NIFAKU – HIPOKRIZIA
Falënderimi i takon Allahut të Madhëruar! Atë e lavdërojmë dhe prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë!
Me përulje shprehim pendesën për mëkatet tona!
E lusim Allahun e Madhëruar të na ruajë nga ligësia e veteve tona e të na mbrojë nga pasojat e punëve tona të këqija!
Atë që Allahu e udhëzon në udhën e drejtë s’ka kush t’a humbasë, e kush e humbet rrugën e drejtë askush përveç Allahut nuk mundet t’a udhëzojë.
Dëshmoj se nuk meriton të adhurohet askush dhe asgjë përveç Allahut, Një dhe i Vetëm, pa ortak e as të ngjashëm. Dëshmoj se Muhamedi është rob i Allahut dhe i Dërguar i Tij.
“O besimtarë! Kini frikë Allahun me një devotshmëri të vërtetë ndaj Tij, dhe vdekja të mos ju gjej ndryshe por veçse duke qenë muslimanë.”
“O njerëz! Ruajuni Zotit tuaj i Cili u ka krijuar prej një njeriu (Ademit), pastaj prej atij krijoi bashkëshorten e tij dhe prej atyre të dyve u shtuan shumë burra e gra. Ruajuni Allahut me emrin e të Cilit kërkoni të drejtat e ndërsjella, dhe ruani lidhjet farefisnore. Allahu është Mbikqyrës mbi ju.”
“O ju që keni besuar! Kijeni frikë Allahun dhe flisni (gjithnjë) të vërtetën. Ai do t’ju drejtojë tek veprat e mira e të drejta, dhe do t’ua falë gjynahet. Kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, me të vërtetë që ka arritur fitoren më të madhe.”
Thënia më e mirë është Fjala e Allahut, ndërsa udhëzimi më i drejtë është ai i Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Punët më të këqija janë sajesat (shpikjet) në fe. Çdo sajesë në fe është bidat. Çdo bidat është humbje (devijim nga rruga e drejtë), ndërsa devijimi nga rruga e drejtë e çon njeriun në zjarr.
Të nderuar vëllezër (dhe motra), robër të Allahut!
Allahu i madhëruar thotë: “A nuk ka ardhur koha që zemrat e atyre që besuan të zbuten me këshillat e Allahut dhe me të vërtetën që zbriti (me Kuran), e të mos bëhen si ata që u është dhënë Libri më parë?! Me kalimin e një kohe të gjatë zemrat e tyre u ngurtësuan dhe shumë syresh janë të pabindur. Dijeni se Allahu e ngjall tokën pas vdekjes së saj! Ne ju sqarojmë argumentet tona në mënyrë që të kuptoni! Hadid: 16-17
I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Nuk ndodh që Allahu t’a ketë zbritur një sëmundje e të mos e ketë zbritur edhe ilaçin për të.”
Kjo është gjithpërfshirëse, për sëmundjet e zemrave dhe ato trupore, për të gjitha ka shërim. Nuk ekziston ndonjë sëmundje të cilën Allahu e ka zbritur (si sprovë për njerëzit), qoftë ajo sëmundje që prek trupat apo që prek zemrat, veçse i ka caktuar edhe ilaçin përkatës. Mirëpo për disa njerëz këto ilaçe mund të jenë të njohura, ndërsa për disa të tjerë jo. Zemrat mund të sëmurën rëndë derisa të vdesin, ashtu siç sëmuren rëndë trupat dhe njeriu vdes.
Allahu i Madhëruar ashtu si ia kthen gjallërinë tokës së vdekur, është në gjendje t’i gjallëroje zemrat e vdekura.
Takimi jonë sot, në dashtë Allahu i Madhëruar, do të jetë me sëmundjen e tretë ndër sëmundjet e zemrës, e cila është “Nifaku – Hipokrizia, Dyfytyrësia”.
U drejtohem juve, o umeti Islam!
Hipokrizia në besim është një sëmundje e rrezikshme dhe e kobshme. Ajo prek zemrat, por ndonjëherë i sëmuri as që e ndien atë. Nifaku (hipokrizia në besim) në këndvështrimin fetar është; të shfaqësh Islamin dhe mirësinë në dukje, dhe të fshehësh mosbesimin dhe ligësinë. Hipokrizia në besim bën që njeriu t’a meritojë ndëshkimin e përjetëshëm në zjarrin e xhehenemit, dhe kurrë më nuk del prej tij nëse ajo hipokrizi buron nga zemra. Hipokrizia në besim është quajtur me këtë emër NIFAK (nefek – tunel si ai qe hap urithi) sepse munafiku hyn në Islam nga njëra derë dhe menjëherë del nga dera tjetër.
