Nata e pesëmbëdhjetë e muajit Shaban (nata e Beraetit), veçimi dhe kremtimi i saj.
Veçimi i natës së pesëmbëdhjetë të muajit Shaban (natës së mirë të tretë, natës së Beraetit) me namaz të veçantë, apo agjërimi i ditës që e pason, është prej bidateve dhe shpikjeve që nuk kanë bazë në fe.
Hadithet e transmetuara në lidhje me këtë çështje janë shumë të dobëta dhe nuk mund të mbështetet asnjë argumentim mbi to.
Abdurrahman bin Zejd bin Eslem (v. 182 H), një nga dijetarët e Medines nga brezi pas tabiinëve, thotë:
“Nuk kam arritur askënd prej mësuesve e as prej dijetarëve tanë, që t’i kushtonte ndonjë rëndësi të veçantë natës së pesëmbëdhjetë të muajit Shaban, as nuk kam njohur dikë që të mendonte se kjo natë dallohet nga netët e tjera.”
“El Bida” i autorit Ibn Uedah, fq. 92.
Përderisa këtë natë nuk e ka veçuar me adhurime dhe vepra të posaçme i Dërguari i Allahut ﷺ, as shokët e tij dhe as tabiinët, siç tregon Abdurrahman bin Zejdi, atëherë një veprim i tillë është bidat. Sikur të ishte diçka e pëlqyer ata do e kishin praktikuar, sikurse njhet nga përkushtimi i tyre i madh në lidhje me zbatimin e veprave të Profetit ﷺ.
Kjo nuk mohon faktin se disa dijetarë, madje edhe prej të hershmëve, duke u argumentuar me hadithe të transmetuara rreth vlerës së natës së pesëmbëdhjetë të muajit Shaban, e kanë konsideruar këtë natë si të veçantë. Si pasojë, e kanë parë të arsyeshme shtimin e namazit dhe lutjeve gjatë saj.
Prej këtyre haditheve është dhe hadithi në të cilin përmendet se Profeti ﷺ ka thënë:
“Allahu vështron krijesat e Tij natën e mesit të muajit Shaban dhe i falë të gjithë, përveç idhujtarit dhe atij që mban mëri dhe urrejtje (ndaj vëllait të tij).”
Gjithashtu edhe hadithet në të cilat përmendet se Allahu i Lartësuar zbret në qiellin e dynjasë (qiellin e kësaj bote) natën e pesëmbëdhjetë të muajit Shaban.
Këto hadithe jasnë transmetuar nga disa sahabë, mirëpo të gjitha rrugët e transmetimit janë të dobëta, madje tepër të dobëta.
Për këtë arsye, nuk lejohet veçimi i kësaj nate me adhurime apo namaze të posaçme, pasi një gjë e tillë nuk është praktikuar nga Profeti ﷺ dhe as nga shokët e tij, dhe as nuk ka qenë e njohur në vendet ku jetonte shumica e sahabëve si në Medine.
Një nga parimet kryesore që lidhet me refuzimin e bidateve është fakti se lënia dhe mosveprimi nga ana e Profetit ﷺ është pjesë e unetit të tij, sikurse është sunet ndjekja e asaj që Profeti ﷺ ka bërë, ka thënë apo ka aprovuar.
Ndaj nëse një vepër është lënë dhe nuk është praktikuar nga Profeti ﷺ dhe as nga shokët e tij, atëherë ajo nuk bën pjesë në rrugën e Profetit ﷺ dhe nuk duhet praktikuar.
Imam Ibn Kajimi (v. 751H) thotë:
“Lënia e një vepre nga ana e Profetit ﷺ është Sunet, ashtu siç është Sunet edhe kryerja e saj.
Nëse ne e konsiderojmë të pëlqyer kryerjen e asaj që Profeti ﷺ e ka lënë, atëherë kjo është njësoj sikur ta konsideronim të pëlqyer lënien e asaj që ai ka bërë, dhe kjo nuk ka asnjë dallim.
Nëse dikush thotë: Nga e dini se Profeti ﷺ nuk e ka bërë kur mungesa e transmetimit nuk nënkupton domosdoshmërisht mungesën e veprimit?
Kjo pyetje tregon largësi të madhe nga njohja e udhëzimit të Profetit ﷺ dhe Sunetit të tij.
Po të pranohej një logjikë e tillë, atëherë dikush do ta konsideronte të pëlqyer thirrjen e ezanit për namazin e teravisë, dhe do të thoshte: Nga e dini se nuk është transmetuar?
Po ashtu, një tjetër do ta konsideronte të pëlqyer namazin e natës së pesëmbëdhjetë të muajit Shaban ose natës të së premtes së parë të muajit Rexheb, dhe do të thoshte: Nga e dini se veçimi i tyre me adhurime nuk është transmetuar?
