GJYKIMI FETAR MBI MJEKIMIN DHE LLOJET E TIJ

March 26, 2021

GJYKIMI FETAR MBI MJEKIMIN DHE LLOJET E TIJ

ME EMRIN E ALLAHUT TË GJITHËMËSHIRSHMIT MËSHIRËPLOTIT!

Legjislacioni islam ka në thelbin e tij marrjen në konsideratë të domosdoshmërive dhe nevojave të njerëzve, si dhe mirëqenien e përgjithshme të shëndetit fizik dhe mendor të tyre. Ai është i ndërtuar mbi kritere dhe standarte të cilat peshojnë dëmet dhe dobitë me të cilat përballen njerëzit në jetën e tyre. Dëmet shmangen sa të jetë e mundur, ose pakësohen nëse shmangia është e pamundur. Dobitë ruhen të plota sa është e mundur, ose të pjesshme nëse ruajtja e tyre të plota është e pamundur. Dobia absolute apo dobia dominante është e ligjshme, ndërsa dëmi absolut apo dominant është i paligjshëm.

Mjekimi është ndër ato gjëra që për njerëzit nganjëherë është i domosdoshëm, nganjëherë i nevojshëm e nganjëherë shërben për mirëmbajtjen dhe mirëqënien e përgjithshme të shëndetit fizik dhe mendor.

Shëndeti është një nga mirësitë e mëdha me të cilat Allahu e ka begatuar njeriun. Profeti (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Kush nga ju gdhihet i sigurtë në familjen e tij, i shëndetshëm në trupin e tij dhe posedon furnizim të mjaftueshëm për atë ditë, është njësoj sikur t’i jetë dhënë e gjithë bota.”  Tirmidhiu: 2346.

Nga lutjet që bënte rregullisht Profeti (Paqja qoftë mbi të!) dhe këshillonte të tjerët t’i bënin, ishte dhe lutja për shëndet. Imam Ahmedi ka përcjellë në Musnedin e tij se Profeti (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: ‘’Lutjuni Allahut për falje dhe shëndet!’’ Musnedi i Ahmedit: 6.

Po ashtu ai ka përcjellë se Profeti (Paqja qoftë mbi të!) nuk i linte këto tri lutje kur gdhihej dhe kur ngrysej: ‘’O Allah, kërkoj prej Teje shëndet në këtë jetë dhe në tjetrën. O Allah, kërkoj prej Teje falje dhe shëndet në fenë time, jetën time, familjen time dhe pasurinë time. O Allah, m’i mbulo të metat dhe më siguro nga frika.’’ Musnedi i Ahmedit: 4785.

Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thoshte: ‘’I lutem Allahut për falje dhe shëndet, sepse nuk ka gjë më të mirë për njeriun pas besimit se sa shëndeti.’’ Musnedi i Ahmedit: 34.

Trupi i njeriut që të mbahet i shëndetshëm ka nevojë për energji të vazhdueshme. Për t’i siguruar trupit energjitë që i nevojiten, Allahu krijoi ushqimin nëpërmjet të cilit trupi merr energji për të pasur një funksion optimal. Ndërsa për të kuruar sëmundjet dhe çrregullimet, Allahu zbriti ilaçet. Në mënyrë që njeriu të mos e lërë pas dore furnizimin e trupit me energjitë që i nevojiten, Allahu bëri që njeriu të ketë uri dhe etje. Në çastin që trupit i nevojiten energji, menjëherë aktivizohet ndjesia e urisë dhe e etjes. Nëse nuk do të ishte ndjesia e urisë dhe e etjes, njeriu nuk do të kujdesej për furnizimin e trupit me energji dhe për pasojë trupi do të shkatërrohej.

Allahu me urtësinë dhe mëshirën e Tij bëri që uria dhe etja t’a detyrojnë njeriun  të kujdeset që trupi të marrë energjitë e duhura përmes të ushqyerit dhe pijes. Ato sa vijnë e rriten, derisa të bëhen të papërballueshme dhe t’a detyrojnë njeriun të furnizojë trupin me ushqim dhe pije edhe nëse ai nuk dëshiron. Jo vetëm kaq, por Allahu me mëshirën dhe mjeshtërinë e Tij bëri që ushqimet të kenë shije të ndryshme në mënyrë që proçesi i të ushqyerit të jetë sa më argëtues dhe sa më i shijshëm për njeriun. Imagjinoni nëse ushqimet do të kishin një shije të vetme ose nuk do të kishin fare shije, sa i bezdisshëm dhe i mundimshëm do të ishte proçesi i të ushqyerit për njeriun! Sa i Lartë dhe sa i Urtë është Allahu!

