Katër baza që duhet t’i njohë çdo tregtar musliman (Pjesa e dytë)

July 28, 2017

Vijon nga pjesa e parë…

E dyta: “Të jesh i sinqertë kur flet” – që do të thotë se ai nuk gënjen porse e ruan besnikërinë. Edhe kur u flet njerëzve në tregtinë e tij përherë është i sinqertë. Kur i thotë klientit se ky mall është i ri ai është i sinqertë në fjalën e tij. Nëse i thotë se ky lloj është origjinal, ai është i sinqertë në fjalën e tij. E nëse u thotë se ky mall është i sotshëm e jo i mbetur prej dje, ai është i sinqertë në fjalën e tij. Ky njeri thotë në veten e tij: “E çka më hyn në punë nëse fitoj një apo dy lekë, dhjetë, njëmijë apo më shumë, nëse unë e humb moralin e të qënit i sinqertë e të bëhem gënjeshtar?! Duke ditur se pejgamberi (paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të) ka thënë: “Ruajuni nga gënjeshtra, sepse gënjeshtra të shpie në punë të pista dhe punët e pista të shpien në zjarr”.

Ai është i bindur se furnizimi është në dorën e Allahut të Lartësuar, dhe se nuk është furnizim të posedosh para me anë të të cilave humb moralin e të qënit i sinqertë. Sinqeriteti është bazë e qëndrueshme dhe shtyllë në të cilën nuk bëhen pazarllëqe e as nuk neglizhohet.

Disa njerëzve u prishet morali kur fillojnë të merren me tregti dhe preokupohen për të arritur të mirat e kësaj bote, sprovohen me disa marrëveshje dhe e gjejnë veten më vonë në gjëra që e shtyjnë drejt gënjeshtrës. Madje ndodh që betohen duke e ditur se janë duke gënjyer, gjë për të cilën Pejgamberi (paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të) ka thënë: “Tri grupeve Allahu nuk do t’u flasë në ditën e gjykimit, as nuk do t’i shikojë ata, as nuk do t’i pastrojë, por do të kenë dënim të dhembshëm.” Dhe përmendi prej tyre: “… Ai i cili e tregton mallin e tij duke u betuar rrejshëm.” Në këtë mënyrë ai shet sinqeritetin duke blerë gënjeshtrën, në mënyrë që të arrijë disa nga mirësitë e kësaj bote të cilat janë të përkohshme, Allahu na ruajt.

E treta: “Morali i mirë” që do të thotë se ai punon me njerëzit me moral të mirë dhe sjellje të ndershme.

Ai i cili merret me tregti dhe shit-blerje shikon lloje të ndryshme të sjelljeve të njerëzve, dhe sjellja e keqe e tyre është më e shpeshtë se e mira. Ndaj dhe vazhdimi i përzierjes me njerëz në shit-blerje dhe marrëdhëniet me ta, ndikon tek sjellja në mënyrë negative nëse njeriu nuk i ruan këto baza të sqaruara në këtë hadith, pra “morali i mirë”.

Kështu, tregtari hyn në një mundim me veten e tij në mënyrë që ta ruaj moralin e mirë, duke mos lënë që të shesë moralin e tij në treg si pasojë e përzierjes me moralin e keq të njerëzve. Disa njerëz si pasojë e të jetuarit me disa lloje njerëzish si dhe nevojës së tij ndaj tregtisë, fillon bëhet mallkues, ofendues, fjalë-ndyrë e me moral të keq. Këtë (moral) ai e ka marrë në tregtinë e tij dhe marrëdhëniet që ka me njerëzit, duke humbur kështu një virtyt si pasojë e hyrjes në tregti, si dhe duke mos u treguar i kujdesshëm për ruajtjen e këtyre bazave madhështore.

Tregtari musliman i cili kujdeset për veten e tij nuk e lë tregtinë dhe përzierjen që ka me njerëzit të jenë shkaktarë që ai të humbasë moralin. E çka përfiton njeriu nëse posedon pasuri dhe prish moralin e tij?! Çfarë dobie do t’i sjellë pasuria nëse ai shkatërron moralin e tij?!

E katërta: “Të tregohesh i kujdesshëm se me çfarë ushqehesh” duke u ushqyer me atë që është e lejuar, e duke u larguar nga e ndaluara dhe e dyshimta.