Allahu i Madhëruar thotë: “Ata që në fillim besojnë dhe pastaj mohojnë, më pas sërish besojnë dhe sërish mohojnë dhe thellohen në mosbesim, Allahu nuk do t’i falë dhe nuk do t’i shpjerë në rrugë të drejtë. Paralajmëroji hipokritët (o Muhamed) për dënimin e mjerueshëm që i pret.” En Nisa: 137-138
Hipokrizia në besim është dy llojesh: Hipokrizi e madhe dhe hipokrizi e vogël. Hipokrizia e madhe është hipokrizia e zemrës e cila prek thelbin e besimit. Kjo ndodh kur munafiku (hipokriti) e fsheh mosbesimin që ka në zemër dhe shfaqet si besimtar. Për një njeri të tillë nuk ka vend në bashkësinë e muslimanëve. Ky njeri (nëse vdes në këtë gjendje) do të ndëshkohet përjetësisht në zjarrin e xhehenemit e kurrë nuk do mundet të dalë prej tij. Madje, ai do të jetë në vendin më të ulët të zjarrit të xhehenemit.
Allahu i Madhëruar thotë: “Pa dyshim që hipokritët do të jenë në thellësinë më të madhe të Xhehenemit dhe ti kurrsesi nuk do t’u gjesh atyre ndihmës.” En Nisa: 145
Ndërsa hipokrizia e vogël është hipokrizia që prek veprat. Kjo ndodh kur njeriu bën ndonjë vepër nga ato të hipokritëve, por në zemrën e tij ka besim. Pra, mund të ndodhë që tek muslimani të bashkohet besimi me diçka prej hipokrizisë.
Sa e sa muslimanë ka që kur flasin, gënjejnë? Kur premtojnë diçka, nuk e mbajnë fjalën? Kur u lihet diçka në mirëbesim, e shpërdorojnë? Dhe kur konfliktohet me dikë, i kalon kufijtë në armiqësi? Ky njeri e fal namazin! Në zemrën e tij ka besim, por ai vepron disa nga veprat që i shkojnë për shtat vetëm hipokritëve!
Kjo është hipokrizia e vogël; hipokrizia e veprave. Ai tek i cili vërtetohet kjo lloj hipokrizie nuk përjashtohet nga bashkësia e muslimanëve. Një njeri i tillë edhe sikur të dënohet në zjarr në botën tjetër, ai nuk mbetet përjetësisht në të. Cilido që ka një cilësi nga të hipokritëve ai është hipokrit në atë cilësi, e nëse shton (edhe të tjera) ai mund të bëhet hipokrit i mirëfilltë.
I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Nëse tek një njeri gjenden katër cilësi atëherë ai është hipokrit i mirëfilltë, e nëse gjendet njëra prej tyre atëherë tek ai gjendet një prej cilësive të hipokritëve derisa t’a largojë atë: Kur i lihet diçka amanet (në mirëbesim), ai tradhëton (nuk e mban amanetin), kur flet gënjen, kur premton nuk e përmbush premtimin, kur është në konflikt me dikë i tejkalon kufijtë (tregohet i padrejtë).” E transmeton Buhariu (34) dhe Muslimi (58).
O musliman! Mos vallë gjendet tek ti ndonjëra nga këto cilësi?
Nëse po, atëherë dije se ti ke rënë në hipokrizinë e vogël, në hipokrizinë e veprave. Ndërsa në rastin tjetër – Allahut i kërkojmë të na mbrojë! – nëse dikush hiqet sikur është musliman dhe në zemrën e tij fsheh femohimin dhe dashakeqësinë, ky njeri është hipokrit i mirëfilltë dhe ka rënë në hipokrizinë e madhe, atë të zemrës.
Të parët tanë të mirë (muslimanët e hershëm) duke filluar që nga sahabët (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!) dhe ata që i pasuan, që të gjithë frikësoheshin për vetet e tyre prej hipokrizisë prej kësaj sëmundjeje.
