Agjëro gjatë ditëve të Ramazanit

June 14, 2017

Agjëro gjatë ditëve të Ramazanit!

Agjërimi i ditëve të muajit të Ramazanit është adhurim madhështor, është një nga obligimet më të rëndësishme në jetën e muslimanit, madje është njëra ndër pesë shtyllat bazë të fesë.

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të) ka thënë: “Islami ngrihet mbi pesë shtylla …-e njëra ndër to është;Agjërimi i muajit të Ramazanit.”[1]

Allahu i Madhëruar në Kuranin Famëlartë thotë:

“O ju që keni besuar! Agjërimi u është bërë obligim ashtu siç ishte obligim edhe për popujt para jush, me qëllim që të jeni të devotshëm.” (Bekare: 183)

Agjërimi i muajit të Ramazanit është një nga veprat më të mira që të afron tek Zoti i Madhëruar.

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të) ka thënë: “Kush e agjëron Ramazanin duke besuar dhe duke shpresuar shpërblimin, i falen mëkatet që ka bërë më herët.”[2]

Vërejtje:

Që agjërimi i besimtarit të jetë sa më i begatë preferohet që t’i kushtohet rëndësi ngrënies së syfyrit dhe lutjes, të cilën agjëruesi e bën në kohën e iftarit.
Profeti (Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të!) ka thënë: “Ushqehuni në syfyr sepse në të ka bereqet.” [3]

Gjithashtu ka thënë: “Syfyri është ushqim i begatë prandaj mos e lini atë edhe sikur me një gllënjkë ujë, sepse Allahu i bekon ata që hanë syfyr dhe engjëjt luten për ta.”[4]

Kur afrohet koha e çeljes së iftarit është e pëlqyeshme që muslimani ta shfrytëzojë atë për t’u lutur, sepse lutja në atë kohë është e pranueshme nga Allahu i Lartësuar.

Profeti (Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të) ka thënë: “Tre kategorive nuk u kthehen lutjet mbrapsht: Prijësit të drejtë, agjëruesit kur çel iftarin, dhe lutja e atij të cilit i është bërë padrejtësi.”[5]

Përveç lutjeve të ndryshme që muslimani mund të bëjë në këtë kohë të begatë, gjithashtu preferohet të thotë dhe lutjen të cilën na i ka mësuar Profeti (Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të) në lidhje me çeljen e iftarit:

“Dhehebe dhameu, ue bteletil uruku, ue thebetel exhru insha Allah.

U largua etja, u njomën venat, dhe u depozitua shpërblimi në dashtë Allahu.”[6]

———————————————–

[1] E transmeton Buhariu me nr. 8 dhe Muslimi me nr. 16.

[2] E transmeton Buhariu me nr. 38 dhe Muslimi me nr. 760.

[3] E transmeton Buhariu me nr. 1923 dhe Muslimi me nr. 1905.

[4] E transmeton Ahmedi ne “El-Musned” (3/44), El-Mundhiri në “Et-Tergib” (2/139). Albani e ka konsideruar hadith të mirë në librin “Sahihu et Tergib” me nr. 1070.

[5] E transmeton Tirmidhiu me nr. 2525. Albani e ka konsideruar hadith të saktë në librin “Sahihu et Tirmidhi” me nr. 2050.

[6] Transmeton Ebu Daudi në “Sunenin” e tij me nr. 2357. Albani e ka vlerësuar hadith të mirë në librin “Sahihu Ebi Daud” me nr. 2066.

Loading...