Pejgamberi (paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të) ka thënë: “Vërtetë hallalli është i qartë dhe harami është i qartë, por mes tyre ka gjëra që janë të paqarta për shumicën e njerëzve. Ai i cili ruhet nga gjërat e paqarta ai ka mbrojtur fenë dhe nderin e tij. E ai i cili bie në gjërat e paqarta ai ka rënë në haram, si bariu që kullot bagëtinë e tij në kufijtë e një toke tjetër ku mundet që bagëtia ta kalojë kufirin. Dijeni se çdo mbret ka kufijtë e tij, e kufijtë e Allahut janë ato që ai ka ndaluar”.

Muslimani duhet të jetë i kujdesshëm me se ushqehet, d.m.th. ushqim që nuk përmban në të haram si dhe nuk përmban asnjë pjesë sado të vogël nga harami. Nëse tregtia përmban kamatë, mashtrim, hile, apo ndonjë lloj prej llojeve të tregtisë së ndaluar në sheriat, largohu prej saj plotësisht. Prej bazave të qëndrueshme tek ai i cili ushqehet është se ai nuk neglizhon në të, dhe kërkon në atë mënyrë që nuk përmban asnjë rrezik në këtë çështje.

Vërejmë disa njerëz që i futen mejdanit të tregtisë të cilët nuk i kushtojnë rëndësi çështjes së të ushqyerit, e as nuk i kushtojnë rëndësi pasurisë që fitojnë a është prej hallallit apo prej haramit? Disa prej tyre kanë si rregull: “Hallalli është ai çka dora jote e posedon, e harami është ajo që nuk e ke.”

Ajo çka vjen në dorën e tij dhe e posedon me çfarëdo lloj mënyre bëhet hallall, kurse harami është ai që dora jote nuk mundi ta arrijë e ta kap. Kështu ai nuk i kushton rëndësi hallallit dhe haramit.

Pejgamberi (paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të) ka thënë: “Çdo mish i cili rritet me haram, zjarri është më parësor për të.” Gjithashtu, pejgamberi (paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të) përmendi: “Një person i cili kishte udhëtuar gjatë, i pa krehur e i pluhurosur, i cili i ngre duart e tij drej qiellit dhe thotë: O Zot, o Zot! Porse ushqimi i tij ishte haram, pija e tij ishte haram, veshja e tij ishte haram dhe ishte ushqyer me haram. E si t’i përgjigjet Allahu lutjes së këtij njeriu?!” Si mund t’i përgjigjet lutjes së dikujt që është në këtë gjendje?

Lidhur me këtë, disa prej të parëve tanë kanë thënë: “Ai që dëshiron që Allahu t’i përgjigjet lutjes së tij le të ushqehet me hallall”. Kësaj çështje tregtari musliman duhet t’i kushtojë rëndësi, ta mësojë dhe ta kuptojë në mënyrë që të mos ushqejë veten e tij me ushqim apo pije vetëm pasi ta mësojë se a është hallall ky ushqim apo ajo pije. Nëse është prej haramit apo e dyshimtë largohet prej tyre, sepse prej bazave të qëndrueshme tek ai është që të ushqehet me hallall. Në këtë pikë ai nuk bën pazare sepse është prej gjërave të ngulitura thellë tek ai.

Vëllau im tregtar! Kujdesu për këto katër baza e mos humb prej tyre asnjërën, dhe ruaju nga shejtani dhe vetja që të nxit për të keqen duke të thënë: “Hyre në treg me sinqeritet e malli yt nuk u shit. Ai që shitet është vetëm malli i atyre që gënjejnë e mashtrojnë rreth meje. Ata të cilët i gënjejnë njerëzit dhe u betohen në Allahun se është e mirë porse nuk janë të sinqertë.”

Dije se ky është mejdani i shitjes dhe sprovimit të moralit, ndaj mos të të brengosë ajo pjesë që të ikën prej dynjasë. Kjo është një porosi për ty nga pejgamberi yt (paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të), dhe do ta gjesh këtë nëse bën durim në zbatimin e sunetit dhe në këshillat dhe porositë e pejgamberit fisnik (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të). Përfundimi i mirë do të jetë për ty në jetën e kësaj bote dhe në botën tjetër.

Allahu të ruajt vëlla i nderuar nga moralet e këqija dhe punët e kota, e të dhëntë pasuri hallall dhe jetë të qetë. Vërtetë, Ai dëgjon dhe përgjigjet.

Allahu e di më së miri. Paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi robin dhe të dërguarin e Tij, pejgamberin tonë Muhamedin, familjen e tij, dhe mbi të gjithë shokët e pasuesit e tij!

 

Shkroi: Abdurazak ibn Abdulmuhsin el Bedr

Përktheu: Ylli Rama

Loading...