Pyetje: A mund të shfaqet xhindi në formë njeriu? A kanë xhindët një formë reale?
Përgjigje: Falënderimi i takon Allahut. Pyetja është e përbërë nga dy pjesë.
1 – A shfaqen xhindët në formën e njeriut?
2 – A kanë xhindët një formë reale?
Në lidhje me pyetjen e parë, mund të thuhet:
Së pari duhet të theksohet se parimi themelor në lidhje me xhindët është se ata janë të fshehur nga njerëzit, prandaj quhen xhind. Rrënja arabe xhen-ne i referohet një kuptimi të vetëm origjinal që është të mbulosh dhe të fshehësh, siç ka thënë Ibn Faris në librin Mekajis el-Lugah. Xhindët quhen kështu sepse janë të fshehur nga sytë e njerëzve. Edhe fetusit në arabisht i thonë Xhenin sepse ai është i fshehur në barkun e nënës së tij. Po ashtu, edhe një kopsht quhet xhenet sepse është i fshehur nga pemët. I çmenduri quhet mexhnun, sepse mendja e tij është e mbuluar, e kështu me radhë në të gjitha derivatet e kësaj rrënje.
Allahu na ka treguar për këtë kur thotë: “O bijtë e Ademit, le të mos ju mashtrojë kurrsesi djalli, ashtu si i nxori prindërit tuaj nga Xheneti duke ua zhveshur rrobat për t’u dukur vendet e turpshme! Ai dhe shpura e tij ju sheh prej nga ju nuk i shihni ata.” [El A’raf 7:27]
Së dyti: A mund të shfaqen në formë njerëzore?
Është vërtetuar në sunet (hadithet profetike) dhe në jetën reale se xhindët shfaqen në forma të ndryshme, siç janë format e njerëzve dhe kafshëve. Ndër dëshmitë më të qarta të kësaj nga suneti, është historia e transmetuar tek Buhariu nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i cili thotë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) më vuri përgjegjës për ruajtjen e zekatit të Ramazanit. Dikush erdhi tek unë dhe filloi të mbledhë pak nga ushqimi, dhe unë i thashë: Pasha Allahun, do të dërgoj tek i Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!)”. Ai u ankua se ishte nevojtar dhe kishte njerëz për t’u kujdesur për ta, kështu që Ebu Hurejrës (Allahu qoftë i kënaqur me të) ju dhimbs dhe e la të shkonte. Kjo ndodhi tri herë, dhe në rastin e tretë Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të) i tha: “Unë do të të dërgoj tek i Dërguari i Allahut. Kjo është hera e tretë dhe sa herë që më thoje se nuk do të kthehesh, përsëri je kthyer. Ai tha: Më lër të shkoj dhe do të mësoj diçka me anë të së cilës Allahu do të të sjellë dobi. Unë i thashë: Çfarë është ajo? Ai tha: Kur të shkosh në shtrat lexoje Ajetin Kursij (Allahu La ilahe il la Hue El-Hajul-Kajjum) deri në fund të ajetit, sepse gjithmonë do të kesh një mbrojtës nga Allahu dhe asnjë shejtan nuk do të afrohet derisa të vijë mëngjesi. Kështu që unë e lashë të shkojë, dhe të nesërmen në mëngjes i tregova të Dërguarit të Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) çfarë kishte ndodhur. I Dërguari i Allahut tha: Ai ka thënë të vërtetën megjithëse është gënjeshtar. A e di se me kë ke folur për tri netë O Ebu Hurejra? Ai tha: Jo. Ai tha: Ai ishte shejtani.”
El-Hafidh ibën Haxher në Fet’h el Bari ka thënë: Ky hadith na mëson që një nga karakteristikat e shejtanit është gënjeshtra, dhe se ai mund të shfaqet në forma të ndryshme që mund të shihen. Fjalët e Allahut: “Me të vërtetë, ai dhe shpura e tij ju sheh prej nga ju nuk i shihni ata.” [7:27], vlen kur ai (shejtani) është në formën me të cilën është krijuar (pra në atë formë është e pamundur të shikohet nga njeriu).
Është transmetuar se shejtani u është shfaqur Kurejshëve në formën e Suraka ibn Malikut, i cili i inkurajoi ata të luftonin kundër Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!). Kjo ndodhi gjatë betejës së Bedrit.
Ibn Xherir et Taberi ka transmetuar në Tefsirin e tij se Urva bin Zubejr ka thënë: Kur Kurejshët vendosën të marshonin (për ne Bedër), u përmend ajo (lufta) që kishte ndodhur midis tyre dhe fisit Beni Bekr, dhe kjo pothuajse i bëri të ndryshonin mendje. Pastaj Iblisi u shfaq atyre në formën e Suraka ibn Malikut, i cili ishte një nga fisnikët e Benu Kinanes, dhe u tha: “Unë do t’ju mbroj të mos u vijë nga Kinanah diçka që tju dëmtojë. Kështu që ata e vazhduan planin e tyre.” Kjo gjithashtu u përmend edhe nga Ibn Kethiri në el-Bidajeh uen-Nihajeh.