Umer el Faruk (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) i cili ishte i përgëzuar me xhenet, i thoshte Hudhejfes (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), sahabiut të nderuar të cilit Profeti (Paqja qoftë mbi të!) i kishte treguar emrat e munafikëve (hipokritëve): “O Hudhejfe! Për hir të Zotit më thuaj! A e ka përmendur Profeti (Paqja qoftë mbi të!) emrin tim në mesin e hipokritëve? Hudhejfja tha: Jo! E dijeni se kurrë më nuk do të tregoj për dikë tjetër.”
Umer el Faruk (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) nuk ia falte namazin e xhenazes askujt, derisa të shihte se ishte i pranishëm Hudhejfja.
Nëse shihte se Hudhejfe ishte prezent, atëherë ia falte namazin xhenazes, e nëse Hudhejfja nuk merrte pjesë ai nuk ia falte namazin nga frika se mos i vdekuri ishte ndër hipokritët.
Ibën ebi Mulejke thotë: Kam takuar tridhjetë vetë nga shokët e Profetit (Paqja qoftë mbi të!). Që të gjithë frikësoheshin se mos ishin prej hipokritëve!
Po ashtu Handhale (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) një ditë u ul dhe po qante. Kaloi pranë tij Ebu Bekër es Sidiku (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) dhe i tha: Si je o Handhale? – Tha: Handhale ka bërë hipokrizi o Ebu Bekër!
Ebu Bekri tha: Subhanallah! Ç’është kjo fjalë që thua?! – Handhale përsëri tha: Handhale ka bërë hipokrizi! Ne shkojmë tek i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!) i cili na flet për Xhenetin dhe Zjarrin (Xhehenemin) aq qartë si t’i shihnim me sytë tanë. Ndërsa kur dalim nga i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!) ne jepemi pas dëfrimit me gratë, me fëmijët dhe gjëra të tjera, dhe harrojmë shumicën nga ato që dëgjuam.
Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) tha: Pasha Allahun, edhe ne veprojmë ashtu! Handhale tregon: Pastaj unë dhe Ebu Bekri u nisëm dhe shkuam tek i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!), dhe unë i thashë: Ka bërë hipokrizi Handhale o i Dërguar i Allahut!
Profeti (Paqja qoftë mbi të!) tha: Ç’është ajo? – I thashë: O i Dërguar i Allahut! Ne vijmë tek ti dhe ti na këshillon duke na treguar për Xhenetin dhe Xhehenemin aq qartë sikur t’i shihnim me sytë tanë. Por kur dalim nga këtu e kthehemi tek familjet tona, dëfrehemi me gratë, fëmijët dhe gjëra të tjera të kësaj bote, dhe harrojmë shumë nga ato që i kemi dëgjuar prej teje.
I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!) tha: “Pasha Atë që ka në dorë shpirtin tim! Sikur të ishit përherë në atë gjendje siç jeni kur vini tek unë dhe të mos hutoheshit aspak, juve do t’ju përshëndesnin engjëjt dhe do t’u shtrëngonin duart në shtratin tuaj dhe në rrugët tuaja. Mirëpo o Handhale, një orë (për adhurim) e një orë (për nevojat e tua) (Këtë e përsëriti tri herë). (Transmeton Muslimi)
Shihni se si sahabët e nderuar frikësoheshin se mos ndoshta angazhimi i tyre me çështje që në origjinë janë të lejuara, po bëhej shkak që hipokrizia të depërtonte në zemrat e tyre.
Dikush nga të parët tanë të mirë (muslimanët e hershëm) ka thënë: Mos u shfaq si mik dhe i dashur i Allahut në dukje e të fshehësh në zemër armiqësi, pasi i tilli është prej hipokritëve.
Mos u shfaq si mik dhe i dashur i Allahut në dukje (përpara njerëzve) ndërkohë që në zemër fsheh urrejtje dhe armiqësi.
Ata frikësoheshin nga hipokrizia, nga kjo sëmundje e rrezikshme, sepse e dinin se sa e rrezikshme është ajo. Ata e kishin kuptuar se ç’është hipokrizia në besim, e lexonin Kuranin dhe meditonin rreth kuptimit të fjalës së Allahut të Madhëruar: “Në zemrat e tyre ka një sëmundje të cilën Allahu ua shton edhe më tepër. Ata i pret një dënim i dhembshëm për shkak të hipokrizisë së tyre.” Bekare; 10.
