Mësimi i katërt: Parathënia e librit El-Akide Et-Tahauije (pjesa e tretë).
Autori në vazhdim të parathënies së tij përmend emrat e fukahave të umetit – siç ka preferuar t’i cilësojë – dhe thotë:
[Ebu Hanife En-Numan bin Thabit El-Kufij, Ebu Jusuf Jakub bin Ibrahim El-Ensarij dhe Ebu Abdullah Muhamed bin El-Hasen Esh-Shejbanij -Allahu qoftë i kënaqur me ta-].
Zgjedhja e autorit për të sqaruar Akiden sipas bindjeve të këtyre dijetarëve, ka disa arsye.
E para: Këta dijetarë janë të hershëm, sepse ata kanë jetuar nga fundi i shekullit të parë dhe përgjatë shekullit të dytë të hixhretit, gjë që u ka mundësuar të jenë në kontakt me shumë dijetarë nga brezi i tabi’inëve dhe pasuesve të tyre.
E dyta: Këta dijetarë janë të njohur dhe kanë qenë referenca e shumë njerëzve në mësimin e fesë, sidomos në fushën e Fikhut, çfarë ka bërë që opinionet e tyre të kthehen në shkollë më vete dhe të njihet me emrin Medhhebi Hanefi.
E treta: Prej këtyre dijetarëve ka pasur nga ata të cilët kanë mbajtur postin e gjykatësit, sidomos kadiu Ebu Jusuf -Allahu e mëshiroftë. Ata kanë bashkuar mes respektit të njerëzve dhe respektit të drejtuesve në kohën e tyre, për të qenë umet unik e i bashkuar. Pikërisht kjo i dha asaj epoke lulëzimin e begatinë.
E katërta: Vet autori i kësaj përmbledhjeje i njeh mirë këta dijetarë: mendimet, idetë dhe opinionet e tyre, sepse ai i përket shkollës së tyre në lidhje me çështjet e Fik’hut. Kjo do të thotë se ai është njeriu i duhur për ti sqaruar ata edhe në Akide – Allahu e mëshiroftë.
Tani le të njihemi më shumë me këta dijetarë për të vërtetuar nga afër këto që thamë në lidhje me arsyet e zgjedhjes së autorit për t’ju referuar atyre në lëndën e Akides!
Imami Ebu Hanife, En-Numan bin Thabit, El-Kufij – Allahu e mëshiroftë.
Imami Ebu Hanife është një prej dijetarëve më të njohur të Islamit dhe ka jetuar nga viti 80-150 sipas hixhretit.
Emri i tij është En-Numan, një emër i vjetër arab, i njohur edhe para kohës Islame edhe në Islam. Këtë emër në Islam e kanë mbajtur disa sahabë, ku një prej tyre është En-Numan bin Beshir – radiallahu anhu.
Babai i tij quhet Thabit bin Zuta. Zuta është emri i gjyshit të tij, origjina e të cilit mendohet të jetë Persia dhe ekzaktësisht Kabuli, qytet në Afganistanin e sotëm. Ai mendohet të jetë takuar me Aliun -radiallahu anhu- ndërkohë që i biri Thabiti ishte i vogël, dhe i ka kërkuar atij të bënte dua për të.
Llagapi i tij është Ebu Hanife.
Ai ka lindur dhe jetuar në qytetin El-Kufe – qytet i vjetër i Irakut – dhe prandaj cilësohet me llagapin tjetër El-Kufij që do të thotë “banor i Kufes”.
Ai ka nxënë dije nga disa dijetarë prej tabiinëve dhe pasuesve të tyre, ku më i njohuri prej tyre është tabi’ini dhe dijetari i mençur Hamad bin Ebi Sulejman -Allahu e mëshiroftë. Këtë dijetar e ka shoqëruar për një periudhë të gjatë 18 vjeçare dhe është ndikuar shumë prej tij duke i marrë edhe mënyrën e argumentimit në nxjerrjen e gjykimeve të fikhut. Ata përdornin disa metoda logjike në dhënien e fetvave dhe ja disa shembuj!
