Të drejtat e prindërve!
Në javët e kaluara kemi folur rreth njohjes me Allahun dhe të dërguarin e Tij, hakun e tyre ndaj nesh dhe obligimet që kemi ndaj tyre. Pasi kemi sqaruar të drejtat e tyre është radha të flasim për drejtën e dikujt tjetër të cilin Allahu e ka renditur direkt pas hakut të Tij dhe të Profetit të Tij, e ai është haku i prindërve, haku i nënës dhe i babait.
Allahu i Madhëruar në shumë vende në Kuran na urdhëron t’a adhurojmë Atë të Vetëm dhe të pashok, dhe të mos adhurojmë askënd tjetër përveç Tij. Dhe menjeherë pas kësaj na urdhëron për sjellje të mirë ndaj prindërve.
Allahu i Lartësuar thotë në Kuran:
“Adhurojeni Allahun dhe mos adhuroni të tjerë përveç Tij, dhe silluni mirë me prindërit.” (En Nisa: 36)
Allahu i Lartësuar thotë:
“Thuaju o Muhamed: Ejani, afrohuni t’ju tregoj se çfarë u ka ndaluar Zoti juaj. U ka ndaluar të adhuroni të tjerë përveç Allahut dhe u ka urdhëruar të silleni mirë me prindërit.” (El En’am: 151)
‘Zoti yt ka urdhëruar t’a adhuroni Atë dhe të mos adhuroni të tjerë përveç Tij, dhe të silleni mirë me prindërit. Kur ata arrijnë pleqërinë njëri prej tyre ose të dy, mos i thuaj as ‘uff’ (mos të dëgjojnë prej teje asnjë fjalë të keqe madje as ‘uff’ e cila është grada më e ulët e fjalës së keqe), e as mos bëj veprime të këqija ndaj tyre.”
Pra, Allahu na ka ndaluar të themi fjalë të këqija dhe të bëjmë vepra të këqija ndaj prindërve.
“…thuaju atyre fjalë të mira” – fjalë të buta, me edukatë, me nderim e madhërim.
“…dhe shtrije ndaj tyre dorën e përuljes, thjeshtësisë dhe mëshirës, dhe thuaj (kur të plaken e kur të vdesin): Zoti im! Mëshiroji ata siç më edukuan mua kur isha i vogël.” (El Isra: 23-24)
۞۞۞
Njeriu e ka detyrë bindjen, respektin dhe sjelljen e mirë ndaj prindërve e sidomos në pleqëri, siç jemi urdhëruar në këtë ajet. Ndërsa në fund të ajetit tregohet arsyeja se ata prindër e edukuan fëmijën me Islam kur ishte i vogël dhe u kujdesën për të.
Shohim njerëz që janë kujdesur shumë për edukimin trupor të fëmijës duke i dhënë të gjitha të mirat dhe duke sakrifikuar që mos t’i mungojë asgjë në ushqim dhe veshje. Gjithashtu kanë kanë bërë maksimumin për edukimin me dije të dunjasë për fëmijën e tyre dhe e kanë shkolluar në shkollat më të mira, por nuk kanë bërë asgjë për edukimin e fëmijës me Islam ndaj ky fëmijë sillet keq me ta sidomos në pleqëri.
Sekreti i suksesit në këtë aspekt është edukimi me Islam. Ai fëmijë i cili është rritur me namaz dhe me frikën ndaj Allahut, kur rritet sillet mirë me prindërit e tij sepse ka frikë Allahun. Kur i’a mësuan Kuranin dhe hadithet e sakta të Profetit ﷺ në fëmijëri, i’a mësuan edhe këto ajete dhe hadithe në lidhje me hakun e prindërve.
Allahu i Lartësuar na porosit në disa vende në Kuran të kujdesemi për prindërit dhe të sillemi mirë me ta kur thotë: “E kemi porositur njeriun të përkujdeset për prindërit e tij.” (Lukman: 14)
Allahu i Lartësuar thotë: “E kemi porositur njeriun të sillet mirë me prindërit e tij. Nëna e tij e ka mbajtur në bark me shumë vështirësi dhe e ka lindur me shumë vështirësi.” (El Ahkaf: 15)
Kujdesi ndaj prindërve dhe mirësjellja ndaj tyre është detyrë edhe nëse ata janë jobesimtarë. Bindja ndaj prindërve muslimanë ose jobesimtarë është detyrë kur na urdhërojnë për gjëra të cilat nuk bien në kundërshtim me Islamin. Ndërsa kur na urdhërojnë për gjëra të cilat janë në kundërshtim me Islamin ose Islami i ka ndaluar ato, nuk lejohet bindja në atë gjë as ndaj prindërve dhe as ndaj dikujt tjetër.
Allahu i Lartësuar thotë: “Nëse prindërit të urdhërojnë të adhurosh të tjerë përveç Meje dije se nuk ka argument për këtë dhe nuk lejohet. Pra mos i’u bind atyre!” (El Ankebut: 8)
– Hutbja e dytë –
E kanë pyetur Profetin ﷺ: Cila është vepra më e dashur tek Allahu. Ka thënë: Namazi në kohën e tij.
