“1. Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit! 2. Gjithë lavdërimet dhe falënderimet janë për Allahun, Zotin e gjithë botëve. 3. I vetmi Zotërues i ditës së shpërblimit (ditës së ringjalljes).”
Këto tri ajete përmbajnë tri çështje:
Ajeti i parë përmban dashurinë, sepse Allahu është Begatuesi dhe begatuesi duhet në bazë të begative që jep. Dashuria ndahet në katër lloje: Dashuria që përmban shirk, e për këtë lloj Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe ka prej njerëzve të cilët zgjedhin (për adhurim) të tjerë përveç Allahut si shokë të barabartë (me Allahun). Ata i duan këta të adhuruar të tjerë si Allahun, por ata që besojnë e duan Allahun më shumë.” | El Bekare: 165. E deri te fjala e Tij: “Dhe ata nuk do të dalin kurrë prej zjarrit.” | El Bekare: 167.
Lloji i dytë i dashurisë është dashuria e së kotës dhe pjesëtarëve të saj, dhe urrejtja e të vërtetës dhe pjesëtarëve të saj dhe kjo është cilësia e munafikëve (hipokritëve).
Lloji i tretë i dashurisë është dashuria natyrale që është dashuria e pasurisë dhe fëmijës. Nëse nuk pengon bindjen e Allahut dhe nuk ndihmon të ndaluarat e Allahut, ajo është e lejuar.
Lloji i katërt i dashurisë është dashuria e pjesëtarëve të teuhidit dhe urrejtja e pjesëtarëve të shirkut (idhujtarëve). Ky është litari më i fortë i besimit dhe gjëja më madhështore që robi e adhuron Zotin e tij.
Ajeti i dytë përmban shpresën.
Ajeti i tretë përmban frikën.
“Vetëm ty të adhurojmë” d.m.th.; Të adhuroj o Zot me ato që përmenda, me këto të tria: me dashurinë Tënde, me shpresën tek Ti dhe me frikën ndaj Teje.
Këto të tria janë shtyllat e adhurimit dhe veprimi i tyre për dikë tjetër përveç Allahut është shirk[1] (kush do dikë tjetër veç Allahut është mushrik, kush shpreson dikë tjetër veç Allahut është mushrik, dhe kush i frikësohet dikujt tjetër veç Allahut është mushrik).
Me këto të tria është refuzimi ndaj atij që lidhet vetëm pas dashurisë (të cilët janë sufijtë), ose që lidhet vetëm pas shpresës (që janë murxhiet[2]), ose që lidhet vetëm pas frikës (që janë havarixhët[3] dhe kush ngjason me ta). Kush vepron diçka prej këtyre për dikë tjetër përveç Allahut është mushrik. [4]
Në të ka disa dobi: Refuzimi ndaj tre grupeve ku çdo grup u lidh pas njërës prej tyre, si ai që e adhuron Allahun vetëm me dashuri.
Gjithashtu, ai që e adhuron Allahun vetëm me shpresë si murxhiet, apo ai që e adhuron Allahun vetëm me frikë si havarixhët.
“Vetëm ty të adhurojmë dhe vetëm tek Ti ndihmë kërkojmë.” Ky ajet përmban teuhidin Uluhijeh dhe teuhidin Rububijeh. “Dhe vetëm tek Ti ndihmë kërkojmë.” Ky ajet përmban teuhidin Rububijeh. “Na udhëzo në rrugën e drejtë.” Ky ajet përmban refuzimin ndaj bidatçinjve.
Ndërsa dy ajetet e fundit përmbajnë dobi për përmendjen e gjendjeve të njerëzve. Allahu i Lartësuar i quajti tri lloje: të begatuarit, ata ndaj të cilëve është i inatosur dhe të humburit.
Ata ndaj të cilëve është i inatosur janë ata që kanë dije por nuk kanë punë.
Të humburit janë ata që kanë adhurim por nuk kanë dije. Edhe pse shkaku i zbritjes janë çifutët dhe të krishterët, ato përfshijnë cilindo që cilësohet me to.
Ndërsa i treti është ai që cilësohet me dije dhe me punë që janë të begatuarit.
Prej dobive është distancimi nga fuqia dhe forca sepse është i begatuar (është prej mirësisë së Allahut dhe nuk është forca dhe fuqia jote).
Ajo përmban njohjen e përsosur të Allahut dhe mohimin e të metave nga Allahu i Lartmadhëruar.
Gjithashtu, përmban faktin që robi të njohë Zotin e tij dhe të njohë veten e tij.
Përderisa ka Zot (Krijues) patjetër që duhet të ketë edhe të nënshtruar (krijesë). Përderisa ka Mëshirues patjetër që duhet të ketë edhe të mëshiruar. Përderisa ka sundues patjetër që duhet të ketë edhe të sunduar. Këtu ka rob, patjetër që duhet të jetë një i adhuruar.
Përderisa ka udhëzues, patjetër duhet të ketë edhe të udhëzuar. Kur ka begatues, patjetër që duhet edhe i begatuari. Kur këtu është dikush ndaj të cilit janë inatosur, patjetër që ka edhe të inatosur. Përderisa këtu ka të humbur, duhet të ketë edhe atë që e ka humbur.
Pra kjo sure përmban teuhidin Uluhijeh dhe Rububijeh dhe mohimin e të metave nga Allahu i Lartmadhëruar. Po ashtu përmban njohjen e adhurimit dhe të shtyllave të tij. Allahu është më i Dijshmi.
Autor: Muhamed ibn Abduluehab
Përktheu: Bledar Aliu
[1] Shirk është që t’i shoqërosh Allahut në adhurim diçka tjetër, çfarëdo qoftë ai.
[2] Murxhiet janë një sekt i devijuar ku bazë të tyre kanë se; imani (besimi) është vetëm në zemër, dhe se puna e mirë apo e keqe nuk ndikon në imanin e njeriut. (sh.p.)
[3] Havarixhët janë një grup i humbur që kanë si moton e tyre që; çdo person që bën gjynah të madh ai ka dalë nga islami, dhe për këtë prijësi i besimtarëve Aliu i ka luftuar ata.
[4] Mushrik janë ata persona që i bëjnë shok Allahut në adhurimet e tyre.
Dosje: Kurani
Të Ngjashme
- Rreziku i lidhjes mbas dynjasë dhe harresa e botës tjetër Emin Bilali
- “Njerëzve thuajuni fjalë të mira!” Emin Bilali
- Kuptimi i fjalës “Amin” Shejh Muhamed Xhemil Zejno
- Kush janë emrat e sures El Fatiha? Shejh Muhamed Xhemil Zejno
- Llojet e njerëzve në ditën e gjykimit Shejh Abdurrahman ibn Nasr es-Sadi