Po ashtu e kishin lexuar fjalën e Allahut të Madhëruar: “Prandaj Ai ua lidhi hipokrizinë në zemrat e tyre deri në ditën kur do të dalin para Tij, sepse ata e shkelën premtimin e dhënë Allahut dhe e kishin zakon gënjeshtrën.” Et Teube; 77.
O robër të Allahut! Hipokrizia në besim është një sëmundje e rrezikshme e cila prek zemrat dhe i bën ato të vdekura. Kjo sëmundje është e rrezikshme për individin dhe për mbarë umetin islam.
A e dini përse është kështu o robër të Allahut?
Së pari: Sepse të sëmurët nga kjo sëmundje, e ata janë munafikët (dyfytyrëshit, hipokritët), janë njërëzit më të shthurur. Allahu i Madhëruar thotë: “Padyshim që munafikët janë njërëzit më të shthurur.” Et Teube; 67. Ajo shoqëri në të cilën shtohen njerëzit e shthurur, është e destinuar të shkatërrohet.
Së dyti: Sepse të sëmurët nga sëmundja e hipokrizisë, e ata janë munafikët, janë njërëzit më gënjeshtarë.
Allahu i Madhëruar thotë: “Allahu dëshmon se vërtetë munafikët janë gënjeshtarë.” El Munafikun; 1.
Dhe ajo shoqëri në të cilën shtohen gënjeshtarët, është e destinuar të shkatërrohet.
Së treti: Sepse tek munafikët (të sëmurët nga kjo sëmundje) përmbysen të gjitha konceptet dhe botkuptimet. Padyshim që kjo është fatkeqësi e madhe. Munafiku i koncepton çështjet ndryshe nga çfarë janë në realitet. Ai mbjell shkatërrim dhe mendon se është duke vepruar mirë. Ai është prej shkatërrimtarëve, por në veten e tij mendon se është prej përmirësuesve.
Allahu i Madhëruar, duke i përshkruar munafikët, thotë: “Kur u thuhet atyre: Mos bëni çrregullime në tokë! – ata thonë: Ne bëjmë vetëm përmirësime në tokë! Por jo! Në të vërtetë, pikërisht ata janë shkaktarët e çrregullimeve ndonëse nuk e ndiejnë.” El Bekare; 11-12.
Përmirësues në shoqëri janë ata që këshillojnë për vepra të mira dhe ndalojnë nga e keqja, ndërsa shkatërrues janë ata që nxisin për vepra të shëmtuara dhe pengojnë nga e mira. Po munafikët si veprojnë?
Allahu i Madhëruar duke i përshkruar ata thotë: “Hipokritët dhe hipokritet janë të ngjashëm me njëri – tjetrin; kërkojnë të bëhen vepra të këqija e pengojnë nga të mirat.” Et Teube; 67.
Kështu pra, hipokriti (munafiku) – duke marrë për bazë ajetin kuranor – është keqbërës i madh dhe është ndër ata që mbjell shthurje e shkatërrim në tokë, por ngaqë botkuptimi i tij është i përmbysur, ai shkatërron në tokë duke menduar se është duke vepruar mirë.
Së katërti: Sepse të sëmurët nga sëmundja e hipokrizisë, e ata janë munafikët, janë të luhatur midis mosbesimit dhe besimit. Ashtu siç i ka cilësuar Allahu i Madhëruar: “Luhaten në mëdyshje, nuk janë as me këta as me ata.” En Nisa; 143.
Allahu i Madhëruar përshkruan gjendjen e hipokritëve në betejën e Uhudit duke thënë: “Dhe për të zbuluar se kush janë hipokritët, atyre u tha: Ejani të luftoni në rrugën e Allahut, ose të paktën mbrohuni! Ata u përgjigjën: Sikur t’a dinim që do të bëhej luftë e vërtetë, me siguri do t’ju pasonim. Atë ditë ata ishin më afër mohimit sesa besimit, sepse me gojët e tyre flisnin atë që nuk e kishin në zemrat e tyre. Allahu e di mirë çfarë fshehin ata.” Ali Imran; 167.
