“U pyet për një grua që e ka zakon të falë namaz nate një numër të caktuar rekatesh dhe, ndonjëherë ajo nuk mundet të qëndrojë në këmbë. I thanë: Namazi i atij që falet ulur është sa gjysma e atij që falet në këmbë. A është e saktë kjo?
U përgjigj: Po. Është saktësuar nga Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – se ka thënë: “Namazi i atij që falet ulur është sa gjysma e namazit të atij që falet në këmbë” (Bukhari: 1116). Por nëse e ka zakon që të falet në këmbë dhe ulet (ndonjëherë) për shkak të pamundësisë, Allahu do t’i japë shpërblim si atij që falet në këmbë. Për shkak të hadithit të Profetit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: “Nëse sëmuret robi apo udhëton, do t’i shkruhet atij prej punëve, ajo që vepronte kur ishte i shëndetshëm dhe në vendin e tij” (Bukhari: 2996). Prandaj nëse nuk ka mundësi ta falë namazin komplet për shkak të sëmundjes, Allahu ja shkruan shpërblimin e tij (namazit), për shkak të nijetit të tij, dhe kryerjes nga ana e tij të asaj që kishte mundësi. E ç’mund të themi kur njeriu nuk ka mundësi të bëjë disa nga veprimet e namazit?”
Shejkhul Islam Ibn Tejmijeh “Mexhmuul fetaua” (vëll. 23/ fq. 7)
Thotë shejkh Husejn Auajsheh – Allahu e ruajtë dhe bëftë dobi me të:
“Ndërsa në namazet nafile është lehtësuar për namazliun që të falet ulur, edhe duke pasur mundësi të qëndrojë në këmbë. Veçse ai ka sa gjysma e shpërblimit të atij që falet në këmbë. Siç ka ardhur në hadithin e Imran ibni Husajnit që ka thënë: E pyeta Profetin – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – për namazin e burrit që falet ulur dhe më tha: “Kush falet në këmbë kjo është më mirë dhe, kush falet ulur ka shpërblim sa gjysma e atij që falet në këmbë dhe, ai që falet shtrirë ka shpërblim sa gjysma e atij që falet ulur” (Bukhari: 1116, Muslim: 735)
“El meusuatul fikhijeh” (2/ 20)
Ndërsa për sa i përket të falurit shtrirë shejkhul Islam thotë:
“Nuk e ka lejuar askush nga selefët faljen e namazeve nafile shtrirë, pa pasur arsye. Dhe nuk dihet që ndonjëri prej tyre ta ketë vepruar këtë. Lejimi i kësaj është një fjalë në medh’hebin e Shafiut dhe të Ahmedit, por nuk dihet të ketë ndonjë parpaprirës për këtë fjalë, edhe pse kjo është një çështje që përfshin gjithë njerëzit. Dhe sikur t’i lejohet çdo muslimani t’i falte nafilet shtrirë – duke qenë i shëndetshëm pa asnjë sëmundje, ashtu siç lejohet të falen nafilet ulur apo hipur mbi kafshë – do t’ia kishte sqaruar këtë gjë Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – ummetit të tij, dhe sahabët do ta kishin ditur këtë (sh.p.: dhe do të na e kishin përcjellë), pastaj, duke parë nxitjen e madhe që kishin për punë të mira, do ta kishte vepruar këtë gjë ndonjëri prej tyre, e kur askush prej tyre nuk e ka bërë këtë, kjo tregon se ajo nuk ka qenë e lejuar tek ata dhe, kjo është shtjelluar në vendin e vet” “Mexhmuul fetaua” (el Iman/ 29)
Të Ngjashme
- Çfarë gjykimi ka këndimi i sures El Fatiha në namazin e xhenazes? Udha e Besimtarëve
- Namazi me xhemat Udha e Besimtarëve
- A lejohet që një person të punojë si haxham (praktikues i hixhames)? Udha e Besimtarëve
- Kush e fal namazin e sabahut është nën mbrojtjen e Allahut Udha e Besimtarëve
- Vlera e faljes së namazit vullnetar në shtëpi Udha e Besimtarëve