës. Mirëpo, arma varet nga ai që e përdor (goditësi) dhe jo vetëm nga mprehtësia e tehut të saj. Sa herë që arma është e përsosur, pa asnjë defekt, dhe krahu (i luftëtarit) është krah i fortë, dhe pengesa mungon: atëherë me të arritet asgjësimi i armikut. Por, kurdo që mungon njëra nga këto të tria, mungon edhe efekti. Pra, nëse duaja në vetvete nuk është e saktë, ose lutësi nuk ka bashkuar zemrën me gjuhën gjatë lutjes, ose ekziston një pengesë që ndalon përgjigjen, atëherë rezultati nuk arrihet.”
Komenti: “Ky është një kapitull madhështor dhe shumë i rëndësishëm në sqarimin e lutjes (duasë) në aspektin e realizimit të efektit ose mungesës së tij.
Realizimi i efektit: do të thotë vërtetimi i ndikimit të lutjes; ose mungesa e efektit: sepse njeriu mund të lutet për veten ose për tjetrin, e pastaj efekti mungon, ose lutet dhe efekti realizohet. Për këtë arsye, ashtu siç e kemi sqaruar më parë, nga edukata e lutjes është që njeriu të mos dorëzohet e të mos nxitohet për përgjigjen duke thënë: ‘U luta e u luta e nuk gjeta përgjigje’.
Përkundrazi, njeriu duhet – dhe këtë e përfitojmë nga ky kapitull madhështor – që gjithmonë ta kontrollojë veten, ta akuzojë atë për mangësi dhe ti shtojë lutjet.
Ta shtojë sinqeritetin (ikhlasin), ta shtojë kthimin tek Allahu dhe ta shtojë këmbënguljen (il-hah). Të mos zbrapset që në fillim të herës, si shembulli i atij që mbjell një farë, dhe kur bëhet gati për të dhënë frutat e saj, ai e neglizhon dhe e braktis për shkak të zgjatjes së kohës.
Në këtë kapitull, Ibn Kajim thotë: ‘”Lutjet (duatë) dhe kërkimet e mbrojtjes (te’avidhat) janë në pozitën e armës. Mirëpo, arma varet nga ai që e përdor (goditësi) dhe jo vetëm nga mprehtësia e tehut të saj.”
A e keni parë nëse një person ka një shpatë të mprehtë, por dora e tij është plotësisht e pafuqishme (e lëshuar), dhe kur godet – ja kështu, dora e tij është e lëshuar – a do të ketë ajo ndonjë efekt?! Nuk ka efekt sepse dora e tij është e dobët. Pra, arma varet nga goditësi, jo vetëm nga mprehtësia.
Me këtë, ai (Allahu e mëshiroftë) ka për qëllim: që lutja, në ekzistencën e dobive, efekteve dhe fryteve të saj, varet nga forca e lutjes. E nga çfarë e fiton lutja forcën? Lutja e fiton forcën nga plotësimi i kushteve dhe rregullave që gjenden në Librin e Allahut dhe në Sunetin e Profetit të Tij. Sa herë që lutja i përmbush kushtet, ajo është më e fortë, më e qëndrueshme dhe më afër përgjigjes.
Prandaj, në hadithet që përmendin edukatën apo kushtet e lutjes, përmendet ky fakt, ku thuhet: Ndonjërit prej jush do ti pranohet lutja përderisa nuk vepron kështu’. Pra, përgjigjja përmendet e kushtëzuar me ato rregulla dhe kufizime.
Pra, arma varet nga goditësi; lutja varet nga forca e lutësit në lutjen e tij. Dhe forca e lutësit i kthehet plotësimit të kushteve të lutjes, kufijve dhe rregullave të saj në Kuran dhe Sunet.
Ai tha: ‘Sa herë që arma është e përsosur, pa asnjë defekt’. Këtu mund të thuash: nëse lutjet janë të sakta, të vërtetuara dhe të transmetuara (nga Profeti).
“Dhe krahu është krah i fortë’: do të thotë lutësi është i fortë që i plotëson kushtet dhe edukatën e lutjes.
