Rregullat e agjërimit.
- Nuk hahet, nuk pihet dhe nuk kryhen marrëdhënie seksuale nga agimi deri në perëndim të diellit.
Allahu i Madhëruar thotë: “Hani dhe pini derisa të dallohet në horizont filli i bardhë (i agimit) nga filli i zi (terri i natës), pastaj plotësojeni agjërimin deri sa të bier nata.” (El Bekare: 187)
Siç kuptohet nga ky ajet Kuranor agjërimi ka dy kufij kohor; shfaqjen e agimit dhe perëndimin e diellit brenda të cilëve ndalohet ngrënia, pirja dhe marrëdhëniet intime.
Ndërsa përsa u përket marrëdhënieve intime (bashkëshortore), Allahu i Madhëruar thotë: “Është lejuar për ju gjatë netëve të agjërimit që t’ju afroheni grave tuaja (për marrëdhënie intime).” (El Bekarah: 187)
Pra, nga ky ajet kuranor kuptojmë se marrëdhëniet intime gjatë ditës nuk lejohen sepse është koha e agjërimit.
- Të bëhet nijeti (me zemër).
Pra të vendosësh për të agjëruar para se të ketë hyrë koha e agjërimit. Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Kush nuk e vendos të agjërojë që me natë, agjërimi i tij nuk është i saktë.” (Transmeton Tirmidhiu dhe Nesaiu. Albani e ka vlerësuar Sahih.)
- Të hash syfyr.
Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Syfyri është ushqim i begatë prandaj mos e lini atë edhe sikur me një gllënjkë ujë, se Allahu i bekon ata që hanë syfyr ndërsa engjëjt luten për ta.” (Transmeton Ahmedi dhe e ka saktësuar Albani).
Gjithashtu, Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Ushqehuni në syfyr sepse në të ka bereqet.” (Transmeton Ibën Hibani. Albani e ka konsideruar hasen.)
“Bëni syfyr qoftë edhe me një gllënjkë ujë.” (Transmeton Ebu Daudi dhe Tirmidhiu, dhe e ka saktësuar Albani.)
- Të hash iftar menjëherë pas perëndimit.
Siç ka thënë Profeti (alejhi selam): “Tri gjëra janë prej traditës profetike: Shpejtimi i iftarit, vonimi i syfyrit dhe vendosja e dorës së djathtë mbi dorën e majtë në namaz.” (Transmeton Taberani dhe e ka saktësuar Albani.)