Vlera e moralit të mirë

December 10, 2021

VLERA E MORALIT TË MIRË NGA HADITHET E SAKTA

«بُعِثتُ لأُتَمِّمَ حُسْنَ الأخلاقِ»

Jam dërguar që të plotësoj moralin e mirë.” (Maliku me nr. 1742, dhe Ahmedi me nr.8952.)

Shënim: Misioni i Profetit tonë (Paqja qoftë mbi të) ishte që të çonte deri në fund punën e nisur nga profetët e mëhershëm, të predikonte dhe të plotësonte virtytet e larta fetare dhe morale. Ai e përmbushi këtë mision me devotshmëri dhe përkushtim duke ringjallur  mësimet dhe porositë e harruara të Profetëve të mëparshëm, si dhe duke përmirësuar shtrembërimet dhe shpifjet që kishin pësuar mësimet e tyre përgjatë historisë. Profeti (Paqja qoftë mbi të) meriton të quhet (në kuptimin e plotë të fjalës) ‘Edukatori dhe mësuesi më i madh i vlerave dhe i virtyteve të larta’.

«إِنَّ المؤمنَ لَيُدْرِكُ بِحُسْنِ خُلُقهِ: دَرَجَةَ ‌الصَّائِمِ ‌القَائِمِ»

Padyshim që  besimtari nëpërmjet  moralit të tij të mirë arrin gradën e atij që agjëron e që falet (vullnetarisht).” (Ahmedi me nr. 25013, dhe Ebu Daudi me nr. 4798.)

Shënim: Kjo thënie e Profetit (Paqja qoftë mbi të!) na  bën me dije se gradët e larta tek Zoti i Madhëruar, siç arrihen nëpërmjet adhurimeve vullnetare arrihen edhe nëpërmjet moralit të mirë.

‌أَكْمَلُ ‌الْمُؤْمِنِينَ إِيمَانًا، أَحْسَنُهُمْ خُلُقًا، وَخِيَارُهُمْ خِيَارُهُمْ لِنِسَائِهِمْ

Besimtari që ka besimin më të plotë ndër të gjithë besimtarët është ai që ka moralin më të mirë. Më të mirët në mesin e besimtarëve janë ata që janë më të mirë me gratë e tyre.(Ahmedi me nr.7402.)

Shënim: Kjo thënie e Profetit (Paqja qoftë mbi të) na vë në dukje se morali i mirë është pjesë e besimit. Ai që e ka moralin më të mirë e ka dhe besimin më të plotë. Morali i mirë duhet të fillojë që në familje mes bashkëshortëve. Besimtari nuk mund të jetë besimtar i mirë apo i denjë nëse nuk sillet mirë me bashkëshorten e tij.

مَا مِنْ شَيْءٍ أَثْقَلُ فِي الْمِيزَانِ مِنْ خلقٍ حَسَنٍ

Nuk ka gjë që peshon më shumë në peshore se morali i mirë.” (Ahmedi me nr. 27517.)

Shënim: Shpëtimi i besimtarit në ditën e gjykimit varet nga pesha e veprave të tij të mira. Me këtë thënie Profeti (Paqja qoftë mbi të) na këshillon se për të rënduar veprat tona të mira dhe për të shtuar sa më shumë peshën e tyre duhet  të përvetësojmë moral të mirë, sepse morali i mirë peshon më shumë se çdo gjë tjetër veç obligimeve.

“إِنَّ أَحَبَّكُمْ إِلَيَّ، وَأَقْرَبَكُمْ مِنِّي فِي الْآخِرَةِ مَحَاسِنُكُمْ أَخْلَاقًا”

Ata të cilët kanë moralin më të mirë nga mesi juaj do të jenë më të dashurit për mua, si dhe do të jenë të vendosur më pranë meje në ditën e Kijametit.” (Ahmedi me nr. 17732 dhe 6735.)

Shënim: Qëndrimi sa më pranë Profetit (Paqja qoftë mbi të) në ditën e Gjykimit si dhe fitimi i dashurisë së Tij është dëshirë e çdo besimtari. Me këtë thënie Profeti (Paqja qoftë mbi të) na bën me dije se një nga mënyrat për t’a arritur këtë gradë është përvetësimi i një morali sa më të mirë.

إِنَّ مِنْ أَحَبِّكُمْ إِلَيَّ أَحْسنَكُمْ أَخْلَاقًا”

“Ndër më të dashurit nga ju për mua janë ata që kanë moralin më të mirë.” (Buhariu me nr. 3759.)

Shënim: Për besimtarin e denjë Profeti (Paqja qoftë mbi të) është njeriu më i dashur dhe më i shtrenjtë . Ai do të ofronte gjithçka në këmbim të dashurisë së Profetit (Paqja qoftë mbi të) dhe do të kujdesej për të ditur se cila është mënyra për të fituar dashurinë e Tij. Me anë të kësaj  thënie Profeti (Paqja qoftë mbi të) na tregon mënyrën nëpërmjet të cilës besimtari jo vetëm që fiton dashurinë e Profetit (Paqja qoftë mbi të), por bëhet njeriu më i dashur për Të. Kjo mënyrë është përvetësimi i moralit më të mirë.

Rexhep Milaqi

Dosje:

Loading...