Ndërsa i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!) duke e përshkruar munafikun (dyfytyrëshin), thotë: “Shembulli i munafikut është si shembulli i një deleje bredharake (e cila lëviz midis dy tufave), herë anon nga njëra tufë e herë anon nga tufa tjetër.” Sahihul Xhamia; 5853.
E tillë është gjendja e dyfytyrëshve. Ata përbëjnë rrezik për vetet e tyre dhe për mbarë umetin.
Së pesti: Hipokritët të cilët janë të sëmurë nga sëmundja e hipokrizisë, shndërrohen në mesin e shoqërisë islame në faktor të rrënimit të Islamit dhe muslimanëve. Për këtë arsye Allahu i Madhëruar ia ka vënë në dukje të Dërguarit të Tij Muhamedit (Paqja qoftë mbi të!) dhe besimtarëve rrezikun e madh që u kanoset prej hipokritëve, dhe i njoftoi ata se dyfytyrëshit janë armiqtë më të mëdhenj, prandaj bëni kujdes!
Allahu i Madhëruar thotë: “Kur vijnë tek ti hipokritët, thonë: Ne dëshmojmë se ti je vërtet i dërguari i Allahut! Allahu e di se ti je i dërguari i Tij, por Ai dëshmon se hipokritët janë gënjeshtarë! Ata i përdorin betimet e tyre si maskë dhe i largojnë (njerëzit) prej rrugës së Allahut. Vërtet, shumë të mbrapshta janë punët e tyre! Kjo, sepse ata fillimisht besuan, pastaj mohuan, kështu që zemrat e tyre u vulosën dhe si pasojë ata nuk kuptojnë më.
Kur i shihni pamja e tyre e bukur ju mahnit, e nëse flasin ju i dëgjoni fjalët e tyre. E megjithatë, ata janë si trungje të mbështetura. Ata kujtojnë se çdo thirrje që dëgjojnë është kundër tyre. Ata janë armiqtë e vërtetë, andaj ruhuni prej tyre! Allahu i vraftë! Sa shumë që janë larguar (nga e vërteta)!” Munafikun; 1-4.
O robër të Allahut! Të sëmurët nga sëmundja e hipokrizisë përbëjnë rrezik për Islamin dhe muslimanët.
Duke qenë kështu, Allahu i Madhëruar i ka demaskuar ata në suren El Bekare, në suren Al Imran, në suren En Nisa, dhe i ka demaskuar munafikët në suren Et Teube nga fillimi i saj e deri në fund. Madje Ai zbriti një sure për t’i demaskuar dhe e emërtoi me emrin e tyre, e ajo është surja El Munafikun.
Pothuajse i gjithë Kurani tregon për rrezikun e hipokritëve për shkak të rrezikut të madh që vjen prej tyre. Mos u çudit aspak nga kjo o musliman!
Cilët ishin ata që i nxitën grupacionet e idhujtarëve kundër muslimanëve për t’i dhënë fund Islamit dhe muslimanëve, ndërsa vet ata deshën t’i godisnin muslimanët pas shpine? Ata ishin munafikët (hipokritët).
“… (hipokritët) u thanë shokëve të vet që nuk besuan prej ithtarëve të Librit: Nëse ju dëbojnë ne do të dalim me ju dhe askujt nuk do t’i bindemi kundër jush, e nëse ju sulmoheni, me siguri që do t’ju dalim në ndihmë. Allahu dëshmon se ata janë gënjeshtarë.” El Hashr; 11.
Kush ishin ata të cilët në betejën e Ahzabit, atëherë kur nga tronditja e madhe shpirti u erdhi në fyt, thanë: “Allahu dhe i Dërguari i Tij nuk na kanë premtuar asgjë, përveçse mashtrim!” Dhe një grup prej tyre tha: “O banorët e Jethribit, s’ka qëndrim këtu për ju, andaj kthehuni!” Një grup tjetër nga ata kërkoi leje prej të Dërguarit duke thënë: “Në të vërtetë, shtëpitë tona janë të pambrojtura”! Por ato nuk ishin të pambrojtura. Ata donin vetëm të iknin.” El Ahzab; 12-13.
Kush ishin ata të cilët u shprehën kështu në betejën e Ahzabit? – Ata ishin munafikët (hipokritët).
