Tema: Cfarë e bën detyrë marrjen e gusulit dhe forma e tij
Marrja e gusulit është detyrë nga: Xhunubllëku, e ai është dalja e spermës qoftë më kryerjen e marrëdhënieve intime mes bashkëshortëve apo me diçka tjetër,[1] ose me takim e dy organeve,[2] ose me daljen e gjakut të menstruacioneve,[3] të lehonisë, kur vdes personi përveç dëshmorit (shehidit) [4] si dhe kur jobesimtari pranon fenë islame.[5]
Allahu Madhëruar thotë: “E kur të jeni xhunub, pastrohuni (lahuni)”. El Maide, 6
I Madhëruari thotë: “Dhe mos u afroni atyre (grave) derisa të pastrohen. E kur të jenë pastruar, atëherë afrojuani atyre ashtu siç ju ka urdhëruar Allahu”. El Bekare, 222. D.m.th. kur të jenë larë.
Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka urdhëruar me larje atë person që lan të vdekurin dhe e urdhëroi atë që pranon islamin që të lahet.
Ndërsa forma e gusulit të Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem nga xhunubllëku është [6]: Së pari [7] ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem lante organin, pastaj merrte abdes të plotë,[8] pastaj hidhte ujë mbi kokën e tij tre herë duke i futur gishtat në rrënjët e flokëve në mënyrë që uji të depërtonte thellë në lëkurën e kokës,[9] pastaj hidhte ujë në të gjithë trupin e tij, pastaj lante këmbët e tij në një vend tjetër.
Obligim gjatë gusulit është: Larja e të gjithë trupit dhe futja e ujit thellë në rrënjë duke shkriftuar flokët. Allahu e di më së miri.
Tema: Tejemumi
Ky është lloji i dytë i pastrimit. [10] Ky përdoret nga pamundësia e përdorimit të ujit për pastrimin e gjymtyrëve të abdesit apo ndonjë pjese të tij: në mungesë të ujit, ose nga frika e dëmit që mund të vij nga përdorimi ujit. Kështu që vendin e ujit e zë dheu duke: Bërë nijet për largimin e papastërtisë (qoftë të voglës ashtu dhe të madhes), pastaj të thotë “Bismil-lah”, pastaj me duart e tij të godasë dheun një herë të vetme duke fërkuar me to të gjithë pjesën e fytyrës dhe gjithë pjesën e duarve.[11] Nëse personi i fërkon duart dy herë në dhe’ kjo nuk përbën problem. Allahu Madhëruar thotë: “e nuk gjeni ujë, atëherë gjeni dhe’ të pastër dhe fshini fytyrat dhe duart tuaja me të. Allahu nuk dëshiron t’ju krijojë ndonjë vështirësi, por dëshiron t’ju pastrojë dhe t’i plotësojë dhuntitë e Tij ndaj jush, që të jeni falënderues”. El Maide, 6
Transmetohet nga Xhabiri se Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Më janë dhënë pesë gjëra të cilat nuk i është dhënë askujt prej profetëve para meje. Jam ndihmuar me frikë ndaj armikut sa largësia një muaj, toka më është bërë vend për t’u falur dhe pastrim. Prandaj çdo njeri kudo që e zë namazi le të falet, më është lejuar plaçka e luftës dhe nuk iu lejua askujt para meje dhe më është dhënë ndërmjetësimi. Cdo profet është dërguar vetëm tek populli i tij, ndërsa unë jam dërguar tek të gjithë njerëzit”. Buhariu dhe Muslimi
Ai që është në papastërtinë e vogël (s’ka abdes) nuk i lejohet: Të falet, të bëj tavaf rreth Shtëisë së Shenjtë (Qabe) [12] dhe mos ta prek Kuranin.
Ai që është në papastërtinë e madhe (është xhunub) krahas ndalesave të mësipërmve i ndalohet dhe: Leximi i Kuranit,[13] qëndrimi në xhami pa abdes.
Ndërsa gruas me perisoda dhe lehone krahas tyre i ndalohet: Të agjërojë, nuk është e lejuar për bashkëshortin e saj të kryej marrëdhënie intime me të dhe nuk lejohet divorci në këtë periudhë.