E para: Teamim El-Hukm El-Am, që do të thotë studimi i domethënies së atyre çështjeve të cilave nuk u dihet gjykimi me qëllim që të renditen tek një domethënie e përgjithshme të cilës i dihet gjykimi, për t’i barazuar ato në gjykim.
P.sh. nuk thuhet “Amin” me zë në namaz kur imami lexon me zë, sepse fjala “Amin” është dua dhe Allahu i Madhëruar në lidhje me duanë në Kuran thotë: “Lutjuni Zotit tuaj me përulje dhe fshehtësi.” Suretu El-Earaf: 55.
E dyta: Istis’hab El-Hal, që do të thotë: Kur të ndryshojë gjendja në lidhje me një gjykim të njohur të sheriatit, të mos ndryshojë ai gjykim derisa të vijë argument për ndryshimin e tij.
P.sh. nuk lejohet bashkimi i namazeve veçse në Arafat dhe Muzdelife (d.m.th. në Haxh), sepse Allahu i Madhëruar thotë: “Namazi për besimtarët ka qenë detyrë në kohët e caktuara.” Suretu En-Nisa: 103. Kështu që sipas tyre në çdo rast duhen pesë vakte në pesë kohë, me përjashtim të rastit të Arafatit dhe Muzdelifes ku dihet se Profeti – alejhi selam – i ka bashkuar namazet duke falur pesë namaze në tre kohë.
E treta: El-Kijas, që do të thotë; krahasimi i një çështjeje për të cilën nuk ka gjykim në Kuran dhe në Sunet me një çështje të ngjashme për të cilën ka gjykim, me qëllim që t’i jepet asaj i njëjti gjykim.
P.sh. nuk quhet udhëtar veçse ai që udhëtimi i tij zgjat tre a më shumë ditë, krahasuar me kohën e mes’hit, sepse Profeti – alejhi selam – ka thënë: “Vendasi merr mes’h një ditë dhe një natë, kurse udhëtari tri ditë e tri netë.” E transmeton Kadiu Ebu Jusuf në librin El-Athar.
Nëpërmjet këtyre metodave logjike ata gjenin gjykim për çdo çështje që u duhej dhe nuk dinin për të argument të drejtpërdrejtë.
Ky veprim është veprim i ligjësuar nga ana e sheriatit për nxjerrjen e gjykimeve kur nuk ka argument të drejtpërdrejtë, apo kur nuk dihet se ekziston ndonjë argument i tillë sidomos në atë kohë kur hadithi profetik akoma nuk ishte mbledhur.
Ata ndoshta jo gjithmonë ia kanë qëlluar të saktës në lidhje me gjykimet e tyre në Fikh, sepse kur u mblodh hadithi profetik u gjetën edhe mospërputhje, por nga ana tjetër ata vendosën bazat e Fikhut për brezat e ardhshëm dhe ky ishte kontribut shumë i madh.
Dijetari Hamad bin Ebi Sulejman është hallka kryesore e Ebu Hanifes, e cila e lidh atë me brezin e sahabëve -radiallahu anhum – që kanë jetuar në Kufe, si: Abdullah bin Mesudi dhe Aliu – radiallahu anhuma.
Pas vdekjes së këtij dijetari, Ebu Hanife për shkak të dallueshmërisë që pati në nxënien e dijes dhe aftësive që zotëronte, zuri vendin e tij në mësimin e fesë. Më pas kjo e bëri atë shumë të njohur.
Ai u bë aq i njohur sa atij i referohet një shkollë e tërë në mësimin e Fik’hut Islam “Medhhebi Hanefi”, ndjekësit e së cilës janë të përhapur gati në çdo vend të botës Islame dhe vazhdojnë të jenë dhe sot e kësaj dite.
Ai gjithashtu ka qenë njeri i devotshëm dhe prej devotshmërisë së tij ishte se nga frika se mos kishte kundërshtuar në fetvatë e tij ndonjë hadith profetik të cilin nuk e dinte në kohën e fetvasë, thoshte: “Nëse saktësohet hadithi, ai është medhhebi im.” Shih Hashijet Ibn Abidin: 1/68.
