Transmetohet nga Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhu ue sel-lem ka thënë:
“Agjërimi më i mirë pas atij të Ramazanit është agjërimi i muajit të Allahut Muharrem, dhe namazi më i mirë pas atij të detyrueshëm është namazi vullnetar.” Transmeton Muslimi me nr. 1163.
Gjithashtu transmetohet nga Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, se ka thënë: “Kur i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem erdhi në Medine, i gjeti hebrenjtë duke agjëruar ditën e Ashures, dhe u tha: Çfarë është kjo ditë të cilën po e agjëroni? Ata ia kthyen: Në këtë ditë Allahu e ka shpëtuar Musain dhe popullin e tij dhe përmbyti Faraonin dhe pasuesit e tij. Musai e agjëroi këtë ditë si falënderim ndaj Allahut ndaj dhe ne e agjërojmë. Atëherë i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, iu përgjigj: Ne jemi më parësorë ndaj Musait sesa ju. Ai e agjëroi atë ditë dhe urdhëroi të tjerët që ta agjëronin.” Transmeton Buhariu 4/244 (2004), dhe Muslimi me nr. 1130.
Transmetohet nga Ebu Katadeh, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem u pyet për agjërimin e ditës së Ashures, dhe ai u përgjigj: “Agjërimi i saj shlyen mëkatet e vitit të kaluar.” Transmeton Muslimi me nr. 1162.
Transmetohet nga Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë:
“Nëse do të jem gjallë deri vitin e ardhshëm do të agjëroj edhe ditën e nëntë (ditën para asaj të Ashures, sepse Ashurja është në ditën e dhjetë të muajit hënor Muharrem e kjo si kundërshtim dhe dallim nga hebrenjtë sh.p.).” Transmeton Muslimi me nr. 1134.
Shpjegimi i hadithit:
Agjërimi i ditës së Ashures (e cila është dita e dhjetë e muajit Muharrem dhe dita në të cilën Allahu e shpëtoi Musain prej Faraonit) është vepër e pëlqyer të cilën e legjitimoi i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Me anë të kësaj vepre Allahu me mëshirën dhe mirësinë e Tij i fal mëkatet e vitit të kaluar (përveç mëkateve të mëdha).
Dobitë:
- Vlera e agjërimit në muajin Muharrem.
- Konsiderohet e pëlqyeshme të agjërohet dita e dhjetë e këtij muaji sepse në këtë ditë Allahu e shpëtoi Musain prej Faraonit.
- Agjërimi i kësaj dite shlyen mëkatet e vitit të kaluar përveç mëkateve të mëdha.
- Pëlqehet të agjërohet së bashku me të edhe dita e nëntë e muajit si kundërshtim i hebrenjve (të cilët e agjëronin atë ditë sh.p.).
Shkëputur nga libri: “Mësimet e përditshme”.
Shkroi: Rashid El-AbdulKerijm
Përktheu: Ardit Ulqinaku
Dosje: Dita e Ashurasë
Të Ngjashme
- Kur je duke u falur me xhemat! Udha e Besimtarëve
- Kush e fal namazin e sabahut është nën mbrojtjen e Allahut Udha e Besimtarëve
- Vlera e faljes së namazit vullnetar në shtëpi Udha e Besimtarëve
- Dobitë e dhikrit të mëngjesit dhe të mbrëmjes Udha e Besimtarëve
- Një dijetar si Ibn Tejmije Udha e Besimtarëve