Tema: Menstruacionet [14]
Origjina e gjakur që del nga gruaja konsiderohet gjak menstruacioni, nuk ka mosh të përcaktuar,[15] as kohëzgjatje [16] dhe përsëritje. Përveç nëse gjakderdhja i vazhdon gruas dhe nuk ndërpritet prej saj vetëm se për një kohë fare të shkurtër. Në këtë rast ajo konsiderohet mustehada (dhe gjaku istihada). Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e ka urdhëruar që në rast të tillë ajo të qëndrojë aq ditë sa i ka periodat zakonisht.[17] Nëse gruaja nuk ka pasur më parë menstruacione të rregullta nga ku mund të bazohet, ajo duhet të shoh të bëj dallimin mes gjakut të menstruacioneve [18] dhe gjakut istihada. Nëse nuk është në gjendje të bëj dallimin, atëherë ajo bazohet në zakonin e shumicës së grave që është gjashtë ose shtatë ditë. Allahu e di më së miri![19]
Kapitulli i Namazit
Më herë përmendëm se pastërtia është prej kushteve të tij (namazit). Po ashtu prej kushteve të tij është: Hyrja e kohës. Baza argumentimit për këtë është hadithi i Xhibrilit se: “Ai i priu Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në namaz në fillimit të kohës dhe në fund të saj dhe tha: “O Muhamed, namazi është ndërmjet këtyre dy kohëve”. Transmeton Ahmedi, En Nesai dhe Et Tirmidhi.
Transmetohe nga Abdullah bin Amër radijAllahu anhu se: Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Koha e namazit të drekës është kur dielli e kalon kupën e qiellit (në drejtim të perëndimit) dhe hija e personit është sa vetë ai. Kjo kohë vazhdon deri sa nuk ka ardhur koha e ikindisë. Koha e ikindisë është derisa dielli nuk është zverdhur. Koha e namazit të akshamit është derisa e kuqerremta nuk është zhdukur. Koha e namazit të jacisë është deri në gjysmë të natës dhe koha e namazit të sabahut fillon me lindjen e agimit derisa nuk ka lindur dielli”. Muslimi
Koha e namazit arrihet me kapjen e një rekati. Bazuar në fjalën e tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “Kush arrin një rekat nga namazi ai e ka arritur namazin”. Mutefekun alejhi
Nuk lejohet vonimi i namazit apo i një pjese të tij nga koha e tij me arsye apo me diçka tjetër, përveç nëse personi e vonon atë me qëllim për ta bashkuar me namazin tjetër, në këtë rast i lejohet atij me arsye: udhëtimi, apo shiu, apo sëmundja e gjëra të ngjashme.
Më e mira është falja e namazit në fillim të kohës me përjashtim të namazit të jacisë derisa nuk sjellë vështirësi vonimi i tij dhe me përjashtim të namazit të drekës kur është nxehtësi e madhe. Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur shtohet nxehtësia e motit, prisni freskun për faljen e namazit (të drekës), sepse i nxehti i fortë është prej shfryrjes së xhehenemit“.
Menhexhus Salikin ue teudihul fikhi fid din
Shejh Abdurrahman es Sadij
Përktheu: Unejs Sheme
Fusnotat:
[1] Transmetohet nga Aisha radijAllahu anha se: Një burrë pyeti të Dërguarin e Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem për atë që kryen marrëdhënie me gruan e tij, por pastaj dobësohet dhe nuk e nxjerr spermën. Ndërkohë Aisha ishte e ulur dhe i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem tha: “Edhe unë e bëj këtë gjë, unë dhe kjo këtu, pastaj lahemi”. E transmeton Muslimi.
[2] Ai mashkullor me atë femëror dhe nëse nuk del sperma. Transmetohet nga Ebu Hurejra radijAllahu anhu se i Dërguari sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nëse burri ulet midis katër gjymtyrëve të saj (duarve dhe këmbëve), pastaj e pushton atë (kryen marrëdhënie), atëherë gusli është bërë i obligueshëm”. Muttefekun alejhi.
Ndërsa në një transmetim tjetër të Muslimit dhe Ahmedit thuhet: “edhe nëse nuk e nxjerr spermën”.
Transmetohet nga Aisha radijAllahu anha se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nëse burri ulet midis katër gjymtyrëve të saj, pastaj vendi i bërë synet i tij prej atë të saj, atëherë gusli bëhet i domosdoshëm”. Ahmedi, Muslimi dhe Tirmidhiu.
