Mosrespektimi i ditës së festës dhe pasojat e saj!
Allahu i Madhëruar në Kuran thotë:
ذَلِكَ وَمَنْ يُعَظِّمْ شَعَائِرَ اللَّهِ فَإِنَّهَا مِنْ تَقْوَى الْقُلُوبِ
“Kush i madhëron shenjat e Allahut (shenjat dalluese të fesë së Tij), ajo është prej devotshmërisë së zemrave.”[1]
Në lidhje me fjalën “shenjat e Allahut” Imam Kurtubiu – Allahu e mëshiroftë – shpjegon: “Shenjat e Allahut janë çdo gjë për të cilën Ai ka porositur, apo ka njoftuar dhe vënë në dijeni njerëzit. Shenjat e Allahut janë shenjat e fesë së Tij.”[2]
Ndërsa fjala “madhërim” nënkupton përkushtimin ndaj tyre për t’i ruajtur ato në mënyrën më të mirë të mundshme, siç bënin sahabët në lidhje me kurbanet. Kjo ngase ajeti edhe pse i përgjithshëm, ka ardhur në kontekstin e ajeteve që bëjnë fjalë për kurbanet në ditën e festës së kurbaneve, siç thotë Ibn Abasi – radiallahu anhu: “Madhërimi i tyre është të zgjedhësh më të majmen, më të mirën dhe më të madhen.”[3] Imam Kurtubiu përsëri sqaron: Nëse e kryen (detyrën e kurbanit) në këtë mënyrë, edhe pse kryerja mund të realizohet me një tjetër më të ulët në vlerë, atëherë puna e tij nuk ka domethënie tjetër veçse respektimin e fesë dhe kjo është prej devotshmërisë së zemrave.”[4]
Pra, Allahu i Madhëruar e ka quajtur përkushtimin ndaj shenjave të fesë së tij respekt ndaj saj, dhe tregues i devotshmërisë së zemrave të besimtarëve.
Nëse përkushtimi ndaj shenjave të fesë është devotshmëri, atëherë shkelja e tyre është shthurje dhe kapërcim i kufijve (fisk). Allahu i Madhëruar si të tillë e ka cilësuar veprimin e disa prej Beni Israilëve, të cilët shkelën shenjtërinë e së shtunës, festës së tyre.
Allahu i Madhëruar thotë në Kuran:
وَاسْأَلْهُمْ عَنِ الْقَرْيَةِ الَّتِي كَانَتْ حَاضِرَةَ الْبَحْرِ إِذْ يَعْدُونَ فِي السَّبْتِ إِذْ تَأْتِيهِمْ حِيتَانُهُمْ يَوْمَ سَبْتِهِمْ شُرَّعًا وَيَوْمَ لَا يَسْبِتُونَ لَا تَأْتِيهِمْ كَذَلِكَ نَبْلُوهُمْ بِمَا كَانُوا يَفْسُقُونَ
“Pyeti ata (Beni Israilët) për fshatin që ishte pranë detit, kur shkelnin shenjtërinë e së shtunës. Atyre u vinin peshqit ditën e shtunë qartazi ndërsa ditëve të tjera nuk u vinin. Kështu ne i sprovuam ata për shkak se dilnin jashtë kufijve (të Allahut).”[5]
Fjala e Allahut “shkelnin shenjtërinë e së shtunës” tregon se dita e shtunë ishte festë për Beni Israilët, dhe atyre u ishte ndaluar puna në këtë ditë për t’u marrë me adhurim. Ibn Kethiri – Allahu e mëshiroftë – sqaron: Ata ishin të kapur pas fesë së Teuratit në lidhje me shenjtërimin e ditës së shtunë, sepse u ishte ndaluar peshkimi në atë ditë dhe gjithashtu të gjitha zanatet, tregtitë dhe çdo gjë fitimprurëse.[6] Porosia për të ruajtur të shtunën do të thotë: kushtimi i një dite në javë për adhurim gjë e cila kërkohet edhe për xhumanë, sepse Allahu me atë ka anuluar të shtunën.”[7]
Ndërsa Muxhahidi – Allahu e mëshiroftë – në lidhje me fjalën e Allahut: “Kështu ne i sprovuam ata për shkak se dilnin jashtë kufijve (të Allahut)” thotë: Kjo sepse ata e morën të shtunën ditë shkeljeje dhe kundërshtimi (në vend që t’a merrnin ditë bindjeje dhe përkushtimi).[8]
Shkelja e shenjtërisë së kësaj dite çoi në dënimin e tyre për t’u shndërruar në majmunë të nënçmuar, prandaj ki kujdes o rob i Allahut në shkeljen e shenjave të fesë, sepse kjo punë është me pasoja të rënda. Edhe xhumaja për pozitën që ka në Islam, mosrespektimi i saj ka pasoja të rënda për besimtarët siç pati edhe mosrespektimi i së shtunës për Beni Israilët. Duke parë në citatet e Kuranit dhe të haditheve profetike, gjejmë se mosrespektimi i saj ka pasoja në lidhje me besimin, moralin dhe jetesën e njerëzve.