Kush ishin ata të cilët në betejën e Beni Mustalik thanë: “Mos u jepni kurrgjë atyre që janë me të Dërguarin e Allahut, me qëllim që të largohen prej tij! Por Allahut i takojnë thesaret e qiejve dhe të Tokës, ndonëse hipokritët nuk kuptojnë. Ata thonë: Nëse kthehemi në Medine pa dyshim që të fuqishmit do t’i dëbojnë të dobëtit nga ajo! Në të vërtetë, fuqia është e Allahut, e të Dërguarit të Tij dhe e besimtarëve, por hipokritët nuk e dinë.” El Munafikun; 7-8.
Kush ishin ata të cilët thoshin ashtu? – Ata ishin munafikët (hipokritët).
Cilët ishin ata që trilluan shpifje për nënën e besimtarëve Aishen (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!), më të dëlirën e të ndershmen? Trilluan shpifje dhe e përhapën anekënd, cilët ishin ata? – Ata ishin munafikët (hipokritët). Kush ishin ata që u tallën me porositë e Allahut, më argumentet e zbitura nga Ai, me porositë e të Dërguarit dhe me besimtarët?
Ata thanë: “Ne vetëm po bënim shaka dhe po luanim. Thuaj: A mos vallë me Allahun, shpalljet dhe të Dërguarin e Tij po talleni? Mos u shfajësoni! Ju e mohuat fenë pasi patët besuar. Nëse Ne i falim disa prej jush (për shkak se u penduan), do t’i ndëshkojmë të tjerët ngase janë fajtorë (nuk u penduan për talljen që bënë).” Et Teube; 65-66.
Kush ishin ata që ndërtuan një xhami për t’u shkaktuar dëm besimtarëve, për të nxitur përçarje midis tyre dhe për të luftuar Islamin dhe muslimanët? – Ata ishin hipokritët. Ndërtuan një xhami që njerëzit të mashtroheshin se gjoja janë bamirës, e nëpërmjet saj deshën të shkatërrojnë Islamin dhe muslimanët.
Allahu i Madhëruar thotë: “(Hipokritë) Janë edhe ata që ndërtuan një xhami për t’u shkaktuar dëm (besimtarëve), për ta forcuar mohimin dhe për të krijuar përçarje në mesin e besimtarëve, duke iu shërbyer ajo si pusi atyre që qysh më parë luftonin kundër Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Dhe ata betohen: Ne kishim për qëllim të bënim vetëm një vepër të mirë! Por Allahu dëshmon se në të vërtetë ata janë gënjeshtarë.” Et Teube; 107.
Kush ishin ata, të cilët kur i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!) doli për në betejën e Tebukut, thanë: “Mos shkoni në luftë në këtë vapë të madhe!” Et Teube; 81.
– Ata ishin hipokritët.
Munafikët, të sëmurët nga sëmundja e hipokrizisë përbëjnë rrezik të madh për umetin islam, madje më tepër se çdo mohues tjetër. Të pafeve ua dimë mosbesimin dhe armiqësinë, po ashtu edhe të krishterët dhe hebrenjtë i njohim mirë. Ndërsa ai që na shfaqet si musliman dhe e fsheh mosbesimin dhe urrejtjen, ai është rrezik i madh për umetin islam.
Për këtë arsye, Allahu i Madhëruar ia bëri të ditur të Dërguarit të Tij Muhamedit emrat e hipokritëve, dhe e paralajmëroi për rrezikun e tyre.
Allahu i Madhëruar e porositi atë: “Askujt prej hipokritëve kur të vdesin mos ia fal xhenazen, as mos rri afër varrit të hipokritit…” – përse kështu? “… sepse ata e kanë mohuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij, dhe qëndruan të pabindur deri në vdekje.” Et Teube; 84.
Në një ajet tjetër thotë: “U lute për ta apo nuk u lute (o Muhamed) Allahu nuk do t’i falë, edhe sikur ti të kërkosh falje për ta shtatëdhjetë herë!” Et Teube; 80.
Ndërsa në një tjetër ajet thotë: “O i Dërguar! Lufto kundër mohuesve dhe hipokritëve dhe bëhu i ashpër ndaj tyre! Strehimi i tyre është Xhehenemi, sa vendbanim i shëmtuar.” Et Teube; 73.
Ju porosis juve o muslimanë që të ruheni nga sëmundja e hipokrizisë! E lus Allahun e Madhëruar të më ruaj mua, juve dhe të gjithë muslimanët nga kjo sëmundje!
