Të gjithë mund ta kemi përjetuar: i jep dikujt selam me përzemërsi por ai të injoron, nuk ta kthen dhe krenohet e sillet sikur ka bërë diçka të madhe.
Por çfarë thotë shejhu i njohur Ibn Uthejmin për këtë sjellje, kur i është drejtuar kjo pyetje?
Pyetësi: O shejh, Allahu ju shpërbleftë, çfarë mendoni për një njeri të cilit i jep selam dhe ai nuk ta kthen, dhe pasi që e kam këshilluar nuk ka ndryshuar. A të vazhdoj t’i jap selam? Kjo sjellje është përhapur shumë.
Shejhu: Unë them: Jepi selam, jepi selam edhe nëse nuk ta kthen, sepse njeriu është i urdhëruar t’i japë selam vëllait të tij musliman.
Nëse ti i jep selam e ke shpërblimin, ndërsa ai nëse nuk ta kthen bie në gjynah.
Dëshmia për këtë është hadithi që transmetohet nga Ebu Hurejra radijAllahu anhu se një burrë tha:
“O i Dërguari i Allahut, unë kam të afërm të cilët i vizitoj ndërsa ata i shkëpusin lidhjet me mua. Unë sillem mirë me ta por ata më trajtojnë keq. Unë jam i butë me ta, por ata sillen keq me mua.
Profeti ﷺ i tha:
Nëse është ashtu siç thua, atëherë është sikur t’u hedhësh hi të nxehtë (pra ata vetë po dëmtohen përballë sjelljes sate të mire, sikur të ishe duke u dhënë për të ngrënë hi të nxehtë), dhe ti do kesh gjithmonë ndihmues nga Allahu kundër tyre përderisa të vazhdosh në këtë rrugë.” [Transmeton Muslimi]
Kjo do të thotë vazhdo me sjelljen tënde të mirë, sikur t’u hedhësh hi të nxehtë.
Pra, Profeti ﷺ e urdhëroi që t’i mbajë lidhjet familjare edhe nëse ata i shkëpusin.
Po ashtu edhe ti vazhdo t’i japësh selam edhe nëse nuk ta kthen.
Ndoshta me përsëritje ai do turpërohet dhe do ta pyes veten: Pse nuk po ia kthej selamin?
Pyetësi: Po nëse ai mendon se ajo që po bën është pjesë e fesë, pra mendon se po afrohet tek Allahu duke mos kthyer selamin?
Shejhu: Kjo është nëse të ka bojkotuar duke besuar se kjo është pjesë e fesë, dhe ti e ke këshilluar por ai nuk ka kthyer (atëherë ti e ke kryer detyrimin tënd).
Marrë nga libri: “Lika bab el meftuh”, audiokaseta me nr. 062.
Përktheu: Dr. Fatmir Strumi
Dosje: Selami
Të Ngjashme
- Me çfarë gjuhe do t’iu flitet njerëzve në ditën e ringjalljes? Shehul-Islam Ibn Tejmie
- Cila është mënyra më e mirë e tesbihut pas namazeve farz? Udha e Besimtarëve
- Vlerësimi i veprave nga më e rëndësishmja tek më e dobishmja Shehul-Islam Ibn Tejmie
- A është e saktë shprehja “Vdiq parakohe”? Udha e Besimtarëve
- Falja e dy rekateve të hyrjes në xhami afër kohës së ikametit Udha e Besimtarëve