Agjëro gjatë ditëve të Ramazanit!

  1. Agjëro gjatë ditëve të Ramazanit!

Agjërimi i ditëve të muajit të Ramazanit është adhurim madhështor, është një nga obligimet më të rëndësishme në jetën e muslimanit, madje është njëra ndër pesë shtyllat bazë të fesë.

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të!) ka thënë: “Islami ngrihet mbi pesë shtylla: …,-e njëra ndër to është, – Agjërimi i muajit të Ramazanit.”[1]

Allahu i Madhëruar në Kuranin Famëlartë thotë:

“O ju që keni besuar! Agjërimi u është bërë obligim, ashtu siç ishte obligim edhe për popujt para jush, me qëllim që të jeni të devotshëm.” (Bekare 183).

Agjërimi i muajit të Ramazanit është një nga veprat më të mira, që të afron tek Zoti i Madhëruar.

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të!) ka thënë: “Kush e agjëron Ramazanin duke besuar, e duke shpresuar shpërblimin, i falen mëkatet që i ka bërë më herët”[2]

Vërejtje:

Që agjërimi i besimtarit të jetë sa më i begatë preferohet që t’i kushtohet rëndësi ngrënies së syfyrit dhe lutjes, të cilën agjëruesi bën në kohën e iftarit.
Profeti (Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të!) ka thënë: “Ushqehuni në syfyr, sepse në të ka bereqet!” [3]

Gjithashtu ka thënë: “Syfyri është ushqim i begatë, prandaj mos e lini atë, edhe sikur me një gllënjkë ujë, sepse Allahu i bekon ata që hanë syfyr dhe engjëjt luten për ta.”[4]

Kur afrohet koha e çeljes së iftarit është e pëlqyeshme që muslimani ta shfrytëzojë për t’u lutur, sepse lutja në atë kohë është e pranueshme nga Allahu i Lartësuar.

Profeti (Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të!) ka thënë: “Tre kategorive nuk u kthehen lutjet mbrapsht: Prijësit të drejtë, agjëruesit kur çel iftarin dhe lutja e atij të cilit i është bërë padrejtësi.”[5]

Përveç lutjeve të ndryshme që muslimani mund të bëjë në këtë kohë të begatë, gjithashtu preferohet të thotë dhe lutjen të cilën na e ka mësuar Profeti (Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të!) në lidhje me çeljen e iftarit:

Dhehebe dhameu, ue bteletil uruku, ue thebetel exhru insha Allah

U largua etja, u njomën venat dhe u depozitua shpërblimi, në dashtë Allahu!”[6]

[1]E transmeton Buhariu me nr. 8 dhe Muslimi me nr. 16.

[2] E transmeton Buhariu me nr. 38 dhe Muslimi me nr. 760.

[3]E transmeton Buhariu me nr. 1923 dhe Muslimi me nr. 1905.

[4] E transmeton Ahmedi ne “El-Musned” 3/44, El-Mundhiri në “Et-Tergib” 2/139. Albani e ka konsideruar hadith të mirë në librin “Sahihu et Tergib” me nr. 1070.

[5]E transmeton Tirmidhiu me nr. 2525. Albani e ka konsideruar hadith të saktë në librin “Sahihu et Tirmidhi” me nr. 2050.

[6]Transmeton Ebu Daudi në “Sunenin” e tij me nr. 2357. Albani e ka vlerësuar hadith të mirë në librin “Sahihu Ebi Daud” me nr. 2066.