E kanë pyetur: Cila vepër është më e dashur tek Allahu pas kësaj? Ka thënë: Sjellja e mirë me prindërit.
Një njeri shkoi te Profeti ﷺ dhe i tha: O i Dërguar i Allahut! Cili njeri e meriton më shumë shoqërinë time dhe sjelljen e mirë? Profeti ﷺ tha: Nëna jote. Ai tha: E më pas?
Profeti ﷺ tha: Nëna jote. Ai tha: E më pas? Tha: Nëna jote. Ai tha: E më pas? Profeti ﷺ tha: Babai yt.
Kjo vepër e mirë ishte e njohur edhe tek popujt para nesh dhe ishte moral i profetëve të Allahut ﷺ.
Allahu i Madhëruar përmend sesi Nuhu ﷺ bënte dua për prindërit e tij: “O Zoti im! Më fal mua, prindërit e mi, dhe çdo besimtar e besimtare të cilët kanë hyrë në shtëpinë time.” (Nuh: 28)
Isai ﷺ duke përmendur mirësitë e Allahut ndaj tij dhe duke e lavdëruar Atë thotë: “…dhe më ka bërë me sjellje të mirë ndaj nënës sime.” (Merjem: 32)
Gjithashtu, Allahu ka përmedur dialogun plot edukatë të Ibrahimit ﷺ me të atin. Në hadithet e Profetit ﷺ është trasmetuar sjellja e tij me edukatë me xhaxhain e tij të cilin e kishte në vend të babait.
Prej formave të sjelljes së keqe ndaj prindërve të cilat i kanë përmendur dijetarët janë:
Qëndrimi me turinj e inat në prani të prindërve, ngritja e zërit ndaj tyre dhe ndërprerja e fjalës kur ata flasin, shikimi shtrembër e me inat, vonesa në kryerjen e nevojave të tyre, mos përgjigjja kur të thërret prindi ose kur të telefonon, sharja ose nënçmimi i prindit ose sharja e prindit të dikujt tjetër dhe ai t’a kthen me sharjen e prindit tënd etj. Gjithashtu, çdo gjë e cila i mërzit ata me përjashtim të rasteve kur i mërzit diçka prej Islamit.
Çfarë rreziku ka sjellja e keqe me prindërit?
Profeti ﷺ ka thënë: “Me të vërtetë Allahu ua ka ndaluar të silleni keq me nënat tuaja.”
Gjithashtu Profeti ﷺ ka thënë: “A t’ju tregoj për gjynahet më të mëdhaja? Thanë: Patjetër o i Dërguar i Allahut! Tha: Adhurimi i të tjerëve përveç Allahut dhe sjellja e keqe me prindërit.”
Gjithashtu Profeti ﷺ ka thënë: “Gjynahu të cilit i fillon dënimi për të që në këtë botë dhe do të dënohet për të edhe në botën tjetër është padrejtësia ndaj njerëzve dhe sjellja e keqe me prindërit.”
Prej shembujve të sjelljes së mirë me prindërit të cilët i kanë përmendur dijetarët e Islamit:
Thjeshtësia me ta pa mendjemadhësi, duaja e shpeshtë për ta, përmendja e tyre për mirë, si dhe nxitimi në kryerjen e nevojave të tyre. Gjithashtu, çdo gjë e hajrit dhe çdo gjë e lejuar e cila i gëzon dhe i kënaq ata.
Prej rasteve kur sjellja e mirë me prindërit duhet të shtohet edhe më shumë. Shembuj të cilët i kanë përmendur dijetarët e Islamit:
Njeriu duhet t’a shtojë kujdesin për prindin; pasi martohet, në udhëtim, kur prindi është i sëmurë, dhe më e rëndësishmja është pas vdekjes së prindit. Atëherë shtohen lutjet, kërkimfaljet dhe sadakatë për ta.
Frytet e sjelljes së mirë me prindërit:
Sjellja e mirë me prindërit është bindje dhe adhurim ndaj Allahut, bindje ndaj Profetit ﷺ dhe ndjekje e rrugës së tij. Ai i cili sillet mirë me prindin do të sillen mirë me të fëmijët e tij. Të shtohet bereqeti dhe begatitë në moshë dhe në rrizk, bëhet shkak për pranimin e duave, të jepet sukses në çdo gjë në jetë, si dhe bëhet shkak për largimin e fatkeqësive.
Dosje: prinderit
Të Ngjashme
- Mirësitë e Allahut kërkojnë falënderim Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Dhjetë mënyra për tu mbrojtur nga shejtani Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Ramazani – testi dhe dhurata e radhës Emin Bilali
- Mësime dhe dobi të përfituara nga surja El Ihlas Udha e Besimtarëve
- Mbështetja tek Allahu Udha e Besimtarëve