Dhe gruaja e ka detyrë të marr gusul nëse sheh ëndërr dhe sheh se ka dal lëng. Transmetohet nga Umu Seleme se Umu Sulejm ka thënë: O i Dërguari i Allahut! Allahu nuk turpërohet nga e vërteta. A duhet të marrë gusël femra nëse sheh ëndërr (sikur kryen marrëdhënie bashkëshortore)? Ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem tha: “Po, nëse sheh se të ka dalë lëng”. Hadithi. Mutefekun alejhi.
Nëse nuk sheh lëng atëherë nuk e ka detyrë larjen bazuar në: Transmetohet nga Khaule bintu Hakim, se: Ajo pyeti të Dërguarin e Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem për atë grua që sheh në ëndërr ashtu siç sheh burri. Ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem tha: “Ajo nuk e ka obligim larjen (guslin) vetëm në rast se ka nxjerrë gjë, ashtu si edhe burri nuk e ka obligim guslin vetëm nëse ka nxjerrë gjë”. Hadith autentik. “Sahihul Xhami” 5407 (1743). E transmeton Ahmedi dhe En Nesai, por ky i dyti të shkurtuar me tekst: Ajo pyeti të Dërguarin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem për atë grua që sheh në ëndërr sikur kryen marrëdhënie, dhe ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem tha: “Nëse sheh që ka dalë lëng, atëherë të lahet (të marrë gusël)”. Hadith autentik. En Nesai (198).
[3] Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i tha Fatime bintu Ebi “Kur të vijnë periodat, lëre faljen dhe kur të mbarojnë ato, lahu dhe falu”. E transmeton Buhariu nga Aisha radijAllahu anha.
Nuk ka argument të saktë që e ndalon gruan me perioda të futet në xhami dhe të prezantojë në mësime. Transmetohet nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem erdhi dhe pa që shtëpitë e shokëve të tij ishin të drejtuara nga xhamia (me hyrje në xhami), pastaj tha: Drejtojini shtëpitë në anë tjetër nga ajo e xhamisë. Ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem hyri në shtëpi dhe njerëzit nuk po e ndryshonin drejtimin e shtëpive duke shpresuar të zbriste ndonjë lejim për ta. Por ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem doli tek ata dhe u tha: Ndryshojani drejtimin këtyre shtëpiave, sepse unë nuk e bëj të lejuar xhaminë për gruan me perioda apo për xhunubin”. Hadith i dobët (daif). Ebu Daudi (232), “Irvaul Galil” (193).
Transmetohet nga Ummu Seleme radijAllahu anha se ka thënë: “I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem hyri në këtë xhami dhe thirri me sa zë që kishte: Xhamitë nuk janë të lejuara për gruan me perioda dhe as për xhunubin”. Hadith i dobët (daif). Ibën Maxheh (645).
[4] Është për qëllim ai njeri që bie dëshmor në fushën e betejës. Ndërsa të tjerët përveç tij që marrin gjykimin e dëshmorit ata lahen.
[5] Shumica e dijetarëve janë të mendimit se nuk është detyrë larja e jobesimtarit kur pranon islamin, por është e pëlqyeshme (mustehab). Ndërsa imam Esh Sheukani (Allahu e mëshiroftë!) thotë se është detyrë (vaxhib). Argumentet e atyre që thonë se larja e jobesimtarit kur pranon islamin është detyrë janë: Transmetohet nga Kajs bin Asim se: “Ai u bë musliman dhe i Dërguari sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e urdhëroi atë që të lahej me ujë dhe sidër (një lloj bime)”. Hadith autentik. Tirmidhiu (605), En Nesai (188), “El Mishkat” (543).
Transmetohet nga Ebu Hurejra radijAllahu anhu se: “Thumame u bë musliman dhe i Dërguari sal-lAllahu alejhi ue sel-lem tha: Shpjereni atë pas murit të filan fisi dhe thojini që të lahet”. Hadith autentik. Ahmedi (8024) me verifikimin e Ahmed Shakir (Allahu e mëshiroftë!).
[6] Transmetohet nga Aisha radijAllahu anha se: “Kur i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem merrte gusël pas kryerjes së marrëdhënieve, ai fillonte me larjen e duarve, pastaj hidhte ujë me dorën e djathtë mbi të majtën dhe lante organet seksuale, pastaj merrte abdes si për namaz. Pastaj merrte ujë dhe i fuste gishtat në rrënjët e flokëve, e kur shihte se i kishte pastruar ato, hidhte tre grushta ujë në kokë, pastaj hidhte ujë në të gjithë trupin e tij dhe pastaj lante këmbët”. E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Në një transmetim tjetër të atyre dyve thuhet: “Pastaj i shkriftonte flokët me duart e tij, deri sa shihte se uji e kishte lagur të gjithë lëkurën e kokës, pastaj hidhte tre herë ujë mbi kokë“.