“Dhe pengesa mungon’: do të thotë pengesa që ndalon efektin e duasë nuk ekziston.
Sepse tani, nëse vendi që goditet me shpatë – pavarësisht forcës së krahut dhe mprehtësisë së shpatës – do të ishte një shkëmb i fortë dhe i thatë, dhe njeriu e godet me forcën e krahut të tij; a do të ndikojë në të? Një tokë e thatë apo shkëmb i fortë nuk ndikohet për shkak të ekzistencës së një pengese, që është fortësia e vendit.
Pra: Pranueshmëria e vendit (zemrës). Rregullsia e lutjes në vetvete. Forca e lutësit.
Nëse bashkohen këto të tria, arrihet dobia, ashtu siç arrihet asgjësimi i armikut. Dhe kurdo që mungon njëra nga këto të tria, ka për të munguar edhe efekti.”
Teksti: ‘Nëse duaja në vetvete nuk është e saktë, ose lutësi nuk ka bashkuar zemrën me gjuhën gjatë lutjes – pra kjo tregon dobësi të duasë dhe mungesë të forcës së saj – ose kur ekziston ndonjë pengesë nga përgjigjja, rezultati (efekti) nuk arrihet’.”
Komenti: Ky është një sqarim shumë i rëndësishëm. Dobia e këtij sqarimi është se sa herë që njeriu nuk e sheh efektin e duasë, ai nuk duhet të fajësojë askënd përveç vetes së tij. Pra nuk duhet të ngarkojë me faj askënd tjetër përveç vetvetes. Ti kthehet vetes me (akuzën për) mangësi: ‘ndoshta kam këtë mangësi, ndoshta atë…’. Kështu, ai e shton këmbënguljen, përsërit kërkesën, i drejtohet Allahut me sinqeritet, është i pastër në lutjen e tij dhe i vërtetë në shpresën e tij tek Allahu i Madhëruar.
Teksti: Kapitull: “Në këtë kontekst, ekziston një pyetje e famshme, e cila është: ‘Nëse ajo gjë për të cilën lutemi është e paracaktuar (nga Zoti), ajo ka për të ndodhur patjetër, u lut robi apo nuk u lut. E nëse ajo nuk është e paracaktuar, nuk ka për të ndodhur, pavarësisht nëse robi e kërkon apo nuk e kërkon atë.”
Komenti “Bazuar në këtë, disa injorantë dhe disa të paditur që nuk kuptojnë dhe nuk kanë largpamësi, mund të thonë: ‘Çfarë nevoje ka për tu lutur?! Nëse gjërat janë me caktim (kada) dhe paracaktim (kader). Pra, nëse gjërat janë të paracaktuara, çfarë nevoje ka për dua?!’.
Ai (ibn Kajimi) thotë se kjo është një pyetje e famshme, që aludon: “Nëse ajo gjë për të cilën lutemi është e paracaktuar (nga Zoti), ajo ka për të ndodhur patjetër, u lut robi apo nuk u lut. E nëse ajo nuk është e paracaktuar, nuk ka për të ndodhur, pavarësisht nëse robi e kërkon apo nuk e kërkon atë.”
Kështu, disa njerëz, ndoshta për shkak të injorancës së tyre dhe mendimit se kjo pyetje është e saktë – sepse në fakt kjo pyetje ka një defekt (logjik) – ata mendojnë se pyetja është e drejtë dhe e qëndrueshme, dhe për këtë arsye ndoshta e braktisin duanë (lutjen). Apo, mbase mendojnë se ajo është diçka për të cilën nuk ka nevojë, ose thonë se është ‘përfundim i arritur’ (rezultat që do të vijë gjithsesi).
Për t’iu përgjigjur kësaj, janë dhënë shumë përgjigje të gabuara të cilave u referohet Ibn Kajim, e pastaj ai (Allahu e mëshiroftë) sqaron të vërtetën në këtë çështje.”
Teksti: “Një grup njerëzish menduan se kjo pyetje është e saktë, ndaj e lanë duanë dhe thanë: ‘Nuk ka dobi në të’. Këta njerëz, përveç injorancës dhe humbjes së tyre të madhe, janë kontradiktorë. Sepse, nëse ndiqet logjika e tyre, kjo do të çonte në lënien (pezullimin) e të gjitha shkaqeve.