Ai është vlerësuar nga shumë dijetarë të njohur, mes tyre Hafs bin Gijath kadiu i Kufes pas kohës së Ebu Hanifes -Allahu e mëshiroftë- i cili ka thënë: “Opinionet e Ebu Hanifes në Fik’h janë më të holla se qimja e flokut.”
Abdullah bin Mubarek -Allahu e mëshiroftë- ka thënë: “Nuk kam parë më të ditur në Fikh sesa Ebu Hanife.”
Ndërsa imam Shafiu -Allahu e mëshiroftë- ka thënë: “Njerëzit në Fikh janë nën vartësinë e Ebu Hanifes”.
Shih biografinë e Ebu Hanifes në librin Sijer Ealam En-Nubela të imam Dhehebiut: 6/390-403.
Kadiu Ebu Jusuf Jakub bin Ibrahim El-Ensarij -Allahu e mëshiroftë-.
Kadiu Ebu Jusuf është nxënësi më i afërt i Ebu Hanifes, dijetar e kadi në kohën e tij. Ka jetuar nga viti 113-182 sipas hixhretit.
Emri i tij është Jakub bin Ibrahim. Llagapi i tij është Ebu Jusuf.
Ai gjithashtu njihet me llagapin El-Kadi për shkak të postit të gjykatësit që ka mbajtur në kohën e tij, dhe me llagapin El-Ensarij për shkak se gjyshi i tij Sead bin Buxhejr ka qenë Ensar nga sahabët e Medines – radiallahu anhum.
Kadiu Ebu Jusuf ka lindur dhe jetuar në Kufe në të njëjtin qytet me Ebu Hanifen, dhe e ka shoqëruar atë për 17 vjet.
Thuhet se vet Ebu Hanife ka shpenzuar për të që ai të mësojë sepse ishte i varfër. Ndryshe nga mësuesi i tij Ebu Hanife, ai ka zotëruar edhe fusha të tjera të dijes përveç Fikhut.
Hilal Er-Ra’j dijetar i njohur i fikhut dhe shoqëruesi i ngushtë i Ebu Jusufit – Allahu e mëshiroftë – ka thënë për të: Ebu Jusufi dinte mirë tefsirin, ngjarjet profetike, historinë e arabëve dhe një prej dijeve të tij ishte edhe Fik’hu.
Ndërsa Ibn Maini dijetari i njohur i fushës së hadithit – Allahu e mëshiroftë – ka thënë: Nuk kam parë njeri nga pasuesit e metodës logjike në fetva më të besueshëm në hadith dhe më të saktë në transmetimin e tij sesa Ebu Jusufi.
Imam Dhehebiu – Allahu e mëshiroftë – thotë: Ebu Jusufi arriti gradë të lartë në kryesimin e dijes dhe Harun Er-Rashidi (prijësi i kohës së tij) e çmonte shumë atë.
Për aftësitë dhe besueshmërinë e tij aai është zgjedhur për të qenë kadiu i Bagdadit dhe kryekadiu i gjithë kadinjve në kohën e halifes El-Mehdij – Allahu e mëshiroftë -, dhe konkretisht në vitin 166 sipas hixhretit. Këtë post ka vazhduar t’a mbajë edhe në kohën e sundimit të halifes tjetër El-Hadij, edhe në kohën e Harun Er-Rashidit deri në vdekje në vitin 182 – Allahu e mëshiroftë.
Shih biografinë e tij në librin Sijer Ealam En-Nubela: 8/535.
Imami Ebu Abdullah Muhamed bin El-Hasen Esh-Shejbani – Allahu e mëshiroftë.
Emri i tij është Muhamed bin El-Hasen. Llagapi i tij është Ebu Abdullah.
Llagapi tjetër që tregon prejardhje është Esh-Shejbanij sepse rrjedh nga fisi arab Benu Shejban.
