Shenja e njëzet e gjashtë e afrimit të orës së fundit të dynjasë.
Enes bin Malik radiallahu anhu tregon se Profeti – alejhis selam – ka thënë: “Prej shenjave të afrimit të orës së fundit të dynjasë është: Hëna e re të duket si dy ditëshe, xhamitë të merren rrugë kalimi dhe të shfaqet vdekja e papritur”
Transmeton Taberani dhe e saktëson sheikh Albani.
Ç’është vdekja e papritur?
Ibn El-Ethir thotë: “Vdekja e papritur është ajo vdekje që vjen në befasi, pa i paraprirë ndonjë shkak.”
Allahu i Madhëruar i ka bërë vdekjes disa shkaqe të cilat paralajmërojnë se njeriut i është afruar exheli (çasti i vdekjes) si:
1- Sëmundjet vdekjeprurëse.
2- Situatat e vështira të cilat njeriu e di se nuk del dot i gjallë prej tyre.
3- Pleqëria e thellë dhe tretja e trupit 9kur njeriun e lenë fuqitë dhe gjallëria gradualisht).
Pra vdekja që vjen për rrjedhojë të këtyre shkaqeve, është vdekje e pritshme dhe njeriu – edhe pse nuk e di momentin e tij të fundit – por ama e di se është afër saj.
Veç këtyre rasteve ka edhe raste që njeriut i vjen vdekja kur ai nuk e pret atë, si:
1- Vdekjet e aksidenteve rrugore, ajrore, apo ato që vijnë nga zjarri, uji, etj.
2- Vdekja që vjen nga problemet e çastit të disa pjesëve delikate të trupit, si zemra apo truri, të cilat shkaktojnë vdekje të menjëhershme.
3- Vdekje që vijnë nga sulme të papritura të njeriut apo kafshëve.
4- Vdekjet që vijnë nga dukuritë natyrore si tërmetet, vullkanet, përmbytjet etj.
Në këto raste kemi të bëjmë me vdekje të papritur dhe për këtë njofton Profeti – alejhis selam – se është dukuri e afrimit të orës së fundit të dynjasë.
Çfarë thuhet për vdekjen e papritur?
Ubejd bin Khalid – radiallahu anhu – tregon se Profeti – alejhis selam – ka thënë: “Vdekja e papritur është marrje zemërimi”
Transmeton Ebu Daudi dhe e saktëson sheikh Albani.
El-Kadi El- Bejdaui (dijetar i vdekur në vitin 685 H) thotë: “Kuptimi i tij është se vdekja e papritur është pasojë e zemërimit të Allahut me njeriun, sepse duke e marrë atë në befasi, nuk i le atij mundësi të përgatitet për Botën Tjetër me pendim, por e merr si popujt e hershëm gjynahqarë dhe të prishur, për të cilët thotë Allahu i Madhëruar: “Ne i morëm ata në befasi dhe atëherë u hutuan” (En’am: 44)
Pra, vdekja e papritur vjen për shkak të zemërimit të Allahut me njeriun kur ai i kalon kufijtë e tij, mirëpo kjo vdekje mund t’u ndodhë edhe njerëzve besimtarë, siç tregon Aishja – radiallahu anha – se një burrë e pyeti Profetin alejhis selam: “Nëna ime vdiq papritur dhe nëse do të kishte mundësi të fliste do të kishte dhënë sadaka. A të japë unë sadaka për të? – Ai i tha: Po” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Ky hadith sipas titullit qe i ka vënë imam Buhariu, tregon se vdekja e papritur mund t’u ndodhë edhe besimtarëve, siç ndodhi me këtë grua besimtare dhe Profeti – alejhis selam – e pranon sugjerimin e birit të saj për të dhënë sadaka për të, gjë e cila nuk tregon zemërim.
Bashkimin mes këtyre haditheve e ka bërë Ibn Mes’udi – radiallahu anhu – i cili thotë: “Vdekja e papritur është mëshirë për besimtarin dhe zemërim për të prishurin” e transmeton Ibn Ebij Shejbe.
Atëherë vdekja e papritur është sipas kategorisë së njeriut:
1- Është mëshirë për besimtarin, sepse vdekja e pritur ka mundin dhe vështirësitë e saj, siç thoshte Profeti – alejhis selam – në momentet e tij të fundit: “La ilahe il-l-Allah! (Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë veç Allahut) Më të vërtetë vdekja ka sekerat”[1] e transmeton Buhariu. Kështu Allahu e çliron atë nga vuajtjet dhe vështirësitë e saj.
