Allahu dhe i Dërguari i Tij e kanë sqaruar besimin (akiden) në mënyrën më të qartë

April 16, 2025

Është e domosdoshme të sqarohen se cilat janë obligimet ndaj Allahut të Lartësuar, çfarë është e pamundur për Të dhe çfarë është e lejuar për Të, në mënyrë që njerëzit të jenë të qartë për fenë e tyre dhe për të Adhuruarin e tyre.

Nuk ka rrugë tjetër për ti njohur këto gjëra përveçse përmes shpalljes hyjnore, pasi ato kanë të bëjnë me gajbin (të padukshmen), që nuk mund të njihen as me logjikë, e as me kijas (analogji).

Allahu na e ka treguar në Kuran mënyrën se si profetët i ftonin popujt e tyre, dhe kjo mënyrë ka qenë e njëjtë për të gjithë: thirrje në njëshmërinë e Allahut (teuhid) dhe adhurimin vetëm të Tij. Profeti i fundit, Muhamedi (paqja qoftë mbi të), i ndoqi gjurmët e tyre, duke thirrur umetin e tij në të njëjtën rrugë në të cilën ftuan profetët para tij – njohjen dhe adhurimin e Allahut Një, dhe nuk i braktisi njerëzit pa ua bërë të qartë rrugën e së vërtetës dhe pa u dalluar e vërteta prej të kotës.

Ibën Maxheh transmeton nga Ebu Derda se ka thënë:

“Doli tek ne i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të), ndërsa ne po flisnim për varfërinë dhe kishim frikë prej saj. Ai tha: ‘A prej varfërisë po frikësoheni?! Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, do t’ju vërshojë pasuria e kësaj bote, derisa zemrat tuaja të mos shmangen veçse nga ajo! Pasha Allahun, ju kam lënë në një rrugë të ndriçuar, nata dhe dita e saj janë njësoj (në qartësi)!’”

Ebu Derda më pas tha:“Pasha Allahun, i Dërguari i Allahut ka thënë të vërtetën – ai na la në një rrugë të ndriçuar, nata dhe dita e saj janë njësoj (në qartësi)!” Sunen Ibn Maxheh 1/4 me nr 5. Hadithi është hasen, për më tepër shih “Vargu i Haditheve të sakta” me nr 688.

Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe Ne ta shpallëm ty Librin si shpjegim për çdo gjë, udhëzim, mëshirë dhe përgëzim për myslimanët.” (En-Nahl: 89)

Gjithashtu Ai thotë: “Ne ta shpallëm ty Librin vetëm që t’u sqarosh atyre atë për të cilën janë kundërshtuar, dhe si udhëzim e mëshirë për një popull që beson.” (En-Nahl: 64)

Po ashtu ka thënë: “Ne ta kemi shpallur ty Përkujtimin (Kuranin) që t’ua sqarosh njerëzve atë që u është shpallur, ndoshta ata do të mendojnë.” (En-Nahl: 44)

Besimi në Allahun, në emrat dhe në cilësitë e Tij dhe po ashtu edhe adhurimi i Tij janë gjërat më madhështore. Prandaj, është e domosdoshme që Libri (Kurani dhe Suneti), i cili është sqarues për çdo gjë, të ketë dhënë sqarimin më të qartë për këto çështje.

Ai patjetër ka për të orientuar drejt udhëzimit më të lartë – që është njohja e Allahut me emrat dhe cilësitë e Tij. Sidomos kur dihet se, njëra nga çështjet më të mëdha për të cilat ka ndodhur mospajtim në këtë ummet është pikërisht kjo temë, prandaj domosdo që e ka sqaruar.

Allahu na ka informuar se e ka zbritur Librin për të sqaruar atë në të cilën ne kundërshtohemi, kështu që domosdo ne kemi për të gjetur në të sqarim që largon çdo dyshim e paqartësi – sepse ai është udhëzim dhe mëshirë, por nuk është i tillë për të gjithë, ai është udhëzim dhe mëshirë vetëm për ata që besojnë.

Gjëja më madhore që na është shpallur është besimi në Allahun dhe njohja e Tij. Allahu na ka njoftuar se e ka shpallur Librin për tu sqaruar njerëzve atë që u është shpallur. Prandaj, si mund të lihet pa sqarim gjëja më e rëndësishme që na është shpallur (besimi)?!

Nga kjo dhe të tjera si kjo, kuptohet qartë se Allahu i Lartësuar, përmes gjuhës së të Dërguarit të Tij, i’a ka sqaruar umetit gjithçka që ata kanë nevojë në fenë e tyre dhe për njohjen e Zotit të tyre. Ai nuk e la këtë çështje në dorë të logjikës apo kijasit (analogjisë) njerëzore.