Pa dyshim që në dorën e Allahut është gjithçka dhe Ai është i Gjithfuqishëm.
I kërkoj falje Allahut për veten time dhe për ju!
***
Lavdëruar qoftë Allahu, Zoti i gjithësisë!
Përfundim të mirë do të kenë të devotshmit, ndërsa ndëshkimi do të bierë mbi mizorët!
Dëshmoj se nuk ka zot tjetër të vertetë përveç Allahut, i Cili i mbron njerëzit e mirë, dhe dëshmoj se Muhamedi është rob i Allahut dhe i dërguar i Tij.
O Allah! Lëshoje begatinë Tënde mbi Muhamedin, familjen e tij, shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që e pasojnë traditën e tij deri në ditën e gjykimit. O robër të Allahut! Sëmundja e hipokrizisë është një sëmundje e rrezikshme dhe e kobshme e cila prek zemrat. Kjo sëmundje përbën rrezik për individin dhe për mbarë umetin. Të gjithë muslimanët pa përjashtim, qofshin në poste drejtuese apo qytetarë të thjeshtë, të gjithë duhet të tregojnë kujdes prej munafikëve.
Së pari: Sepse ata janë armiqtë e vërtetë. Allahu i Madhëruar, i drejtohet Profetit (Paqja qoftë mbi të!) duke i thënë: “Ata janë armiqtë e vërtetë, andaj ruhuni prej tyre! Allahu i vraftë, sa shumë që janë larguar (nga e vërteta)?!” Munafikun; 1-4.
Së dyti: Sepse ata janë të ndyrë. Allahu i Madhëruar i ka thënë Profetit (Paqja qoftë mbi të!): “Largohuni prej tyre! Ata janë të ndyrë.” Et Teube; 95.
Së treti: Sepse ata janë tradhëtarë. I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Shenjat e munafikut (hipokritit) janë tre…” – e ndër to përmendi: “Kur i lihet diçka amanet (në mirëbesim) ai tradhëton.”
Hipokriti nuk e mban amanetin.
Allahu i Madhëruar në librin e Tij thotë: “Allahu nuk i do ata që tradhtojnë.” El Enfal; 58.
Së katërti: Sepse Allahu i Madhëruar e urdhëroi Profetin (Paqja qoftë mbi të!) që të mos i lejonte hipokritët t’i bashkëngjiteshin ushtrisë muslimane. Nuk duhet kurrsesi që munafikët të jenë pjesmarrës në punët administrative të muslimanëve. Përse vallë?
Allahu i Madhëruar të Dërguarit të Tij i thotë: “Dhe nëse të kthen Allahu (pas betejës) te një grup i hipokritëve e ata kërkojnë leje nga ti që të shkojnë me ty në luftë, thuaju (o Muhamed): Kurrë nuk do të vini me mua në luftë dhe kurrë nuk do të luftoni me mua kundër armikut!” Et Teube; 83.
Allahu i Madhëruar ia ka bërë të qartë të Dërguarit të Tij, e po ashtu besimtarëve, se cila është arsyeja e pengimit të tyre.
Allahu i Madhëruar thotë: “Sikur të kishin dalë me ju ata do t’ju shtonin juve vetëm të keqe, do të shtinin ngatërresa midis jush dhe do të ngjallnin përçarje, sepse edhe ndër ju ka nga ata që ua vënë veshin. Por Allahu i njeh mirë keqbërësit.” Et Teube; 47.
Së pesti: Sepse munafikët janë shokët më të këqinj. Ata nxisin për punë të shëmtuara, pengojnë nga e mira dhe nuk dëshirojnë që muslimanëve t’u ndodhë diçka e mirë.
Allahu i Madhëruar thotë: “O besimtarë! Mos zgjidhni për miq dhe këshilltarë të afërt njerëz të tjerë jashtë gjirit tuaj; ata nuk ngurrojnë që t’u bëjnë dëm, ata dëshirojnë të vuani. Urrejtja shfaqet në gjithçka që del prej gojës së tyre, kurse ajo që fshehin në zemrat e tyre është edhe më e madhe. Ne jua kemi shpjeguar vargjet (e Kuranit) nëse jeni njerëz që kuptoni.
