A e arrin edhe gruaja shpërblimin e 40 namazeve me tekbirin fillestar?

January 31, 2015

Pyetje: Siç është e njohur në një hadith të saktë nga Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, se kush e kap tekbirin fillestar për 40 ditë, do t’i shkruhen atij dy siguri: nga hipokrizia dhe nga zjarri ( i Xhehenemit). A e ka edhe gruaja këtë shpërblim?

Përgjigje: Së pari ka një hadith të dobët me këtë tekst: “Kush e arrin tekbirin fillestar për 40 namaze në xhaminë time…” Dhe ky hadith është shndërruar në sunet tek disa prej haxhilerëve dhe atyre që kryejnë Umren. Ata prenotojnë hotelet në Medine për aq kohë sa duhet për të falur 40 namaze në xhaminë e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, në veçanti vëllezërit tanë turq. Mbështetja e tyre është te ky hadith dhe ai është i dobët.
Hadithi i saktë është: “Kush e kap namazin që nga tekbiri fillestar 40 ditë – dhe jo 40 namaze, dhe kjo nuk është e veçantë për qytetin e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, – do t’i shkruhen atij dy siguri: nga zjarri dhe nga hipokrizia.”
Pasha Allahun se është me vend dhe shumë e rëndësishme që njeriu të bëjë në jetën e tij një projekt të tillë që e shpëton nga zjarri dhe nga hipokrizia. Të falesh 40 ditë dhe ta kapësh namazin që nga fillimi i tij, nga tekbiri fillestar.

Disa prej të parëve tanë të mirë si Seid ibn el Musejib dhe të tjerë veç tij, kur thirrej ezani ndodheshin në xhami. Kur u pyet për këtë gjë, tha: “Ezani është për të pavëmendshmit.” Muezini thërret dhe përkujton ata që janë të pakujdesshëm ndaj kohës së namazit, ndërsa ai që nuk është i pavëmendshëm nuk ka nevojë për ezanin.

A e ka edhe gruaja këtë shpërblim? Në mënyrë të prerë po. Nëse gruaja i ruan namazet e saj dhe i fal në fillim të kohës të tyre, dhe namazi më i dashur për Allahun është ai që falet në fillim të kohës së tij (sh. p. përveç jacisë e cila preferohet të vonohet, siç ka ardhur nga suneti i saktë), pasi të sigurohet se ka hyrë koha e namazit. Dije se rregulli që është i njohur tek fukahatë (dijetarët e rregullave të fesë) është: “Gratë dhe burrat janë njësoj në shpërblime.” Namazi i gruas në shtëpinë e saj është më i mirë se namazi i saj në xhami.
Allahu e di më së miri.

 

Autor: Meshhur Hasen

Përktheu: Emin Bilali

Dosje:

Loading...