Agjërimi i ditëve të Dhul-hixhes dhe Arafatit

August 28, 2017

Autori i librit “Zadul-Mustekni” Sherafudin Ebu en-Nexha Musa el-Haxhauijju (Allahu e mëshiroftë!), thotë: “Prej sunetit është agjërimi i ditëve të bardha (13, 14 dhe 15 të muajit hënor), i ditës së hënë dhe të enjte, i gjashtë ditëve të muajit Sheval, i muajit Muharrem ku dita e dhjetë e tij është më e fortë pastaj dita e nëntë, agjërimi i nëntë ditëve të Dhul-hixhes, dhe i ditës së Arafatit për ata që s’janë duke kryer haxhin. Ndërsa agjërimi më i mirë është të agjërosh një ditë e ta çelësh një ditë (si agjërimi i Profetit Daud alejhis-selam).”

Shejh Salih el-Feuzani (Allahu e ruajtë!) ka thënë: Lloji i pestë: “Agjërimi i nëntë ditëve të muajit Dhul-hixheh”. Prej ditëve që është e pëlqyeshme agjërimi i tyre janë dhe nëntë ditët e Dhul-hixhes. Ato janë nëntë ditët e para të muajit duke u bazuar në fjalën e tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Nuk ka ditë në të cilat puna e mirë është më e mirë dhe më e dashur tek Allahu se sa në këto dhjetë ditë.” E pyetën: “O i Dërguari i Allahut! As Xhihadi në rrugë të Allahut?” Ai (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) u përgjigj: “As Xhihadi në rrugë të Allahut. Vetëm nëse njeriu del me veten dhe pasurinë e tij në rrugë të Allahut dhe nuk kthehet më.” Hadithin e ka nxjerr Buhariu (2/24) dhe Ahmedi (1/224) prej hadithit të Abdullah bin Abasit (radijAllahu anhuma).

Agjërimi hyn te punët e mira në këto ditë ngase agjërimi është prej veprave më të mira. Po ashtu, bazuar dhe në atë çfarë transmetohet për agjërimin e këtyre ditëve nga i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem).

Lloji i gjashtë: “Agjërimi i ditës së Arafatit për ata që s’janë duke kryer haxhin”, për faktin se Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Agjërimi në ditën e Arafatit shlyen mëkatet e vitit të kaluar dhe atij që do të vijë.” Hadithin e ka nxjerr Muslimi (3/167) prej hadithit të Ebu Katadeh el-Ensarij (radijAllahu anhu).

Është i pëlqyeshëm agjërimi i ditës së Arafatit për atë që nuk është në haxh. Ndërsa haxhiu kur është duke qëndruar në Arafat s’është e pëlqyeshme për të agjërimi i kësaj dite. Përkundrazi, ai nuk duhet të jetë agjërueshëm duke pasuar (marrë si shembull) Profetin (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Profeti ka qëndruar në Arafat (haxhin e lamtumirës) duke mos qenë agjërueshëm, me qëllim që personi të ndjehet i fuqishëm gjatë qëndrimit në Arafat dhe në bërjen e lutjes. Pra, nuk është nga Suneti për atë që kryen haxhin të agjërojë ditën e Arafatit. Përkundrazi, Sunet në të drejtën e tij është që mos të jetë agjërueshëm.

 

“Sherh Zad el-Mustekni.”

Përktheu: Unejs Sheme

Loading...