Në Sahihun e Muslimit transmetohet se Ebu Seid el Hudri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) duke thënë: “Në Medine ekziston një grup xhindësh që janë bërë muslimanë, kështu që kushdo që sheh ndonjë nga këto krijesa, le të japë një paralajmërim tri herë, e nëse shfaqet pas kësaj ai mund ti vrasë sepse janë shejtanë. “
Fjala e përkthyer si “krijesa” këtu u referohet llojeve të gjarpërinjve që shfaqen në shtëpi; ata nuk duhet të vriten derisa t’u jepet një paralajmërim tri herë, sepse ata mund të jenë xhindë.
Neveviu ka thënë: Kjo do të thotë se nëse ata (gjarpërinjtë) nuk largohen pasi të paralajmërohen, atëherë ato nuk janë lloji i krijesave që banojnë në shtëpi dhe nuk janë prej xhindëve që janë bërë muslimanë,. Ata janë shejtanë kështu që nuk ka asnjë mëkat nëse i vrisni, dhe Allahu kurrë nuk do t’i japë shejtanit një mënyrë për të mbizotëruar mbi ju duke u hakmarrë, ndryshe nga krijesat (gjarpërinjtë) dhe xhindët që janë bërë myslimanë. Allahu e di më së miri. Komenti i Muslimit.
Incidente të tilla ka patur shumë. Shejhul Islam (Ibn Tejmije) ka thënë: Xhindët mund të shfaqen në forma njerëzore dhe shtazore, kështu që ata mund të shfaqen si gjarpërinj, akrepa, në formën e deveve, bagëtive, deleve, kuajve, mushkave dhe gomarëve, në formë zogjsh, ose në formën e njerëzve pasi shejtani erdhi tek Kurejshët në formën e Surakah ibn Malikut kur ata donin të niseshin për në Bedër.
Së treti: Xhindët kanë çuar në humbje shumë njerëz duke u shfaqur në format e evlijave (njerëzve të mirë) dhe njerëzve të drejtë.
Shejhul Islam (Ibn Tejmije) ka thënë: Shejtani shpesh herë shfaqet në formën e personit që thirret dhe pyetet për ndihmë, nëse ka vdekur dhe ndonjëherë nëse është gjallë, pa e kuptuar personi që i kërkoi ndihmë atij. Në të vërtetë shejtani mund të shfaqet në formën e tij, dhe mushriku (idhujtari) i cili kërkon ndihmën e atij personi mund të mendojë se personi vetë i është përgjigjur atij, kur në fakt ai është shejtan. Kjo gjithashtu ndodh me jomuslimanët të cilët kërkojnë ndihmën e atyre që i mendojnë të mirë, qofshin të vdekur apo të gjallë. Siç janë të krishterët që kërkojnë ndihmën e Gjergjit ose shenjtorëve të tjerë të tyre, dhe kjo u ndodh edhe atyre që mbahen si muslimanë por që bëjnë shirk (politeizëm), dhe ndjekin devijimin duke kërkuar ndihmën e atyre që kanë vdekur ose që nuk janë prezent. Shejtani u shfaqet në formën e atij tek i cili kërkojnë ndihmë, pa e kuptuar ata. Më shumë se një person më ka thënë se ka kërkuar ndihmën time, dhe secili prej tyre më tregoi histori të ndryshme. Unë u thashë se nuk i jam përgjigjur askujt prej tyre dhe nuk e dija se ata po kërkonin ndihmën time. Më thanë se ky që i paska ndihmuar qenka një engjëll, por unë u thashë: Engjëjt nuk i ndihmojnë mushrikët (idhujtarët), përkundrazi ai ishte shejtan që donte t’u mashtronte.
Një nga mënyrat më të mira që një musliman mund të mbrohet kundër shejtanëve, është të “fortifikohet” me dhikër (përmendjen e Allahut) dhe të lexojë ajetin Kursij siç u përmend më lart në hadithin e Ebu Hurejras (Allahu qoftë i kënaqur me të!) .
Në lidhje me pjesën e dytë të pyetjes, e cila është nëse xhindët kanë një formë të vërtetë: Portretizimi i xhindëve përmes fotografive ka hutuar dhe mashtruar shumë njerëz, dhe foto të tilla janë përhapur në shumë rrjete sociale. Nuk është e mundur të verifikohet vërtetësia e asaj që gjendet nëpër faqe interneti, veçanërisht në ditët e sotme kur njerëzit janë shumë të aftë në prodhimin e të gjitha llojeve të falsifikimeve. Për më tepër, hulumtimi i çështjeve të tilla nuk sjell përfitime shpirtërore apo përfitime të kësaj bote, dhe nuk i shërben asnjë qëllimi. Është më mirë të merresh me gjëra që të sjellin përfitime shpirtërore ose dobi të kësaj bote, siç janë leximi dhe kuptimi i asaj që është në Kuran dhe sunet (mësimet autentike profetike), dhe ato që një person duhet të dijë dhe t’i veprojë me besim dhe adhurim të saktë.
Allahu e di më së miri!
Përshtati: Fatjon Isufi
Të Ngjashme
- Emrat dhe atributet e Allahut të Madhëruar Udha e Besimtarëve
- Kur pasionet bëhen idhull dhe Zot Ibën Rexheb el Hanbeli
- Si të veprosh kur të ftojnë në një gosti Shejh Muhamed ibn Salih el-Uthejmin
- A mund të ndikojë mësyshi edhe në këtë rast? Emin Bilali
- Si ka mundësi që Allahu ua jep dynjanë jobesimtarëve?! Emin Bilali