Lexoje Kuranin, librin e Allahut!
Kurani është fjala e Allahut e zbritur në muajin e Ramazanit, në natën e Kadrit e cila është në dhjetë netët e fundit të Ramazanit. Allahu i Madhëruar thotë:
“Muaji Ramazan është ai në të cilin ka zbritur Kurani.” (Bekare: 185)
Gjithashtu ka thënë:
“Ne e kemi zbritur (Kuranin) në natën e Kadrit.” (Kadr: 1)
Çdo herë në muajin e Ramazanit profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të) e përsëriste Kuranin famëlartë dhe e studionte atë së bashku me engjëllin Xhibril, ndërsa në vitin e fundit të jetës së tij ata e përsëritën Kuranin dy herë.
Për të përfituar sa më shumë nga bereqeti i këtij muaji kërkohet një përkushtim i veçantë ndaj Kuranit. Agjëruesi duhet të lexojë sa më shumë Kuran duke ndërthurur ndërmjet agjërimit dhe leximit të Kuranit, këtyre dy adhurimeve madhështore të cilat ia gjallëronin atij jetën shpirtërore.
Kurani gjatë muajit të Ramazanit është kënaqësi dhe freski për shpirtin, dhe ai bëhet shkak për rritjen e besimit. Leximi i Kuranit gjatë muajit të Ramazanit shpërblehet me sevape të shumta.
I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të) ka thënë: “Kush lexon një shkronjë nga Libri i Allahut fiton një sevap (shpërblim) dhe ky sevap i shumëfishohet dhjetëfish.”[1]
Në ditën e gjykimit Kurani do të ndërmjetësojë për lexuesin e tij. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të) ka thënë: “Lexojeni Kuranin, sepse në Ditën e Gjykimit ai vjen si ndërmjetësues për ata që e lexojnë atë.”[2]
Gjithashtu ka thënë: “Agjërimi dhe Kurani do të ndërmjetësojnë për njeriun në Ditën e Gjykimit. Agjërimi do të thotë: O Zot! E kam privuar nga ushqimi dhe pija, prandaj më lejo të ndërmjetësoj për të! Ndërsa Kurani do të thotë: E kam privuar nga gjumi i natës, prandaj më lejo të ndërmjetësoj për të! Kështu që ata të dy do të ndërmjetësojnë.”[3]
—————————————————-
[1] E transmeton Tirmidhiu me nr. 2910. Albani e ka vlerësuar si hadith të mirë në “Silsiletu es Sahiha” (2/267).
[2] E transmeton Muslimi me nr. 1343.
[3] E transmeton Ahmedi me nr. 6589. Albani e ka vlerësuar si hadith të saktë në “Sahihul Xhami” me nr. 7329.