Transmetohet nga Mejmune radijAllahu anha se ka thënë: “I vendosa të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ujë për t’u larë. Ai hodhi ujë në dy duart e tij dhe i lau ato dy apo tre herë. Pastaj hodhi ujë me të djathtën mbi të majtën dhe lau organin e tij, pastaj i fërkoi duart në tokë. Pastaj futi ujë në gojë dhe në hundë, pastaj lau fytyrën dhe krahët, pastaj lau kokën tre herë, pastaj hodhi ujë në të gjithë trupin, pastaj u largua pak nga vendi ku u la dhe lau këmbët. Thotë: Atëherë unë i dhashë një rrobe për t’u fshirë, por ai nuk e deshi atë dhe filloi të fshinte ujin me dorën e tij”. Hadith autentik.
[7] Është nijeti, por autori (Allahu e mëshiroftë!) nuk e ka përmendur. Bazuar në hadithin: “Me të vërtetë veprat konisderohen sipas qëllimeve”. Pastaj thënia “Bismil-lah”.
[8] Prej sunetit është që personi para gusulit të marr abdes si për namaz. Për më shumë shih librin “Sunetet e harruara”.
[9] Prej sunetit është që të fillohet me anën e djathtë.
[10] Marrja tejemum saktësohet me tekst nga Kurani, Suneti dhe konsensusi. Transmetohet nga Hudhejfe radijAllahu anhu se ka thënë: I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Na është dhënë përparësi mbi popujt e tjerë, me tre gjëra: Radhët tona (në namaz e në luftë) janë si ato të engjëjve, toka na është bërë e gjitha xhami dhe dheu i saj na është bërë pastrues, kur nuk gjejmë ujë“. Muslimi.
[11]Transmetohet nga Amar bin Jesar se: “I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë për tejemumin: Ai merret duke përplasur një herë duart (në dhe’ të pastër) për të fërkuar me to fytyrën dhe duart“. E transmeton Ahmedi dhe Ebu Daudi. Hadith autentik. “Irvaul Galil” (161).
Në një transmetim tjetër thuhet se: “I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e urdhëroi atë të merrte tejemum duke përplasur duart një herë për fytyrën dhe duart“. Hadith autentik. Tirmidhiu (144).
Transmetohet nga Amari se ka thënë: U bëra xhunub dhe nuk gjeta ujë (të lahesha), kështu që u rrokullisa në një vend të ngritur dhe pastaj u fala. Këtë gjë ia thashë të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe ai tha: “Të mjaftonte të bëje kështu: duke përplasur duart në tokë, i fryu pluhurit të tyre dhe fërkoi me to fytyrën dhe dy duart (pëllëmbët)”. Mutefekun alejhi.
[12] Pra, nuk i lejohet atij të bëj tavaf rreth Qabes derisa të marr abdes. Ky është medh’hebi i shumicës së dijetarëve siç ka thënë imam En Nevevi (Allahu e mëshiroftë!). Shejhu islam Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) thotë se nuk është kusht pasja abdes për të kryer tavafin rreth Qabes, por kjo është vetëm e pëlqyeshme (mustehab). Shejhul islam Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) thotë: Ata që e bëjnë të obligueshme abdesin gjatë kryerjes së tavafit nuk kanë asnjë argument. Nuk ka transmetuar askush nga Profeti sal-lAllahu alejhi ue sle-lem me zinxhir të saktë dhe as me zinxhir të dobët se ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka urdhëruar për abdes për kryerjen e tavafit. Porse saktësohet se ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem kur bëri tavafin mori abdes, por ky argument i vetëm nuk tregon për obligueshmëri.
[13] Disa dijetarë e lejojnë leximin e Kuranit nga personi xhunub. Prej tyre është Ibën Abasi, fjalën e të cilit e ka përmendur dhe Buhariu në Sahihun e tij (tealikan), Seid bin el Musejjib, Daud edh Dhahiri, Et Taberanij, Ibën Hazmi dhe Ibën Mundhiri. Ndërsa përsa i përket gruas me perioda nuk ka argument të saktë që ta ndalojë atë nga leximi i Kuranit. Hadithet që transmetohen në lidhje me të nuk saktësohen. Siç është p.sh. hadithi: “Nuk i lejohet gruas me perioda dhe personit xhunub që të lexojnë ndonjë gjë nga Kurani” ky hadith është i dobët.