Ndërsa për kurimin e sëmundjeve dhe çrregullimeve të shkaktura në organizëm, Allahu me urtësinë e Tij krijoi ndjesinë e dhimbjes e cila e sinjalizon njeriun për sëmundjen që ka prekur trupin dhe e lajmëron të marrë masat e duhura për mjekimin e saj. Sa më e rrezikshme të jetë sëmundja për trupin aq më e madhe bëhet  dhimbja, dhe ajo nuk pushon së shqetësuari njeriun derisa ai të marrë mjekimin e duhur për kurimin e saj. Sa i Lartë dhe sa i Urtë është Allahu!

MJEKIMI NË VETVETE ËSHTË I LIGJSHËM

Të gjithë dijetarët e fesë Islame janë të pajtuar se mjekimi në vetvete është i ligjshëm. Për ligjshmërinë e mjekimit dëshmojnë:

1 – Fjala e Allahut të Madhëruar: ‘’Nga barqet e tyre (të bletëve) del lëng, ngjyra e të cilit është e ndryshme dhe në të cilin ka shërim (ilaç) për njerëz. Edhe në këtë ka arsye për atë popull që mendon thellë’’ Nahl: 69.

Në këtë verset kuranor, Allahu i Madhëruar e ka përmendur shërimin i cili përfitohet nga mjalti i bletës si begati dhe mirësi nga ana e Tij, dhe si një prej fakteve që dëshmojnë mbi fuqinë e Tij.

2 – Profeti (Sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: ‘’Mjekohuni o robër të Allahut, sepse Allahu i Madhëruar bashkë me çdo sëmundje ka zbritur dhe ilaçin e saj, përveç pleqërisë!’’

Burimet e Hadithit: Ahmedi 18455. Ebu Davudi 3855. Tirmidhiu 2039.

Grada e Hadithit: I saktë. E kanë saktësuar: Tirmidhiu, Hakimi, Neveviu, Albani, Shuajbi, Abdul Kadri etj.

Në këtë hadith Profeti (Sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) i ka urdhëruar njerëzit të mjekohen dhe më e pakta që përfitohet nga urdhëri profetik është ligjshmëria.

3 – Profeti (Sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: ‘’Padyshim, për çdo sëmundje gjendet një ilaç. Nëse gjendet ilaçi i sëmundjes, atëherë ajo shërohet me lejen e Allahut.’’

Burimi i Hadithit: Sahihu i Muslimit: 2204.

4 – Profeti (Sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: ‘’Allahu ka zbritur ilaçin e çdo sëmundjeje.’’

Burimi i Hadithit: Sahihu i Buhariut: 5678.

5 – Profeti (Sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: ‘’Mjekohuni me dy kurat; mjaltin dhe Kuranin.’’

Burimet e Hadithit: Suneni i Ibën Maxheh 3452.

Grada e Hadithit: E kanë saktësuar Ibën Kethiri, Hakimi dhe Dhehebiu. Sipas Bejhakiut versioni i saktë është se kjo është thënie e Ibën Mesudit dhe jo e Profetit (Sal-lAllahu alejhi ue sel-lem).

6 – Ebu Seid el Hudri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: Erdhi një burrë te Pejgamberi (Sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe i tha se vëllai i tij kishte dhimbje barku. Pejgamberi (Sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) i tha: Jepi të pijë mjaltë. Ai erdhi për herë të dytë dhe Pejgamberi (Sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) i tha përsëri: Jepi të pijë mjaltë. Ai erdhi për herë të tretë, por Pejgamberi (Sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) prapë i tha: Jepi të pijë mjaltë. Burri u kthye përsëri dhe i tha: Ashtu bëra , – ndërsa Pejgamberi (Sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) i tha: Allahu ka thënë të vërtetën ndërsa barku i vëllait tënd ka gënjyer! Jepi të pijë mjaltë. Kështu, ai i dha përsëri të  pijë mjaltë dhe ai u shërua.

Burimi i Hadithit: Sahihu i Buhariut: 5684.

7 – Profeti (Sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: ‘’Në farën e zezë gjendet shërim për çdo sëmundje, përveç vdekjes.’’

