Disa shkaqe që shërbejnë për faljen e mëkateve

December 16, 2022

Allahu e krijoi njeriun dhe e dinte shumë mirë dobësinë e tij. Ai i tregoi rrugën e të mirës dhe të keqes dhe e la të zgjidhte:  (وَهَدَيْنَاهُ النَّجْدَيْنِ) Dhe ia kemi bërë të qarta të dyja rrugët.”[1]

Në natyrën e robit, në natyrën e qënies së tij njerëzore ai bie në gabime dhe harresë dhe neglizhon në detyrimet karshi Zotit, kryen mëkate dhe mosbindje. Zoti me mëshirën e Tij të gjerë dhe mirësinë e Tij të madhe ​​i mundësoi atij disa shkaqe dhe disa vepra që ia fshijnë dhe ia falin mëkatet.

Prej këtyre shkaqeve janë:

Shkaku i parë: Teuhidi! Veçimi i Zotit në adhurim dhe përkushtimi i sinqertë ndaj Tij si dhe largimi nga politeizmi (shirku), i pakët apo i shumtë qoftë ai. Pra besimi dhe monoteizmi janë prej shkaqeve më të mëdha për shlyerjen e mëkateve, prandaj përmbaju besimit dhe sinqeritetit ndaj Zotit dhe largohu nga politeizmi sado i pakët apo i shumtë qoftë ai.

Allahu i Lartësuar thotë:

الَّذِينَ آمَنُوا وَلَمْ يَلْبِسُوا إِيمَانَهُمْ بِظُلْمٍ أُوْلَئِكَ لَهُمْ الأَمْنُ وَهُمْ مُهْتَدُونَ

“Sa për ata që besojnë dhe nuk e përziejnë besimin e tyre me padrejtësi (idhujtari), pikërisht atyre u takon siguria dhe ata janë të udhëzuar.” | El En’am: 82 |

Gjithashtu thotë:

إِنَّ اللَّهَ لا يَغْفِرُ أَنْ يُشْرَكَ بِهِ وَيَغْفِرُ مَا دُونَ ذَلِكَ لِمَنْ يَشَاءُ

“Vërtet, Allahu nuk fal që të adhurohet dikush apo diçka tjetër veç Atij, por gjynahet e tjera më të vogla ia fal kujt të dojë. Kushdo që i bën shok Allahut (në adhurim) ka bërë gjynah të tmerrshëm.” | En-Nisa: 48 |

Në një hadith kudsij Allahu i Lartësuar thotë: “O biri i Ademit! Nëse vjen tek Mua sa masa e Tokës me gabime dhe pastaj takohesh me Mua pa më shoqëruar asgjë (në adhurim), Unë do të vij tek ty sa masa e saj plot me falje.”

Shkaku i dytë: Shtimi i Istigfarit (kërkim faljes) dhe pendimit tek Zoti, në fshehtësi dhe haptazi. Istigfar do të thotë të kërkosh mëshirën dhe faljen e mëkateve nga Zoti sepse ky veprim (kërkimi i faljes) i fshin mëkatet dhe e largon barrën e tyre:

وَاسْتَغْفِرُوا اللَّهَ إِنَّ اللَّهَ غَفُورٌ رَحِيمٌ

“Kërkoni faljen e Allahut, sepse Allahu është vërtet Falës i madh dhe Mëshirëplotë.” | El-Muzemil: 20 |

Gjithashtu ka thënë:

وَالَّذِينَ إِذَا فَعَلُوا فَاحِشَةً أَوْ ظَلَمُوا أَنْفُسَهُمْ ذَكَرُوا اللَّهَ فَاسْتَغْفَرُوا لِذُنُوبِهِمْ وَمَنْ يَغْفِرُ الذُّنُوبَ إِلاَّ اللَّ

“Për ata që kur bëjnë vepra të turpshme ose i bëjnë dëm vetes e kujtojnë Allahun dhe i kërkojnë falje për gjynahet e tyre. E kush i fal gjynahet përveç Allahut?” | Al Imran: 135 |

Shkaku i tretë: Frika ndaj Zotit kur je në fshehtësi dhe në publik para njerëzve. Pra kush i frikësohet Zotit fshehtas dhe haptazi, në aparencë dhe brenda shpirtit dhe zemrës së tij duke e ndier mbikqyrjen e Zotit në të gjitha rrethanat, ai e meriton faljen e mëkateve dhe veprave të këqija.

