Veprat që duhet të praktikosh në muajin e Ramazanit

June 5, 2017

Cilat janë veprat më të mira që praktikohen në muajin e Ramazanit?

1. Agjërimi. Vepra më e veçantë dhe më e madhe që njeriu mund të bëjë gjatë muajit të Ramazanit është agjërimi, sepse ky është muaji i agjërimit. Agjërim është; të frenuarit nga ngrënia, pirja, marrëdhëniet intime dhe rregulla të tjera, që nga nisja e agimit (me mbarimin e syfyrit) deri në perëndimin e diellit.

2. Leximi i Kuranit dhe meditimi në të sepse ky është muaji i Kuranit. Xhibrili i vinte të Dërguarit (salAllahu alejhi ue selem) për çdo muaj, ndërsa në Ramazan i vinte çdo ditë për t’ia përsëritur atë.

Nga suneti është që myslimanët ta përfundojnë leximin e Kuranit një herë për çdo muaj, ndërsa në Ramazan është sunet ta lexojnë më shumë se një herë. I Dërguari (salAllahu alejhi ue selem) i ka thënë Abdullah ibn Amr ibn Asit: “Lexoje Kuranin për çdo muaj nga një herë.” Ibn Abasi (radijAllahu anhu) thoshte: “Ai që nuk e lexon Kuranin një herë në muaj konsiderohet nga ata të cilët e kanë braktisur (bojkotuar) atë.”

Selefët e lexonin Kuranin gjatë gjithë këtij muaji dhe jepeshin pas tij, derisa kishte prej tyre që i ndërprisnin mësimet dhe çdo punë tjetër vetëm për t’u veçuar me Kuranin gjatë Ramazanit.

Besimtari duhet të shtojë leximin e Kuranit, meditimin dhe kuptimin e tij gjatë këtij muaji.

3. Sadakaja. Profeti (salAllahu alejhi ue selem) në këtë muaj e shtonte dhënien e sadakasë, siç ka ardhur në hadithin e Enesit (radijAllahu anhu) që thotë: “I Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem) ishte më i mirë dhe më bujar se kurdoherë tjetër në muajin e Ramazanit. Mirësia e tij ishte sikur e mira e freskut (që i prek dhe freskon të gjithë).” Prandaj dhe shumë prej selefëve përcaktonin që koha e dhënies së zekatit të tyre të ishte Ramazani, në mënyrë që të bashkonin mes zekatit dhe (shpërblimit të) sadakasë në Ramazan.

4. Namazi i teravive. Suneti është që namazi i natës (teravitë) të falet me xhemat, ndryshe nga muajt e tjerë ku suneti është që secili të falet vetëm.

5. Pastrimi i vetes (shpirtit). Profeti (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë: “Nëse dikush të shan, thuaj: Unë jam agjërueshëm!” Njeriu duhet ta shfrytëzojë këtë muaj për të përmirësuar dhe pastruar vetveten, dhe ta rregullojë moralin në mënyrë që kjo të jetë si furnizim (duke qenë i tillë) edhe për muajt e tjerë në vazhdim.

6. Lutjet. Ajo ka vlerë shumë të madhe. Pejgamberi (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë: “Lutja e agjëruesit nuk kthehet mbrapsht (tek Allahu).”

7. Ruajtja e marrëdhënieve farefisnore dhe bamirësia ndaj komshiut. Të gjitha kanë shpërblim të madh gjatë Ramazanit.
U përkujtoj se ky nuk është muaj i dembelizmit dhe gjumit, por është muaj i aktivitetit.

 

Shejh Uthman el Hamijs

Loading...