Atëherë, u thuhet: ‘Nëse ngopja (nga ushqimi) dhe shuarja e etjes janë paracaktuar për ty, ato do të ndodhin patjetër, hëngre apo nuk hëngre. E nëse nuk janë paracaktuar, nuk do të ndodhin, hëngre apo nuk hëngre’.
Nëse fëmija është paracaktuar për ty, ai do të vijë patjetër, kreve marrëdhënie me gruan (apo robinën) apo nuk kreve. E nëse nuk është paracaktuar, nuk do të bëhet, ndaj nuk ka nevojë për martesë apo për të mbajtur robinë’… e kështu me radhë (për çdo punë tjetër).
A e thotë këtë një njeri i mençur apo ndonjë qenie njerëzore?! Përkundrazi, edhe kafsha është e krijuar në natyrshmërinë (fitra) e saj që të ndërmarrë shkaqet përmes të cilave mbahet dhe jeton. Në këtë rast, kafshët janë më vepruese dhe më të mençura se këta njerëz, të cilët janë si bagëtitë, madje edhe më të humbur në rrugën e tyre.”
Komenti: “Ky është grupi i parë sa i përket kësaj çështjeje; ata menduan se kjo logjikë është e saktë, pra: “Nëse ajo gjë për të cilën lutemi është e paracaktuar (nga Zoti)” Atëherë nuk ka nevojë të lutemi. “E nëse ajo nuk është e paracaktuar, nuk ka për të ndodhur” Atëherë duaja nuk është aspak e nevojshme, ndaj e braktisën dhe e pezulluan duanë që është adhurimi më i dashur dhe më vlefshmi tek Allahu. Sepse duaja është vetë adhurimi. Më parë, kemi përmendur hadithe madhështore mbi vlerën e duasë dhe pozitën e saj tek Allahu i Lartësuar.
Por, ata menduan se kjo (dilemë) është e saktë dhe e braktisën (pezulluan) duanë. Nuk ka dyshim se kjo është një derë shkatërruese përmes së cilës depërton shejtani, Allahut i kërkojmë mbrojtje prej tij.”
Ibn Kajim (Allahu e mëshiroftë), kur iu kundërpërgjigj këtyre njerëzve, dha një përgjigje madhështore dhe të fuqishme, duke thënë: Këta që e mbartin këtë mendim, në të vërtetë, nuk e ndjekin këtë logjikë në çdo gjë. Ata nuk e zbatojnë atë në çdo aspekt. Për këtë arsye, është thënë se dëshmia e prishjes së një doktrine (medhhebi) është kontradikta në të cilën bie ai që e mbart (ndjek) atë.
Ibn Kajim thotë: ‘Këta njerëz nuk e zbatojnë këtë doktrinë në çdo gjë, siç është rasti me çështjen e rëndësishme të ushqimit dhe pijes’. Nëse do t’u thuhej atyre, bazuar në po atë kuptim të tyre të prishur: ‘Nëse është paracaktuar që të ngopesh, do të ngopesh; e nëse është paracaktuar që të të shuhet etja, do të ndodhë; prandaj mos ha dhe mos pi, lëre ushqimin dhe pijen’, a do ta bënin këtë?! Pse nuk e bëjnë këtë, ndërkohë që duanë e braktisin duke u mbështetur tek e njejta logjikë?
Por jo, sepse kur fillojnë e dëgjohen zhurmat e barkut (kur ndiejnë uri) – siç thonë njerëzit – , ata kërkojnë ushqim dhe hanë me babëzi; nuk mendojnë as për doktrinën (medhhebin) e as për ndpnjë gjë tjetër. Kjo kontradiktë në doktrinë tregon se ai në çështjen e ngrënies dhe pirjes vepron (i ndërmerr shkaqet), edhe kur dëshiron grua apo fëmijë nuk thotë: ‘Nuk martohem, se po u paracaktua fëmija do të vijë gjithsesi’. Këtë nuk e pranon. Por te duaja ndalon, e braktis dhe e neglizhon duke u mbështetur në këtë doktrinë kontradiktore. Prandaj, prishja e këtij mendimi shfaqet qartë në kundërthënien e tyre, në mënyrën se si e zbatojnë këtë parim të gabuar që e kanë keqkuptuar.