Kështu do hapej dera e bidatit ku çdo thirrës i tij do të thoshte: Nga e dini se kjo nuk është transmetuar?
(“Alamul muekiin” 3/366.)
Shejhul Islam Ibn Tejmije (v. 728H) thotë:
“Sa i përket veçimit të agjërimit të ditës së gjysmës së Shabanit, nuk ka asnjë bazë për të.
Madje veçimi i saj është i papëlqyer (mekruh).
Po ashtu, shndërrimi i saj në festë me përgatitje ushqimesh dhe zbukurime, është prej bidateve të shpikura që nuk kanë asnjë bazë.”
(“Iktidaus-siratil mustekim” 2/136.)
Ibn Kajimi në librin e tij mbi hadithet e shpikura “El menarul munif” fq. 86, flet për namazin e veçantë të natës së pesëmbëdhjetë të muajit Shaban në të cilin në çdo rekat këndohet surja Ihlas shumë herë, dhe thotë:
“Është për tu çuditur me atë që ka ndonjë njohje të dijes së hadithit, e megjithatë mashtrohet nga këto marrëzira dhe fal këtë lloj namazi.
Ky namaz është shpikur në Islam pas vitit katërqind hixhri, e ka origjinën nga Bejtul Makdisi dhe për të janë sajuar disa hadithe.”
Ebu Muhamed el Makdisi (prej dijetarëve të shekullit të pestë) tregon për fillimin e përhapjes së bidatit të faljes së natës së pesëmbëdhjetë të Shabanit, dhe thotë:
“Tek ne në Bejtul Makdis nuk ekzistonte ky namaz që e quajnë Ragaib, i cili falet në muajt Rexheb dhe Shaban. Ai u shpik për herë të parë tek ne në vitin 448 H.
Në Bejtul Makdis erdhi një burrë i quajtur Ibn Ebi el Hamra i cili kishte lexim të bukur. Ai u ngrit dhe fali namaz në xhaminë Aksa natën e gjysmës së Shabanit.
Një njeri u rreshtua pas tij, pastaj u bashkua i treti dhe i katërti derisa namazi përfundoi me një xhemat të madh.
Vitin pasues ai erdhi përsëri dhe me të u falën shumë njerëz. Ky namaz u përhap në xhami, pastaj edhe në shtëpitë e njerëzve, dhe vazhdoi kështu sikur të ishte sunet deri në ditët tona.”
(“El hauadith uel bida” i autorit Ibn Tartushi, fq. 132.)
Imam Sheukani (v. 1225 H) thotë:
“Me këtë hadith janë mashtruar disa fukaha, po ashtu edhe disa komentues të Kuranit. Namazi i veçantë i natës së pesëmbëdhjetë të Shabanit është transmetuar në forma të ndryshme, por të gjitha janë të pavlefshme dhe të shpikura.”
(“El feuaid el mexhmua” fq. 51.)
Shejh Ibn Bazi (v. 1420H) thotë:
“Prej bidateve që kanë shpikur disa njerëz është edhe festimi i natës së pesëmbëdhjetë të muajit Shaban dhe veçimi i ditës së saj me agjërim. Për këtë nuk ka asnjë argument të vlefshëm.
Sa i përket haditheve për vlerën e saj ato janë të dobëta, ndërsa hadithet që flasin për namazin e saj janë të gjitha të shpikura siç e kanë sqaruar shumë dijetarë.”
Dijetari Hamad el Ensari (v. 1418 H), ka shkruar një libër ku ka mbledhur hadithet, fjalët e sahabëve dhe thëniet e dijetarëve që janë përmendur rreth kësaj teme, duke dalë në konkluzion se nuk është vërtetuar asgjë nga Profeti ﷺ lidhur me faljen e namazit të kësaj nate apo agjërimin e ditës së pesëmbëdhjetë.”
Po ashtu, shejhu ynë dr. Suud Xherbui ka shkruar një libër ku ka studiuar në mënyrë të detajuar të gjitha transmetimet që kanë ardhur në lidhje me këtë temë, dhe ka dalë në përfundim se të gjitha hadithet rreth vlerës së kësaj nate janë të dobëta dhe nuk vlejnë për tu marrë si bazë.
Dr. Fatmir Strumi
Dosje: Muaji Shaban
Të Ngjashme
- Reflektim rreth Ngjarjeve që Ndodhin në Vendet Muslimane Dr. Fatmir Strumi
- Përgatitja para hyrjes së muajit të Ramazanit Dr. Fatmir Strumi
- Qëndrimi në xhami është adhurim dhe shpërblim i madh Dr. Fatmir Strumi
- Nuk ka namaz në prani të ushqimit Udha e Besimtarëve
- Mos iu nënshtro vesveseve të shejtanit Shejh AbdulAziz bin Baz