2- Është zemërim ndaj jobesimtarëve dhe të prishurve, sepse nuk u atyre le mundësi për pendim, siç e përmendëm më lart.
Disa prej kriminelëve për të cilët Kurani njofton se patën vdekje të papritur.
1- Faraoni i Egjiptit, i cili gjatë jetës së tij thoshte: “Unë jam zoti juaj më i madh.” Ai, kur dolën beni Israilët nga Egjipti i ndoqi nga mbrapa, duke menduar se do t’i kapte dhe nuk i shkonte në mend se ata do të shpëtonin ndërsa ai vetë do të ishte viktima.
2- Karuni i Beni Israilëve, të cilit Allahu i kishte dhënë aq shumë pasuri, sa sëndukët ku ruhej pasuria e tij, ishin të rëndë edhe për njerëzit më të fortë. Allahu ia kishte dhënë këtë pasuri, por ai nuk e pohoi asnjëherë këtë gjë dhe ia dedikoi atë vetes së tij. Atë e fundosi Allahu bashkë me shtëpinë e tij në tokë, në atë moment kur po ecte i zbukuruar dhe me plot madhështi dhe aspak nuk e priste se pikërisht atëherë do të dilte nga kjo botë.
Vdekja e papritur ka ndodhur edhe te popujt e dënuar, të cilët Allahu i shkatërroi në befasi, siç thotë Allahu për popullin e Adit:
“Ata kur e panë erën duke ardhur thanë: ‘Ajo është erë që do të na sjellë shi’! Jo, ajo është dënimi i përshpejtuar. Ajo është një erë që mbart dënim të dhembshëm. Ajo shkatërron çdo gjë me urdhrin e Zotit të saj dhe ata nuk u panë më, përveç shtëpive të tyre të rrënuara. Kështu e dënojmë Ne popullin kriminel” (Ahkaf: 24-25)
Një dua që të ruan nga dënimet e papritura.
Abdullah bin Umer – radiallahu anhu – tregon se Profeti – alejhis selam – në duatë e tij thoshte: “O Allah, unë kërkoj mbrojtjen Tënde prej largimit të mirësisë Tënde, ikjen e shëndetit, prej dënimit Tënd të befasishëm dhe prej të gjithë zemërimit Tënd”
Transmeton Muslimi.
Fjala “prej dënimit Tënd të befasishëm” do të thotë se Profeti – alejhis selam – kërkoi mbrojtjen e Allahut prej atij dënimi që vjen papritur, i cili nuk të jep mundësi për tu penduar dhe ndryshuar dhe, s’ka dyshim se edhe vdekja e papritur futet në këtë dua.
Pse vdekja e papritur është dukuri e afrimit të orës së fundit të dynjasë?
Profeti – alejhis selam – njofton:
“Nuk ka mbetur nga dynjaja veçse fatkeqësi dhe sprova” Transmeton Ibn Maxhe dhe e saktëson sheikh Albani.
“Nuk ka për të ardhur ndonjë kohë veçse ajo që do të vijë pas saj do të jetë më e keqe se para” Transmeton Buhariu.
Kjo kohë e keqe, e cila i paraprin orës së fundit të dynjasë, do të prishë shumë njerëz dhe ka shumë mundësi që kjo të jetë shkak i dënimeve të papritura, mes tyre edhe vdekja e papritur dhe Allahu e di më së miri.
O Allah na ruaj prej dënimit të papritur! Amin!
[1] Shën. Red.: Thotë Ibn Haxheri – Allahu e mëshiroftë: “ I bie të fikët për shkak të dhimbjeve.” “Fet’hul barij”/ Kitabur rikak/ Bab: Sekeratul meut./ Hadithi (6145)
Të Ngjashme
- Emrat dhe atributet e Allahut të Madhëruar Udha e Besimtarëve
- Kur pasionet bëhen idhull dhe Zot Ibën Rexheb el Hanbeli
- A mund të ndikojë mësyshi edhe në këtë rast? Emin Bilali
- Si ka mundësi që Allahu ua jep dynjanë jobesimtarëve?! Emin Bilali
- Cilat ishin fjalët e fundit që tha Profeti para se të largohej nga kjo botë? Udha e Besimtarëve