Çfarë duhet të bëjë muslimani për të arritur mirësitë e natës së Kadrit?
Për të arritur mirësitë dhe begatitë e kësaj nate muslimani duhet të fokusohet në dy adhurime:
- Të shtojë namazin e natës.
Profeti (Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të) ka thënë: “Kush e përjeton natën e Kadrit me adhurim ndaj Zotit, me besim të sinqertë dhe duke shpresuar shpërblimin, do t’i falen mëkatet që ka bërë më herët.”[1]
- Të shtojë lutjet.
Duke qenë se nata e Kadrit është ajo natë në të cilën zbresin vendimet hyjnore për vitin në vijim, kjo e bën atë një mundësi të mirë për njeriun t’i lutet Zotit që gjatë atij viti t’i japë nga të mirat e Tij të panumërta dhe ta mbrojë nga të këqijat.
Një vëmendje e veçantë i duhet kushtuar lutjes të cilën Profeti (Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të) na i ka mësuar enkas për këtë natë. Aishja -radiallahu anha- tregon se e ka pyetur Profetin (Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të): O i Dërguar i Allahut! Nëse do ta dija se kur është nata e Kadrit, çfarë lutje të them? Ai e mësoi të thotë:
“Allahume ineke afu’un tuhibul afue fe`afu ani!”[2]
O Zot, Ti je Mëkatfalës, e do faljen, prandaj më fal mua!
————————————————-
[1] E transmeton Buhariu me nr. 35 dhe Muslimi me nr. 760.
[2] E transmeton Tirmidhiu me nr. 3513, Ibn Maxheh me nr. 3113 etj. Hadithi është vlerësuar i saktë nga Neveviu në “El Edhkar” me nr. 247, Ibnul Kajjimi në I’lamul muveki’in (4/249) dhe Albani në “Sahihu Tirmidhi” me nr. 3513.