E para: Pasojat në lidhje me besimin shfaqen për faktin se kjo punë vulos zemrën për të qenë gjithmonë i shkujdesur ndaj përkujtimit të Allahut. Profeti – alejhi selam – thotë: “Disa njerëz duhet t’i japin fund lënies së xhumave, ose Allahu do t’ua vulosë zemrat dhe pastaj do të mbeten gjithmonë të shkujdesur.”[9]
Imam Et-Tibij – Allahu e mëshiroftë – në lidhje me kuptimin e këtij hadithi thotë: Kuptimi i këtij hadithi është se njëra nga të dyja do të ndodhë patjetër: ose dhënia fund lënies së xhumave, ose vulosja e zemrës. Sepse bërja zakon e lënies së xhumasë bën që të sundojë ndryshku mbi zemër dhe largon dëshirën e shpirtrave për adhurim, gjë e cila i çon drejt shkujdesjes së përhershme.[10]
Në një këndvështrim tjetër kjo do të thotë mbjellje e hipokrizisë në zemër, sepse hipokritët (munafikët) janë ata të cilët nuk e përkujtojnë Allahun veçse pak, siç thotë Allahu i Madhëruar në Kuran:
وَإِذَا قَامُوا إِلَى الصَّلَاةِ قَامُوا كُسَالَى يُرَاءُونَ النَّاسَ وَلَا يَذْكُرُونَ اللَّهَ إِلَّا قَلِيلًا
“Ata (hipokritët) kur ngrihen për në namaz ngrihen me përtesë sa për t’u dukur, dhe nuk e përmendin Allahun veçse pak.”[11]
Fjalën hipokrizi e ka përmendur edhe Profeti – alejhi selam – në lidhje me lënësin e xhumave, kur thotë: “Kush lë tre xhuma pa arsye, ai shkruhet prej hipokritëve.”[12]
Numri tre në lidhje me lënien e xhumave përmendet edhe në një hadith tjetër, ku thuhet: “Kush e lë xhumanë tre herë me neglizhim pa ndonjë domosdoshmëri, atij i vuloset zemra.”[13]
El-Baxhi (dijetari i njohur Andaluzian – Allahu e mëshiroftë) në komentimin e këtij hadithi thotë: Allahu e ka shtyrë vulosjen për në lënien e tretë që t’i japë mundësi njeriut për t’u penduar.”[14]
Shumë prej dijetarëve të Islamit mendojnë se kjo pasojë shfaqet nëse robi lë tre xhuma të njëpasnjëshme, sepse në disa versione të tjera të këtij hadithi cilësohet me “tre herë të njëpasnjëshme”, dhe se lëniet njëra pas tjetrës tregojnë se ai nuk ka interesim ndaj porosive të Allahut.
E dyta: Pasojat në lidhje me moralin shfaqen nga fakti se në xhuma njeriu merr këshilla dhe udhëzime javore për të cilat ka shumë nevojë të kujtohet me to herë pas here. Nëse ai e pengon veten nga kjo mundësi, atëherë ai do të jetë viktimë e dobësisë njerëzore dhe cytjeve djallëzore të cilat do t’ia prishin moralin, sjelljen dhe kulturën.