Allahu i Lartësuar thotë :

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا إِنْ تَتَّقُوا اللَّهَ يَجْعَلْ لَكُمْ فُرْقَاناً وَيُكَفِّرْ عَنكُمْ سَيِّئَاتِكُمْ وَيَغْفِرْ لَكُمْ وَاللَّهُ ذُو الْفَضْلِ الْعَظِيمِ

“O besimtarë! Nëse i frikësoheni Allahut Ai do t’ju japë aftësinë e të gjykuarit drejt, do t’ju lirojë nga gjynahet tuaja dhe do t’ju falë. Allahu zotëron mirësi të madhe.” | El Enfal: 29 |

Shkaku i katërt: Lutja ndaj Zotit me bindjen se Allahu do të përgjigjet, sepse Allahu është Mëshiruesi i mëshiruesve dhe më Bujari i bujarëve. Prandaj, nëse bie në mëkate lutju Allahut vazhdimisht e sidomos në kohët kur lutja është më e pranuar, si p.sh.; në pjesën e fundit të natës, pas mbarimit të namazeve të detyruara, mes ezanit dhe ikametit, orën e fundit të ditës së xhuma etj. Pra lutju Allahut me shpresë në mirësinë dhe mëshirën e Tij të gjerë.

أَمَّنْ يُجِيبُ الْمُضطَرَّ إِذَا دَعَاهُ وَيَكْشِفُ السُّوءَ

“A ka më të mirë se Ai që i vjen në ndihmë nevojtarit të këputur kur i lutet Atij, që ua largon të keqen dhe u bën trashëgimtarë në tokë?! Vallë, a ka krahas Allahut zot tjetër?! Sa pak që reflektoni!” | En-Neml: 62 |

Shkaku i pestë: Bindja ndaj Profetit alejhi selam, dashuria ndaj tij dhe praktikimi i mësimeve të tij.

قُلْ إِنْ كُنْتُمْ تُحِبُّونَ اللَّهَ فَاتَّبِعُونِي يُحْبِبْكُمْ اللَّهُ وَيَغْفِرْ لَكُمْ ذُنُوبَكُمْ وَاللَّهُ غَفُورٌ رَحِيمٌ)

Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaju (o Muhamed): Nëse e doni Allahun atëherë më ndiqni mua që Allahu do t’ju dojë dhe t’ua falë gjynahet! Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë.” | Al Imran: 31 |

Shkaku i gjashtë: Abdesi që marrim në çdo namaz. Ky abdes që është kusht për vlefshmërinë e namazit është edhe arsye për faljen e gjynaheve tona. Prijësi i besimtarëve Uthmani, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, mori abdes pastaj tha: E kam dëgjuar të dërguarin e Allahut alejhi selam duke thënë: “Kush merr abdes si abdesi im, Zoti do t’ia falë mëkatet e mëparshme.”

Gjithashtu falja e namazeve dhe të xhumave. Në një hadith Profeti alejhi selam ka thënë: “Çfarë mendoni sikur para portës së ndonjërit prej jush të kishte një lumë ku të lahej 5 herë në ditë, a do mbetej papastërti në trupin e tij? Ky është dhe shembulli i namazeve me të cilat Allahu shlyen mëkatet.” Transmeton Buhariu me nr. 528 dhe Muslimi me nr. 667.