Ibn Abasi, rreth fjalës së Allahut:

“Sot e përsosa për ju fenë tuaj, dhe e plotësova ndaj jush mirësinë Time, dhe jam i kënaqur që për ju Islami të jetë fe.” (El-Maide: 3), ka thënë:

“Allahu i tregoi të Dërguarit të Tij dhe besimtarëve se ua përsosi besimin, dhe se ata asnjëherë nuk do të kenë nevojë për ndonjë shtesë (në fe). Allahu e përfundoi atë, ndaj nuk do të pakësohet kurrë. Ai e plotësoi atë, dhe është kënaqur me këtë fe prandaj kurrë nuk do të jetë i pakënaqur me të.” E përcjell Ibn Xherir et Taberi me senedin e tij. Për më tepër shih “Tefsir et Taberi” 9/518.

Përderisa Allahu i Lartësuar ua ka përkryer atyre besimin, atëherë çdo gjë që Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të) nuk e ka thënë në lidhje me çështjen e besimit, nuk e ka urdhëruar dhe nuk e ka sqaruar për umetin, është e pavërtetë dhe nuk bën pjesë në fenë e përkryer që ai ka sjellë.

Thelbi dhe themeli i fesë është njohja e Allahut të Lartësuar me emrat dhe cilësitë e Tij, si dhe njohja e asaj që Ai ka të drejtë ndaj robërve të Tij.

Nuk lejohet për një mysliman që beson në Allahun, të Dërguarin e Tij dhe Ditën e Fundit, të mendojë se i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të) nuk e ka sqaruar atë që duhet të besojë robi për Zotin e tij – sepse pikërisht për këtë ai është urdhëruar ta transmetojë dhe kumtojë.

Shejhul-Islam Ibn Tejmije ka thënë:

“Është e pamundur, logjikisht dhe fetarisht, që i Dërguari – me të cilin Allahu i nxori njerëzit nga errësira në dritë, dhe i shpalli Librin që të gjykojë mes tyre për atë që janë kundërshtuar – të ketë lënë çështjen e besimit në Allahun dhe njohjen e Tij të paqartë e të dyshimtë.

Të mos ketë dalluar mes asaj që i takon Allahut prej emrave të Tij më të bukur dhe cilësive të Tij më të larta, asaj që është e lejueshme për Të, dhe asaj që është e pamundur për Të – kjo nuk mund të ndodhë. Sepse njohja e këtyre gjërave është thelbi i fesë dhe më e mira e veprave.

Si është e mundur që Kurani, Profeti dhe shokët e tij – të cilët janë më të mirët e njerëzve pas profetëve – të mos e kenë prefeksionuar saktë këtë çështje, si në besim, ashtu edhe në fjalë?!”

Është e pamundur që Profeti (paqja qoftë mbi të) t’i mësonte umetit të tij rregullat e ngrënies, të pirjes, të pastrimit, dhe çështje të ngjashme, dhe të linte pa i mësuar se çfarë duhet të thonë me gjuhët e tyre dhe të besojnë me zemrat e tyre për Zotin dhe të Adhuruarin e tyre, kur kjo është më madhështorja e njohurive, më e larta e qëllimeve, dhe arritja më e madhe.

Ndërkohë që vetë Profeti ka thënë:

“Çdo pejgamber që ka dërguar Allahu ka qenë detyrë e tij t’a udhëzojë umetin në të mirën më të madhe që ai dinte për ta, dhe t’i largonte prej së keqes më të madhe që ai dinte për ta.”

Gjithashtu është e pamundur që ata që jetonin në kohën e Profetit (paqja qoftë mbi të) dhe gjeneratat që erdhën pas tyre, të mos kenë qenë të dijshëm për të vërtetën në çështjen e njohjes së Allahut dhe të mos e kenë shpallur (treguar) atë.

Është mëse e ditur se ai që në zemrën e tij ka jetë dhe dashuri për adhurimin, do të ketë një kujdes dhe dëshirë të madhe për ta njohur këtë (d.m.th. njohjen e Allahut — Emrat e Tij, Cilësitë e Tij dhe atë që i përket Atij në mënyrë të përshtatshme).

Ndërkohë është saktësuar nga Profeti alejhi selam se ka thënë:”Njerëzit më të mirë janë të brezit tim, pastaj ata që vijnë pas tyre, pastaj ata që vijnë pas tyre. Pastaj do të vijnë njerëz që dëshmia e njërit prej tyre do t’i paraprijë betimit të tij, dhe betimi i tij dëshmisë së tij.” E përcjell Buhariu.

Fjala e ibn Tejmijes gjendet e përmbledhur në Fetava el Hamevije. Për më shumë shih Mexhmu el Fetava 5/706.

Parathënia e librit “Sherh Kitab et Tevhid min Sahih El Buhari”

Shejh Abdullah bin Muhamed El Gunejman.

Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje:

Loading...