Allahu i Madhëruar thotë : “Kush e vret një besimtar me dashje, ndëshkimi i tij është xhehenemi ku do të jetë përgjithmonë. Allahu është i zemëruar me të, e ka mallkuar dhe ka përgatitur për të dënim të madh.”
Shejhu i nderuar Muhamed ibën Uthejmini ka thënë:
Këto janë pesë dënime nga të cilat do mjaftonte vetëm një prej tyre për ta frenuar atë që ka vërtet në zemër.
Ky ajet ka nevojë për përgjigje sqaruese sipas menhexhit të ehlu sunetit në mënyrë që të kuptohet siç duhet përmendja e përjetësimit në zjarr për shkak të mëkatit të vrasjes, ndërkohë që vrasja nuk është kufr dhe tek ehlu suneti përjetësimi në zjarr ndodh vetëm për shkak të kufrit. Përgjigjet rreth këtij ajeti janë disa dhe të ndryshme.
Mendimi i parë: Ky ajet ka të bëjë me kafirin kur ai vret një besimtar.
Kjo përgjigje nuk vlen aspak sepse kafiri është i ndëshkuar përjetësisht me xhehenem, edhe nëse ai nuk vret një besimtar: “Allahu i ka mallkuar kafirat dhe ka përgatitur për ta zjarrin, aty do jenë përgjithmonë e përjetësisht dhe nuk do gjejnë dot përkrahës dhe as mbrojtës.” | El Ahzab: 64-65.
Mendimi i dytë: Ky ajet ka të bëjë me rastin kur vrasësi e konsideron të lejuar vrasjen, sepse ai që e konsideron të lejuar vrasjen e besimtarit bëhet kafir.
Imam Ahmedi është shprehur i habitur nga kjo përgjigje, duke thënë: Si mund të thuhet kjo?! Sepse nëse e beson si të lejuar vrasjen e besimtarit ai është kafir edhe nëse nuk e vret faktikisht një besimtar. Pra ky besim i tij i gabuar e bën atë të përjetësohet në zjarr edhe nëse nuk e vret një besimtar.
Ky mendim nuk qëndron.
Mendimi i tretë: Ky ajet ka të nënkuptuar diçka sepse është fjali me kushtëzim, d.m.th.: Ndëshkimi i tij është xhehenemi nëse do e ndëshkojë.
Mirëpo ky mendim lë vend për debat, sepse çfarë dobie do kishte thënia: “Ndëshkimi i tij është xhehenemi” përderisa është i kushtëzuar: nëse do e dënojë. Me të drejtë ngrihet pyetja: Nëse ndodh që e dënon, a do jetë ky ndëshkimi? Nëse përgjigjia është ‘po’, kjo do të thotë që do jetë përjetësisht në zjarr, pra u rikthyem në të njëjtën pikë të fillimit.
Siç shihet, këto tre mendime nuk shpëtojnë nga debati dhe nuk i japin përgjigje sqaruese problemit.
Mendimi i katërt: Ky ajet tregon se kjo vepër (vrasja e besimtarit) është shkak për të hyrë në zjarr, por nëse ekziston ndonjë faktor tjetër që e pengon përmbushjen e këtij kërcënimi, atëherë nuk realizohet ai ndëshkim. P.sh. lidhja familjare është shkak për të merituar trashëgimi, por nëse i afërmi trashëgues është i zënë rob ai nuk trashëgon për shkak të robërisë.
Ngrihet një pyetje tjetër në një aspekt tjetër: Nëse është kështu, atëherë çfarë dobie ka përmendja e këtij kërcënimi?
Dobia qëndron në frenimin e personit nga vrasja, sepse ai që vret besimtarin me dashje ka vepruar shkakun për të cilin meriton ndëshkimin me përjetësim dhe ngelet për tu parë nëse ka ndonjë faktor pengues apo jo. Pra ai është në një rrezik të madh, prandaj Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Njeriu është i lirë me hapësirë veprimi në fenë e tij për sa kohë që nuk derdh gjak të ndaluar”, d.m.th. nëse e bën një vepër të tillë ia ngushton vetes fenë e tij derisa rrezikon të dalë prej saj. Pra, kërcënimi në këtë rast ka pasur për qëllim përfundimin tek i cili mund të arrijë, mund të bëhet vrasja shkak për të arritur në kufr, të vdesë si kafir dhe të përjetësohet në zjarr. Sipas këtij shpjegimi në ajet është përmendur shkaku i shkakut, që do të thotë se vrasja me dashje është shkak që njeriu të vdesë si kafir dhe kufri është shkak që ai të përjetësohet në zjarr.
Nëse e mediton thellë këtë mendim do shohësh se nuk lë pas keqkuptime.
Mendimi i pestë: Qëllimi i ajetit është qëndrimi i gjatë në zjarr dhe jo përjetësimi përgjithmonë, sepse në gjuhën arabe është i njohur përdorimi i shprehjes përjetë me kuptimin kohë e gjatë, si p.sh. “Filani është përjetë në burg”, d.m.th. kohë të gjatë, sepse mund të ndodhë që të dalë për një arsye apo një tjetër. Shembull tjetër thuhet: “Filani është i përjetshëm sa malet”, kur dihet që Allahu mund t`i shembë malet dhe t`i bëjë pluhur.
Kjo përgjigje është e thjeshtë që nuk kërkon sforcim. Themi se Allahu në këtë ajet nuk e përmendi përjetësimin e përgjithmonshëm pa ndërprerje, pra nuk tha “ebeden” (përgjithmonë, pa ndërprerje), por tha: “Aty do jetë përjetë” d.m.th. do të qëndrojë për kohë të gjatë.
Mendimi i gjashtë: Ky ajet është nga ajetet që përmbajnë kërcënim, dhe siç dihet lejohet që kërcënimi të mos përmbushet nga vet kërcënuesi, duke e zhvendosur gjykimin nga gjykimi i drejtë i merituar tek një vendim tjetër me bujari dhe falje, gjë e cila është lëvdatë dhe bujari. P.sh. nëse i thua fëmijës tënd: “Nëse do shkosh në treg do të rrah me shkop.” Ai shkon, dhe kur kthehet ti e godet me dorë dhe jo me shkop. Ky dënim ishte më i lehtë se i pari. Pra, nëse Allahu e kërcënon vrasësin me këtë kërcënim dhe më pas e fal atë, kjo është bujari.
Faktikisht ky arsyetim nuk i jep përgjigje problemit, sepse nëse kërcënimi përmbushet dhe realizohet problemi ngelet siç ishte në fillim, kurse nëse nuk përmbushet atëherë nuk ka dobi prej tij.
Këto ishin gjashtë lloj përgjigjesh rreth këtij ajeti, ku përgjigjet më të pranueshme janë e katërta dhe e pesta.
Marrë nga libri: “Shpjegimi i akides uasitije” në “Mexhmual fetaua ue rasail” 8/218-221.
Autor: Ibën Uthejmin
Përktheu: Shuajb Rexha
Dosje: Allahu
Të Ngjashme
- Emrat dhe atributet e Allahut të Madhëruar Udha e Besimtarëve
- Kur pasionet bëhen idhull dhe Zot Ibën Rexheb el Hanbeli
- A mund të ndikojë mësyshi edhe në këtë rast? Emin Bilali
- Si ka mundësi që Allahu ua jep dynjanë jobesimtarëve?! Emin Bilali
- Cilat ishin fjalët e fundit që tha Profeti para se të largohej nga kjo botë? Udha e Besimtarëve