E treta: Pasoja në lidhje me jetesën shfaqen nga fakti se Allahu i Madhëruar e ka lidhur respektimin e shenjave të fesë së Tij edhe me rrizkun dhe begatinë.
Allahu i Madhëruar në Kuran thotë:
وَلَوْ أَنَّ أَهْلَ الْقُرَى آمَنُوا وَاتَّقَوْا لَفَتَحْنَا عَلَيْهِمْ بَرَكَاتٍ مِنَ السَّمَاءِ وَالْأَرْضِ
“Sikur banorët e vendeve të besonin dhe të ruheshin prej gjynaheve, do t’u dërgonim atyre begati nga qielli dhe nga toka.”[15]
Ibn El-Kajim – Allahu e mëshiroftë – thotë: Kundërshtimet e Allahut fshijnë begatinë. Prej pasojave të tyre është se ato fshijnë begatinë e jetës, begatinë e rrizkut, begatinë e dijes, begatinë e punës dhe begatinë e adhurimit. Pra, në përgjithësi ato fshijnë begatinë e fesë dhe të dynjasë. Nuk është penguar begatia e qiellit dhe e tokës veçse prej gjynaheve të krijesave.”[16]
Prej mirësisë së Allahut në lidhje me këtë umet është se Profeti – alejhi selam – është dërguar me fenë e drejtë dhe të lehtë, siç thuhet në hadith: “Nuk jam dërguar me jehudizëm dhe as krishtërim, por jam dërguar me fenë e drejtë dhe të lehtë.”[17]
Kjo mirësi e Allahut në lidhje me këtë umet shfaqet edhe në lidhje me xhumanë, sepse Allahu i Madhëruar nuk i ka kërkuar atij gjithë ditën e xhuma, por vetëm kohën nga thirrja e ezanit të ditës së xhuma deri në faljen e namazit të saj. Ndërsa Beni Israilëve, siç duket nga çfarë u përmend më lart, është se shenjtëria e së shtunës në ligjet e tyre përfshinte të gjithë ditën. Prandaj le t’i shfrytëzojë ky umet këto mirësi; mirësinë e xhumasë, mirësinë e begative të saj, dhe mirësinë e fesë së lehtë për t’u lumturuar në dynja dhe ahiret.
[1] Suretu El-Haxh: 32.
[2] Shih tefsir El-Kurtubi: 12/56.
[3] Shih tefsir Et-Taberi: 18/621.
[4] Shih tefsir El-Kurtubi: 12/56.
[5] Suretu El-Earaf: 163.
[6] Shih fjalët e autorit në librin “El-Bidajeh ue En-Nihajeh”: 2/144.
[7] Shih fjalët e autorit në librin “El-Bidajeh ue En-Nihajeh”: 1/326.
[8] Shih tefsir Ibn Ebij Hatim: 5/1599.
[9] E transmeton Muslimi, Ahmedi, Darimiu, Nesaiu etj.
[10] Shih fjalët e autorit në librin Sherh El-Mishkat: 4/1270.
[11] Suretu En-Nisa: 142.
[12] E transmeton Taberani dhe e saktëson sheih Albani.
[13] E transmeton Ebu Daudi, Tirmidhiu, Ibn Maxhe, Nesai etj. dhe e saktëson sheih Albani.
[14] Shih fjalët e autorit në librin El-Munteka: 1/204.
[15] Suretu El-Araf: 96.
[16] Shih fjalët e autorit në librin “El-Xheuab El-Kafij”: 84.
[17] E transmeton Ahmedi, Taberani e të tjerë, dhe e saktëson sheih Albani.
Dr. Abdullah Nabolli
Të Ngjashme
- Mirësitë e Allahut kërkojnë falënderim Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Dhjetë mënyra për tu mbrojtur nga shejtani Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Ramazani – testi dhe dhurata e radhës Emin Bilali
- Mësime dhe dobi të përfituara nga surja El Ihlas Udha e Besimtarëve
- Mbështetja tek Allahu Udha e Besimtarëve