[14] Transmetohet nga Enes bin Malik radijAllahu anhu se: Tek çifutët, kur gruaja ishte me perioda, ata nuk hanin bashkë me to dhe nuk flinin me to në shtëpi. Kështu, shokët e të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e pyetën atë për këtë gjë. Atëherë Allahu zbriti ajetin: “Të pyesin ty për periodat (për marrëdhëniet në vendin ku del gjaku). Thuaj: Kjo është e dëmshme dhe e neveritshme, ndaj mos iu afroni grave kur ato janë me perioda (apo në vendin e periodave).” Deri në fund të ajetit [El Bekare: 222]. Atëherë i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem tha: “Bëni me to çdo gjë (dëfrehuni me to), përveç kryerjes së marrëdhënieve seksuale”. Hadith autentik.
[15] Ngase disa dijetarë thonë se nuk ka menstruacione për femrën para moshës nente vjecare dhe as pas moshës 50 vjeçare. Dijetarët e tjerë, dhe kjo është ajo që ka zgjedhur Ibën el Mundhiri, Ibën Tejmije dhe një grup dijetarësh, thonë se kjo nuk ka moshë të përcaktuar se kur fillon dhe as se kur mbaron, por gruaja në momentin që sheh gjakun e njohur, atëherë ai konsiderohet menstruacion dhe merr dispozitat e tij (nuk falet, nuk agjëron, nuk i lejohet bashkëshortit të bë marrëdhënie intime me të). Edhe nëse femra nuk i ka mbushur shtatë vjeç apo është më shumë se 50 vjeç. Kjo është fjala më e saktë.
[16] Autori (Allahu e mëshiroftë!) me këtë u është kundërpërgjigjur atyre që thonë se koha më e vogël e menstruacioneve është një ditë-natë dhe më e shumta 15 ditë. Por më e sakta nga fjalët e dijetarëve është se kjo nuk ka kohë, sepse Allahu thotë: “Dhe mos u afroni atyre (grave) derisa të pastrohen (lahen)”.
[17] Transmetohet nga Aisha radijAllahu anhu se: Ummu Habibe bintu Xhahsh, e cila ishte nën përkujdesjen e Abdurrahman bin Aufit u ankua te i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem për gjakun (istihada) dhe ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem tha: “Qëndro aq sa ditë sa të mbanin periodat të bllokuar, pastaj lahu”. (Aisha thotë:) Ajo lahej për çdo namaz.” E transmeton Muslimi.
Transmetohet nga Ummu Seleme radijAllahu anha se: Ajo e pyeti të Dërguarin e Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem për atë grua të cilës i del shumë gjak (pas zakoneve) dhe ai tha: “Të shohë sa ditë e netë i ka pasur periodat më parë dhe sa ditë në muaj i kishte ato. Në këtë kohë të mos falet. Pastaj të lahet, të vendosë copë në vendin ku del gjaku dhe të falet”. Hadith autentik. Ebu Daudi (274), En Nesai (208), (355), “El Mishkat” (559).
[18] Gjaku e menstruacioneve është i errët i trash dhe ka erë të keqe.
[19] Autori (Allahu e mëshroftë!) nuk ka përmendur dispozitat e gruas lehone. Ajo ka të njëjta dispozita siç ka dhe gruaja me menstruacione. Ebu Isa et Tirmidhi thotë: “Dijetarët duke filluar nga shokët e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe ata që erdhën pas tyre janë të një mendimi se gruaja lehonë nuk falet për dyzet ditë, përveç nëse sheh pastrimin para kësaj kohe”.
Shejh Ibën Bazi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Kur ajo, gruaja lehonë, plotëson dyzet ditë është detyrë për të të lahet edhe nëse nuk e ka parë pastrimin, sepse dyzet ditëshi është fundi i lehonisë në fjalën më të saktë të dijetarëve”.
Po ashtu shejh Ibën Bazi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Nëse gruaja lehonë pastrohet brenda kufirit të dyzet diëteve dhe agjëron disa ditë pastaj i kthehet përsëri gjaku brenda dyzet ditëshit, agjërimi i saj është i saktë dhe detyrë për të është mos të falet dhe mos të agjërojë ditën që i erdhë gjaku”. Po ashtu ajo është e lejuar për bashkëshortin e saj nëse pastrohet para dyzet ditëve.