Burimet e Hadithit: Sahihu i Buhariut: 5688, dhe Sahihu i Muslimit: 2215.

8 – Profeti (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Shërimi është në tri gjëra: Në një gllënjkë mjalti, në nxjerrjen e gjakut të keq me kupa dhe në kauterizimin (djegien e plagëve me hekur të nxehtë), por unë i ndaloj pasuesit e mi nga kauterizimi.’’

Burimet e Hadithit: Sahihu i Buhariut: 5680.

Tekstet e mësipërme dëshmojnë se Islami nxit për mjekim, madje në to gjenden dhe udhëzime mbi disa produkte kurative të ndryshme.

 MENDIMET E SHKOLLAVE JURIDIKE MBI DISPOZITËN E MJEKIMIT

Shkollat juridike kanë dhënë mendime të ndryshme përsa i përket mjekimit në përgjithësi.

1 – Sipas shkollës malikie dhe të një mendimi në shkollën hanefie mjekimi në përgjithësi është mubah (i ligjshëm).

2 – Sipas shkollës shafie dhe të mendimit tjetër në shkollën hanefie mjekimi në përgjithësi është mustehab (i pëlqyeshëm).

3 – Sipas shkollës hanbelie në përgjithësi lënia e mjekimit është më e mirë se marrja e tij.

(Shiko: Hashijetu Ibën Abidin 5/215, Raudatu et Talibin 2/96, Keshshaful Kina 2/76, El Insaf 2/463.)

Neveviu (Allahu e pastë mëshiruar!) në komentin e tij mbi sahihun e Muslimit, saktësisht në komentin e hadithit: ‘’Çdo sëmundje e ka një ilaç, nëse arrihet ilaçi i duhur i sëmundjes njeriu shërohet me lejen e Allahut’’ (Muslimi 2204), ka thënë:’’Ky hadith aludon se mjekimi është mustehab (i pëlqyeshëm). Ky është mendimi i hoxhallarëve të shkollës sonë, mendimi i pjesës dërrmuese të brezave të parë dhe mendimi i brezave të mëvonshëm në përgjithësi.’’ (Sherhun Nevevi ala Sahihi Muslim: 14/191.)

Kadi (Allahu e pastë mëshiruar!) ka thënë: Këto hadithe përmbajnë njohuri të larmishme mbi fenë dhe jetën. Ato dëshmojnë për saktësinë e shkencës së mjekësisë dhe se mjekimi në përgjithësi është i ligjshëm. Gjithashtu, dëshmojnë se të mjekuarit me gjërat e përmendura në këto hadithe (hadithet që ka cituar Muslimi) është gjë e pëlqyeshme. Ato shërbejnë si kundërpërgjigje ndaj sufive ekstremistë të cilët e kanë refuzuar mjekimin dhe kanë thënë se; përderisa çdo gjë varet nga caktimi i Allahut mjekimi nuk është më i nevojshëm. Argumenti i dijetarëve të cilët e lejojnë mjekimin janë hadithet e lartpërmendura. Ata besojnë se Allahu është ai i Cili bën që ilaçi të ketë ndikim dhe se mjekimi është pjesë e kaderit, njësoj siç jemi urdhëruar të bëjmë dua, të luftojmë armikun, të mbrohemi dhe të mos e hedhim veten në shkatërrim.’’ (Sherhun Nevevi ala Sahihi Muslim; 14/191.)

Ibën Tejmijeh (Allahu e pastë mëshiruar!) ka thënë: Njerëzit kanë patur dilemë sa i takon mjekimit, a është mubah, mustehab apo vaxhib? E vërteta është se mjekimi ndahet në disa lloje. Disa lloje të tij janë të paligjshme, disa mekruh, disa mubah, disa mustehab e disa vaxhib. Mjekimi bëhet vaxhib kur dihet se vetëm nëpërmjet tij mbahet jeta gjallë. Ashtu siç lejohet ngrënia e ngordhësirës në rast domosdoshmërie ku të katër imamët  dhe pjesa dërrmuese e dijetarëve e kosiderojnë vaxhib. Mesruku ka thënë: Ai i cili e ka të domosdoshme ngrënien e ngordhësirës por nuk ha derisa vdes, ai hyn në zjarr. (Mexhmu el Fetava; 18/13.)

Përgatiti: Rexhep Milaqi

Loading...