Ja, ju i doni ata por ata nuk ju duan juve, dhe ju i besoni të gjitha librave (ndërsa ata jo). Kur ata ju takojnë, thonë: “Edhe ne besojmë”, e kur mbeten vetëm, nga mllefi ndaj jush ata i kafshojnë majat e gishtave me dhëmbë. Thuaju: Plasni me mllefin tuaj. Vërtet, Allahu e di mirë ç’kanë në gjokset e tyre. Nëse u vjen ndonjë e mirë ata i brengos, e nëse ju gjen ndonjë e keqe ata gëzohen, por nëse ju duroni dhe ruheni nga gjynahet, dinakëritë e tyre nuk mund t’ju dëmtojnë aspak. Vërtet Allahu ka dijeni për çdo gjë që punojnë ata.” Al Imran 118-120.
Të prekurit nga sëmundja e hipokrizisë në besim është fatkeqësi e rëndë dhe katastrofë e vërtetë, si për individin ashtu dhe për shoqërinë.
Pasi që Allahu i Madhëruar i demaskoi munafikët, ua tregoi clësitë e tyre të Dërguarit të Tij, Muhamedit (Paqja qoftë mbi të!) dhe besimtarëve në mënyrë që të tregohen të kujdesshëm.
E pasi që Allahu i Madhëruar na tregoi se munafikët do të jenë në thellësinë më të madhe të zjarrit të xhehenemit, Allahu shpalosi mëshirën e Tij të gjerë, e padyshim që Ai është Mëkatfalës e i Gjithmëshirshëm. Ai e hapi derën e pendimit në të gjithë gjerësinë e saj përpara munafikëve, dhe ua sqaroi atyre se cili është ilaçi i efektshëm kundër sëmundjes së hipokrizisë.
Allahu i Madhëruar thotë: “Pa dyshim që hipokritët do të jenë në thellësinë më të madhe të Xhehenemit dhe ti kurrsesi nuk do t’u gjesh atyre ndihmës. Me përjashtim të atyre që pendohen, përmirësohen, mbështeten fort tek Allahu dhe që besimin e tyre e kanë sinqerisht vetëm për Allahun. Këta do të jenë me besimtarët e vërtetë. Allahu do t’u japë shpërblim të madh besimtarëve.” En Nisa: 145-146.
Kështu pra, munafiku (hipokriti) i cili e fsheh mosbesimin që ka në zemër dhe shfaqet si besimtar, duhet të pendohet tek Allahu i Madhëruar. Ilaçi i efektshëm për të ëshë besimi i sinqertë, të mbajë në zemër besim dhe të shfaqë në dukje besim. Të jetë besimtar në dukje dhe në fshehtësi. Besimi i sinqertë është ilaçi i efektshëm për sëmundjen e hipokrizisë.
E lus Allahun e Madhëruar, Zotin e Arshit të madh, që t’i ruaj zemrat tona nga kjo sëmundje! Pa dyshim që në dorën e Allahut është gjithçka dhe Ai është i Gjithfuqishëm.
O Allah! Ktheji muslimanët tek feja jote me një kthim të mirë!
O Allah! Na e bëj të qartë të vërtetën dhe na mundëso t’a pasojmë atë! Na i bëj të qartë rrugën e gabuar dhe na largo prej saj!
O Allah! Dhuroi vendit tonë paqe dhe qetësi, e po ashtu të gjithë vendeve ku jetojnë muslimanët, dhe jepi sukses mbretit të vendit tonë dhe të gjithë drejtuesve tanë që të punojnë në përputhje me dispozitat e Librit Tënd (Kuranit) dhe në përputhje me traditën profetike!
O robër të Allahut! Dijeni se cilido që punon vepra të mira ato do të jenë në favor të tij, ndërsa cilido që vepron keq ajo do t’i kthehet po atij.
Kurrsesi Allahu nuk është Ai që u bën padrejtësi robërve!
Përktheu: Enes AJDINI
Dosje: Hipokrizia, Syfaqësia
Të Ngjashme
- Mirësitë e Allahut kërkojnë falënderim Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Dhjetë mënyra për tu mbrojtur nga shejtani Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Emrat dhe atributet e Allahut të Madhëruar Udha e Besimtarëve
- Kur pasionet bëhen idhull dhe Zot Ibën Rexheb el Hanbeli
- A mund të ndikojë mësyshi edhe në këtë rast? Emin Bilali