Më pas Ibn Kajim thotë se kafshët janë më të mençura se këta njerëz.
Sepse, nëse vërtet ata i pezullojnë shkaqet në këtë mënyrë, atëherë i bie që kafshët janë më të mençura, sepse ato (kafshët) i ndërmarrin shkaqet. Profeti ﷺ thotë: ‘Sikur t’i mbështeteshit Allahut me një mbështetje të vërtetë, Ai do t’ju furnizonte ashtu siç e furnizon zogun’. A qëndron zogu në fole? Ai tha: ‘Niset (lëviz) (tegdu)’ – në mëngjes herët dhe kërkon – ‘niset me barkun bosh dhe kthehet me barkun plot’. Madje, kthehet gjithashtu me ushqim për të vegjlit e saj në fole.
Teksti: Ibn Kajim (Allahu e mëshiroftë) thotë: ‘Disa prej tyre u hoqën si më të mprehtë dhe thanë: Angazhimi me dua është kapitull i pastër adhurimi (ta’abbudun mahd), për të cilin Allahu e shpërblen lutësin, pa pasur asnjë lloj ndikimi në arritjen e asaj që ai kërkon. Sipas këtij ‘të mprehti’, nuk ka dallim mes bërjes së duasë dhe lënies së saj me zemër e me gjuhë sa i përket ndikimit në arritjen e qëllimit. Lidhja e duasë me rezultatin, sipas tyre, është si lidhja e heshtjes (me rezultatin); pra nuk ka asnjë dallim’.”
Komenti: Edhe kjo është një doktrinë (medhheb) tjetër e prishur në këtë kapitull. Edhe mbi këta ka rënë po ai dyshimi dhe arsyetimi i mëparshëm. Ata thanë: ‘Ne lutemi, por jo sepse duaja ka ndikim’. Ata thonë se duaja nuk ka ndikim, bazuar në atë që thamë. Thanë: ‘Lutemi vetëm si adhurim për Allahun, dhe jo për faktin se duaja ka efekt’.
Sipas tyre, duaja nuk ka as ndikim, as dobi, as efekt; por thjesht lutemi për adhurim. Edhe kjo është një doktrinë e dukshme në pavlefshmërinë dhe kotësinë e saj.
Teksti: “Një grup tjetër, (që e konsideronin veten) më të mprehtë se këta, thanë: ‘Përkundrazi, duaja është thjesht një shenjë që Allahu i Lartësuar e ka vendosur si tregues për përmbushjen e nevojës. Kurdo që robit i jepet sukses të bëjë dua, kjo është shenjë dhe tregues për të se nevoja e tij tashmë është plotësuar’. Kjo ngjason me rastin kur sheh një re të zezë e të ftohtë në kohë dimri; kjo është dëshmi dhe shenjë se do të bjerë shi.
Ata thanë:
Po kështu janë edhe bindjet (ibadetet) në raport me shpërblimin, dhe kufri e mëkatet në raport me ndëshkimin: janë vetëm shenja të pastra për ndodhjen e shpërblimit ose ndëshkimit, jo shkaqe reale për to.
Sipas tyre, po ashtu është edhe thyerja me copëtimin, djegia me zjarrin, dhe marrja e jetës me vrasjen: asgjë nga këto nuk është shkak në vetvete, dhe nuk ka lidhje reale mes tyre dhe pasojave që vijnë, përveç bashkëshoqërimit të zakonshëm, e jo ndikimit të shkaktuar.
Me këtë (mendim), ata kundërshtuan shqisat, arsyen, sheriatin, natyrshmërinë (fitrën) dhe të gjithë grupet e njerëzve të mençur; madje i bënë të mençurit të qeshin me ta.”