Muhamed bin El-Haseni ka lindur në qytetin Uasit të Irakut në vitin 131 sipas hixhretit dhe është rritur në qytetin El-Kufe, çfarë i mundësoi atij të njihej me imamin Ebu Hanife – Allahu e mëshiroftë.
Pas vdekjes së Ebu Hanifes – Allahu e mëshiroftë – e ka plotësuar kërkimin e dijes me Kadiun Ebu Jusuf, pastaj e ka vazhduar atë duke udhëtuar për në Medine për të përfituar nga dijetari i madh i kohës së tij imam Maliku – Allahu e mëshiroftë -, udhëtim i cili i mundësoi atij të njihet me hadithet profetike.
Ndryshe nga dy mësuesit e tij ai është njohur gjithashtu si gjuhëtar dhe letrar i gjuhës arabe, sepse shquhej për gjuhën e tij të pastër dhe stilin e tij të bukur.
Imam Shafiu – Allahu e mëshiroftë – thoshte për të: Nuk kam parë njeri me gjuhë më të pastër dhe më të bukur sesa Muhamed bin El-Hasen Esh-Shejbani. Kur e dëgjoja atë duke lexuar Kuran mendoja sikur Kurani ka zbritur në gjuhën e tij.
Prej tij kanë përfituar shumë dijetarë ku më të njohurit prej tyre janë imam Shafiu dhe imam Ahmedi – Allahu i mëshiroftë.
Ashtu si shejhu i tij Ebu Hanife ai ka shumë vlerësime në fushën e Fikhut. Imam Shafiu thoshte për të: Njeriu më i besueshëm në Fikh (për kohën e tij) është Muhamed bin El-Hasen Esh-Shejbani.
Ndërsa El-Muzenij dijetari i njohur i Egjiptit dhe nxënës i Imam Shafiut – Allahu e mëshiroftë -, kur është pyetur për Ebu Hanifen dhe dy nxënësit e tij ka thënë: Ebu Hanife është i pari i tyre, Ebu Jusufi ndjek më shumë nga të tjerët hadithin, ndërsa Muhamed bin El-Hasen Esh-Shejbani është degëzuesi më i mirë i çështjeve.
Për shkak të aftësive dhe besueshmërisë së tij ai është zgjedhur nga halifja Harun Er-Rashid – Allahu e mëshiroftë – për të mbajtur postin e kadiut në qytetin Raka të luginës së Mesopotamisë dhe në qytetin Raj të Persisë, deri në vdekjen e tij në vitin 189 të hixhretit.
Shih biografinë e tij në librin Tarikh Bagdad: 2/561.
Këta janë dijetarët të cilët autori ka zgjedhur të tregojë Akiden e tyre. Ata -siç shihet nga biografitë e tyre- kanë bashkuar shumë cilësi me vlerë në Islam, si; dija, devotshmëria, hershmëria, respekti, suksesi, begatia etj. Kështu autori me zgjedhjen e tyre sikur do të thotë: O lexues i përmbledhjes time! Këto cilësi nuk bashkohen veçse kur njeriu ka besim të saktë dhe të drejtë, prandaj ti zgjidh bindjet e tyre për Akide që të shpresohet se je në të vërtetën!
O Allah, na mundëso të jemi në rrugën e drejtë, në rrugën e të parëve të bekuar të këtij umeti! Dërgo paqe e mëshirë mbi ata të cilët e kanë ruajtur atë! Amin!
Shkroi: Dr. Abdullah Nabolli
Dosje: Allahu
Të Ngjashme
- Emrat dhe atributet e Allahut të Madhëruar Udha e Besimtarëve
- Kur pasionet bëhen idhull dhe Zot Ibën Rexheb el Hanbeli
- A mund të ndikojë mësyshi edhe në këtë rast? Emin Bilali
- Si ka mundësi që Allahu ua jep dynjanë jobesimtarëve?! Emin Bilali
- Cilat ishin fjalët e fundit që tha Profeti para se të largohej nga kjo botë? Udha e Besimtarëve