Shkaku i shtatë: Sprovat e robit në veten e tij, në pasurinë apo humbjen e të dashurve të tij. I dërguari i Allahut alejhi selam ka thënë: “Çdo gjë që e godet besimtarin: sëmundje, lodhje, mërzi, siklet, lëndim, pikëllim, saqë dhe gjembi me të cilin shpohet, është shkak me të cilin Allahu ia shlyen mëkatet.” Transmeton Buhariu me nr. 5641 dhe Muslimi me nr. 2572.

Shkaku i tetë: Lutja e fëmijës për prindin e tij dhe kërkimi i faljes për ta. I dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Kur vdes njeriu ndërpriten veprat e tij, përveç në tri raste: sadakaja e vazhdueshme, dituria të cilën e lë pas që të tjerët të përfitojnë prej saj, dhe fëmija i edukuar mirë i cili do të lutet për të.” Transmeton Muslimi.

Allahu i Lartësuar na udhëzon në librin e Tij që të themi për prindërit tanë dhe të lutemi, duke thënë: “O Zoti im, mëshiroji ata ashtu siç më kanë rritur kur unë isha i vogël!” | El-Israa: 24 |

I lutemi Allahut i Cili me mëshirën e Tij ka përfshirë çdo gjë që të na falë të gjithëve në këtë orë të begatë, të na mbulojë rrëshqitjet dhe mëkatet tona dhe të na dhurojë sukses në të ardhmen! T’i ruajë prindërit tanë që janë gjallë dhe t’i mëshirojë ata që kanë vdekur!

I them këto fjalë dhe kërkoj falje nga Zoti i Madhërishëm për vete dhe për ju, dhe për mbarë muslimanët. Kërkoni faljen e Tij dhe pendohuni tek Ai, se Ai është Falës dhe Mëshirues.

Hytbe 2

Të gjithë jemi mëkatarë, të gjithë gabojmë, por më i miri është ai që pendohet. I dërguari i Allahut alejhi selam ka thënë: “Të gjithë bijtë e Ademit janë mëkatarë, por më i miri prej tyre është ai i cili pendohet.”

Vëllai im, ki kujdes t’i shohësh mëkatet e tua me syrin e atij që mendon se Zoti nuk mundet t’i falë. Përkundrazi, Allahu është në gjendje t’i falë, është i mundshëm t’i mbulojë dhe ka mundësi të të mëshirojë. Ajo që kërkohet nga ti është të pendohesh sepse Allahu i Lartësuar i do ata që pendohen dhe gëzohet me pendimin e tyre.

Mëkatet kujtoi që të pendohesh prej tyre dhe jo për tu pezmatuar dhe për të humbur shpresën: “Shpresën nga mëshira e Allahut e humbin vetëm njerëzit jobesimtarë.”

Shpreso në mëshirën e Allahut, frikësohu nga dënimi i Tij, vazhdo me vepra të mira dhe përgëzohu me atë që Allahu i Lartësuar thotë në Kuranin fisnik:

“Dhe ata që pos Allahut nuk adhurojnë zot tjetër, nuk vrasin njeri gjë që Allahu e ka ndaluar përveçse me të drejtë,[2] dhe që nuk bëjnë kurvëri. E kush i bën këto do të marrë gjynahe. Ndëshkimi do t’i dyfishohet në ditën e Kiametit dhe ai do të qëndrojë përherë në këtë fatkeqësi i poshtëruar. Përjashtim bën ai që pendohet, beson dhe punon vepra të mira. Një njeriu të tillë Allahu ia ndërron veprat e këqija në të mira. Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.” | Furkan: 68-70 |

Përmblodhi: Fatjon Isufi

————————————————

[1] Rrugën e së mirës dhe rrugën e së keqes.

[2] “përveçse me të drejtë” d.m.th. për mbrojtje të ligjshme gjatë luftës për çështjen e Allahut, si dhe duke zbatuar dënimet e parashikuara nga legjislacioni islam.

Dosje: , ,

Loading...