Komenti: Edhe ky mendim i tretë është gjithashtu qartësisht i prishur. Ata thonë se lutja dhe efekti që rezulton prej saj nuk vjen si pasojë e ndikimit të duasë. Pra, ekzistenca e efektit nuk është e shkaktuar nga ekzistenca e duasë. Nuk është kështu sipas tyre, por është thjesht një ‘shoqërim i zakonshëm’. Nuk ka lidhje midis duasë dhe rezultateve që rrjedhin prej saj. Siç tha Ibn Kajim: ‘Me këtë (mendim), ata kundërshtuan shqisat, arsyen, sheriatin, natyrshmërinë (fitrën) dhe të gjithë grupet e njerëzve të mençur.
Kështu, ai – Allahu e mëshiroftë – përmendi tre mendime lidhur me këtë çështje, të gjitha qartësisht të gabuara. Më pas sqaroi qëndrimin e saktë, duke sjellë dëshmi dhe argumente për të.
Teksti: E sakta është se këtu ekziston një ndarje e tretë, ndryshe nga ajo që ka përmendur pyetësi.
Kjo ndarje aludon në faktin se ajo që është paracaktuar, është paracaktuar bashkë me shkaqet e saj; dhe një nga shkaqet e saj është lutja.
Pra nuk është paracaktuar e shkëputur nga shkaqet e veta, por është paracaktuar përmes tyre.
Kur robi e sjell shkakun, realizohet paracaktimi; dhe kur nuk e sjell shkakun, nuk realizohet ky paracaktim.
Kjo është njësoj si ngopja dhe shuarja e etjes që janë paracaktuar përmes ushqimit dhe pijes;
lindja e fëmijës përmes bashkimit;
dalja e të mbjellave përmes hedhjes së farës;
dalja e shpirtit të kafshës përmes therjes;
po ashtu, hyrja në Xhenet është paracaktuar përmes veprave,
dhe hyrja në Zjarr është paracaktuar përmes veprave.”
Komenti: Lutja dhe realizimi i çështjeve, nevojave, interesave dhe qëllimeve përmes lutjes janë vetë të paracaktuara.
Edhe vetë lutja është e paracaktuar, edhe efektet që rrjedhin prej saj janë gjithashtu të paracaktuara.
Ai thotë: ‘E sakta është se këtu ekziston një ndarje e tretë, ndryshe nga ajo që ka përmendur pyetësi.’
Pyetja e tij u përmend pak më parë, dhe ishte: ‘Nëse është e diçka e paracaktuar, nuk ka nevojë për të (duanë), e nëse nuk është e paracaktuar, nuk ka dobi prej saj’. Por Ibn Kajim thotë se ekziston një opsion i tretë: Kjo gjë e paracaktuar është paracaktuar përmes shkaqeve, dhe një nga këto shkaqe është duaja. Ne e kemi përmendur hadithin: ‘Nuk e kthen kaderin (paracaktimin) asgjë tjetër përveç duasë’.
Dhe duaja është prej kaderit. Prandaj, kthimi i kaderit me lutje është kthim i kaderit me kader. Njeriun, nëse e godet një fatkeqësi, ose ka frikë, ose mblidhen shkaqet e një sprove apo telashi të caktuar, nuk dorëzohet duke thënë ‘kjo është e shkruar’ dhe të ndalet; por e kthen kaderin me dua. Ai lutet dhe i përgjërohet Allahut të Madhëruar derisa t’i largohet brenga, t’i hiqet vështirësia dhe t’i pushojë frika. Pra, vetë duaja është prej kaderit.
Komenti i librit “Sëmundja dhe ilaçi”.
Autor: Abdurrezak el Bedr
Përshtati: Fatjon Isufi
Dosje: Duaja
Të Ngjashme
- Komenti i librit “Sëmundja dhe ilaçi” – 8 – Ibn Kajim el-Xheuzije
- Komenti i librit “Sëmundja dhe Ilaçi” – 7 – Shejh Dr. Abdurrezak El-Bedr
- Shtylla e madhe e pendimit Udha e Besimtarëve
- Komenti i librit “Sëmundja dhe Ilaçi” – 6 – Shejh Dr. Abdurrezak El-Bedr
- Privimi nga shikimi i Allahut ﷻ, ndëshkimi më i madh Udha e Besimtarëve